Sport

​Kuka dhe të artat e Kosovës vlerësojnë Qendrën Nacionale të Xhudos

“Infrastruktura e re, suksese të reja”.

Published

on

Qendra Nacionale e Xhudos e inauguruar sot në Pejë po vlerësohet si një hap i madh në avancimin e mëtutjeshëm të këtij sporti që deri më tani i ka sjellë medalje të shumta në arenën ndërkombëtare.

Nora Gjakova e cila fitoi medaljen e artë në Tokio tha se kjo qendër do të jetë vazhdimësi e sukseseve të reja përtej atyre që janë arritur deri më tani.

“Me të vërtetë ka qenë e nevojshme, sidomos tani që kemi arritur në një nivel më të lartë. Ndoshta kur kemi qenë më të ri ka qenë më e lehtë sepse jemi mësuar të ushtrojmë në kushte të tilla por tani duke u rritur niveli i sportit normal që ke dëshirë të ushtrosh në kushte më të mira sepse kemi udhëtuar dhe e kemi parë se si ushtrojnë sportistët tjerë, por me rëndësi që ne nuk jemi ankuar kurrë dhe në ato kushte që kemi ushtruar kemi arritur në nivelin më të lartë botëror, kemi arritur në majat e sportit, kemi arritur tri medalje olimpike të arta, por prapë se prapë kjo qendër nacionale do të jetë vazhdimësi e suksese të reja”, tha Gjakova.

Xhudistja tjetër Distria Krasniqi tha se është shumë e lumtur me inaugurimin e kësaj qendre duke u shprehur se nga këtu do të dalin edhe shumë gjenerata të suksesshme që di ta përfaqësojnë denjësisht Kosovën.

“Sot jam shumë e lumtur që është hapur Qendra Nacionale e Xhudos. Është shumë me rëndësi për ne. Ne kemi ushtruar në ato kushte por prapë kemi arritur ti marrim tri medalje olimpike por tani me këtë sallën nacionale të xhudos besoj se rezultatet do të rriten dhe do të kemi më motiv më të madh…Besoj që po vjen një gjeneratë shumë e mirë e xhudistëve të reja si vajza si djem dhe shpresoj që nuk do të mbetemi vetëm me tri medalje olimpike por do të vazhdojmë që në çdo lojëra olimpike të kemi disa gjenerata që do të na përfaqësojnë shtetin në mënyrë dinjitoze”, u shpreh Krasniqi.

Trajneri i xhudos Driton Kuka deklaroi se kjo qendër duhet të jetë vetëm si një nismë për rregullimin e infrastrukturës së xhudos dhe se kjo do t’i shërbejë atij për ta rritur cilësinë gjatë stërvitjeve me gjeneratat e reja.

“Është një moment i rëndësishëm, është mirë që të gjithë protagonistët, njerëzit që e kanë përkrahur ndërtimin e qendrës nacionale ishin këtu prezent përfshirë qeverinë, mandej kryetarin e Federatës Botërore, komunën, Komitetin Olimpik, federatën e xhudos…Është me shumë rëndësi që gjatë stërvitjes secili garues ta ketë afër trajnerin dhe hapësirën e duhur për të stërvitur ato çka duhet, aspektin teknik e sidomos aspektin tatim për të cilin sportistët kanë nevojë dhe ky ka qenë problemi im i madh si trajner”, theksoi Kuka.

I pyetur rreth deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në lidhje me atë se xhudistet elitare të Kosovës do t’i bashkohen ushtrisë shqiptare, Kuka tha se këtë pyetje duhet t’ia bëni atij.

“Edi Ramës bëjani këtë pyetje. Pyeteni Ramën për këtë”, u shpreh shkurtimisht Kuka.

Ndërsa ish-kampionja olimpike Majlinda Kelmendi tha se infrastruktura e mirë është faktori kryesor në sukseset e një sportisti dhe se kjo sallë ofron kushte shumë të mira për ta bërë këtë.

“Për mendimin tim një ndër faktorët kryesor në këtë mozaikun e një karriere të sportistit është edhe kushtet e mira për të ushtruar…Kjo sallë në krahasim me atë ku unë kam ushtruar si fëmijë sigurisht që është larg më e mirë”, tha ajo.

Majlinda gjithashtu zbuloi se tashmë e ka filluar karrierën e saj si trajnere e xhudos pas i dha fund karrierës si xhudiste aktive pas Lojërave Olimpike Tokio 2020.

“Po e kam filluar një muaj pas lojërave olimpike dhe realisht jam në sallë me shumë se kur kam ushtruar vetë. Toni në fillim kur kemi biseduar më ka thënë se do të merrem me juniorë seniorë por tani jam duke u marr me fëmijë, me kadet, junior, senior e ne të gjithë. Kështu që po e shijojë xhudo është ajo çka e kam bërë gjithë jetën edhe është nder dhe kënaqësi që Toni më beson”, tha Kelmendi.

Në përurimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë morën pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Sport

FIFA prezanton një tjetër shpërblim për kampionët e botës

Published

on

By

Trofeu i Kupës së Botës dhe medaljet e arta nuk do të jenë shpërblimet e vetme për ekipin që do të shpallet kampion i botës. FIFA ka prezantuar edhe një dhuratë të veçantë, duke sjellë në futboll një nga traditat më të njohura të sportit amerikan.

Për herë të parë, kampionët e botës do të marrin unaza të personalizuara, të cilat do të simbolizojnë triumfin në ngjarjen më të madhe të futbollit.

Çdo unazë do të jetë pjesë e një edicioni të kufizuar prej vetëm 2.026 copësh, secila me numër individual. Nga to, 30 unaza do t’u dhurohen anëtarëve të ekipit fitues, ndërsa 1.996 do të dalin në shitje për tifozët në mbarë botën.

Në njërën anë të unazës do të jetë i gdhendur trofeu i Kupës së Botës, ndërsa ana tjetër do të personalizohet për të pasqyruar identitetin e kombëtares fituese.

Menjëherë pas finales, kapiteni dhe trajneri kryesor i ekipit kampion do të marrin unaza të përkohshme, ndërsa më vonë do të prodhohen dhe dorëzohen 30 unazat e personalizuara për skuadrën fituese.

Finalja e Kupës së Botës do të zhvillohet të dielën, ku për titullin kampion do të përballen Spanja dhe Argjentina.

D.L

Continue Reading

Sport

Trepça, Bashkimi dhe Peja mësojnë kundërshtarët në FIBA Europe Cup 2026/27

Published

on

By

Trepça, Bashkimi dhe Peja kanë mësuar kundërshtarët e tyre në edicionin 2026/27 të FIBA Europe Cup, pas shortit të hedhur të enjten në Munih të Gjermanisë.

Kampionia e Kosovës, Trepça, është shortuar në Grupin A, ku do të përballet me Promitheas Patras (Greqi), Opava (Çeki), VET-CONCEPT Gladiators Trier (Gjermani), Split (Kroaci) dhe Batumi 2010 (Gjeorgji).

Bashkimi do të garojë në Grupin F, ku kundërshtarë do t’i ketë Bigbank/Kalev (Estoni), Glint Manisa Basket (Turqi), Elan Chalon (Francë), Valmiera Glass VIA (Letoni) dhe Manchester Basketball (Britania e Madhe).

Ndërkohë, Peja do ta nisë aventurën evropiane nga raundi kualifikues, ku do të përballet me Dinamo Bukureshtin e Rumanisë. Ndeshjet do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, ndërsa fituesi i këtij dueli do të sigurojë një vend në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

Sipas kalendarit të garës, ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen më 23 dhe 30 shtator, ndërsa faza e grupeve të FIBA Europe Cup për edicionin 2026/27 do të nisë më 7 tetor.

D.L

Continue Reading

Sport

FFK uron FC Ballkanin për kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Conference League

Published

on

By

Federata e Futbollit e Kosovës ka përgëzuar FC Ballkanin për kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Conference League, pas fitores 3:2 ndaj skuadrës uellsiane Connah’s Quay Nomads në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në reagimin e saj, FFK vlerësoi paraqitjen e skuadrës nga Suhareka, e cila, pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë, siguroi kalimin tutje me një performancë bindëse në ndeshjen e kthimit. Edhe pse mysafirët ngushtuan rezultatin në minutat e fundit, Ballkani arriti ta ruajë epërsinë dhe të sigurojë kualifikimin.

Federata uroi futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët për këtë sukses, duke theksuar se kualifikimi i FC Ballkanit dhe FC Malishevës në raundin e dytë të UEFA Conference League është dëshmi e progresit të futbollit të Kosovës dhe e punës së vazhdueshme në të gjitha nivelet.

Në fund, FFK i uroi FC Ballkanit dhe FC Malishevës shumë sukses në sfidat e ardhshme, duke shprehur besimin se do ta përfaqësojnë futbollin e Kosovës në mënyrën më të denjë në arenën evropiane.

D.L

Continue Reading

Sport

Lineker dhe Rooney kritikojnë Tuchelin pas eliminimit të Anglisë: “Na kushtoi me vendimet e tij”

Published

on

By

Legjendat e futbollit anglez, Gary Lineker dhe Wayne Rooney, kanë drejtuar kritika të forta ndaj përzgjedhësit të Anglisë, Thomas Tuchel, pas humbjes 2:1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

Gary Lineker vlerësoi se qasja taktike e Anglisë pas golit të epërsisë ishte e gabuar dhe tepër mbrojtëse.

“Ne shënuam një gol, pastaj u kthyem në mbrojtje. Taktikisht ishte e habitshme, për të qenë plotësisht i sinqertë. Ishte një veprim negativ nga ana e Tuchelit”, deklaroi Lineker në podcastin “The Rest is Football”.

Kritikave iu bashkua edhe Wayne Rooney, i cili beson se vendimet e trajnerit gjerman ndikuan drejtpërdrejt në eliminimin e Anglisë.

“Vendimet që ka marrë Thomas Tuchel, duhet të jemi të sinqertë, na kanë kushtuar me eliminim”, u shpreh legjenda e Manchester Unitedit.

Anglia u eliminua në gjysmëfinale pas humbjes 2:1 nga Argjentina, e cila tashmë ka siguruar një vend në finalen e madhe të Kupës së Botës.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara