Lajmet

​Krerët e institucioneve zotohen për fuqizim dhe avancim të demokracisë

“Demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por ajo nevojitet që të ketë aleanca me demokracitë e tjera”, u shpreh Konjufca.

Published

on

Inaugurimi i Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut ka mbledhur sot krerët e institucioneve kryesore të vendit. Përmes këtij këshilli synohet bashkërendimi institucional për fuqizim të demokracisë përmes tri shtyllave, luftën ndaj korrupsionit, autoritarizmit dhe avancimit të të drejtave të njeriut.

Themeluesja e këtij Këshilli, presidentja Vjosa Osmani, tha se i njëjti është garanci për angazhim sistematik dhe institucional të përmbushjes së zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci të organizuar vitin e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden.

“Ky Këshill të cilin e kam themeluar do të shërbejë si forum i lartë koordinues, qëllimi parësor i të cilit është koordinimi dhe menaxhimi i punës në drejtim të përmbushjes së zotimeve të Republikës së Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci dhe përmbushjen e zotimeve të tjera të institucioneve që ndërlidhen me forcimin e sundimit të ligjit, forcimin e demokracisë, forcimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediet… Njëkohësisht ky Këshill është garancia jonë për angazhimin dhe bashkërendimin sistematik dhe institucional në drejtim të përmbushjes së zotimeve edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtar dhe në veçanti ShBA-në. Më vjen mirë që ky Këshill reflekton tri shtyllat kryesore që i kemi bërë më 9 dhjetor. Respektivisht, shtylla e parë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, shtylla e dytë, luftimi i autoritarizmit dhe shtylla e tretë, avancimi i të drejtave të njeriut, diversitetit, gjithëpërfshirës me fokus avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore”, tha ajo.

Agresioni rus ndaj Ukrainës, sipas kryetarit të Kuvendit të Kuvendit, Glauk Konjufca dëshmon se demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por nevojiten aleanca me demokracitë tjera.

“Siç po e shohim edhe prej ngjarjeve të fundit në botë dhe invazionit të Rusisë mbi Ukrainën, demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por ajo nevojitet që të ketë aleanca me demokracitë e tjera, për sa kohë edhe në botë po e shohim se autokratët janë më të lidhur se kurrë me njëri-tjetrin. Demokracia, siç e tha edhe presidentja nuk është vetëm një gjendje, por një proces që duhet të punojnë të gjithë të mirëmbahet, thellohet dhe forcohet në çdo moment”, theksoi Konjufca.

Ndërsa, kryeministri, Albin Kurti tha se në një vit qeverisje kanë shënuar progres në fushën e luftimit të korrupsionit, fuqizim të të drejtave të njeriut dhe në angazhimin kundër autoritarizmit kanë vendosur sanksione ndaj federatës ruse, pas agresionit në Ukrainë.

Ai tha se vlerat demokratike tani janë më të rëndësishme se kurrë më parë, derisa theksoi se po të ishte Serbia vend demokratik nuk do të përbënte kërcenim ndaj paqes në rajon.

“Po të ishte Rusia vend i mirëfilltë demokratik ajo kurrë nuk do të donte të pushtonte Ukrainën. Po të ishte edhe Serbia një vend demokratik as ajo nuk do të përbënte një kërcenim kaq të rrezikshëm ndaj paqes së qëndrueshme në rajonin tonë. Duke marrë parasysh zhvillimet e kohëve të fundit, përpjekjet e presidentit Biden për të promovuar vlera demokratike në mbarë botën, ato janë më të rëndësishme tani se kurrë më parë, kudo dhe posaçërisht në rajonin tonë”, tha ai.

Themelimin e këtij këshilli e përshëndeti edhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi. Ndërkohë, pjesëmarrësit e tjerë, krerët e institucioneve gjyqësore, prokuroriale, avokati i popullit dhe disa nga ministrat u zotuan për angazhim sistematik për fuqizim të demokracisë.

Vendi

Afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit

Published

on

By

Sot mbushet afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa nga ky institucion nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca e ndërprerë për legjislaturën e 11-të.
Punimet e seancës konstituese u ndërprenë me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për diskutime me përfaqësuesit e partive politike, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit. Kjo kërkesë nxiti reagime nga ligjvënësit e Partisë Demokratike, mirëpo kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Para ndërprerjes, Kuvendi përmbylli dy pikat e para të rendit të ditës: formimin e komisionit për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve. Pasi u konstatua rregullsia e mandateve, ligjvënësit e zgjedhur dhanë betimin, përfshirë edhe deputetët e Listës Serbe. /E.A/

Continue Reading

lajme

Mot me diell dhe temperatura deri në 37°C sot në Kosovë

Published

on

By

Kosovën e pret një ditë me mot kryesisht me diell dhe i nxehtë këtë të premte.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13°C dhe 18°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 33°C deri në 37°C.
Gjatë ditës mund të shfaqen vranësira të pakta kalimtare në disa zona, por nuk parashihen reshje shiu. Po ashtu, do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriut dhe veriperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 5 m/s.
Nga IHMK bëjnë të ditur se temperaturat do të mbeten pak mbi mesataren shumëvjeçare, mirëpo mbeten brenda normave për stinën e verës. /E.A/

Continue Reading

Live

SHBA përballet me opsione të vështira për mbylljen e konfliktit me Iranin

Published

on

By

Ndërsa lufta e Presidentit Donald Trump kundër Iranit ka hyrë në muajin e saj të gjashtë, paralajmërimet dhe përpjekjet diplomatike të kësaj jave kanë nxjerrë në pah pozicionin e ndërlikuar në të cilin ai ndodhet, teksa përpiqet të tërheqë SHBA-në nga një konflikt jopopullor që fillimisht pretendonte se do të zgjaste vetëm disa javë.

Trump ndodhet përballë dy rrugëve: të pranojë një marrëveshje të përkohshme që po mekohet mes Iranit dhe Omanit – e cila do t’i jepte Teheranit kontroll mbi ngushticën e Hormuzit, diçka që nuk e posedonte para luftës – ose të zbatojë paralajmërimet e tij për përshkallëzim të mprehtë, duke rrezikuar një krizë më të zgjatur.

Opsioni i parë, sipas analistëve, do t’i gjeneronte Iranit lëshimin më të madh që nga sulmi i SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt dhe do të zyrtarizonte mbikëqyrjen e Republikës Islamike mbi këtë rrugë të rëndësishme të transportit të naftës, diçka që administrata Trump kishte premtuar ta parandalonte.

Rruga e dytë, që ka të ngjarë të përfshijë një valë të re sulmesh ajrore, mund të bartë rreziqe politike për Trumpin përpara zgjedhjeve të rëndësishme afatmesme të nëntorit në SHBA, ndërsa nuk duket se ofron ndonjë garanci më të madhe suksesi se bombardimet e mëparshme.

Trump mund të zgjedhë gjithashtu të ruajë status quo-në aktuale: të mbajë bllokadën e porteve iraniane dhe të kundërpërgjigjet periodikisht ndaj çdo sulmi mbi transportin detar. Megjithatë, as kjo qasje nuk i ofron një dalje të dinjitshme nga një konflikt që ai kishte parashikuar të përfundonte në mes të prillit.

“Është një menu opsionesh të këqija, por Trump mund të ketë kuptuar se nuk mund ta lërë këtë luftë të vazhdojë pafundësisht,” u shpreh Aaron David Miller, ish-negociator për Lindjen e Mesme.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares  së Reuters, një zyrtar amerikan deklaroi në kushte anonimiteti se çdo rrugë e përkohshme e transportit detar do të jetë “pa asnjë pengesë” dhe pa mbikëqyrje nga asnjë palë. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Humbin jetën tre qytetarë nga Kosova në një aksident në Gjermani

Published

on

By

Tre persona nga Kosova kanë humbur jetën në një aksident rrugor të enjten në mëngjes në Gjermani, ka njoftuar një i afërm i tyre.

Sipas njoftimit, aksidenti ka ndodhur teksa viktimat – të moshave 61, 34 dhe 16 vjeç, pjesëtarë të së njëjtës familje – po ktheheshin nga Kosova.

Ngjarja është regjistruar në autostradën A3 në rajonin e Bavarise.

Sipas raportimeve të mediave lokale, automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në linjën hekurudhore. Ndonëse nuk ka pasur përplasje me tren, tre personat që ndodheshin në veturë kanë mbetur të vdekur në vendngjarje.

Continue Reading

Të kërkuara