Lajmet

​Konjufca pret në takim homologun e tij nga Austria

Pas takimit, dy kryeparlamentarët do të mbajnë konferencë për media.

Published

on

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim homologun e tij nga Austria, Wolfgang Sobotka. Pas takimit, dy kryeparlamentarët do të mbajnë konferencë për media.

Gjithashtu, Konjufca dhe Sobotka do të marrin pjesë edhe në “Punëtorinë për Demokraci – DEMOS-ti” dhe do të bashkëbisedojnë me nxënës filloristë, në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Sobotka gjatë vizitës së tij në Kosovë, do të takojë edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Lajmet

Përvjetori i lindjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova

Published

on

Sot shënohet përvjetori i lindjes së ish presidentit të parë të Kosovës pas luftës dhe një nga figurat më të rëndësishme politike në historinë moderne të vendit, Prof.Dr.Ibrahim Rugova (1944–2006).

Rugova njihet si prijësi i filozofisë së rezistencës paqësore dhe një nga ideatorët kryesorë të pavarësisë së Kosovës.

Ai ka lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, dhe më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia kanë pushkatuar të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e ka kryer në Prishtinë.

Gjatë vitit akademik 1976-77 ka qëndruar në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ka ndjekur interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai ka doktoruar në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën Fjala.

Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është mar rëqë nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës,është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992.

Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe është varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

12 të vdekur e dhjetëra të zhdukur nga rrëshqitja e dheut që goditi dy anije në Peru

Published

on

Të paktën 12 persona kanë vdekur dhe rreth 50 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një rrëshqitje dheu goditi dy anije të ankoruara në një port lumor në rajonin e pyjeve tropikale të Amazonës në Peru.

Rrëshqitja e tokës fundosi një traget dhe dëmtoi rëndë një tjetër anije pasagjerësh që kishte dhjetëra njerëz në bord, sipas një raporti policor të cituar nga agjencia e lajmeve Andina, shkruan BBC.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 sipas orës lokale, ndërsa pasagjerët po përgatiteshin të zbrisnin në Iparia, në rajonin qendror Ucayali të vendit të hënën.

Të plagosurit janë dërguar në spital, ndërsa policia kombëtare dhe Marina Peruviane kërkojnë të mbijetuar të tjerë. Frikësohet se midis të zhdukurve ka edhe fëmijë./S.K/EO/UNN/

Continue Reading

Lajmet

Mjegull, vranësira e riga lokale shiu

Published

on

Vransira më të dendura përfshinë sot vendin e që më vonë pasdite dhe në mbrëmje aty këtu mund të shoqërohen me ndonjë rigë shiu, apo edhe reshje dëbore në vise më të larta malore.

Gjithashtu, dominojnë qetësitë, e herë herë frynë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme, 1-3m/s.

Temperaturat maksimale shkojnë deri në 7C e 10C, ndërsa minimalet në mëngjes zbresin në 0C e 3C.

Më shumë vransira po parashihet që të kalojnë mbi vend gjatë kësaj jave të parë dhjetori, të mërkurën me më shumë mundësi për reshje shiu, derisa ditëve tjera me gjasë paraqiten si riga lokale.

Ultësirave orëve të mëngjesit ka gjasa të formohen shtresa mjegulle, që mund të mbeten më gjatë edhe ditën./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

REL: Nga frika te fuqizimi: Çka i pret gratë pas raportimit të dhunës në familje?

Published

on

By

Në ndërtesën katërkatëshe të Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë, ditët nisin ngjashëm. Gratë e strehuara atje bëhen bashkë për të gatuar mëngjesin për vete dhe fëmijët e tyre.

Por, këto gra, që i bashkon e kaluara – të gjitha i kanë mbijetuar dhunës nga bashkëshortët e tyre – nuk ndjekin më vonë përditshmërinë e njëjtë.

Kurse rrobaqepësie, kompjuterike, kuzhinierie… Seanca me avokaten për ndihmë juridike, takime me stafin psikosocial, vizita nga familjarë, përgatitja e fëmijëve për shkollë… Secila personalizon ditën e saj ashtu siç dëshiron.

“Prej ditës kur ajo mbledh forcën t’i thotë ‘jo’ dhunës, ne mundohemi që ta ruajmë atë forcë të saj, ta përkrahim”, thotë Ardita Bala, drejtoreshë e qendrës në Pejë, ku strehohen të mbijetuarat e dhunës në familje.

Ajo tregon se nga këto kurse – që përfundojnë me certifikata nga Qendrat për Aftësim Profesional – ka pasur gra që kanë nisur të punojnë qysh gjatë kohës sa ishin të strehuara aty. Kështu, kur kanë dalë nga strehimorja, ato kanë pasur një buxhet të tyre për ta rinisur jetën.

Në këtë qendër, ku ka hapësirë për 16-18 persona, çdo grua që ka raportuar dhunën në familje në Policinë e Kosovës, mund të strehohet fillimisht me një kontratë gjashtëmujore, të ndërmjetësuar nga Qendra për Punë Sociale.

Megjithatë, Bala tregon se qëndrimi në këtë strehimore nuk është i caktuar me afat të prerë, pasi që kontrata fillestare zgjatet derisa secila grua e vlerëson veten të gatshme për t’u larguar.

“Ideja është të mos e lëmë askënd jashtë, të mos i themi jo një gruaje në nevojë”, shton ajo.

Bala thekson se gratë në këtë qendër tregojnë shumë solidaritet me njëra-tjetrën, i ndihmojnë njëra-tjetrës që të ambientohen qysh nga dita e parë dhe ndërtojnë raporte shoqërie përplot përkrahje.

Sipas një raporti të publikuar muajin e kaluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth 4.7 për qind e grave në Kosovë raportojnë të kenë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partnerët e tyre intimë.

Shpeshherë, gratë që vendosen nëpër strehimore shoqërohen nga fëmijët e tyre. Stafi i qendrës sigurohet që edhe për ata të ketë aktivitete dhe punimet e tyre ekspozohen në muret e qendrës.

Në ditën kur Radio Evropa e Lirë vizitoi këtë qendër, më 28 nëntor, katër vajza nga fëmijët në këtë qendër kishin përgatitur një program festiv.

Një nga një, ato recituan nga një vjershë, vallëzuan e kënduan.

Kjo strehimore që funksionon që nga viti 2001, ka strehuar deri më tani 1.758 gra. Ka pasur gra me fëmijë e pa fëmijë, si dhe gra shtatzëna.

Bala tregon se, sipas shumë hulumtimeve, nga pesë gra që përjetojnë dhunë në familje, vetëm njëra e raporton. Shumë herë, thotë ajo, kjo bëhet me idenë se në këtë mënyrë ruhet familja dhe mbrohen fëmijët.

“Por, pikërisht për shkak të fëmijëve, ato duhet ta raportojnë dhunën. Të dhënat tregojnë se, përndryshe, djemtë rriten që të bëhen si babai dhe vajzat rriten që të bëhen viktima të ardhshme”, shpjegon ajo.

Vetë Bala ka rastisur në këtë cikël. Ajo tregon se ka pasur raste kur ka strehuar një grua me vajzën e saj në strehimore dhe se, pas shumë vitesh, ka ardhur edhe vajza e saj si e mbijetuar e dhunës nga partneri.

“Kjo ndodh sepse dhuna është sjellje e mësuar. Dëmi më i madh është ai që u bëhet fëmijëve, sepse janë shumë të vegjël për të kuptuar”, përfundon Bala.

Në vitin 2023, organizata ndërkombëtare që merret me të drejtat e njeriut, Amnesty International, ngriti alarmin për mënyrën se si trajtohen të mbijetuarit e dhunës në familje në Kosovë.

Ndër problemet më të theksuara ishte mënyra e financimit të strehimoreve, të cilat në Kosovë operohen nga organizatat joqeveritare.

Këto OJQ financohen nga Ministria e Drejtësisë në periudha kohore 12-mujore dhe, së fundi, drejtues të strehimoreve të ndryshme nëpër Kosovë janë shprehur të kënaqur me shumën që u është ndarë.

Nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, çdo vit, edhe në Kosovë shënohen 16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se shumica e viktimave të dhunës në familje janë gratë. Numri më i madh i regjistruar ndonjëherë u shënua vitin e kaluar, kur pati gati 3.000 raste të dhunës në familje.

Këtë vit, nga janari e deri në tetor janë regjistruar gjithsej 2.429 raste.

Bala thotë se numri më i ulët i raportimeve deri më tani këtë vit nuk tregon se numri i rasteve është ulur në të vërtetë. Ajo shpjegon se kjo reflekton vetëm frikën e grave për ta raportuar dhunën.

“Gratë nuk i dinë të gjitha të drejtat e tyre, nuk dinë për përkrahjen institucionale që u takon dhe hezitojnë ta raportojnë dhunën”, thotë ajo.

Kjo shpesh ndërlidhet edhe me varësinë financiare të grave ndaj partnerëve të tyre. Mbi 80 për qind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Të dhënat tregojnë se burrat janë të punësuar në përqindje dukshëm më të lartë se gratë.

Gjithashtu, burrat trashëgojnë prona dhe pasuri nga familjet e tyre, që ua lehtësojnë investimin për të shtuar pasurinë më vonë. Sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, as një e pesta e pronave në Kosovë nuk zotërohet nga gratë.

Me këto probleme, Bala ishte përballur qysh në vitin 1999, kur kishte nisur punën për parandalim dhe luftim të dhunës në familje.

Ajo kujton se si puna e saj ishte pritur plot herë me ankesa se banorëve të Pejës së pasluftës “u duhen kulme në shtëpi, jo ligjërata”.

Por, tregon se më vonë ishin vetë banorët e Pejës ata që kishin kërkuar hapjen e një strehimoreje, në mënyrë që të ndërpritej cikli i dhunës që vetë gratë po përjetonin nga partnerët e tyre.

“Dhuna duhet të ndalet sepse, përndryshe, ajo vazhdon si cikël edhe në gjeneratat e reja”, thotë Bala.

Për gratë që hezitojnë të raportojnë dhunën që përjetojnë, Bala ka një mesazh të qartë: strehimoret nuk janë vendi ku dështon jeta, janë vendi ku ajo rifillon. Aty, sipas saj, çdo ditë dikush mëson një aftësi të re e dikush tjetër kupton se nuk është e vetme./REL

Continue Reading

Të kërkuara