Lajmet

​Kryetari i Mitrovicës Veriore betohet të premten, ende nuk dihet për të tjerët

Ata kanë thënë se nuk e dinë datën e saktë kur do të betohen.

Published

on

Derisa është paralajmëruar për të premten se do të betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, në objektin e Komunës në veri të Mitrovicës, kryetarët e tri komunave tjera veriore të vendit, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ende nuk e dinë ku dhe kur do të organizohen seancat për betimin e tyre.

Të kontaktuar përmes telefonit, ata kanë thënë se nuk e dinë datën e saktë kur do të betohen.

Kryetarët e rinj kanë thënë se janë në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe se po presin një përgjigje nga kjo Ministri rreth kësaj çështjeje.

Lidhur me kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të vendit ka folur edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se do të organizohet ceremoni e betimit në secilën komunë, duke mos precizuar data.

Sipas tij, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në Ministri se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit.

“Kuvendi i komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit në mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Seanca do të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal, aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”, ka thënë Krasniqi.

Duke folur për betimin e kryetarëve të rinj në katër komunat veriore është deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj shqiptarë nuk duhet të jetë arsye për tensione në atë pjesë.

“Nuk ka asnjë arsye që të ketë tensione në veri. Unë ftoj të gjithë qytetrarët të cilët jetojnë në këto komuna që të mos bien pre e propagandës. Këta kryetarë do të jenë aty për të gjithë qytetarët pavarësisht etnisë së tyre dhe do të punojnë me institucionet qendrore. I ftoj që most ë zgjedhin dhunën dhe tensionet si mjet. Ne si institucione jemi këtu për të gjithë qytetarët, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët dhe të gjitha komunitetet tjera jo shumicë. Duhet të punojmë së bashku që qytetarët të mbrohen nga strukturat ilegale të cilat po shkaktojnë dhunë dhe frikë. Institucionet e Kosovës janë aty për ti mbrojtur qytetarët dhe jo për ta bërë të kundërtën”, theksoi Osmani.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok, fitues dolën Erden Atiq (VV), Lulzim Hetemi (VV), Ilir Peci (PDK) dhe Izmir Zeqiri (PDK).

Ndryshe, për dallim nga herët e kaluara, e veçanta në këto zgjedhje ishte se ato u mbajtën për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive serbe, përveç një kandidateje të pavarur, si dhe përveçse në disa shkolla, ato u organizuan në kontejnerë.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe i bojkotoi zgjedhjet, ndërsa më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e komunave veriore nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e automjeteve të tyre të lëshuara nga Serbia, me ato të Republikës së Kosovës.

Dorëheqjet kolektive krijuan vakum institucional dhe bënë që mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të caktohej fillimisht për datën 18 dhjetor të po atij viti.

Procesi në këtë datë u anulua, pas rritjes së tensioneve në veri. Grupe të serbëve lokalë sulmuan më 6 dhjetor zyrtarët zgjedhorë në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, të cilët po përgatisnin mbajtjen e zgjedhjeve.

Tensionet vazhduan dhe kulmuan me disa incidente me armë zjarri dhe me vendosjen e barrikadave në rrugët që çonin drejt dy vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.

Barrikadat u vendosën pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, i akuzuar për sulm kundër zyrtarëve zgjedhorë. Ato u hoqën pas disa javësh, përkatësisht pasi Pantiqit iu ndryshua masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Kjo situatë e krijuar, bëri që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të caktojë 23 prillin datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për katër komunat veriore të Kosovës.

Kosova dhe Serbia ndërkohë arritën marrëveshje për çështjen e targave. Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte vendimi për shoferët që kanë automjete me targa ilegale serbe, ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshonte më targa me emërtime për qytetet e Kosovës, sikurse KM, PR, PZ dhe të ngjajshme. 

Lajmet

Vazhdon saga e dështimeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Published

on

By

Për të 26-n herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Që nga 1 maji, për të tetëmbëdhjetën herë, deputetët kanë refuzuar të formojnë një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kreun e ri të Kuvendit.

Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë nuk ka arritur të sigurojë 61 vota për t’u zgjedhur në krye të organit ligjvënës.

Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive më 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Saranda Bogujevci nga LVV-ja tha se partia e saj është në pritje të vendimit të Kushtetueses, ndërkaq shtoi se kanë informacione se disa deputetë janë të gatshëm të votojnë për kryeparlamentarin pas vendimit të gjykatës.

Faton Peci, pjesë e koalicionit me LVV-në, tha se në ditët e fundit ka pasur takim mes LVV-së dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, duke thënë se Limaj shihet si partner i mundshëm për qeverisje.

Limaj, partia e të cilit ka tri ulëse në Kuvend, deklaroi se vendi duhet të ketë një shumicë parlamentare, duke shprehur bindjen se Kosova së shpejti do t’i ketë institucionet e reja.

Seanca konstituive pritet të vazhdojë të enjten, më 5 qershor. Kjo është hera e parë që nga nisja e seancës konstituive më 15 prill, që vazhdimi i seancës bëhet pas 24 orësh, pasi deri më tani vazhdimet janë bërë çdo 48 orë. Ky vendim u mor nga kryesuesi Avni Dehari, në konsultim me përfaqësuesit e partive, me qëllim që seanca të mos vazhdonte të premten, kur është festa e Bajramit.

PDK-ja dhe AAK-ja e konsiderojnë Haxhiun si një figurë jounifikuese, duke kërkuar nga LVV-ja ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së për këtë post.

LVV-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kjo parti ka thënë se nuk do ta ndryshojë kandidatin, duke theksuar se Haxhiu e meriton të zgjidhet në këtë pozitë.

Për ta konstituuar Kuvendin, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri dhe pesë nënkryetarët, për të cilët nevojiten 61 vota.

Vetëm pas zgjedhjes së tyre, organi ligjvënës konsiderohet i konstituuar, dhe pas kësaj hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./REL/

Continue Reading

Lajmet

​Sot diskutohet data e zgjedhjeve lokale

Published

on

By

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pritet të zhvillojë sot, më 4 qershor, një takim me përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar datën e zgjedhjeve lokale.

Takimin e konfirmoi të martën këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.

Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Menjëherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, tha ai.

Pas kësaj, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se “procesi ka mundur të iniciohej shumë më herët”, sipas tij, për të pasur më shumë fleksibilitet dhe më shumë data në dispozicion.

Tashmë kanë mbetur vetëm 7 të diela të mundshme [nga 14 sa ishin në total] kur mund të mbahen zgjedhjet lokale”, shkroi ai në Facebook.

Ai tha se datat që mund të mbahen zgjedhjet lokale janë 5, 12, 19, 26 tetor apo 2, 9 dhe 16 nëntor./kp

Continue Reading

Lajmet

​Deputetët mblidhen sërish sot për seancën konstituive

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Ky është tentimi i njëzet e gjashtë me radhë që prej 15 prillit kur ka nisur seanca konstituive.

Vendi është zhytur në një ngërç politik pasi që Kuvendi nuk po bëhet, rrjedhimisht as qeveri të re nuk mund të ketë.

Tashmë për disa seanca me radhë deputetët po refuzojnë të formojnë një komision për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit. Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi I seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, por është refuzuar nga partitë e tjera parlamentare.

Ideja për votim të fshehtë ka ardhur pasi kandidatja e partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa, Albulena Haxhiu nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për kryeparlamentare.

Çështja e votimit të fshehtë tashmë është edhe në Gjykatën Kushtetuese pasi është dërguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e mbështetur edhe nga partitë e tjera që deri më tash ishin në opozitë.

Lëvizja Vetëvendosje po insiston në kandidaturën e Haxhiut, ndërkaq, partitë e tjera kanë deklaruar se nuk e mbështesin atë për kryetare të Kuvendit.

Thirrje për zhbllokim të ngërçit politik janë bërë brenda dhe jashtë Kosovës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur një takim më 15 maj me përfaqësues të partive politike, por as aty nuk ka pasur pajtim rreth konstituimit të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës konstituive sot, më 4 qershor, pritet të bëhet nga ora 11:00.

Kuvendi do të mund të konstituohet vetëm pasi të zgjedhet kryetari dhe pesë nënkryetarët.

Më pas, i hapet rruga formimit të qeverisë së re.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, asnjë parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme./KP

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e Kosovës në Austri ka një njoftim për bashkatdhetarët

Published

on

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka njoftuar bashkatdhetarët se nga tani e tutje të gjitha shërbimet konsullore do të ofrohen vetëm me termin të caktuar paraprakisht përmes platformës elektronike zyrtare E-Kosova.

Në njoftimin e ambasadës theksohet se shërbime si lëshimi i pasaportave, letërnjoftimeve, certifikatave dhe dokumenteve të tjera do të realizohen vetëm për qytetarët që kanë rezervuar paraprakisht një takim online.

Caktimi i terminit bëhet përmes këtij linku:

Udhëzimet për caktimin e terminit janë si më poshtë:

Hyni në platformën eKosova

Zgjidhni opsionin Shërbimet Konsullore

Klikoni: Terminet për misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës

Zgjidhni: Ambasada – Austria, Vjenë

Zgjidhni shërbimin e nevojshëm dhe përfundoni aplikimin

Qytetarët që kanë caktuar termin, duhet të paraqiten në adresën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri.

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara