Lajmet

​Koreja Veriore lëshon raketë balistike mbi Japoni

Raketa balistike ka udhëtuar rreth 4 mijë e 500 kilometra, para se të binte në Oqeanin Paqësor.

Published

on

Koreja Veriore ka lëshuar një raketë mbi Japoni, në atë që shihet si përshkallëzim i qëllimshëm për të marrë vëmendjen e Tokios dhe Uashingtonit.

Raketa balistike ka udhëtuar rreth 4 mijë e 500 kilometra, para se të binte në Oqeanin Paqësor.

Kjo largësi është e mjaftueshme për të qëlluar rajonin amerikan, Guam, nëse raketa do të merrte trajektore tjetër.

Kjo është hera e parë, prej vitit 2017, që një raketë verikoreane udhëton mbi Japoni.

Lëshimi i raketës ka detyruar Japoninë të lëshojë alarm për disa qytetarë që të strehohen.

Kombet e Bashkuara ia ndalojnë Koresë Veriore testimin e raketave balistike dhe atyre bërthamore.

Lëshimi i raketave drejt apo mbi një shtet, pa paralajmërim apo konsultim, po ashtu bie ndesh me normat ndërkombëtare.

Shumë shtete shmangin veprime të tilla testimi, pasi ato lehtë mund të duken si sulme.

Ndonëse verikoreanët nuk kanë kryer test bërthamor – çka mund të ndodhë në të ardhmen – veprimi i fundit mund të konsiderohet tejet provokativ.

Njerëzit në veri të Japonisë, përfshirë ishullin Hokaido, është raportuar të jenë zgjuar nga zhurma e sirenave dhe thirrja: “Koreja Veriore duket se ka lëshuar raketë. Ju lutem evakuohuni në ndërtesa apo hapësira nëntokësore”.

Meqë raketa është lëshuar mbi kokat e tyre, ata janë paralajmëruar se mund t’ju bien mbetjet e raketës.

Zyrtarët më pas kanë thënë se raketa me rreze të mesme ka rënë në Oqeanin Paqësor, larg nga Japonia, dhe nuk është raportuar për të lënduar.

Raketa e ka kryer udhëtimin me distancën më të gjatë që ka kryer ndonjëherë një pajisje e tillë verikoreane, dhe ka arritur lartësinë e rreth 1 mijë kilometrave – më lart sesa Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, e ka përshkruar këtë lëshim rakete si “sjellje të dhunshme”, derisa ministri i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada, ka thënë se Japonia nuk e përjashton mundësinë e forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes përfshirë “kundërsulmin”.

Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Adrienne Watson, e ka konsideruar vendimin “të rrezikshëm” dhe i cili është duke “destabilizuar” rajonin.

Ky lansim i raketës vjen teksa Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore janë duke punuar për të forcuar mbrojtjen, pas kërcënimit që rritet nga Koreja Veriore.

Javën e kaluar, të tria shtete kanë kryer stërvitje detare, të cilat e kanë zemëruar liderin verikorean, Kim Jong-un.

Ai i sheh të tria shtetet si armike që po përgatiten për luftë.

Pas stërvitjeve të ngjashme të vitit 2017, Koreja Veriore pati lëshuar raketë mbi Japoni, si kundërpërgjigje.

Një javë më vonë, pati kryer test bërthamor.

Inteligjenca e fundit ka sugjeruar se Koreja Veriore është duke u përgatitur për një tjetër test bërthamor.

Shumë ekspertë besojnë se diçka e tillë mund të ndodhë pasi Kina – aleate kyçe e Koresë Veriore – të mbajë Kongresin e Partisë Komuniste më vonë gjatë këtij muaji.

Lansimi i raketës të martën është i pesti që është kryer nga Pheniani brenda një jave.

Të shtunën, dy raketa kanë rënë në ujërat jashtë zonës ekonomike të Japonisë.

Shumë prej testimeve të Koresë Veriore kryhen në lartësi të mëdha, për të shmangur fluturimet mbi territoret e vendeve fqinje.

Testime të tilla kanë kontribuuar në rritje të tensioneve mes Koresë Veriore dhe Japonisë, që kanë rrënjët në kolonizimin e Koresë nga viti 1910 deri më 1945, si dhe rrëmbimin e qytetarëve japonezë nga verikoreanët, në të kaluarën.

Më herët gjatë këtij muaji, Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore.

Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.

Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.

Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes./REL

Lajmet

28 Nëntori pa kufij – Nga Shqipëria në Kosovë

Published

on

By

28 Nëntori është data që bashkon shqiptarët kudo në botë, pa kufij e pa dallime. Është data kur historia shqiptare merr frymë më fort dhe ku kujtesa kombëtare ndizet si një flakadan që udhëheq brezat e rinj.
Në këtë ditë, 113 vjet më parë, Shqipëria shpalli pavarësinë e saj. Ismail Qemali ishte në krye të procesit të shpalljes së pavarësisë. Dhe kreu i qeverisë së parë. Por, hija e trojeve shqiptare që mbetën jashtë kufijve ishte aty. Si shpresë dhe si mungesë.
Hija e Kosovës, gjithsesi!
E për Kosovën kjo datë ka peshë të dyfishtë – lidhet me dy momente të shenjta të historisë shqiptare.
Në këtë datë historike lindi një nga figurat më të mëdha të rezistencës kosovare, Adem Jashari. Ndërsa Prekazi i asaj kohe të vitit 1955 ishte një fshat i thjeshtë, pastaj duke kaluar në vitet e errëta të represionit, heroi Adem Jashari u bë një simboli i lirisë, zëri i qëndresës dhe zemra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Jeta dhe sakrifica e tij padyshim është shndërruar në betim për një popull të tërë.
Historia e familjes Jashari, ishte sakrifica e kthyer në një kapitull të rrugës drejt lirisë për Kosovën.
Po në këtë datë, kur frika ishte më e madhe, kur shumëkush nuk fliste hapur, dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për herë të parë publikisht, tregoi se Kosova nuk do qëndronte më e heshtur. Më figurat e Mujë Krasniqit, Daut Haradinajt e Rexhep Selimit, UÇK doli nga hija po me këtë datë, më 28 nëntor, si një mesazh që flamuri kuq e zi nuk valëvitej vetëm për Shqipëri, ai do rritej edhe në Kosovë, në zemrat e të gjithë shqiptarëve të Kosovës që ishin të vendosur të mos dorëzohen.
Pra, në këtë ditë, më 28 nëntor 1997, për shumë shqiptarë rezistenca nuk ishte e shpërndarë dhe e paorganizuar, ndërsa sot dalja e parë e UÇK-së kujtohet si një nga momentet më të rëndësishme të viteve ‘90. Ky moment mbetet i gdhendur në kujtesën kolektive si nisja e një etape drejt një Kosove të lirë.
Kështu, 28 nëntori për Kosovën nuk është vetëm festa e Flamurit, ajo është data kur gjaku, historia dhe identiteti kombëtar bashkohen në një. Është dita kur kujtojmë rrënjët tona, por edhe betejat e reja. Një datë e cila na rikujton se liria nuk ishte dhuratë, por amanet i hershëm. Një datë, në të cilën gjenerata të tëra festojnë lirshëm, gjithnjë duke kujtuar deceniet me radhë kur nuk mund të festohej haptazi, kur flamuri shqiptar ishte i ndaluar, kur për një “fjalë Shqipërie” mbusheshin burgjet me të rinj e të reja shqiptare.
Falë Adem Jasharit, falë UÇK-së, falë të gjitha lëvizjeve kombëtare shqiptare, të të gjitha kohërave – 28 Nëntori mbetet një ditë ku Shqipëria dhe Kosova bëhen një./UBTNews

Continue Reading

lajme

UBT uron 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë

Published

on

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka uruar studentët, pedagogët dhe gjithë bashkëkombësit shqiptarë për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në mesazhin e tij, Rektori Hajrizi thekson rëndësinë historike të kësaj dite: ngritjen e flamurit kuq e zi mbi Kështjellën e Krujës nga Skënderbeu dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, si shenjë të qëndresës, sakrificës dhe ëndrrës për liri që çdo shqiptar e mban në zemër.

Ai nënvizon se kjo ditë nuk është vetëm një kujtesë historike, por edhe një thirrje për të ndërtuar të ardhmen. “Është përgjegjësia jonë të kultivojmë dijen, të zhvillojmë talentet dhe të edukojmë brezat e rinj që ata të jenë trashëgimtarët dinjitozë të këtij kombi,” thekson Rektori Hajrizi.

UBT beson se arsimi është flaka që do të ndezë Nëntorin e Tretë të kombit tonë – një Nëntor i dijes, i punës dhe i përkushtimit të rinisë. Të rinjtë janë fuqia që do të ruajë gjuhën, identitetin dhe vlerat kombëtare, duke ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të suksesshme.

Gëzuar 28 Nëntorin!

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Prishtinës diskuton në seancë të jashtëzakonshme për bllokadën e buxhetit

Published

on

By

Kuvendi Komunal i Prishtinës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme ku kryetari Përparim Rama ka kërkuar që të bëhet bartja e mjeteve në vlerë 28 milionë euro dhe votimin e buxhetit 2026.

Por asamblistët e VV-së kanë thënë se gjithë bllokimi i Prishtinës ka ndodhur për shkak të kryetarit.

Urime të gjithë asamblistëve që janë zgjedhur dhe falënderim për ata që e kanë përfunduar, katër vite kanë qenë të rëndësishme dhe vendimtare te kryeqytetit. Edhe sot jemi në këtë seancë në shërbim të interesit publik. Para nesh kemi bartjen e mjeteve në vlerë 28 milionë euro dhe votimin e buxhetit për vitin 2026-të prioritet absolut janë qytetarët e kryeqyteti. Fondet do të shfrytëzohen menjëherë për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet e kryeqytetit. Kërkojë edhe 35 milionë euro te cilat u takojnë qytetarëve me ligj duhet vullnet për miratim nga ministri i financave. Ju falënderoj për përgjegjësinë dhe zotohem para jush se do të jem i pranishëm në çdo veprim, nuk e mbrojmë interesin partiak po të qytetarëve”, tha ai.

Asamblisti i VV-së, Gëzim Sveçla i tha Ramës së i bakretuar ke ardh e me turp do të përfundosh.

Jemi këtu sepse kryeqyteti është futur në krizën më të rëndë të menaxhimit jemi këtu sepse qyteti është bllokuar qytetarët kanë mbetur pa paga dhe autobusët janë ndalur dhe kryetari ka dërguar situatën në zero. Vetëm kur punëtorët e trafikut dolën në rrugë atëherë e kuptoj se bartja e mjeteve nuk bëhet në studio televizive por në kuvendin komunal. Kriza i duhet Përparim Ramës dhe LDK e përdori këtë strategji për fushatën lokale tash dëshiron ta përdor edhe për zgjedhjet lokale. Kur buxheti është miratuar ligji thotë komuna funksion me 1/12 te buxhetit paraprakë. Është e qartë se fajtori pse u vonua buxheti i Prishtinës është Përparim Rama, ai shpik miq imagjinar, shpik bllokada, u tha qytetarëve që Qeveria ua ka bllokuar mjete është gënjeshtër vetëm në nëntor dy alokime, për çfarë bllokade po flet, çerdhe i ke lënë pa rryme. Përparimi nuk është vetëm menaxher i keq është edhe borxhli i keq borxh operatorëve ekonomik, për rryme e për gjithçka derisa ka qenë Londër pasojat i ka bartur vetë. Kur zihen punët del merresh me emra të veçantë të VV-së të njëjtin njerëz për të cilët votove ne nuk kemi ndryshuar ti ke ndryshuar, nuk ka pasur parime kurrë. E din shumë mirë cka na ke thënë për LDK, për Lumir Abdixhikun”, tha ai.

Ndërsa Leutrim Retkoceri nga PDK ka thënë se ndërprerja e autobusëve rëndon më shumë jetën e qytetarëve.

Mbledhja e jashtëzakonshme po zhvillohet në një kohë ku krizat financiare në Prishtinë po thellohen dhe po bëhet gjithnjë më serioze. Në një kohë kur ka rritje të çmimeve dhe kostos së shtrenjte dhe e ndërprerja e autobusëve kjo e rëndon më shumë jetën e qytetarëve të Prishtinës. PDK do të votojë në këtë seancë, ndëshkimi i një qyteti të tërë për shkak të mos arritjes objektive politike nuk ka vend në qeverisje dhe nuk duhet të tolerohet” , tha ai./EO

Continue Reading

Lajmet

​Ndërpritet greva pas lëshimit të mjeteve financiare për RTK-në

Published

on

By

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së SPERTK njofton për ndërprerjen e grevës pas zhbllokimit të situatës me buxhetin e RTK-së dhe krijimin e mundësisë për adresimin e çështjeve të mbetura, që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e transmetuesit publik.

Pas protestave dhe grevës katërditore të zhvilluara nga punëtorët e RTK-së, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për pagat e punonjësve të RTK-së, raporton KosovaPress.

Sindikata thotë se punëtorët e RTK-së gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kanë pasur komunikim adekuat nga ata që paguhen për sigurimin e stabilitetit të institucionit dhe pagesën e pagave, gjë që ka qenë për keqardhje dhe ka rënduar situatën, duke krijuar pasiguri dhe shqetësim të panevojshëm.

Për më tepër, sindikata falënderon Qeverinë dhe kryeministrin në detyrë për ndërmarrjen e hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin, si një veprim i domosdoshëm për stabilitetin e institucionit dhe ruajtjen e misionit të RTK-së si transmetues publik.

SPERTK përkujton se nëse gjatë janarit 2026 hasim sërish në situata të tilla, greva mund të rikthehet menjëherë dhe në çdo formë të nevojshme./KP

Continue Reading

Të kërkuara