Lajmet

​KDI: MSh ka shpenzuar vetëm 54% të buxhetit gjatë vitit 2021

Kështu u tha në analizën e procedurave të prokurimit publik të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Published

on

Vitin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar vetëm gjysmën e buxhetit. Auditimi i pasqyrave financiare të kësaj ministrie, nxjerrë në pah probleme serioze për menaxhimin e parasë publike. Kështu u tha në analizën e procedurave të prokurimit publik të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku flet për shpenzimet publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020-2022. Gjatë së martës, në këtë tryezë diskutimi u theksua se UNOPS ka shpërblyer me kontrata, kompaninë që ishte në listë të zezë.

Diana Metushi-Krasniqi nga KDI theksoi se analiza ka për qëllim të trajtojë integritetin institucional për shpenzimet, transparencën dhe sfidat në procesin e prokurimit publik.

“Sipas të dhënave zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë vitit 2020 Kosova, përfshirë të gjitha organizatat buxhetore të aplikuara kishin shpenzuar rreth 273 milionë euro për nevoja të shëndetësisë. Kjo ishte një rritje prej mbi 23 për qind, krahasuar me vitin paraprak, respektivisht me vitin 2019. Fatkeqësisht në mungesë të raportit të shëndetësisë për performacën apo shpenzimet e shëndetësisë gjatë vitit 2021, ne nuk e kemi pasur të mundur t’i qasemi informatës se si kanë qëndruar shpenzimet në vitin 2021, kundrejt shpenzimeve të vitit 2020. Përkundër rritjeve të vazhdueshme të buxhetit për sektorin e shëndetësisë, auditimi i pasqyrave financiare të MSh-së realizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe që janë të qasshme për publikun nxjerrë në pah probleme serioze për menaxhimin e parasë publike. Kjo ministri gjatë vitit 2021 kishte shpenzuar vetëm 54 për qind të buxhetit të saj, e që respektivisht ishte një ulje prej 9 për qind kundrejt shpenzimeve të një viti paraprak”, ka thënë ajo.

Më tej u tha se çmimi i vaksinave të blera nga kompania Pfizer vazhdon të mbetet sekret, ku kjo blerje është bërë jashtë Ligjit për Prokurimin Publik.

Metushi-Krasniqi shtoi se MSh kishte shpenzuar vetëm 39 për qind të mjeteve të huamarrjes, për këto mjete tatimpaguesit paguajnë interes.

“ShSKUK kishte mangësi në hartimin e planit të prokurimit dhe përdorimin e njoftimit paraprak. Plani i prokurimit nuk është bërë sipas kërkesave të Ligjit për Prokurim Publik. Plani i Prokurimit Publik për vitin 2021, por edhe ai për vitet e mëhershme është një dokument i formatit Excel dhe që përmban vetëm nëntë rreshta. Ndërsa, të gjitha furnizimet me barna kundër Covid-19 janë grumbulluar në një rresht e ka vlerë prej 21 milionë euro. Mirëpo nuk është i ndarë në kategori dhe kode buxhetore, ashtu siç e kërkon edhe Ligji për Prokurimin Publik”, tha ajo.

Në tryezën e diskutimit, Metushi-Krasniqi ka shtuar se pacientët gjatë kohës së pandemisë kanë blerë vet barnat, madje me çmime të larta. Ajo tha se nuk është e qasshme kontrata që është mes qeverisë dhe UNOPS-it.

“Për tenderin për furnizim me oksigjen, ShSKUK nuk ka lidhur kontratë me Operatorin Ekonomik që kishte ofertuar 10 centë më lirë se kontrata e cila ishte në zbatim, me arsyen se ka rënë kërkesa. Megjithatë, analiza ka gjetur se vetëm dy muaj pas anulimit të procedurës së tenderimit në mungesë, apo nën arsyetimin se ka rënë kërkesa ShSKUK shpërbleu me kontratë operatorin aktual që kishte në zbatim kontratën me çmim më të lartë, duke limituar apo duke qenë në kundërshtim me parimet e konkurrencës…MSh ka lidhur marrëveshje me UNOPS për menaxhimin e projektit 22638 GoK Kosovo Emergency. UNOPS si menaxhuese e fondeve të destinuara për blerjen e produkteve të pandemisë nga kredia e qeverisë, ka dështuar disa herë të arrijë vlerën për paranë e shpenzuar. Në katër raste, produktet të cilat janë analizuar nga KDI, UNOPS ka blerë më shtrenjtë produktet se sa që ka blerë ShSKUK dhe MSh. Çmimi i këtyre produkteve është nga 2 deri në 200 për qind më i shtrenjtë se sa që kanë blerë këto institucione publike. UNOPS po ashtu ka shpërblyer me kontrata kompaninë që ishte në listë të zezë”, ka vijuar Metushi-Krasniqi.

Ajo ka folur edhe për çmimet e larta të barnave dhe dështimin e institucioneve që të sigurojnë për qytetarët barna për trajtimin e COVID-19.

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe vetë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, i cili tha se kishin dërguar edhe shkresa në institucionet përkatëse

“Sa i përket fryrjes së çmimeve të barnave, sekretari i përgjithshëm në startin e pandemisë ka adresuar dy shkresa të policisë, drejtorit të Departamentit për Hetime dhe kryetarit të autoritetit për konkurrencë me datën 12 maj 2020 dhe me datën 10 mars 2020, menjëherë kur është vërejtur që operatorët ekonomik po ofertojnë me çmime abuzive duke shfrytëzuar gjendjen emergjente”, ka deklaruar Bardiqi.

Megjithatë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka deklaruar se ka pasur edhe barna të tjera të cilat janë shitur me çmime të larta. Sipas tij, ky raport tregon për mos-transparencë dhe keqpërdorime.


“Nuk është bari me koston më të lartë remdesiviri. Kemi barna shumë të shtrenjta që janë përdorur për trajtimin e këtyre pacientëve. Fatkeqësisht shumë shpesh. Tocilizumabi është blerë me kosto dhjetë herë më të madhe se sa remdesiviri. Gabimet tjera të cilat janë bërë janë futur në protokoll të trajtimit si parametër matës, që nuk punoheshin në QKUK por duhet të dërgoheshin në privat”, ka deklaruar Dreshaj.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se abuzimet janë të mëdha gjatë kohës së pandemisë.

“Me këto blerje është abuzuar prej dorezave, dezinfektueset e deri te blerjet e thasëve për kufomat. Ky raport argumenton të gjitha ato keqpërdorime. Për periudhën e parë të pandemisë, si Komision Parlamentar për Shëndetësi, të gjitha gjetjet të cilat e kemi hasur gjatë marrjes së dokumentacionit prej MSh, i kemi proceduar me 27 maj të vitit 2020 në Prokurorinë e Kosovës. Se ku ka shkuar ky hetim, përgjigjen do të duhej ta jepte Prokuroria e Kosovës”, ka thënë ai.

Në këtë tryezë diskutimi, kryetari i Odës së Farmacistëve, Arianit Jakupi u shpreh se duhet të hartohet një akt ligjor, i cili rregullon mënyrën se si caktohen çmimet e barnave në Kosovë. 

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara