Lajmet

​Javën e ardhshme pritet publikimi i rezultateve përfundimtare

Published

on

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen në fillim të javës së ardhshme, ku sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm me rreth 48 për qind të votave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha sot se presin që deri të premten të përfundojë rinumërimi i 494 vendvotimeve.

“Procesi i rinumërimit të vendvotimeve është duke vijuar sipas dinamikës së paraparë në QNR. Janë gjithsej 28 tavolina pune ku po zhvillohet procesi i rinumërimit të vendvotimeve. Besojmë që do të përmbyllet deri të premten në mbrëmje dhe pastaj gjatë vikendit besojmë që do të mund të fillojmë me procesin tjetër të numërimit të fletëvotimeve me kusht dhe votave nga jashtë vendit. Rezultati i tyre do t’i bashkëngjitet rezultatit të vendvotimeve, dhe gjatë fillimit të javës së ardhshme pa specifikuar një ditë të saktë besojmë që do të mundet që KQZ të dalë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, tha Elezi.

Se a pritet të ketë vendvotime të tjera që do të shkojnë në rinumërim, Elezi tha se kjo varet nga QNR nëse do të propozojnë që ndonjë vendvotim që të rinumërohet. Po ashtu, ai tha se rinumërime mund të ketë edhe pas shpalljes së rezultateve nëse do të ketë ankesa në PZAP dhe Gjykatën Supreme.

KQZ ka vendosur dje për rinumërimin e 494 vendvotimeve, ku sipas Elezit deri më tash janë rinumëruar 15 për qind e tyre.

“Deri më tani janë rinumëruar 15% apo 76 vendvotime nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre dhe që u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës. Arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike 35 vendvotime; bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve 6 vendvotime; kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik 370 vendvotime; dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas 83 vendvotime”, tha Elezi.

Po ashtu, Elezi potencoi se shërbimi votues i KQZ-së është duke vazhduar me procesin e vlerësimit të 43 mijë e 500 pakove të ardhura nga diaspora. Ai bëri të ditur se janë aprovuar 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara.

“Sipas të dhënave më të fundit, janë hapur 25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara. Arsyet e mos aprovimit të tyre janë të ndryshme dhe si në vijim: 5 mijë e 78 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 3 mijë e 836 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit, sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 908 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 mijë e 551 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 467 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jo valide për identifikim”, tha Elezi.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 14 shkurt.

Lajmet

Haxhiu mirëpret marrëveshjen për Presidentin: Tani përgjegjësia i kalon Kuvendit

Published

on

By

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për propozimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut si kandidat për President të Republikës.

Përmes një deklarate, Haxhiu e ka vlerësuar dakordimin e arritur mes dy liderëve, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, si një moment kyç për kapërcimin e ngërçit politik në vend.

“E mirëpres marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për President të Republikës. Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve. Tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend, me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës”, ka shkruar Haxhiu.

Pas këtij hapi zyrtar dhe mbështetjes nga kreu i shtetit, procedura pritet të zhvendoset në Kuvendin e Kosovës për thirrjen e seancës ku do të votohet kandidatura e Sejdiut për kryetar shteti. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti dhe Abdixhiku dakordohen për Bekim Sejdiun si kandidat për president

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë arritur marrëveshje për emrin e kandidatit për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Palët janë pajtuar që për këtë pozitë të propozohet Profesor Doktor Bekim Sejdiu.

Abdixhiku ka bërë të ditur se që nga 9 korriku kanë zhvilluar takime të vazhdueshme dhe intensive, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për stabilitetin institucional.

Ai ka thënë se gjatë bisedimeve janë shqyrtuar disa emra, ndërsa në fund të dyja palët janë dakorduar për Bekim Sejdiun, të cilin e ka cilësuar si një personalitet me karrierë të shquar, përvojë profesionale dhe kontribut në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

KFOR viziton pjesëtarët në Mitrovicë, thekson gatishmërinë për sigurinë në veri

Published

on

Zyrtarë të lartë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë vizituar së fundmi pjesëtarët e misionit që veprojnë në Mitrovicë, me fokus në praninë e vazhdueshme dhe situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Sipas KFOR-it, gjatë vizitës komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe, MSU, ka vëzhguar aktivitetet e patrullimit dhe të sigurisë në terren.

Ndërkaq, shefi i shtabit të KFOR-it është takuar me pjesëtarë të MSU-së, si dhe me ekipet për ndërlidhje dhe monitorim, LMT, nga të cilat ka marrë informacione për zhvillimet dhe aktivitetet operative.

KFOR ka theksuar se prania e dukshme në terren dhe komunikimi i rregullt me komunitetet lokale ndihmojnë misionin të përshtatë praninë e tij dhe të jetë i gatshëm të reagojë në rast nevoje.

“Prania dhe gatishmëria përcaktojnë misionin”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Misioni i NATO-s ka përsëritur përkushtimin për të ruajtur një prani të informuar dhe të gatshme në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun e vendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot takimi Kurti-Abdixhiku: Përpjekje e radhës për marrëveshjen për presidentin

Published

on

By

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillojnë sot një tjetër takim në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin politik në vend.

Sipas burimeve të Ekonomia Online, takimi mes dy liderëve është paraparë të mbahet në orën 12:00. Fakti vjen pas disa takimeve intenzive që dy krerët partiakë kanë zhvilluar gjatë ditëve të fundit, ku në fokus të diskutimeve mbetet arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe shmangia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Përpjekja e fundit mes tyre u zhvillua të shtunën mbrëma, mirëpo pas përfundimit të saj nuk u dhanë detaje rreth përmbajtjes së diskutimeve. Kryeministri Kurti u mjaftua me një deklaratë të shkurtër, duke u shprehur se “do të ketë lajme atëherë kur të ketë rezultate konkrete”.

Takimi i sotëm konsiderohet vendimtar për të parë nëse palët do të gjejnë një gjuhë të përbashkët apo nëse vendi po shkon drejt një krize të re politike. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Të kërkuara