Pep Guardiola ka reaguar me maturi dhe përgjegjësi ndaj entuziazmit që po rritet rreth talentit të ri të Barcelonës, Lamine Yamal. Trajneri i Manchester Cityt, u bëri thirrje tifozëve dhe opinionit publik që të tregohen të kujdesshëm me krahasimet, sidomos ato me Lionel Messin tha në një intervistë të fundit për GQ Hype.
“Ta krahasosh Lamine Yamal me Messin është një gjë e madhe. Është si të krahasosh një piktor me Van Gogh-un,” tha Guardiola, duke theksuar se pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm të 17-vjeçarit, është e padrejtë dhe e dëmshme të vendoset një barrë kaq e rëndë mbi supe të një lojtari kaq të ri.
Guardiola, i cili ka qenë vetë dëshmitar i shpërthimit të Lionel Messit në Barcelonë dhe ka udhëhequr njërin nga epokat më të lavdishme të klubit katalanas, theksoi se çdo lojtar duhet të ketë kohën dhe hapësirën e tij për të ndërtuar një karrierë të veçantë.
“Duhet ta lejojmë të ndjekë rrugën e tij, të rritet si futbollist dhe si njeri, pa presione të panevojshme. Lojtarët si ai kanë nevojë për mbështetje, jo për krahasime,” shtoi trajneri katalanas.
Lamine Yamal, i cili në sezonin e fundit ka bërë paraqitje mbresëlënëse me fanellën e Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, është cilësuar si një prej talenteve më premtues në futbollin evropian. Megjithatë, fjalët e Guardiolës janë një kujtesë se suksesi në nivelin më të lartë kërkon durim, qetësi dhe mbi të gjitha, një mjedis të shëndetshëm për zhvillim.