Lajmet

​Konjufca: S’do të lejojmë që Vuçiqi përmes bandave kriminale të komandojë në Kosovë

Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Published

on

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me homologun e tij në Shkup, Talat Xhaferi, ka theksuar se rajoni nuk është imun nga ndikimet e Rusisë, dhe kjo vërehet në veprimet e Serbisë gjatë ditëve të fundit në Kosovë.


“Veprimet e Serbisë janë të papranueshme, ato kanë për qëllim destabilizimin dhe ndarjen de-facto të shtetit të Kosovës. Ne, si popull, qëndrojmë shumë të bashkuar që t’i luftojmë këto veprime, të cilat kanë si prapavijë gjeopolitike ndikimin rus dhe fuqishëm do të ecim në shtetin demokratik të Kosovës për sundim të ligjit dhe për demokraci në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kosova është e përcaktuar për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut”,
ka theksuar në Shkup, Konjufca, duke komentuar zhvillimet në Kosovë, shkruan REL.

Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar, pasi disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Gjatë vizitës në Shkup, Konjufca ka thënë se gjatë këtij muaji Kosova ka ndërmarrë dy veprime, të cilat kanë qenë plotësisht të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian: arritjen e marrëveshjes në Bruksel për çështjen e targave dhe shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.

“Serbia, në anën tjetër, u përgjigj me mbështetjen e eksponentëve, të cilët janë në krye të krimit të organizuar në atë pjesë të Kosovës, e të cilët ndërmarrin veprime të dhunshme dhe të armatosura kundër Policisë së Kosovës dhe i mbyllin rrugët e karakterit ndërkombëtar përmes vendosjes së barrikadave të paligjshme”, ka thënë Konjufca duke rikujtuar që “këta eksponentë janë në listën e zezë të SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe”.

“Nuk do të lejojmë që brenda territorit të Kosovës,Vuçiqi të komandojë përmes këtyre bandave”,
ka deklaruar Konjufca.

Në listën e zezë amerikane është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, për shkak të dyshimit për përfshirje në krimin ndërkombëtar. Ndërkaq, Britania e ka futur në listën e sanksioneve sa i përket korrupsionit.

Vetë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – deklaroi se Radoiçiq është “bartës i rezistencës” në veri.

Vendi

Osmani cakton Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë së re

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka caktuar Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Përmes një njoftimi publik, Presidentja bëri të ditur se vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke i dhënë kështu kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje mandatin për formimin e ekzekutivit të ri. Ky hap vjen pas përmbylljes së procedurave të nevojshme institucionale dhe hap rrugën për krijimin e kabinetit të ri qeveritar.

Presidentja Osmani i uroi suksese Kurtit në udhëheqjen e Qeverisë së re, duke theksuar rëndësinë e punës në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. “Ju priftë e mbara!”, përfundoi ajo mesazhin e saj publik.

Continue Reading

Vendi

Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës

Published

on

By

Në seancën e mbajtur më 11 shkurt 2026, Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Haxhiu mori 66 vota për, 44 vota kundër dhe 8 abstenime, duke siguruar kështu mbështetjen e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit legjislativ.

Seanca konstituive u kryesua nga deputeti më i moshuar i Kuvendit, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili u asistua nga deputetja më e re në moshë, Fatma Taçi nga KDTP.

Me zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, pritet të vazhdojnë procedurat e tjera për konstituimin e plotë të legjislaturës së re.

Në Kosovë u mbajtën më 28 dhjetor 2025 zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare pas një ngërçi politik që la vendin pa qeveri funksionale për mbi një vit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi qartë me 51.10% të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend, një rekord që nga pavarësia e vendit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) morën respektivisht 22 dhe 15 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe siguruan disa ulëse të tjera.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 47.5%, e ngjashme me zgjedhjet e mëparshme, duke reflektuar sfidën e mobilizimit të votuesve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet dhe seanca konstituive e Kuvendit u caktua për 11 shkurt 2026, duke hapur rrugën për krijimin e institucioneve funksionale dhe miratimin e buxhetit. Këto zgjedhje shënojnë një hap vendimtar për kapërcimin e ngërçit politik dhe stabilizimin e qeverisjes në Kosovë.

Continue Reading

Rajoni

FSK forcon bashkëpunimin rajonal në takim trilateral me Shqipërinë dhe Kroacinë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin trilateral me Shefat e Shtabeve të Shqipërisë dhe Kroacisë, i mbajtur në Republikën e Shqipërisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në këtë takim, Gjeneral Jashari, Gjeneral Arben Kingji dhe Gjeneral Robert Hranj (Kundid) zhvilluan një diskutim të hapur dhe konstruktiv mbi sfidat aktuale të sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave respektive.

“Ky takim konfirmon përkushtimin tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon,” u theksua gjatë takimit, duke vënë në pah rëndësinë e koordinimit strategjik dhe avancimit të kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet euroatlantike.

Ndër të tjera, u potencua gatishmëria për zgjerimin e bashkëpunimit përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, si dhe përmes shkëmbimit të përvojave profesionale.

“Iniciativa trilaterale përfaqëson një shembull të partneritetit të fortë dhe vizionit të përbashkët për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm,” u tha ndër të tjera në njoftimin e FSK-së.

Takimi trilateral rikonfirmoi angazhimin e tre vendeve për të thelluar bashkëpunimin strategjik dhe për të kontribuar në stabilitetin afatgjatë të rajonit.

 

Continue Reading

Lajmet

Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në basketboll, luhen ndeshjet e kthimit

Published

on

Sonte zhvillohen ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës në basketboll, me dy përballje që premtojnë shumë emocione dhe rivalitet të fortë.

Në takimin e parë, Trepça e ka marrë një avantazh të madh pas fitores 87:64 ndaj Borës, duke qenë shumë pranë kualifikimit në finale për herë të parë. Për të kaluar tutje, kryeqytetasit e Borës duhet të fitojnë me të paktën 24 pikë dallim – një sfidë e vështirë ndaj kampionëve aktualë të Kupës, fitues të edicionit të kaluar dhe shpallur gjithashtu kampion dhe fitues i Superkupës.

Në përballjen tjetër, Sigal Prishtina pret Bashkimin e Prizrenit. Pas fitores 83:67 të Prizrenit në ndeshjen e parë, kryeqytetasit duhet të fitojnë me të paktën 17 pikë diferencë për të arritur finalen.

Të dyja takimet premtojnë emocione dhe spektakël të vërtetë për adhuruesit e basketbollit kosovar.

Orari i gjysmëfinaleve të kthimit:

  • 17:00 – Bora vs Trepça
  • 20:00 – Sigal Prishtina vs Bashkimi

Finalja e Kupës së Kosovës është e planifikuar më 18 shkurt, dhe tifozët presin dy përballje shumë interesante që mund të ndryshojnë gjithçka.

D.L.

Continue Reading

Të kërkuara