Lajmet

​Kusari-Lila: Partitë politike duhet të jenë të vetëdijshme situatën me Serbinë

Sipas saj, asgjë nuk është e çuditshme në rrethanat gjeopolitike në të cilat është aktualisht Evropa.

Published

on

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka folur për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit për çka ka thënë se, përkundër shqetësimeve që sjellin këto sulme, asgjë nuk është e çuditshme në rrethanat gjeopolitike në të cilat është aktualisht Evropa. Ajo ka folur për lajme të rreme dhe ka thënë se partitë politike në Kosovë duhet të jenë të vetëdijshme për tentimet e Serbisë për ndikim në Kosovë.

Kusari-Lila, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se agresioni rus në Ukrainë ka përcjellë efektin e tij në kërcënimin e sigurisë në shtetet që kufizohen me Rusinë apo ato që kanë lidhje strategjike me këtë shtet.

“Në situatën kur nuk mund të kontrollojmë rrethanat e krijuara nga të tjerët është e domosdoshëm të kontrollojmë sjelljen tonë ndaj rrethanave të imponuara nga jashtë. Në planin ushtarak Kosova e ka Forcën e Sigurisë që po forcohet çdo ditë dhe ndonëse nuk është anëtare e NATO-s trupat e aleancës janë këtu me misionin e KFOR-it dhe siç e ceka më lart, ajo tashmë e ka dërguar mesazhin që është e gatshme të ndihmojë kur kërkohet. Ndërsa për ndërhyrje të tjetra sikur ‘fake news’, ndërhyrjet ligjore dhe diplomatike, tashmë kemi parë tentime e mekanizma përmes së cilave u tentua e po tentohet të ndikohet në Kosovë. Është e rëndësisë së veçantë që partitë politike në vend të jenë të vetëdijshme për këtë situatë nëse janë të gatshme, kuptohet, që të punojnë për interesat e shtetit tonë”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur për luftë hibride dhe sipas saj një pjesë e opozitës ka rënë në kurth.

“Këtë javë e kemi parë se si një pjesë e opozitës ka rënën në kurth me vetëdije apo ajo veçse është e sigurt që me vetëdije nuk po duan të dalin prej kurthit. Lufta hibride kështu duket. Nëse keni reflektuar ndonjëherë çfarë është ajo, ja kështu siç po na ngjan neve në këtë javë dhe në këto forma, kush nuk do ta shoh që po ngjan nuk është i gatshëm për kundërpërgjigje. Rrjedhimisht duhet të pyet vetën në anën e kujt është. Pavarësisht kësaj vendi as nuk zmbrapset as nuk ngadalësohet në proces sepse kjo është një betejë që duhet fituar dhe do të fitohet. Prandaj jam e bindur që përkundër zgjatimeve dhe formave të ndryshme të luftës hibride të gjithë do të jemi fitues ndaj saj”, ka thënë Kusari-Lila.

Lajmet

Sot nafta 1.64 euro, benzina 1.39 euro

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës për datën 23 prill 2026.

Sipas vendimit të fundit, çmimet që hyjnë në fuqi nga ora 10:00 janë: Nafta (dizel): 1.64 euro për litër Benzina: 1.39 euro për litër; Gasi: 0.87 euro për litër.

MINT ka njoftuar qytetarët se për çdo parregullsi apo ankesë lidhur me çmimet në treg, mund të adresohen në emailin zyrtar të departamentit të konsumatorit ose përmes numrit të telefonit pa pagesë.

Këto çmime po vazhdojnë të mbeten në nivele të larta, kryesisht si pasojë e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare dhe tensioneve të vazhdueshme nga konflikti mes SHBA-së, Iranit dhe Izraelit, gjë që ka reflektuar drejtpërdrejt në koston e karburanteve edhe në tregun tonë.

Continue Reading

Lajmet

Rahoveci drejt një qendre moderne për art dhe inovacion

Published

on

Në Rahovec po vazhdon ndërtimi i Qendrës për Arte, Kulturë dhe Inovacion, një projekt që synon të krijojë një hapësirë bashkëkohore për zhvillimin e jetës kulturore dhe kreative në qytet. Kjo qendër pritet t’u shërbejë artistëve, të rinjve dhe gjithë komunitetit artdashës, duke ofruar kushte më të avancuara për krijimtari, bashkëpunim dhe zhvillim profesional.

Me një investim që tejkalon 3 milionë euro, projekti synon të forcojë infrastrukturën kulturore në Rahovec dhe të hapë mundësi të reja për zhvillimin e artit dhe inovacionit, jo vetëm në nivel lokal, por edhe më gjerë.

Continue Reading

Lajmet

Kapen të dyshuarit që vodhën cigaret elektronike nga vetura në Vushtrri

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në një vjedhje të rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Vushtrri.

Rasti ishte denoncuar me 22 prill, pasi një qytetar kishte raportuar se persona të panjohur i kishin thyer xhamin e veturës dhe prej andej kishin vjedhur rreth 400 lloje të cigareve elektronike. Pas një pune operative dhe hetimore, njësitet policore kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i prangosin të dyshuarit në Mitrovicën e Jugut.

Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pjesë të cigareve elektronike që ishin raportuar si të vjedhura.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët do të mbrohen në procedurë të rregullt. Ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Continue Reading

Lajmet

Fitore bindëse e Donjeta Sadikut në Kupën Botërore të boksit

Published

on

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shënuar fitore bindëse në kuadër të turneut prestigjioz “Kupa Botërore e Boksit”, që po mbahet në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Në mbrëmjen e 22 prillit, në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku e mposhti përfaqësuesen e Zelandës së Re, Jordan Wilson, me rezultat të pastër 5:0. Ajo e nisi meçin fuqishëm që në raundin e parë, duke e rrëzuar dy herë kundërshtaren në knockdown. Dominimi i saj vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku realizoi një tjetër knockdown, duke detyruar gjyqtarin të ndërhyjë me numërim dhe të ndalë përkohësisht kundërshtaren. Në raundin e tretë, Sadiku ruajti kontrollin e plotë të meçit dhe e përmbylli duelin me epërsi të thellë.

Ky turne ka rëndësi të veçantë, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.

Meçi i radhës për Donjeta Sadikun është caktuar më 24 prill, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Të kërkuara