Lajmet

​KMDLNj: Ministria e Financave po i shkel të drejtat e nënave lehona

KMDLNj inkurajon të gjitha nënat lehona që të paraqesin rastet e tyre në KMDLNj.

Published

on

Për të gjitha nënat lehona të cilat në vitin e fundit nuk kanë qenë të angazhuara me punë, Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2021, mori vendim që të paguajë të njëjtat për periudhën gjashtëmujore mbështetje financiare 170 Euro. Kjo pagesë njihet si masa 3.5 – Pagesa për Lehona dhe Shtesat për fëmijë.

Në komunikatën e KMDLNj-së mes tjerash, thuhet se pas këtij vendimi nënat lehona kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të përfituar nga kjo masë. Në KMDLNj kohëve të fundit kemi pranuar ankesa se Ministria e Financave dhe e Transfereve po ua shkel të drejtën në përfitimin e kësaj të drejte të shumë nënave lehona. Disa nga to kanë qenë të angazhuara në punë një ditore, kryesisht në procesin zgjedhor në Kosovë e që pa të drejtë ka qenë arsye për Ministrinë t’ua ndalë të drejtën për këto përfitime. Ministria ka një linjë telefonike e cila gjatë 90% të kohës është e paqasshme për t’u informuar në lidhje me mos pagesat e lehonave. Edhe KMDLNj e ka vërtetuar këtë pohim të nënave lehona. Kurse përveç linjës telefonike, ka edhe një “komision” i cili i shqyrton ankesat e lehonave. Sipas pohimeve që i kemi marrë nga zyrtaret e linjës telefonike pa pagesë, ky komision nuk dihet se kush e përbënë, kur takohen, ku apo si i shqyrtojnë ankesat?! Ka një email adresë në të cilën mund të drejtohesh por që asnjëherë nuk merr përgjigje.

Pas insistimeve të KMDLNj-së për një rast të veçantë zyrtaret e linjës telefonike na pohojnë se “mos i jep zor bre se s’ka qare pa i marrë ato pare”!!!!!

Mohimi i të drejtës fillimisht për t’u informuar i të gjitha nënave lehona për të realizuar të drejtën e tyre paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Qasja dhe sjellja e zyrtareve të cilat përgjigjen në linjën telefonike duhet të jetë në përputhje me sjelljen zyrtare duke respektuar të drejtën e nënave për informim. Ministria duhet urgjentisht t’u kthej përgjigje të gjitha nënave të cilat po presin përgjigje për realizimin e të drejtës së tyre. Gjithashtu, komisioni i cili vlerëson ankesat duhet të jetë më i përgjegjshëm në trajtimin e lëndëve dhe informimin e palëve për ankesën e tyre.

Po ashtu, për KMDLNj është e papranueshme qasja e zyrtarëve që mjetet do i marrin por “nuk duhet me i dhënë zor” kjo është fyese dhe qasja e tillë duhet ndaluar. Të gjitha nënat lehona duhet të realizojnë të drejtën e tyre në përfitimin e drejtë dhe në kohë të mjeteve nga Masa 3.5.

KMDLNj inkurajon të gjitha nënat lehona që të paraqesin rastet e tyre në KMDLNj. KMDLNj thërret që Ministria e Financave të ndalojë vazhdimin e këtyre shkeljeve dhe të u përgjigjet të gjitha atyre që kanë parashtruar ankesë në mos realizimin e të drejtës së tyre, thuhet në komunikatë.

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara