Lajmet

​Ish-presidentët shqiptarë: Kjo është lufta e fundit e drejtuesve të UÇK-së, drejtësia do të triumfojë

Ata deklaruan se qëllimi i vizitës së tyre është të tregojnë mbështetjen për luftën e drejtë te UÇK-së.

Published

on

Ish-presidentët shqiptarë takuan sot Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata deklaruan se qëllimi i vizitës së tyre është të tregojnë mbështetjen për luftën e drejtë te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa shtuan që ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim.

Pas takimit, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko thanë se ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë të fort moralisht dhe krenarë për luftën e drejtë të UÇK-së. Sipas Moisiut, prokuroria po kërkon diçka qe nuk ekziston meqë UÇK nuk ka pasur të bëjë me terrorizëm.

“Ne erdhëm për t’i takuar, për t’i inkurajuar miqtë dhe shokët tanë të cilët po bëjnë një burgim te padrejtë për mua dhe shokët e mijë, por kështu paska qenë shkruar kjo punë. Sigurisht me qëllimin kryesor per të treguar se ne mbështesim luftën e UÇK-së, lufta e shqiptarëve të Kosovës ka qenë një luftë për liri, pavarësi, drejtësi, për t’u shkëputur nga skllavëria serbe shekullore dhe sigurisht nuk ka qenë aspak lutë terroriste siç po përpiqen për ta kthyer, për ta argumentuar se qëllimi i saj ka qenë terrorizmi që nuk është aspak e vërtetë. Ne mendojmë që në fund drejtësia do të fitojë, do të dalë e drejta, taksirat e këtyre drejtuesve të UÇK-së të vuajnë, kanë dy vjet aty e nuk dihet sa do vazhdojë akoma, sepse kanë dy vjet dhe akoma nuk e kanë formuluar akuzën pra janë në kërkim, në kërkim të një gjëje që nuk ekziston sepse nuk kanë pasur asgjë me terrorizmin”, tha Moisiu.

Ish-presidenti Rexhep Meidani tha se historinë nuk mund ta ndryshojnë prokurorët dhe gjykatësit derisa përmendi okupimin e dikurshëm serb në Kosovë dhe luftën e UÇK-së për çlirim.

“Është një mbështetje, jo vetëm për udhëheqësit kryesorë të shtetit dhe pavarësimit të Kosovës, por vizita jonë ishte edhe një mbështetje e luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kundër skllavërimit serb, ishte edhe një luftë e mbështetur nga gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe udhëheqësit kryesor botëror, në luftën jo vetëm për demokraci, por edhe luftën kundër pastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga policia, ushtria dhe trupat paramilitare serbe”, tha Meidani.

Se vizita e tyre është vetëm për mbështetje e jo ndërhyrje në drejtësi e tha ish-presidenti Bamir Topi.

“Sot ata ndodhen këtu për fat të keq ende pa një formulim të akuzës. Gjendja e tyre psikologjike ishte e shëndoshë, pra njeriu ka kaluar situata të vështira të luftës, ndjehet moralisht krenar për atë që ka kaluar dhe natyrisht janë duke pritur me shumë gjakftohtësi. Natyrisht ne nuk interferojmë në çështje të drejtësisë por jemi të bindur qe drejtësia do të shkojë në vend, sepse duket si një histori sikur ka qenë histori e shekullit të kaluar por historia e asaj çka ka ndodhur në Kosovë është një histori e kohëve moderne, te mos e harrojmë atë largim masiv, atë gjenocid që u zhvillua nga arkitekti i luftës në Ballkan sikurse ishte Millosheviqi”, tha Topi.

Ndërsa ish-kryeministri Pandeli Majko tha se kjo është lufta e fundit për drejtuesit e UÇK-së që sipas tij duhet ta bëjnë për ata që janë gjallë dhe ata që nuk jetojnë më.

“Mendojmë që kjo nuk është një dramë personale e atyre që janë në qelitë e këtij burgu, mendojmë që kjo është një dramë kombëtare dhe si e tillë ka praninë tonë këtu. U informuam qe dosja fillon me ngjarjet e vitit 1981 me Jusuf Gërvallën e njohur, në fakt duhet të fillonte me vrasjen e konsullit rus në Mitrovicë 1903, dhe mendoj se kjo që po na ndodh ka sjellë një reflektim të jashtëzakonshëm, është lufta e fundit që drejtuesit e UCK-së duhet të bëhen, për ata qe janë gjallë dhe per ata që nuk janë”, tha Majko.

Vizita e ish-presidentëve u zhvillua me iniciativë të kreut Aleancës Kosova e Re dhe ish-presidentit, Behgjet Pacolli. Ndërsa thirrjes së tij nuk i janë përgjigjur ish-krerët e shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga.

“Ne pamë edhe njëherë, edhe njëherë u binda që ky është çmimi të cilin ata janë duke paguar për atë që ne ekzistojmë si shtet i pavarur dhe pavarësinë tonë. Nuk ka akuza personale për askënd, janë akuza absurde, gjoja se një organizatë kriminale, e mu kjo ‘organizatë kriminale’ e ka bërë të mundur pavarësinë e Kosovës dhe lirinë që ne gëzojmë. Nëse kjo është akuza kryesore që duhet të paguhet, pra këta djem janë duke e paguar atë. E pash se janë të inkurajuar, nuk janë të lodhur, janë më mirë se kurrë dhe ata e dinë që nuk janë në këtë burg për një krim qe vërtetë quhet krim por janë për të paguar çmimin për këtë që e posedon Kosova, lirinë dhe pavarësinë”, tha Pacolli.

Ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 pas konfirmimit të aktakuzës me pretendime për krime lufte dhe kundër njerëzimit por gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Në paraqitjet e tyre të para ne gjykatë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm.

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara