Lajmet

​Kurti për targat: Është një dakordim, por nuk është marrëveshje

Sipas tij, se ka ndryshuar deklarata e Borrelit, e jo qëndrimet e Kosovës.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja e mbrëmshme për targat, është arritje e madhe meqë për herë të parë procesi i dialogut hyn në fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme. Ani pse e ka quajtur dakordim, Kurti theksoi se dokumenti i mbrëmshëm dallon me atë se çfarë i është ofruar të hënën atij në Bruksel. Në fjalimin e tij në seancë plenare, ka deklaruar se ka ndryshuar deklarata e Borrelit, e jo qëndrimet e Kosovës. Sipas shefit të ekzekutivit, marrëveshja për targat është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ka deklaruar se qëllimi ishte që drafti franko-gjerman të bëhet pjesë e bisedimeve në Bruksel.

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërkombëtare të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel, drejt arritjes së një dakordimi, i cili shtetit tonë që është normal e demokrat ia bashkëngjit edhe një raport normal e evropian me Serbinë. Ishte e qartë nga vet deklarata e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë për siguri dhe politikë të jashtme, Borrel që një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë. Tash ajo figuron saktësisht dhe me një status të qartë në paragrafin e parë. Nuk ka qenë në ditën e hënë në tekstin, i cili më është ofruar mua në fund”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka shtuar se marrëveshja e mbrëmshme për targat është arritje e madhe për Kosovën.

“Besoj që kjo është një arritje e madhe, sepse për herë të parë procesi i dialogut hyn në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme që do të jetë ligjërisht e obligueshme e që do të zgjidh problemet fundamentale nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Kurti theksoi se dokumenti që i është ofruar të hënën në Bruksel, dallon nga teksti i mbrëmshëm.

“Të hënën në mbrëmje mua më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët, i cili ka pasur 95 fjalë. Dhe fjalët Francë e Gjermani nuk kanë qenë askund. Dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman apo të Bashkimit Evropian, siç po themi tani, përveç çështjes së targave tek çështja e këtij propozimi. Nuk thuhet propozimi, por thuhet do të zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi pa thënë franko-gjerman, 95 fjalë. Ndërkaq, kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë është më shumë se dyfishi i tekstit. Janë krejtësisht të ndryshme, ata që thonë që ajo çfarë nuk është pranuar të hënën është pranuar të mërkurën, nuk e dinë se për çka po flasin”, ka theksuar shefi i ekzekutivit në seancë plenare.

Kurti ka insistuar se mbrëmë në Bruksel nuk është arritur marrëveshje, por dakordim për çështjen e targave.

“Nuk është marrëveshje, është një dakordim, por nuk është marrëveshje. A e dini pse nuk është marrëveshje? Shikoni se çfarë thotë në titull, është deklaratë e Borrelit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrelit. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borreli ka ndryshuar deklaratë. Dhe kjo është shumë mirë. Marrëveshja e mbrëmshme, nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh që të ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke, pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian që më herët quhej franko-gjerman”, ka theksuar ai.

Në seancë plenare, Kurti ka deklaruar dakordimi i mbrëmshëm skadon kur të arrihet negocimi i dokumentit franko-gjerman.

“Tjetra është që pjesa e targave në marrëveshjen e mbrëmshme nënkupton që Qeveria nuk lëshon dhe regjistron targa të reja. Ajo është e qartë në tekst dhe gradualisht targat e paligjshme do të nxjerin nga përdorimi sipas një mekanizmi të tillë. Ne arritëm të zbatojmë parimin e reciprocitetit në atë seksion të marrëveshjes që u bë deklaratë e Borrelit, por theksojmë që ajo është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman, kur të kryhet ky negocim atëherë skadon edhe afati i këtij dakordimi”, tha Kurti.

Derisa ka folur për draftin franko-gjerman, shefi i ekzekutivit ka treguar se në takimin në Paris, i është kërkuar që ky propozim të quhet “evropian”.

“Me datën 11 nëntor kur e kam takuar në Paris, zotëri Borrel dhe Lajçak me ekipin tim të këshilltarëve kur isha atje, unë kur thash propozimi franko-gjerman, ai reagoi bukër ashpër dhe tha ky është propozim evropian. Unë thash në rregull, i kërkova falje, tash e tutje thash do ta quajmë evropian me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë. Mirëpo, unë të hënën e pash se në fakt është franko-gjerman se po të ishte propozimi i BE-së, ai nuk do ta braktiste kaq kollaj. Mua të hënën mu vërtetua që në fakt është franko-gjerman. Mirëpo, meqë insistohet të quhet i Bashkimit Evropian, nuk kam problem me atë punë”, ka shtuar Kurti.

Sipas tij, dialologu duhet të fillojë me shpejtësi e brenda disa ditëve.

“Ne dëshirojmë që të krijojmë një masë elementare mirëbesimi, për t’i dhënë shans dialogut me shpejtësi. Dhe ai duhet të fillojë brenda disa ditëve, në paragrafin e parafundit thuhet që në ditët në vijim dhe është shumë mirë që tani gjithçka është përshpejtuar. Unë e di që kam pasur kërkesa nga Lajçak për 12 muaj, nga zotëri Escobar për 10 muaj, mirëpo unë besoj që kjo mund të bëhet dhe po bëhet shumë më shpejt. Nuk ka nevojë për 12 dhe 10 muaj, dhe qëndrimi jonë doli i drejt. Qendra e regjistrimit të targave në Rashkë, nuk lëshon më KM. S’ka nevojë më për 12 muaj, pse 12 muaj dhe kjo natyrisht që është mirë për shtetin e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Pas arritjes së marrëveshjes për targat, Kurti ka folur edhe për serbët e dorëhequr nga institucionet publike. Ai ka thënë se u ka bërë thirrje të njëjtëve që të mos veprojnë në këtë mënyrë, por që nuk mund të kërkojë nga ta të kthehen.

“Unë ju kam bërë thirrje të gjithë serbëve që janë në institucione ‘mos i braktisni, mos jepni dorëheqje, mos shkoni’. Por, nuk ju kam thënë kthehuni, nuk kam të drejtë të ju them kthehuni. Unë kam të drejtë politikisht të ju them mos shkoni. Por nuk kam të drejtë të ju them kthehuni, shkuarja e tyre është akt individual politik. Kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale”, tha Kurti.

Më tej, është zotuar se po zhvillohet dialogu me serbët lokal, por që nuk po arrin t’i mbrojë.

“10 serbë të Kosovë që udhëheqin organizata të ndryshme i kam takuar dje, por duhet ta kuptoni një gjë, [ata] nuk duan fotografi prej takimit. Po ndodh dialogu me serbët lokal, unë nuk mund t’i mbrojë ende ata. Mua më vjen shumë keq që gjashtë vetura të serbëve janë djegur dhe unë nuk kam arritur t’i mbrojë. Edhe serbët kur vijnë në takim me mua, ata nuk duan që të bëjnë fotografi. Një orë e gjysmë kemi diskutuar, por nuk duan të bëjnë fotografi sepse ju hakmerren. Rasti më eklantant ka qenë i ish-këshilltarit tim tek Kurti 1 që dha dorëheqje dy orë pas emërimit. Pra, duhet ta bëjmë dialogun, por nuk duhet ta publikojmë si të tillë këtë dialog”, ka përfunduar ai.

Ai ka theksuar se trashëgimia e marrëveshjeve të qeverive të kaluara është shndërruar në pozicion zyrtar të BE-së. Sipas tij, ndryshimi i tyre merr kohë dhe duhet të bëhet në kuadër të një plani më të madh, me atë të planit franko-gjerman.

Vendi

Qeveria prezanton projektbuxhetin për vitin 2027, parashihen 4.27 miliardë euro

Published

on

Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro parashihen të ndahen si financim i drejtpërdrejtë për komunat e Kosovës.

Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi Kurti.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, sipas projektbuxhetit për vitin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e të hyrave që pritet t’i mbledhë Dogana e Kosovës.

Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke theksuar se rritja e financimit për pushtetin lokal vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e dyfishtë në Demiraj, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurin B.D.

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet B.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 9:00 të mëngjesit në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit. Viktimë të këtij meksuesi kanë mbetur vajza e tij A.D., 27 vjeçe, si dhe mbesa e tij D.D., foshnje vetëm tre muajsh. I dyshuari B.D. është ndaluar menjëherë për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar.

“Më 01.11.2026, në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast Vrasje e rëndë, ku viktimë janë A.D (27 vjeç) dhe D.D. (foshnje 3 muajsh), ku i dyshuari B.D, babai i viktimës A.D, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftim.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit i është dorëzuar sot Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan. Organet e hetimit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante policore dhe prokurori i rastit për mbledhjen e provave.

Në komunikaturën për media, Prokuroria nëntrimon angazhimin e saj për zbardhjen e tërësishme të tragjedisë:

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.” /E.A/

Continue Reading

lajme

AUV ndalon hyrjen e mbi 1 ton patatinave me përmbajtje të rrezikshme

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pas analizave laboratorike që konstatuan nivel të lartë të akrilamidit mbi vlerat e lejuara.

Ngarkesa me LOT 909073, e importuar nga kompania “BEST BT” nga Prizreni, është bllokuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar dhe është vendosur kthimi i saj prapa, duke parandaluar hyrjen në tregun vendas.

Sipas AUV-së dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore, ekspozimi afatgjatë ndaj kësaj substance kimike përbën rrezik për shëndetin publik për shkak të potencialit të saj kancerogjen. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Nga Gjermania në Shqipëri, çfarë po i nxjerr të rinjtë në rrugë?

Published

on

By

Kostoja e jetesës, mungesa e mundësive ekonomike, problemet në arsim dhe pakënaqësitë me qeveritë kanë nxjerrë mijëra të rinj në rrugët e qyteteve evropiane.

Nga Gjermania e Franca deri në Belgjikë dhe Shqipëri, protestat kanë kërkesa të ndryshme, por pasqyrojnë shqetësime të ngjashme për kushtet e jetesës dhe perspektivën e brezit të ri.

Protestat në disa vende janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Çfarë ndodhi në Gjermani?

Më 31 tetor, rreth 120 mijë njerëz morën pjesë në protesta në më shumë se 30 qytete gjermane, sipas organizatorëve të nismës rinore “Gen Z regelt”.

Demonstruesit kërkuan më shumë investime në arsim, strehim të përballueshëm, drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës.

Ata kundërshtuan, gjithashtu, mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Protestat ishin kryesisht paqësore gjatë ditës, por më vonë u shoqëruan me incidente të dhunshme në disa qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin, Këlnin dhe Hamburgun.

Në Frankfurt, persona të maskuar hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, ndërsa disa dyqane u dëmtuan dhe u plaçkitën.

Policia përdori topa uji dhe sprej irritues.

Organizatorët e protestave u distancuan nga dhuna, duke theksuar se demonstratat synonin të ishin paqësore.

Incidentet nxitën mospajtime brenda Qeverisë gjermane.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, fajësoi grupet e dhunshme të së majtës ekstreme dhe persona nga komunitetet migrante.

Ministrja e Arsimit, Karin Prien, tha se trazirat ngrenë pyetje për integrimin e migrantëve, duke kërkuar shqyrtimin e shkaqeve që mund t’i shtyjnë disa njerëz drejt dhunës.

Por, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u distancua nga deklaratat e Dobrindtit, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e termit “grupe migrante”.

Ai pyeti nëse ky përkufizim përfshin edhe shtetas gjermanë, familjet e të cilëve jetojnë në këtë vend me gjenerata, dhe tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të konfirmuar pretendimet mbi prejardhjen e autorëve të dhunës.

Prien, ndërkohë, pranoi se shumë nga kritikat e të rinjve për arsimin janë të arsyeshme, duke theksuar se mundësitë arsimore në Gjermani vazhdojnë të varen shumë nga prejardhja sociale.

Pse po protestojnë të rinjtë në Francë?

Në Francë, protestat nisën në mesin e shtatorit, në periferi të Parisit, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të dobëta në shkolla.

Pakënaqësitë u përhapën në qytete të tjera dhe u zgjeruan te kostoja e jetesës, pabarazitë sociale dhe gjendja e shërbimeve publike. Nxënësve dhe studentëve iu bashkuan edhe mësimdhënës, sindikata dhe qytetarë të tjerë.

Protestat janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe mijëra arrestime.

Ndërhyrjet e forcave të rendit kanë nxitur gjithashtu kritika, sidomos pas lëndimit të rëndë të disa protestuesve të mitur.

Më 31 tetor, rreth 320 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën, sipas autoriteteve, ndërsa organizatorët raportuan rreth 500 mijë pjesëmarrës.

Në Paris, disa protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë.

Autoritetet raportuan 565 arrestime në nivel kombëtar, ndërsa prokuroria nisi hetime për tentativë vrasjeje pas sulmeve me mjete ndezëse ndaj forcave të sigurisë.

Më 2 nëntor, pas një pushimi dyjavor, nxënësit rifilluan bllokimin e shkollave, por në përmasa më të vogla.

Sipas Ministrisë së Arsimit, 41 shkolla u bllokuan ose u përballën me përpjekje për bllokim, krahasuar me qindra të tilla para pushimit.

Qeveria franceze ka propozuar katër miliardë euro për rinovimin e shkollave, kufizimin e numrit të nxënësve në klasa në 28, hapjen e 15 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete deri më 2028.

Por, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve i konsiderojnë masat të pamjaftueshme dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Çfarë po kërkojnë të rinjtë në Belgjikë?

Në Belgjikë, studentët po protestojnë kundër rritjes së kostos së arsimit, mbipopullimit të klasave dhe reformave që, sipas tyre, mund ta vështirësojnë qasjen në studimet e larta.

Një nga shqetësimet kryesore është rritja e tarifave universitare nga 835 në 1.194 euro për shumicën e studentëve në komunitetin frëngjishtfolës të vendit.

Protestat, të frymëzuara pjesërisht nga lëvizja në Francën fqinje, janë shoqëruar me përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe arrestime.

Në fillim të tetorit, në qytetin e Liezhit u raportuan mbi 100 ndalime dhe arrestime gjatë trazirave.

Më 9 tetor, studentët iu bashkuan një demonstrate më të gjerë në Bruksel kundër masave buxhetore të Qeverisë. Rreth 30 mijë njerëz morën pjesë në marshim, ndërsa përleshjet me policinë përfunduan me 21 persona të ndaluar ose arrestuar.

Incidentet vazhduan edhe më 17 tetor, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në Bruksel.

Përtej dhunës, studentët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet.

Maya Gourdel, një nxënëse 19-vjeçare në Bruksel, i tha agjencisë Reuters se përpjekjet e mëparshme për t’u dëgjuar në mënyrë paqësore nuk kishin tërhequr vëmendje.

“U përpoqëm ta bënim në mënyrë paqësore. Askush nuk na dëgjoi”, tha ajo, duke shtuar se mediat filluan t’u kushtonin vëmendje vetëm pasi nisën incidentet.

Si u përshkallëzuan protestat në Shqipëri?

Në Shqipëri, protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë kaluar nga kundërshtimi i një projekti turistik në një lëvizje më të gjerë, të udhëhequr nga të rinjtë, që kërkon ndryshime politike dhe ekonomike.

Demonstratat nisën në maj, fillimisht kundër një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor, të mbështetur nga investitorë që përfshijnë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Projekti është përballur me kundërshtime dhe konteste ligjore.

Në mesin e tetorit, protestat u përshkallëzuan, ndërsa nxënës dhe studentë dolën në rrugë për të kërkuar arsim më cilësor, ulje të kostos së studimeve dhe më shumë mundësi punësimi.

Pakënaqësitë u zgjeruan edhe te korrupsioni i pretenduar dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve.

 

Protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Elbasanin dhe Korçën, ndërsa disa demonstrata u shoqëruan me përleshje të dhunshme.

Në kryeqytet, protestues hodhën gurë dhe mjete ndezëse drejt policisë, u vunë flakën ndërtesave qeveritare dhe dëmtuan banka e biznese. Policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Tensionet vazhduan edhe fundjavën që shkoi, kur persona të maskuar hodhën gurë dhe bomba ndezëse drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Qeveria ka paralajmëruar gjoba deri në 5.500 euro për pjesëmarrësit që ushtrojnë dhunë.

Rama ka dënuar incidentet dhe ka refuzuar të japë dorëheqje, duke theksuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike.

A mund të sjellin ndryshime?

Serbia është shembulli më i fundit se si një lëvizje studentore mund të shndërrohet në forcë politike.

Pas gati dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe kërkesash për përgjegjësi institucionale, lista e mbështetur nga studentët fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të partisë së Aleksandar Vuçiqit.

Por, fitorja zgjedhore nuk garanton se kërkesat e protestuesve do të përmbushen. Lëvizja studentore në Serbi ende përballet me sfidën e formimit të qeverisë dhe zbatimit të reformave të premtuara.

Në vendet e tjera evropiane, rezultatet e mobilizimit mbeten të paqarta.

Qeveritë po përballen me presion për t’iu përgjigjur kërkesave të të rinjve, ndërsa incidentet e dhunshme kanë hapur debate për kufijtë e ndërhyrjes policore dhe mbrojtjen e së drejtës për protestë paqësore.

Nëse protestat do të sjellin ndryshime të qëndrueshme, do të varet jo vetëm nga sa gjatë do të vazhdojnë, por edhe nga aftësia e lëvizjeve për t’i shndërruar kërkesat e tyre në rezultate konkrete. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara