Lajmet

​Kurti: Po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, s’do të përbënte kërcënim për paqen në rajon

“Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën” shtoi ai poashtu.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti në ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë Ditën e Pavarësisë, ka shkruar se demokracia nuk e mbron vetveten, përkundrazi, popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë.

Në këtë përvjetor Kurti ka shkruar për demokracinë, ku nuk ka lënë pa përmendur edhe pushtimin rus të Ukrainës dhe rrezikun e rajonit nga Serbia.

“Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve. Mirëpo, është pikërisht mospëlqimi ndaj konfliktit të armatosur nga ana e shteteve demokratike në përgjithësi, ajo e cila i shtyn autokratët si Putini, dhe Millosheviqi përpara tij, që të mendojnë se sulme ndaj kombeve demokratike më të vogla do të kalojnë pa ndëshkim”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

4 Korriku

Para njëqind e gjashtëdhjetë e një vjetëve, sytë e botës ishin të fiksuar mbi një komb duke luftuar në mbrojtje të demokracisë. Ai komb ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo luftë ishte Lufta Civile Amerikane.

Në një mesazh të posaçëm drejtuar Kongresit më 4 korrik 1861, presidenti Abraham Lincoln, një shkrimtar i shkëlqyer me një intuitë të mprehtë për historinë, shpjegoi me fjalë të qarta implikimet e jashtëzakonshme të luftës për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Çështja e luftës, shkruante Lincoln, “i parashtron të gjithë njerëzimit pyetjen nëse … një demokraci … mundet, apo nuk mundet, të ruajë integritetin e saj territorial kundër armiqve të saj të brendshëm. Ajo paraqet pyetjen nëse individë të pakënaqur, shumë të paktë në numër për të kontrolluar administratën… , munden gjithmonë … të prishin qeverinë e tyre, dhe kështu praktikisht t’i japin fund qeverisjes së lirë në tokë. Na detyron të pyesim: ‘A ekziston, në të gjitha republikat, kjo mangësi e natyrshme dhe vdekjeprurëse?’ ‘A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër e ashpër për liritë e popullit të vet, ose tepër e butë për të ruajtur ekzistencën e saj? ‘”

Lufta në Ukrainë, e cila sot po e tërheq vëmendjen e botës, nuk është, sigurisht, një luftë civile: Kërcënimi për qeverinë e lirë, në këtë rast, nuk vjen nga brenda vendit, por nga jashtë tij. Por, njëjtë sikurse përpjekja e pavend e Jugut Amerikan për shkëputje në 1861, pushtimi i pajustifikuar i Federatës Ruse në Ukrainë në 2022, gjithashtu mbart implikime të jashtëzakonshme për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Për t’i kuptuar këto implikime, duhet t’i drejtohemi një dijetari të madh, veprën e të cilit Lincoln ka shumë gjasë ta ketë lexuar: filozofit gjerman Immanuel Kant. Është një mrekulli e vogël që Kanti, një njeri i cili nuk u largua kurrë nga afërsia e qytetit të tij të lindjes, Königsberg, i cili sot mban emrin Kaliningrad, Rusi, megjithatë kuptoi thellësisht marrëdhëniet ndërkombëtare. Në esenë e tij të rëndësishme të vitit 1795, Drejt Paqes së Përhershme, Kanti parashtronte tezën e tij të famshme, se demokracitë nuk shkojnë në luftë me njëra-tjetrën. Kjo tezë e ka dëshmuar veten jashtëzakonisht mirë gjatë 227 vjetëve të fundit. Siç ka theksuar filozofi i famshëm amerikan John Raëls, “mungesa e luftës midis demokracive kryesore të vendosura është po aq afër sa çdo gjë që dimë me një rregullsi të thjeshtë empirike në marrëdhëniet midis shoqërive”.

Historia na ka dëshmuar që sundimtarët autokratikë, të cilët nuk i përgjigjen askujt përveç vetvetes, e përdorin shpeshherë luftën si mjet për glorifikimin personal, zgjerimin territorial apo përfitmin financiar. Për dallim nga ata, llogaridhënia ndaj popullit bën që shtetet demokratike në përgjithësi të mos jenë të prirura për luftë. Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve. Mirëpo, është pikërisht mospëlqimi ndaj konfliktit të armatosur nga ana e shteteve demokratike në përgjithësi, ajo e cila i shtyn autokratët si Putini, dhe Millosheviqi përpara tij, që të mendojnë se sulme ndaj kombeve demokratike më të vogla do të kalojnë pa ndëshkim. Dhe kjo na detyron për të pyetur: A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër autokratike për të ruajtur paqen me fqinjët e saj, ose tepër demokratike për të mbrojtur vetveten, dhe demokraci të tjera, prej agresionit nga jashtë?

Kjo është sfida e madhe të cilën lufta ilegale e Rusisë ia ka parashtruar botës demokratike. Ukraina, deri tani, ka kaluar bindshëm provën e saj. Me gjithë shpresën e Putinit për të nxitur një kapitullim të shpejtë nga ana e Ukrainës, blitzkrieg-u i Rusisë ka dështuar në mënyrë spektakolare. Megjithatë, sprova më të mëdha po vijnë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën. Putini është përgatitur për një luftë të gjatë shkatërruese ndaj Ukrainës dhe po llogarit në një dimër të ashpër për t’iu shkaktuar vuajtje maksimale shteteve evropiane të varura prej gazit rus. Për këto arsye, mes të tjerash, rezistenca efikase ndaj agresionit të Putinit do të kërkojë më shumë sakrificë se kurrë nga demokracitë e botës.

Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë. Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë. Dhe, duke qëndruar prapa Ukrainës dhe qytetarëve të saj, le t’ia dëshmojmë të gjithë botës, demokratëve dhe autokratëve njëkohësisht, vendosmërinë tonë të palëkundur, që “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga toka”.

Lajmet

Konstituimi i Kuvendit, Osmani: Nëse zvarritet çështja, do e dërgoj në Kushtetuese

Published

on

By

Pas bisedimeve me liderët politikë, lidhur me çështjen e konstituimit të kuvendit, presidentja Vjosa Osmani tha se nuk e ka problem që bllokadën në kuvend ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Por, ajo tha se këtë do ta shqyrtojë vetëm nëse procesi zvarritet edhe më shumë dhe po ashtu njoftoi se për këtë ka folur edhe me liderët partiakë në takimin e sotëm.

Nëse kjo zvarritet shumë, janë disa opsione që vetë deputetët ta shfrytëzojnë. Deri tani AAK ka kontestuar një vendim, por që lidhet me formën e votimit jo domosdo me proceset tjera. Mënyra tjetër është që unë si presidente të shfrytëzoj prerogativat kushtetuese dhe t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Sot ajo çfarë kam shprehur para liderëve, që nëse do të kishte pajtim edhe nga ana e tyre, unë nuk kam ndonjë problem që ta dërgoj këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, nuk pat ndonjë kundërshtim nga asnjëri prej tyre. Megjithatë, ne do të presim nëse ditët në vijim do të rezultojnë me marrëveshje politike apo arritje të një marrëveshje më të gjerë për konstituimin e Kuvendit para se të procedojmë me diçka e tillë”.

Osmani tha se dialogu konstruktiv është i domosdoshëm për vendin, për institucionet, që të shihet dhe të ndihet nga qytetarët tonë, si dhe për imazhin e Kosovës.

Ajo tha se ka pasë një disponim minimal “që do të rritet me kalimin e kohës, që shpresoj të mos jetë e gjatë”.

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku: Asnjë lëvizje e Kurtit nga dëshirat partiake, ky takim nuk ka kurrfarë kuptimi

Published

on

By

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se është habitur nga deklarata e kryeministrit Albin Kurti gjatë takimit, ku ky i fundit ka thënë se situata aktuale politike në vend “nuk ka urgjencë”.

Abdixhiku theksoi se asnjë propozim, asnjë lëvizje nga dëshirat e tij partiake, sipas tij, ky takim nuk ka pasur asnjë kuptim.

Nuk ka ndodhur ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik. Është për keqardhje. Në këtë takim kam elaboruar idenë e një qeverie të unitetit për një periudhë të shkurtër. Jam i lumtur që pati konsideratë nga dy parti. Është mirë që sa më parë presidentja ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese”, tha Abdixhiku.

Asnjë propozim, asnjë lëvizje nga dëshirat e tij partiake. Si i tillë, ky takim nuk ka kurrfarë kuptimi. Ajo që më habit është fakti që na tha se nuk ka asnjë urgjencë – pritja është më shumë mediatike sesa për popullin”, përfundoi ai.

Continue Reading

Lajmet

Samiti i Komunitetit Politik në Tiranë, Starmer: Evropa është e bashkuar, e fortë dhe e sigurt

Published

on

By

Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, gjatë konferencës me homologun e tij shqiptar, Edi Rama tha se është privilegj për të të jetë në Tiranë.

Lidhur me Samitin e Komunitetit Politik Evropian, në Shqipëri, Starmer tha se përmes tij po përçohet mesazh i qartë, se Evropa është e bashkuar, dhe se janë të fortë e të sigurt.

Në këtë moment kritik, ne po përçojmë mesazh shumë të qartë, që Evropa është e bashkuar, jemi të fortë, jemi të sigurt brenda shtëpive tona, po vendosim paratë aty ku duhen edhe në xhepat e qytetarëve tanë, dh epo thellojmë partneritetet tona. Ishte privilegj për mua që isha këtu”, tha Starmer.

Continue Reading

Lajmet

Osmani takon partitë parlamentare në përpjekje për ta zhbllokuar ngërçin në Kuvend

Published

on

By

Presidentja Vjosa Osmani i ka nisur të enjten takimet me shefat e partive parlamentare, në përpjekje për ta zhbllokuar ngërçin politike, pas dështimeve të njëpasnjëshme të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës edhe tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Në takim – që i cili nisi pak pas orës 13:00 në zyrën e presidentes – po marrin pjesë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas takimit me shefat e partive shqiptare, Osmani do të zhvillojë bisedime me pakicat në orën 15:00.

Takimi vjen në ditën kur deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin as në tentimin e gjashtëmbëdhjetë – pikërisht një muaj pasi filluan përpjekjet – për shkak të ndarjeve politike. Konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të hapur rrugë për formimin e Qeverisë së re.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Për krijimin e institucioneve të reja nevojitet arritja e ndonjë marrëveshjeje politike, duke parë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i ftoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, koalicioni AKK-NISMA 8, Lista Serbe 9, Partia për Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe pakicat joserbe 10.

Osmani paralajmëroi të martën se mund të ketë një sërë takimesh mes saj dhe partive politike, varësisht se si shkojnë bisedimet të enjten.

Ajo tha se moskonstituimi i Kuvendit e rrezikon “pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara”.

Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese, sepse, siç e dini, neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve”, tha ajo.

Ndërkohë, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se “në krizën aktuale, e vetmja rrugëdalje është angazhimi i fuqishëm i Perëndimit, pra i Evropës.”

Sidoqoftë, ndryshe nga të gjitha krizat e mëparshme që nga viti 2010, ky angazhim mungon, sepse politika perëndimore, ajo e BE-së ndaj Kosovës, ndodhet në një fazë kalimtare të një vakumi strategjik pas rrënimit të plotë të dialogut politik dhe mungesës së udhëheqjes nga kryeqytetet e shteteve anëtare më të rëndësishme. Për këtë arsye, më duket se kjo krizë politike dhe institucionale është më e thella që nga shpallja e pavarësisë”, tha ai.

Sipas tij, kriza aktuale institucionale në Kosovë është, nga njëra anë, rezultat i përshkallëzimit të marrëdhënieve mes partisë në pushtet në largim, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe partive opozitare – për të cilën, krahas Qeverisë Kurti, “përgjegjësi të madhe mbajnë edhe bartësit e dialogut politik gjatë katër viteve të fundit, pra nisma franko-gjermane dhe veçanërisht Gjermania; dhe nga ana tjetër, kjo krizë rrjedh nga karakteri i papërfunduar i rendit politik, institucional e kushtetues të Republikës së Kosovës – për të cilin përgjegjës janë të gjithë aktorët: elitat politike vendore dhe aktorët perëndimorë që në vitet 2007-2008 ishin të përfshirë në procesin kushtetues”.

Kjo papërfundueshmëri e sistemit politik e institucional del në pah sa herë që vendi përballet me kriza të rregullta politike”, vlerësoi ai.

Në prag të takimit të së enjtes, Osmani u takua me të ngarkuarën me punë të Ambasadës e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Anu Prattipati

Presidenca tha në një njoftim për media se ky ishte takim i rregullt mes tyre dhe se në të u diskutua për “rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje”./REL/

Continue Reading

Të kërkuara