Lajmet

​Komuniteti RAE në gjendje të rëndë ekonomike, presin mbështetje nga Qeveria

Lala tha se këto komunitete kanë më së shumti nevojë që të përfitojnë nga pakot ndihmëse të Qeverisë së Kosovës.

Published

on

Komunitetet rom, ashkalinj, egjiptian si pasojë e krizës ekonomike dhe inflacionit, po ballafaqohen me vështirësi të mëdha elementare. Papunësia mbetet problem kyç për to. Përfaqësuesit e këtyre komuniteteve thonë se kishin disa pako mbështetëse nga Qeveria, por që nuk mjaftojnë, mbi 90 përqind e këtyre pjesëtarëve të këtyre komuniteteve nuk punojnë.

Përfaqësuesi politik i këtyre komuniteteve, Fridon Lala tha se këto komunitete kanë më së shumti nevojë që të përfitojnë nga pakot ndihmëse të Qeverisë së Kosovës.

“Në vazhdimësi kemi parë pako të ndryshme të dala nga qeveria në këto kohë krize dhe ngritjen e çmimeve, inflacionin e shtuar dhe normalisht që grupet me nevojë janë ato grupe që më së shumti kanë nevojë dhe përfitojnë nga këto pako. Si përfaqësues politik, përmes strukturave tona jemi duke mundësuar sa më shumë që t’i shpërndajmë thirrjet tek qytetarët dhe po ashtu përmes njerëzve tanë në terren po mundohemi që t’i asistojmë aplikimet online në raste kur ata po hasin vështirësi dhe besoj që numri i përfituesve nga secila kategori në pako të ndryshme specifike është i kënaqshëm”, u shpreh Lala.

Lala shtoi se këto pako mbështetëse nuk janë të mjaftueshme për aq kohë sa përveç mbulimit të gjërave esenciale, nuk mund të mbulojnë më shumë

“Nuk janë të mjaftueshme për shkak se janë masat që e ndihmojnë një familje në një kohë apo afatshkurtër për shkak se dhe tek këto komunitete gjendja ekonomikë është më e vështirë sesa tek një masë më e madhe e qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, prapë janë më mirë se të mos kemi asgjë, për shkak se është kohë e vështirë. Kemi familje që përfitojnë nga disa pako të ndryshme, qoftë nga studentë, qoftë nga skemat pensionale apo sociale, kështu që kemi një kombinim të mirë të pakove në mënyrë që ata t’i shtyjnë këto ditë të vështira”, potencoi Lala.

Mendim të njëjtë ndau edhe drejtori i OJQ-së “Balkan Sunfloëers Kosova”, Muhamet Arifi. Ai tha se edhe përkundër ndihmave të qeverisë për këto komunitete, ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’iu mbuluar shpenzimet dhe që t’ia dalin mbanë me krizën. Ndërsa siç tha ai, papunësia, mbetet problemi kyç te këto grupe.

“Shteti ka ofruar disa ndihma, pako për ata që nuk punojnë, pako ushqimore kurdo që ka qenë e mundur, mirëpo nuk ka qenë e mjaftueshme. Pakoja e fundit është pakoja e punësimit për të gjithë të rinjtë prej moshës 18-25 vjeçare, munden të punësohen për një shumë prej 260… euro. Këto komunitete nuk kanë pasur pako e cila ua mbulon shpenzimet një mujore, por së paku u ka ndihmuar që ta ballafaqojnë krizën, me gjëra esenciale. Ne jo vetëm përmes qeverisë, por edhe përmes donatorëve kemi shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike, të cilat u kanë ndihmuar, por jo plotësisht, sepse papunësia është problem kyç dhe rritja e çmimeve është ngritur 50%-100% në artikuj të ndryshëm dhe kjo po ndikon që këta qytetarë të mos kënaqen dhe të mos shijojnë të mirat si qytetarët e tjerë të Kosovës”, tha Arifi.

Sipas Arifit, mbi 90 përqind e këtyre qytetarëve nga radhët e komunitetit RAE nuk punojnë.

“Romët, ashkalinjtë, egjiptianët janë prapa tjerëve. Kur them të tjerët, flas për shqiptarët, serbët, turqit, dhe boshnjakë dhe të gjitha komunitetet e tjera, sepse papunësia është e lartë. Mbi 90% e qytetarëve nuk punojnë nga këto komunitete. Ndoshta këta punojnë në mbeturina, duke marrë metal, naillon, letër apo çkado që munden, dhe i shesin ato, jetojnë si të munden, punojnë në semafora, punë ditore pak me tregti. Kjo nuk është punë e qëndrueshme dhe i lë prapa. Kur nuk ka një të ardhur mujore, një të ardhur të mirë mujore, atëherë situata e tyre përkeqësohet… Një hulumtim i viteve 2014-2015, tregon që jetëgjatësia mesatare, është 58 vjet. Këtu janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë në jetëgjatësi, duke filluar prej ushqyeshmërisë të dobët, fjetjes, stresit, punës të rëndë, pastaj neglizhencës ose mos pasurit mundësi të shkojnë te mjeku… të gjitha këto ndikojnë negativisht për të pasur një jetë të mirë dhe jetë të shëndoshë”, potencoi ai.

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Financave, për numrin e saktë të përfitueseve të këtyre pakove, por që kjo e fundit deri në momentin e fundit të publikimit të lajmit, nuk është përgjigjur ndaj pyetjeve.

Ndryshe, pakoja e fundit e Qeverisë së Kosovës është ajo për “të rinjtë e komuniteteve”, e cila u bë publike ditë më parë.

Lajmet

LVV dërgon dekretin e Presidentes në Kushtetuese

Published

on

By

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se sot është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesa e nënshkruar nga 30 deputetë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes kësaj lënde, deputetët kanë kërkuar zyrtarisht nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti deri në nxjerrjen e një aktgjykimi përfundimtar.

Sipas Nagavcit, Presidentja nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ apo për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e tij jashtë rrethanave kushtetuese.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit,” thuhet në njoftimin e bërë nga Nagavci.

Në argumentimin e dorëzuar në Gjykatë, theksohet se çdo veprim që tejkalon kufijtë e sanksionuar në Kushtetutë përbën cenim serioz të parimit të ndarjes së pushteteve.

Grupi Parlamentar i VV-së vlerëson se roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe nuk mund të ushtrohet jashtë kritereve të qarta ligjore. Nagavci ka thënë se në një shtet demokratik asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi aktin më të lartë juridik të vendit.

“Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj. Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara dëmtojnë rendin kushtetues,” ka theksuar ajo.

Në fund të njoftimit, Nagavci ka bërë thirrje që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet të lartë dhe të japë një vendim sa më të shpejtë.

 

Continue Reading

Lajmet

Monitorim i rreptë i çmimeve të naftës, inspektorët në terren gjatë fundjavës

Published

on

By

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Mimoza Kusari Lila ka njoftuar se gjatë gjithë fundjavës inspektorët e tregut kanë qenë në terren për të monitoruar zbatimin e vendimit për rregullimin e çmimeve të derivateve.

Ky angazhim vjen pas nënshkrimit të vendimit për përcaktimin e marzhës tregtare me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës.

Sipas të dhënave, marzha maksimale është caktuar 2 centë për shitjen me shumicë dhe 12 centë për atë me pakicë.

Nga të dhënat e siguruara prej Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për naftë ka qenë 1.40 euro për litër, ndërsa për benzinë 1.14 euro.

Ndërkohë, monitorimi në terren tregon se çmimet në pikat e karburanteve aktualisht sillen nga 1.39 deri në 1.55 euro për naftën dhe 1.27 deri në 1.32 euro për benzinën. Ministrja theksoi se po bashkëpunojnë ngushtë me Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës për të analizuar çdo lëvizje të çmimeve.

Kusari-Lila njofton se Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e tregut edhe në ditët në vijim për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm. Gjithashtu ministrja ka bërë të ditur se për çdo shkelje të evidentuar do të ndërmerren masa të rrepta ndaj operatorëve ekonomikë.

Sipas saj, prioritet mbetet transparenca dhe parandalimi i rritjes së paarsyeshme të çmimeve për qytetarët.

 

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohen nga Shqipëria dy persona të kërkuar nga Policia e Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar sot ekstradimin e dy personave nga Shqipëria, të cilët kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar përmes INTERPOL-it.

Ky aksioni u krye nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim me institucionet e drejtësisë. Të dyshuarit ishin arrestuar më parë nga autoritetet shqiptare pas kërkesës së Kosovës për përfshirje në vepra të ndara penale.

Njëri nga të ekstraduarit kërkohej për veprën penale “kultivim i lëndëve narkotike”, ndërsa tjetri për “vjedhje të rëndë”.

Pas përfundimit të procedurave ligjore, ata u janë dorëzuar njësive policore në rajonin e Pejës dhe atij të Prizrenit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ky sukses erdhi si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e Shqipërisë dhe do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve për parandalimin e aktiviteteve kriminale.

 

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu: Dekreti i presidentes është jokushtetues, lëndën po e dërgojmë në Kushtetuese

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e legjislativit, duke e cilësuar atë si vendim jokushtetues dhe të ngutshëm.

Sipas saj, dekreti ishte një befasi pasi nuk është plotësuar asnjë rrethanë kushtetuese që i jep të drejtë presidentes ta shpërndajë Kuvendin pa kaluar afati 60-ditor apo pa dështuar zgjedhja e kreut të shtetit.

Haxhiu theksoi se ky veprim minon punën e institucionit, sidomos pas votimit të buxhetit dhe marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare.

“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme,” deklaroi ajo.

Gjatë deklaratës së saj, kryeparlamentarja kërkoi që Gjykata Kushtetuese të veprojë me shpejtësi dhe profesionalizëm për të shmangur krizat e mëtutjeshme.

Ajo kritikoi mungesën e konsultimeve paraprake me të si drejtuese e Kuvendit dhe akuzoi deputetët që po pamundësojnë konstituimin e institucioneve duke mos krijuar kuorum për zgjedhjen e presidentit. Haxhiu insistoi se Kuvendi duhet të lejohet të vazhdojë punën e nisur pasi nuk ekziston asnjë bazë ligjore për shpërndarje në këtë fazë.

“Nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit të vendit ta shpërndajë Kuvendin. Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës,” shtoi Haxhiu.

/Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara