Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” mbajti ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve të kontributit për projektin “Climate Appropriate Urban Development: Sewage Prishtina (incl. Sewage I/II)” për komunën e Prishtinës dhe atë të Fushë Kosovës.
Projekti me vlerë totale prej 53 milionë euro, i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, pritet të sjellë ujëra dhe lumenj më të pastër, një mjedis më të shëndetshëm dhe përfitime të prekshme për 40 për qind të popullsisë së Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky projekt është më shumë se infrastrukturë, duke e cilësuar si një investim në dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Ky projekt është më shumë sesa beton dhe tubacione. Ai është një dëshmi e kujdesit tonë për cilësinë e jetës, një linjë e re në hartën e dinjitetit të përbashkët. Në këtë sallë sot ne po nënshkruajmë një kontratë për të ardhmen e qytetit tonë, për fëmijët tanë, familjet tona, për çdo qytetar që meriton të jetojë në një mjedis dinjitoz, me ujë dhe ajër të pastër. Ky projekt prek jetën e përditshme të mijëra qytetarëve: nga lumenjtë që duam t’i kthejmë në pasuri publike e te shëndeti që sot vuan nga pasojat e infrastrukturës së munguar”, tha Rama.
Komuna e Prishtinës e ka marrë përgjegjësinë me vendosmëri ku 9 milionë euro të planifikuara për periudhën 2025–2027, do të shpërndahen në tri pagesa vjetore për të siguruar zbatimin e plotë të projektit.
“Ky angazhim përfshin ndërtimin e 1.2 km të seksionit kryesor të gypit në Kalabri, çka do të çojë në përmirësimin konkret dhe të prekshëm të rrjedhës si dhe të trajtimit e menaxhimit të ujërave të zeza. Këto janë investime në jetë, në shëndet dhe në të ardhmen e përbashkët”, vazhdoi ai.
Nënkryetari i Fushë Kosovës, Besnik Osmani, e cilësoi projektin si vendimtar për komunën.
“Një projekt, i cili për ne është vendimtar. Komuna e Fushë Kosovës ka pësuar një rritje, qyteti është dyfishuar edhe me popullsi edhe ekonomi dhe ky projekt vjen në kohën vendimtare edhe për të tashmen edhe për të ardhmen. Kemi punuar me ekspertë të projektit, kemi vazhduar me zotimet tona. Ky do të jetë një projekt, i cili nuk do të zgjasë më shumë se 36 muaj. Ajo që është më e rëndësishme në këtë projekt është edhe pjesa e ambientit miqësor për qytetarët. Do të na krijojë një ambient më miqësor edhe për qytetarët”, tha ai.
Gjithashtu edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, tha se marrëveshja e komunave në vlerë prej 11 milionë eurosh është një hap i madh për ujërat e pastra dhe shëndetin publik.
“Ky marrëveshje e përbashkët e komunave në vlerë prej 11 milionë eurosh do të çojë në lumenj më të pastër, komunitete më të shëndetshme dhe një cilësi më të mirë jete për qindra mijëra njerëz. Zonja dhe zotërinj, uji është jetë dhe qasja në ujë të pastër është një e drejtë e njeriut. Për shumë kohë, ujërat e zeza të rajonit të Prishtinës kanë rrjedhur të patrajtuara në lumenjtë e Kosovës. Lumenjtë kryesorë, në veçanti, kanë vuajtur nga ndotja e rëndë, duke rrezikuar si shëndetin publik ashtu edhe burimet ujore. Projekti ynë i përbashkët do ta ndryshojë këtë”, potencoi Rohde.
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arsim Fetahu, bëri të ditur se projekti nuk do të përfshijë vetëm Prishtinën dhe Fushë Kosovën, por edhe komunat e Graçanicës, Obiliqit dhe Podujevës.
“Përveç dy komunave që kemi cekur, zgjidhje e problemit për ujërat e ndotura do të ndodhë edhe në dy komunat e tjera: për komunën e Graçanicës dhe atë të Obiliqit. Gjithashtu edhe në komunën e Podujevës jemi në zgjidhjen e problemit me ujërat e ndotura. Ky projekt i ujërave të zeza është një projekt i rëndësishëm që do të bëjë zgjidhje për banorë që do të ndikojë në krijimin e kushteve më të mira për këta banorë. Ky projekt, në aspektin teknik, nënkupton pastrimin dhe në fund, me anë të impiantit, mundësinë që uji i pastruar të derdhet në lumin”, theksoi ai.