Lajmet

​Krasniqi flet në Hagë për objektet dhe spitalin provizor në Zllash

Krasniqi ka thënë se në vitin 1999 ai po qëndronte në shtëpinë e familjes në Zllash derisa këta të fundit ndodheshin në Prishtinë.

Published

on

Selatin Krasniqi është dëshmitari i 12-të i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë dhe sot para trupit gjykues ka folur për objektet e familjes së tij në fshatin Zllash dhe një spital të improvizuar aty. Dëshmitari ka thënë se në kohën e fillimit të bombardimeve të NATO-s ai ndodhej në shtëpinë e tij në fshat dhe se lajmin për sulme e kishte marrë nga Isa Kastrati. Ai ka folur për datën 20 prill të vitit 1999 ku sipas tij kishte shumë të plagosur, të cilëve bëhej përpjekje t’u ofrohej ndihmë në një spital provizor në Zllash.

Krasniqi ka thënë se në vitin 1999 ai po qëndronte në shtëpinë e familjes në Zllash derisa këta të fundit ndodheshin në Prishtinë.

“Atë natë isha në shtëpinë time në Zllash. Kam qenë unë, kanë qenë edhe disa të tjerë. Kisha dalë diku në nëntor të ’98-ës në Zllash. Në ’98-ën në korrik, mes korrikut dhe fillimit të shatorit UÇK kërkoi nga prindërit e mijë, xhaxhallarët të ua lirojmë shtëpinë, personi që u liruam shtëpinë ishte Rrahman Dini me pseudonimin Bali. Më pas unë si i ri kam bajt nga pak armatim, dhe policia serbe e mori vesh në nëntor 98-ës, më arrestoi por pas dy tre orë baba intervenoi dhe më liruan dhe dola ika në Zllash”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se më 26 ose 27 mars kishte shkuar në Prishtinë ku kishte qëndruar deri më datën 30 të muajit apo 1 prill 1999.

“Më 26 ose 27 mars kemi shkuar në Prishtinë, unë pasi kam qenë i asaj ane e kam ditë pak terenin, i kam dërguar disa grupe deri në fshatin Butovc, disa i kam lënë në Mramor, dhe kam hy vet në Prishtinë, me disa persona. Deri më 30 ose me të parin kemi qëndru, nuk jam i sakë me datë. Qëndruam në Prishtinë afër Medresesë, një mëngjes ka ardhur një shok i imi nga Kodra e Trimave më ka thirr më ka thënë ‘forcat serbe hynë në Kodër të Trimave hajde’, jemi dalë në Vranjec e kam takuar Shpendin dhe më ka sugjeruar që me urdhër të Rrahman Dinit, komandant Calit, Fatmir Humollit, është që ne mos me bë diçka, mos me gjuajt në serbë, me qetësu popullatën dhe me ju ndihmu”, ka thënë Krasniqi.

Nga Prishtina, Kraniqi ka thënë se kishte arritur në Zllash mëngjesin e 1 prillit. Atë ditë ai ka thënë se aty ka parë qindra persona, në mesin e tyre gra e fëmijë të dëbuar nga Prishtina.

Shtëpia në Zllash, Krasniqi ka thënë se ishte në pronësi të axhës së tij prej vitit 1920. Ai ka thënë se shtëpitë kanë qenë të Adem Krasniqit por me fletëposeduese në pronësi të Kadri Krasniqit, të cilët ishin vëllezër.

Në Zllash ai ka thënë se ishin rreth gjashtë dhoma të gatshme për fjetje. Dëshmitari ka thënë se familja e tij ishin strehuar në lagjen Cubaj deri më 17 prill kur sipas tij kishte filluar ofensiva.

“Pas tre katër ditë kam ardhur prapë në Prishtinë, pasi ka kaluar familja në atë shtëpinë ku e ceka më herët, kam ardhur në Prishtinë, kam marrë gjëra ushqimore për familjen dhe jam kthyer prapë në Zllash, më datën 3 ose 4 prill”, ka thënë ai.

Derisa është marrë në pyetje nga avokati i mbrojtjes, Julius Von Bone, dëshmitari është përgjigjur rreth shtëpive të familjes së tij në Zllash.

Ndërsa lidhur me dhomën që përdorej si ‘odë’, Krasniqi ka thënë se nga 20 prilli ishte shndërruar qendër spitali për të plagosurit nga Vitia e Marecit, Mramorit dhe Prapashticës.

“Kena fjetur aty, jo vetëm unë, Rrahman Dini ka qëndruar në odë aty, kanë qenë shtretërit, tani më 20 prill është bërë si qendër spitali mundem me thënë, kur i kemi sjell të plagosurit nga Vitia e Marecit, dy dhoma i ka pasur”, ka thënë ai.

Aty, ai ka thënë se ndihmonin infermierë, ndër të cilët ai përmendi Teutën dhe Ibadetin.

“Avnia ka qenë i plagosur, Avni Haziri dhe Avni Gashi, Sokol Sopi, Afrim Vitia. Më datë 20 prill 1999 gjatë granatimeve në Viti, disa ushtarë kanë vdekur e disa janë plagosur, por jo vetëm prej Vitisë së Marecit por kanë sjellë edhe prej Mramorit, prej Prapashticës, prej pjesëve të tjera. Kur kemi arrit në ora 12 të natës aty ka qenë tmerr, në këto dy dhomat, kërkonin ndihmë, nuk kishin mundësi mjekët dhe infermierët aty me iu dhënë sepse nuk kishte pajisje të mjaftueshme”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se nuk është në dijeni se kush e kishte marrë vendimin për të shfrytëzuar objektin si qendër spitali meqë nga data 17 deri më datën 20 prill ndodhej në viti të Marecit.

“Prej datës 17 nuk kam qenë aty, kam qenë në Viti të Marecit, dhe diku është dashur t’i lëmë ata të plagosur, nuk kemi mundur t’i lëmë jashtë. Ka pasur edhe në objektin tjetër qind për qind”, ka shtuar Krasniqi.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Sipas Dhomave të Specializuara, “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Continue Reading

Lajmet

KURIOZITETET E DITËS

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Kafshët mund ta përjetojnë kohën ndryshe nga njerëzit. Për kafshët më të vogla, bota përreth tyre lëviz më ngadalë krahasuar me njerëzit. Salamandrat dhe hardhucat, për shembull, e përjetojnë kohën më ngadalë se macet dhe qentë. Kjo ndodh sepse perceptimi i kohës varet nga shpejtësia me të cilën truri mund të përpunojë informacionin hyrës.

 

  1. Uji mund të mos jetë i lagësht. Kjo ndodh sepse shumica e shkencëtarëve e përcaktojnë lagështinë si aftësinë e një lëngu për të mbajtur kontaktin me një sipërfaqe të ngurtë, që do të thotë se vetë uji nuk është i lagësht, por mund t’i lagë objektet e tjera.

 

  1. Shumica e njerëzve i përkëdhelin macet në mënyrën e gabuar. Hulumtimet tregojnë se ato shpesh e tolerojnë atë vetëm për ushqim dhe vëmendje. Pikat më të sigurta? Nën mjekër, faqe dhe bazën e veshëve. Më e keqja? Barku dhe baza e bishtit të tyre – nëse prekni atje, ka më shumë të ngjarë t’i bezdisni sesa të lidheni me to.

 

  1. Një pulë dikur jetoi për 18 muaj pa kokë. Ngjarja e pabesueshme e pulës Mike u regjistrua në vitet 1940 në SHBA. Ai mbijetoi pasi vena e tij jugulare dhe pjesa më e madhe e trungut të trurit të tij mbetën kryesisht të paprekura, duke siguruar që funksioni i trurit të mbetej mjaftueshëm për mbijetesë. Në shumicën e rasteve, një pulë pa kokë ngordh brenda pak minutash.

 

  1. Të gjitha bakteret e botës, të grumbulluara njëra mbi tjetrën, do të shtriheshin për 10 miliardë vite dritë. Së bashku, mikrobet e Tokës me gjatësi 0.001 mm mund të mbështillen rreth Rrugës së Qumështit mbi 20,000 herë.

 

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Hektar i Kohës” sjell mbi 100 vepra të artistit Din Azizi në Galerinë KNOW

Published

on

Në Galerinë KNOW, në fshatin Livoç të Gjilanit, është hapur ekspozita personale “Hektar i Kohës” e artistit Din Azizi, e cila përmbledh mbi 26 vjet krijimtari dhe më shumë se 100 vepra në mediume të ndryshme artistike.

Përmes pikturës, skulpturës, instalacionit dhe fotografisë, ekspozita paraqet rrugëtimin artistik të Azizit, duke reflektuar zhvillimin e tij krijues ndër vite.

Galeria KNOW, e themeluar nga vetë artisti, vlerësohet si një shembull i zhvillimit të artit edhe jashtë qendrave urbane, duke krijuar një hapësirë të re për ekspozim, bashkëpunim dhe takime mes artistëve, komunitetit dhe vizitorëve.

Ekspozita synon të promovojë artin bashkëkohor dhe të theksojë rëndësinë e mbështetjes së artistëve vendorë, duke e shndërruar Livoçin në një pikë të rëndësishme të aktivitetit kulturor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“The Odyssey” vlerësohet si kryevepër, kritika e cilëson filmin më të mirë të vitit

Published

on

Filmi më i ri i regjisorit fitues të çmimit “Oscar”, Christopher Nolan, “The Odyssey”, ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga kritika ndërkombëtare, vetëm pak para premierës së tij zyrtare.

I bazuar në poemën epike të Homerit, filmi është projekti i parë i Nolanit pas suksesit të “Oppenheimer”, i cili fitoi çmimin “Oscar” për filmin më të mirë në vitin 2023.

Kritikët nuk kanë kursyer lëvdatat. The Telegraph e ka cilësuar “filmin e vitit”, The Times e përshkroi si “një kryevepër në çdo aspekt”, ndërsa Metro shkroi se filmi “do ta ndryshojë kinemanë përgjithmonë”. Edhe The Standard e cilësoi atë si “një vepër kolosale kinematografike”.

Në rolet kryesore interpretojnë Matt Damon, Zendaya, Tom Holland, Robert Pattinson, Anne Hathaway, Charlize Theron dhe Lupita Nyong’o.

Filmi ndjek rrugëtimin e Odiseut (Matt Damon), mbretit të Itakës, në përpjekjen për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës dhe për t’u ribashkuar me bashkëshorten dhe djalin e tij. Gjatë udhëtimit ai përballet me krijesa mitologjike dhe sfida të shumta, ndërsa rivali Antinous synon të marrë fronin dhe zemrën e mbretëreshës.

Sipas kritikëve, “The Odyssey” sjell skena spektakolare dhe një vizion ambicioz që e vendos filmin mes produksioneve më të vlerësuara të viteve të fundit. Filmi pritet të dalë në kinematë e Mbretërisë së Bashkuar të premten./A.K/

Continue Reading

Lajmet

PrizrenFest rikthehet me edicionin e pestë, sjell artistë nga tetë shtete

Published

on

Qyteti i Prizrenit do të mirëpresë edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur – PrizrenFest, i cili do të mbahet nga 21 deri më 27 korrik 2026.

Me karakter ndërkombëtar, festivali do ta shndërrojë Prizrenin në një qendër të artit skenik, duke sjellë shfaqje teatrore, aktivitete artistike dhe programe kulturore në hapësira të ndryshme historike të qytetit.

Në programin e këtij viti do të marrin pjesë trupa teatrore dhe artistë nga Kosova, Spanja, Franca, Brazili, Turqia, Italia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.

Përveç shfaqjeve teatrore, PrizrenFest do të ofrojë edhe punëtori për fëmijë, koncerte dhe aktivitete të tjera kulturore, duke krijuar një program të larmishëm për publikun.

Përmes këtij festivali, organizatorët synojnë të promovojnë artin skenik në hapësira të hapura, të forcojnë identitetin kulturor të Prizrenit dhe ta konsolidojnë qytetin si një destinacion të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare të festivaleve artistike./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara