Lajmet

​Kryetari i Sindikatës së Policisë: Shumë policë kanë aplikuar për viza

Ai ka thënë se ka indikacione që do të vazhdojë largimi i pjesëtarëve nga institucioni i Policisë së Kosovës.

Published

on

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se bazuar në informacione ende të pakonfirmuara, shumë zyrtarë policorë kanë aplikuar për viza dhe janë në pritje për t’u larguar nga vendi. Në komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Zeqiri ka thënë se 1 mijë e 108 zyrtarë policorë janë larguar vullnetarisht nga ky institucion që prej themelimit të tij. Aty ai ka folur për sfidat e policëve dhe nevojën që të njëjtit të marrin trajtim dinjitoz nga shteti.

Kryetari i sindikatës ka thënë se ka indikacione që do të vazhdojë largimi i pjesëtarëve nga institucioni i Policisë së Kosovës.

“Është shqetësuese puna e policëve që kanë lëshuar punën dhe ka indikacione që do të vazhdojë kjo dukuri për shkak se sigurisht ata e kanë arsyen, për shkak se po gjejnë më mirë. Unë nuk e di, nuk e kam ndonjë statistikë, mirëpo nga informacione të pakonfirmuara, ka shumë zyrtarë policorë që janë duke pritur viza, kanë aplikuar për viza dhe janë duke pritur viza. Vërtet është shqetësuese për shkak se dëmi është i madh dhe nëse mendojmë të ndërtojmë një polici taman për me e siguru këtë vend ashtu siç jemi duke e mbajtur dhe duke e siguruar, atëherë vërtet duhet të mendojmë në këtë drejtim jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Zeqiri.

Ndërsa ka shtuar që janë 1 mijë e 108 zyrtarë policorë që në mënyrë vullnetare janë larguar nga ky institucion që prej themelimit të tij, e sipas tij kjo është bërë për shkak se të njëjtit kanë qenë në kërkim të kushteve më të mira.

Zeqiri ka folur edhe për projektligjin për paga për çka ka thënë se është i papranueshëm nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

“Për Sindikatën e Policisë së Kosovës ky projektligj që në start është i papranueshëm për shkak se nuk kemi çmim të koeficientit, vlera e koeficientit është e pacaktuar, për neve është e panjohur. Nuk ka dalë zyrtarisht dikush me na thënë kaq është vlera, pastaj është e papranueshme rangimi i koeficienteve në Policinë e Kosovës në krahasim me institucionet e tjera… Një prokuror në krahasim me këtë polic i merr pesë paga, pesë paga të këtij polici, nëse nuk e dini aktualisht paga e policit është 392 euro”, ka thënë ai.

Shqetësim tjetër sipas tij është mungesa e sigurimeve shëndetësore.

“Neve si sindikatë kemi kontaktuar edhe me Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe mund ta bëjmë një sigurim shëndetësor derisa të bëhet ligji për mos me na mbetë zyrtarët policorë pa sigurim shëndetësor. Ne e kemi bërë një kalkulim dhe po e them haptazi diku me 5 milionë në vitin e mund të bëjmë një sigurim shëndetësor për Policinë e Kosovës, është kërkesë e jona, do të jetë kërkesë në vazhdimësi dhe kjo është nëse qeveria ka vullnet me na dhënë përgjigje në këtë çështje”, ka thënë Zeqiri.

Ndër të tjera, Zeqiri ka thënë se nuk janë të ndikuar politikisht dhe se asnjëherë nuk kanë pasur presion nga pushteti apo ndonjë parti tjetër politike.

Ndërsa ish-drejtori i Policisë së Kosovës, deputeti Rashit Qalaj ka thënë se ministri i Brendshëm po shihet edhe në zyra të hetuesisë dhe dhoma komanduese, që sipas tij është brengosëse.

“Ministri shkon nëpër zyra të hetuesve, nëpër dhoma komanduese, që nuk ka qenë praktikë kurrë deri më sot në asnjë qeveri, kurrë hiç, është duke më brengosur, ndoshta vjen ndonjë ministër ende më i keq në të ardhmen por, policia duhet me qenë sa më e pavarur se tendenca ka pasur gjithmonë edhe në pushtetet e kaluara por tash për mua unë po e shoh që është kulmi kur një ministër e ke në të gjitha zyrat e Policisë, e që besoj që nuk është mirë”, ka thënë Qalaj.

Lidhur me këtë, Zeqiri ka thënë se nuk ka njohuri nëse një gjë e tillë ka ndodhur. Për ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla ka folur edhe kryetari i komisionit, Bekë Berisha, i cili ka thënë se po bëhet propagandë gjoja se ministri është duke e luftuar krimin dhe jo policia.

“Po bëhet një propagandë e madhe që ministria është duke e luftuar krimin dhe jo policia, edhe që ja keni humb farën krimit në Kosovë, do të thotë nuk ka kriminel për ilaç, nuk gjendet askund sepse krejt i ka arrestuar Xhelal Sveçla, a keni edhe ju këtë mendim apo vetëm mua po më bëhet përshtypja që ja keni humbur, keni bërë gjenocid në krim ka bërë, ja ka humbur farën, apo këto janë raporte që gjithmonë luftohen ato statistika mirëpo tash po paraqitet që ja kanë humb farën krimit”, ka thënë Berisha.

E kjo pyetje është kundërshtuar nga deputetja Shqipe Selimi, e cila ka thënë se sindikata nuk është ftuar të flilet për ministrin. Ndërsa kryetari i sindikatës ka thënë se policia është ajo që e lufton krimin dhe jo ministri.

“Unë nuk po dua me ua përshtat juve asnjërit, po du me qenë shumë transparent, ne e dimë kush e lufton krimin, krimin e lufton e ndjek, e heton, edhe bën rend dhe qetësi publike, dhe kontrollin e kufirit, Policia e Kosovës, pavarësisht se kush është ministri, ministri është pozitë politike… Po u them shumë sinqerisht që unë nuk kam prova, nuk kam fakte të them se ministri po e ndjek krimin, unë nuk kam deri tash, nëse i kemi do të ua them publikisht edhe juve edhe të gjithëve”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputeti Hisen Berisha ka thënë se sindikata duhet të luftojë për amendamentimin e ligjit për shërbim në Policinë e Kosovës dhe jo të u jap prioritet shujtave dhe pagave shtesë.

“Mos u ndjeni komod në rregullimin e ndonjë kushti, ku ta di unë, ndonjë page me ua shtu 100 euro apo me ua dhënë do shujta, asgjë, nuk vdisni urie, djemtë që shkojnë atje janë të trajnuar me qëndru edhe katër e pesë ditë pa ngrënë, janë të trajnuar ata në organizëm, ju duhet ta rregulloni një status të përhershëm të këtyre zyrtarëve të shtetit, e kjo bëhet në ligj”, ka thënë Berisha.

Por sipas nënkryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, shujta është kërkesë legjitime.

“Nuk ka më legjitime se me lyp bukë, ka lyp një shujtë, po ku ka më drejtë se njeriu me lyp bukë nëse punon 8 orë me kërku një shujtë, sa për informatën tuaj vetëm Policia e Kosovës dhe administrata nëpër ministri nuk e merr shujtën, mjekët e marrin shujtën, doganierët e marrin shujtën, shkojmë tek arsimtarët, qysh e përfitojnë ata është në mënyra të tjera, por po, është një ministër që po ja jep shujtën, shkojmë tek gardianët, ata e hanë bukën në qendra të veta, kush po mbetet pa bukë, Policia e Kosovës”, ka thënë ai.

Para deputetëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, nga përfaqësuesit e sindikatës është thënë se më 10 janar kanë kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Lajmet

Mjet i pashpërthyer në Rahovec, deminohet nga KFOR-i dhe FSK-ja

Published

on

By

Një mjet i pashpërthyer është gjetur gjatë punimeve me ekskavator nga një punëtor në Rahovec.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet e deminimit të KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat kanë bërë tërheqjen e mjetit në mënyrë të sigurt.

Nga ky rast nuk është raportuar për ndonjë incident. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Pesë specializime në programin e Muzikës Moderne në UBT, studio në nivelin Bachelor në programin e parë të këtij lloji në Kosovë

Published

on

By

Interesimi i të rinjve për të ndërtuar karrierë në industrinë moderne të muzikës po rritet çdo ditë, deri sa gjithnjë e më shumë prej tyre po kërkojnë mundësi akademike që talentin dhe pasionin për muzikën ta shndërrojnë në profesion. Në këtë drejtim, programi Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT po tërheq interesim të madh, duke ofruar një qasje ku muzika është në linjë me teknologjinë, krijimtarinë dhe menaxhimin.

Programi është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe është i ideuar në përshtatje me zhvillimet e industrisë moderne të muzikës, e cila sot përfshin jo vetëm performancën artistike, por edhe produksionin digjital, teknologjinë e zërit, platformat online, menaxhimin e artistëve, organizimin e ngjarjeve, festivalet, televizionin, radion, filmin dhe teatrin.

Një nga veçoritë kryesore të programit është mundësia që studentët të orientohen në fusha specifike të industrisë përmes pesë specializimeve kryesore: Audio Produksion, Performancë Instrumentale, Performancë Vokale, Kompozim dhe Menaxhim në Muzikë.

Këto specializime u mundësojnë studentëve të ndërtojnë profilin e tyre profesional në përputhje me talentin, interesat dhe objektivat e tyre të karrierës. Në këtë mënyrë, një student mund të fokusohet në krijimin dhe produksionin muzikor, një tjetër në performancën vokale ose instrumentale, ndërsa të tjerë mund të zhvillohen në kompozim apo në menaxhimin e artistëve dhe projekteve muzikore.

Programi fokusohet në zhvillimin e aftësive praktike dhe krijuese, duke i përgatitur studentët jo vetëm për të kuptuar muzikën, por edhe për ta krijuar, prodhuar, interpretuar dhe menaxhuar atë në mënyrë profesionale. Përmes kombinimit të njohurive teorike, praktikës aplikative, projekteve reale, punëtorive dhe bashkëpunimit me industrinë, studentët krijojnë përvojën e duhur për të hyrë lehtësisht në tregun global të muzikës sot.

Në veçanti, Audio Produksioni i orienton studentët drejt botës së produksionit muzikor dhe teknologjisë së zërit, ndërsa Performanca Instrumentale dhe Performanca Vokale synojnë zhvillimin e interpretuesve të aftë për skena dhe formate të ndryshme profesionale.

Në fushën e Kompozimit, studentët zhvillojnë krijimtarinë muzikore dhe aftësinë për të krijuar vepra që mund të gjejnë aplikim në produksionin muzikor, film, teatër, animacion dhe projekte të tjera artistike. Ndërkaq, Menaxhimi në Muzikë fokusohet në dimensionin profesional dhe organizativ të industrisë, duke përfshirë menaxhimin e artistëve, projekteve dhe ngjarjeve muzikore.

Një element i rëndësishëm i programit është lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet studimeve dhe praktikës profesionale. Studentët kanë mundësi të zhvillojnë përvojë në studio, festivale dhe institucione muzikore, si dhe të bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë dhe aktorë të industrisë.

Përmes kësaj qasjeje, UBT synon të përgatisë profesionistë që mund të angazhohen në një gamë të gjerë rolesh, nga producentë dhe inxhinierë të tingullit, kompozitorë, këngëtarë dhe instrumentistë, deri te menaxherë artistësh, agjentë të marrëdhënieve me publikun dhe profesionistë të organizimit të projekteve dhe ngjarjeve muzikore.

Programi i përgjigjet gjithashtu transformimit të industrisë muzikore, ku zhvillimi i teknologjisë dhe platformave digjitale ka ndryshuar mënyrën se si muzika krijohet, prodhohet, shpërndahet dhe menaxhohet. Për këtë arsye, studentët pajisen me njohuri dhe shkathtësi që u mundësojnë të jenë pjesë aktive e këtij transformimi.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Pesë raste të dhunës në familje në raportin e Policisë së Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste të dhunës në familje në disa rajone të vendit, ku përfshihen sulme fizike, psiqike dhe tentativa për sulm. Rastet janë raportuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Deçan dhe Mitrovicë të Jugut.

Në Fushë Kosovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një grua. Rasti ndodhet nën hetime nga njësitë përkatëse.

Ndërsa në Istog një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. Rasti vazhdon të hetohet.

Edhe në Deçan një grua ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka tentuar ta sulmojë fizikisht. I dyshuari nuk është takuar në shtëpi nga policia dhe rasti mbetet nën hetime.

Një grua në Mitrovicë e Jugut ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

Published

on

By

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, sot rreth orës 05:15 në Prishtinë është gjetur i shtrirë në rrugë një burrë.

Ekipi i emergjencës ka dalë në vendngjarje, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Në lokacion kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.  /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara