Lajmet

​Kuvendi i Kosovës miraton në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore, Konjufca abstenon sërish

Projektligji i ka marrë 58 vota për dhe tre abstenime.

Published

on

Edhe pse me kundërshtimin e opozitës, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca ka abstenuar sërish.

Projektligji i ka marrë 58 vota për dhe tre abstenime.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se vetingu dhe Byroja Shtetërore duhet të jenë të koordinuara me njëra tjetrën.

“Meqenëse po flasim për rregullim sektorial, vetingu dhe agjencia apo Byroja Shtetërore e hetimit, të jenë në një kornizë që të jenë të koordinuara me njëra tjetrën për ndryshe nëse shkojnë në dy komisione të ndryshme, në dy procedura të ndryshme ekziston përshtypja që mund të mos jenë të harmonizuar dhe të kemi probleme pastaj me zbatimin e tyre. Pra propozimi im është që derisa të ketë një konkluzion për nismën tuaj për koordinim lidhur me procesin e vetingut të mos votohet as ky projektligj, besoj që pajtimi ishte të kemi një konkluzion për nismën tuaj para se të shkojmë në pushime verore, që i bie në dy javët e ardhshme ne të kemi një konkluzion”, ka thënë Gashi.

Edhe shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se çështjet e rëndësishme duhet të hyjnë në një pako për reformën në drejtësi.

“Mirë është hyjmë në një pako të reformës në drejtësi me disa çështje të rëndësishme, qoftë rikonstruktimin e prokurorisë, qoftë ndërtimin e një byroje të konfiskimit, qoftë në veting, dhe pak a shumë t’i shohim disa modele të cilat do ta fuqizojnë, mos të shkojmë ta sfidojmë njëri tjetrin një projektligj në Gjykatë Kushtetuese në një agjendë të ecim më tutje, të kundërshtojmë prandaj konsensusin në reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm”, ka thënë ai.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se çështje të tilla të rëndësishme nuk mund të shtyhen me agjendë të një partie.

“Nuk mund të bëjë as vetingun, as këto ligje një parti, për shkak se atëherë vjen partia tjetër dhe do ta rrëzojë këtë proces të vetingun. Dhe nëse ne u dekoduam dje të përcaktojmë saktësisht përbërjen, mandatin, ekskluzivisht nga komisioni i Venecias duhet të diskutohet, po ju them sot për mos me pas paqartësi për nesër, nëse do të shtyjmë këto ligje më një agjendë të një partie atëherë ju them këtu që nuk do të keni konsensus për ndryshime qe udhët të ndodhin në një proces që është edhe më i rëndësishëm që është procesi i vetingut, nuk munden kontestet penale me u vendosë përmes një procedure civile”, ka thënë Tahiri.

Por, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vetingu nuk ka të bëjë me procesin tjetër është Byroja Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Nuk mbaj mend që ka pasur debat në Kuvend më shumë sesa për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Pra e kemi diskutuar edhe para opinionit të Venecias dhe pas opinionit të Venecias, për çka si qeveri e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë. Qëndrimi i qeverisë është, nisja e takimeve me grupet parlamentare për çështjen e konsensusit për çështjen e vetingut në sistemin e drejtësisë, dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me procesin tjetër”, ka thënë ajo.

Pas kësaj ka reaguar shefi i deputetëve të LDK-së i cili ka thënë se nuk është e arsyeshme të vazhdojnë konsultimet.

“Nënkupton që qeveria nuk do të bashkëpunim për këto çështje dhe, faleminderit për ftesën dje për bashkëpunim por e konsideroj të paarsyeshme me na thirre më edhe në takime”, ka thënë Gashi.

Para hedhjes në votim, ka folur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sipas së cilit vërejtjet e tyre janë për të mbrojtur rendin kushtetues.

“Nëse kryeministri vendos ta hedh në votim në rregull të jetë kështu. Vazhdoni pa ne, vazhdoni pa konsultime. Prandaj do të ndjekim rrugën tonë institucionale ku duhet. Për të hequr çdo dyshim i përsëris fjalët e diskutimet e para, jam vullnetar unë dhe grupi parlamentar në verifikimin pasurisë, vërejtet janë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të bërë reformën njëmend. Nëse kryeministri vendos të shkojë pa konsultim siç e dha urdhrin tani teksa unë flisja këtu, atëherë vazhdoni rruga e mbarë ju qoftë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Me votimin në parim të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka përfunduar seanca me pikat e mbetur nga seancat e kaluara.

Deputetët e shumicës kanë miratuar në lexim të dytë projekt-kodin e procedurës penale.

Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë edhe projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, projektligjin për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës.

Lajmet

Pas tensioneve në Prishtinë, Sindikata e Policisë shpreh mbështetje për zyrtarët në terren

Published

on

Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestave të fundit në Prishtinë, duke shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Në një komunikatë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, Sindikata ka theksuar se e drejta për protestë, shprehje të lirë dhe tubim paqësor është e drejtë themelore që duhet të respektohet, por nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj policëve, institucioneve apo qytetarëve.

“SPK dënon fuqishëm çdo akt dhune, hedhjen e mjeteve piroteknike, mjeteve të forta dhe çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë që janë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në komunikatë.

Sindikata ka theksuar se policët nuk janë palë në debatet politike, por profesionistë që kanë për detyrë zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë për të gjithë.

Ajo ka shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në terren dhe ka bërë thirrje që dallimet politike të mos shndërrohen në përplasje me ta.

“Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja. Shumë prej tyre kanë qenë bashkëluftëtarë tuaj dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në reagim.

Sipas SPK-së, çdo polic i lënduar gjatë kryerjes së detyrës është anëtar i një familjeje që pret të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi pas përfundimit të ndërrimit.

Në fund, Sindikata ka bërë të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë pranë zyrtarëve policorë dhe të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e tyre profesional, duke theksuar se çdo veprim ndaj tyre duhet të vlerësohet në bazë të ligjit dhe jo të përkatësisë apo qëndrimeve politike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dita e fundit për presidentin: Shtyhet seanca në Kuvend

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme, mirëpo ende nuk është përcaktuar orari i saktë i nisjes së seancës.

Sipas burimeve të Kohës, deputetët fillimisht u ftuan për të qenë në ulëse në orën 14:00, mirëpo më vonë u njoftuan për shtyrjen e këtij orari.

Deri më tani, nga administrata e Kuvendit nuk ka ndonjë njoftim zyrtar lidhur me kohën e saktë të nisjes së punimeve.

Kjo seancë vjen në një moment kritik, pasi sot është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kreun e shtetit deri në mesnatë, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Hamza: Nëse Specialja injoron Kuvendin, të shfuqizohen marrëveshjet ndërkombëtare

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nëse Dhomat e Specializuara nuk i respektojnë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, atëherë institucionet vendore duhet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm, përfshirë shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare mbi të cilat është krijuar kjo gjykatë.

Deklarata e tij erdhi pas pyetjeve lidhur me amandamentet e propozuara nga PDK-ja, sipas të cilave Gjykata Speciale duhet të trajtojë vetëm krimet e supozuara që ndërlidhen me heqjen e organeve dhe që pretendohet se kanë ndodhur pas luftës, nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Lidhur me zbatueshmërinë e këtyre ndryshimeve ligjore, Hamza nënvizoi:

“Unë e them që çdo ligj që aprovohet në procedurë të rregullt në Kuvend, është i obliguar të zbatohet. Nëse ka ndonjë institucion, në këtë rast edhe gjykatat brenda Dhomave të Specializuara, duke e përfshirë Gjykatën Kushtetuese që injoron Kuvendin e Kosovës, një ligj të aprovuar në Kuvend, jam i bindur se Kuvendi duhet të shkojë edhe një hap tutje e kjo nënkupton edhe shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Gjykata Speciale është themeluar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa propozimi i PDK-së synon kufizimin e mandatit lëndor të saj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Hamza: S’ka takim me Kurtin derisa të votohet ligji për Specialen

Published

on

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se nuk do të takohet me liderin e VV-së, Albin Kurtin, derisa deputetët e partisë së tij të pranojnë ta votojnë, në lexim të dytë, ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, raporton Ekonomia Online.

“S’ka takim. Nuk do të ketë derisa ligji të aprovohet në lexim të dytë. Për Kosovën, ligji është domosdoshmëri. Nuk janë çështje të lidhura. Le të votohet ligji dhe pastaj jemi të hapur të diskutojmë për tema të tjera”, tha Hamza para gazetarëve.

Kreu i PDK-së ka shtuar se janë të hapur për çështjen e presidentit, pasi të kalojë në lexim të dytë Ligji për Specialen.

Sipas Hamzës, mund të ketë president me marrëveshje, por që i ka atributet dhe karakteristikat për ta përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të duhur./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara