Lajmet

​Haxhiu: S’heqim dorë nga vettingu, këtë muaj procedojmë ndryshimet në pakon ligjore të KPK-së

Haxhiu flet edhe për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit si dhe padinë ndaj shtetit serb.

Published

on

Ministria e Drejtësisë këtë muaj do të procedojë drejt Kuvendit të Kosovës ndryshimet e pakos ligjore të sistemit prokurorial, plotësim-ndryshime këto që rrjedhin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021–2026 dhe që mori dritën e gjelbër edhe nga Komisioni i Venecias. Kështu ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila në një intervistë për KosovaPress edhe njëherë ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga vettingu përkundër kundërshtimeve nga Bashkimi Evropian. Haxhiu flet edhe për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit si dhe padinë ndaj shtetit serb.

Ministrja Haxhiu u shpreh se ndryshimet e parapara në paketën ligjore të KPK-së, shpejt do t’i adaptojnë dhe grupi punues është duke punuar në këtë drejtim. Ajo thotë se të gjitha dilemat që kanë pasur për këto ndryshime tashmë janë hequr pas opinionit të Komisionit të Venecias.

“Ky opinion adreson tri çështje që për mua janë të rëndësishme, e para thekson që numri gjegjësisht nga 13 në 7 është në përputhje me standardet evropiane dhe kësisoj e mbërrijmë balancën në mes të anëtarëve prokurorë dhe anëtarëve jo prokurorë që të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës. Po ashtu, Venecia konsideron se në qoftëse qëllimi është për ta depolitizuar KPK-në, për ta bërë atë sa më efikas justifikohet që të gjithëve t’u ndërpritet mandati nëse nuk është kështu dhe nuk mund të justifikohet dot qëllimi që e keni atëherë të paktën disa të lihen që të përfundojnë mandatin […] E treta ku kemi pasur qëndrime komplet të ndryshme është çështja e kryeprokurorit në KPK sepse strategjia për sundimin e ligjit rekomandon që kryeprokurori për shkak të ndikimit që po ka tek anëtarët e KPK-së të largohet nga KPK, të sqarohen pastaj kompetencat e kryeprokurorit dhe KPK-së. Venecia rekomandon që të mbetet ndonëse nuk thekson që heqja e tij është në shpërputhje me standardin. […] Ne shumë shpejt do t’i adaptojmë këto komente të Venecias dhe do ta procedojmë në Kuvend në janar”, theksoi ajo.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është drejt përfundimit të mandatit të tij dhe ministrja Haxhiu kërkon që këtë pozitë ta marrë një person që gëzon integritetin moral dhe profesional e që nuk ndikohet nga jashtë.

“Konsideroj se 7 vite mandat të kryeprokurorit janë tepër shumë për të pasur një kryeprokuror i cili nuk është profesionist dhe ndikohet nga jashtë prandaj, konsideroj se duhet të jetë një person që gëzon integritetin moral por edhe integritetin profesional, është komplet i pavarur në raport me përgjegjësitë që ka dhe thjesht di të menaxhojë sistemin prokurorial në atë kuptim që mos të kemi dështime për rastet që kemi pasur vëmendje të gjithë. Pra, rastet më të mëdha të aferave korruptive janë në prag të dështimeve shumë prej tyre janë parashtruar vepra të ndryshme, pra të mos kemi amnistim ndaj atyre që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe janë përgjegjës për dëmet që sot ne i kemi në Kosovë. Natyrisht, që e përcjell këtë proces sepse nuk mund të qëndroj neutrale ndaj një procesi të tillë madje inkurajoj ata të cilët njëmend janë të mirë brenda sistemit që të garojnë në këtë proces, mirëpo do iu bëjë ftesë edhe atyre që e dinë që nuk janë për këtë pozicion mos t’ia mësyjnë sepse nuk është çështja që është vendim shqetësim i imi është goxha problem për qytetarët e Republikës së Kosovës që ta kenë në krye të Prokurorisë së Shtetit një person i cili nuk ka as integritet moral por as profesional”, theksoi ajo.

Premtimi më i madh i Lëvizjes Vetëvendosje e cila tashmë është në pushtet ishte vettingu, proces për të cilin Qeveria e Kosovës aktualisht nuk gëzon bekimin e Bashkimit Evropian. Madje, në Raportin e Progresit për Kosovën në vitin 2021 këtë nismë, BE e ka konsideruar shqetësuese, ndërsa ka këshilluar që të fuqizohen mekanizmat ekzistues për vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përkundër kësaj, Haxhiu beson që procesi i vettingut është reforma më e thellë në sistemin e drejtësisë për çka tashmë ekziston edhe drafti i parë i amendamenteve kushtetuese, duke shtuar se është koha e fundit që të avancohet me procesin e vetingut.

“Është nevojë urgjente, është domosdoshmëri që të punojmë në këtë drejtim dhe do të angazhohemi çdo ditë pavarësisht shqetësimeve që kanë, natyrisht që jam e interesuar që shqetësimet t’i adresoj, qoftë me zyrën e BE-së apo edhe përfaqësues të tjerë në BE për çka kemi takuar nivelet më të lartë, qoftë Komisionerin për drejtësi, qoftë përfaqësues të tjerë të BE-së në përgjithësi ka një dakordim që të ulemi dhe të flasim për hapat që duhet të ndjekim, pra nuk ka një rezistencë dhe një kundërshtim të këtij procesi por duket që ka nevojë që sërish të takohemi më tepër dhe të planifikojmë në detaje se cila është rruga që duhet ta ndjekim, por ne nuk heqim dorë nga çështja e vettingut”, theksoi ministrja Haxhiu.

Që nga marrja e mandatit si ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka treguar edhe për veprimet që ka ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo deklaroi se krahas nevojës për rritje të bashkëpunimit ndërinstitucional, po punojnë edhe në aspektin e vetëdijesimit të qytetarëve dhe zyrtarëve për të adresuar shkeljet ligjore që bëhen sidomos brenda institucioneve.

“Për ta adresuar këtë fenomen që po e mban të pazhvilluar vendin tonë sepse krimi i organizuar dhe korrupsioni që kanë ndërlidhje goxha të madhe me mungesën e zhvillimit ekonomik, ne konsiderojmë përveç të tjerash është i rëndësishëm bashkëpunimi ndërinstitucional me Policinë, Prokurorinë dhe gjykatat dhe në anën tjetër vetëdijesimin e qytetarëve dhe zyrtarëve përbrenda institucioneve për t’i adresuar shkeljet sidomos brenda institucioneve. Dhe në këtë drejtim në fillim të mandatit tonë miratuam rregulloren për sinjalizim ndonëse sfidë është zbatimi i saj ende, Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe rregulloja për sinjalizim nuk zbatohet në masën që duam ne. Po ashtu, vendimet që i kemi konsideruar se janë në kundërshtim me ligjin ne i kemi shfuqizuar dhe i kemi adresuar ato tek organet përgjegjëse”, theksoi ministrja Haxhiu.

Një nga zotimet e Qeverisë Kurti është edhe ngritja e padisë ndaj Serbisë për gjenocid ndaj popullatës shqiptare në Kosovës.

Megjithëse, padia është kompetencë e Zyrës së Kryeministrit, Haxhiu për KosovaPress tregon se gjatë vitit të kaluar kanë zhvilluar disa takime dhe janë duke përzgjedhur ekspertët që do ndihmojnë Kosovën në këtë drejtim.

“Tashmë kemi pasur disa takime në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ku kemi diskutuar për këtë çështje, është ndër proceset më të ndjeshme që është po ashtu pjesë e programit tonë qeverisës mirëpo për shkak të natyrës së çështjes ne nuk mund të flasim si për çështjet e tjera që flasim për korrupsionin e krimin e organizuar apo për vettingun e sistemit të drejtësisë. Prandaj, jemi duke punuar në këtë drejtim dhe jemi duke parë profilet e ekspertëve që do na ndihmojnë në këtë drejtim, po ashtu bazën ligjore të cilën duhet ta adresojmë për ta bërë një padi për gjenocid dhe kjo është në kompetencë së Zyrës së Kryeministrit, por ju siguroj që jemi duke punuar në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me përmbushjen e agjendës legjislative të paraparë të vitin 2021 thotë se nuk kanë arritur ta realizojnë 100% për shkak të shumë sfidave që solli viti i parë i qeverisjes së tyre. 

Vendi

Profesori John Doone: Në Gjilan zhvillohen ushtrime për tërmete, por Kosova ende nuk ka sistem të plotë të edukimit për emergjenca civile

Published

on

By

Në episodin e parë të podcastit “Inside Politics with Aja”, një format i krijuar nga studentët e Shkencave Politike në UBT, u diskutua një nga temat më të rëndësishme të sigurisë publike: gatishmëria e Kosovës për menaxhimin e emergjencave civile. I ftuar në këtë bisedë ishte profesori ndërkombëtar në UBT, John Doone, i cili solli një qasje praktike dhe kritike mbi mënyrën se si institucionet dhe komunitetet duhet të përgatiten për situata krize.

Në qendër të diskutimit ishte roli i ndërgjegjësimit publik dhe angazhimit të qytetarëve, të cilin Doone e cilësoi si elementin më të nënvlerësuar në sistemin e emergjencave. Sipas tij, asnjë shtet nuk mund të jetë plotësisht i përgatitur, nëse qytetarët nuk janë pjesë aktive e zinxhirit të reagimit të parë.

Duke theksuar rëndësinë e përgatitjes bazike të qytetarëve, Doone nënvizoi se investimi në këtë fushë është ende i pamjaftueshëm dhe i fragmentuar.

“Aspak. Nuk është as afër mjaftueshëm. Është një nga ato gjëra që, për të qenë të qartë dhe të drejtpërdrejtë, ndoshta nuk ka kurrë investim të mjaftueshëm në këtë fushë. Është si me çdo gjë tjetër – të gjithë po luftojnë për një pjesë të buxhetit dhe për më shumë fonde. Megjithatë, ka raste të izoluara ku bëhet mirë. Për shembull, në Gjilan, në shkolla bëhen ushtrime për tërmete. Nuk janë të mjaftueshme, por ekzistojnë. Dhe kjo është diçka shumë e thjeshtë, që mund t’u mësohet fëmijëve brenda pak minutash, por nuk zbatohet në mënyrë të gjerë”, tha profesori Doone.

Ai solli si shembull pozitiv Gjilanin, duke e lidhur me përvojën e kaluar të qytetit me tërmete, si një faktor që ka ndikuar në vetëdijësimin më të madh lokal. Sipas tij, ky model duhet të zgjerohet në të gjitha komunat, pasi përgatitja bazike mund të bëjë diferencën në momentet e para të krizës.

Doone u fokusua te llojet e krizave ndaj të cilave Kosova është më e ekspozuar, duke përmendur sidomos zjarret pyjore dhe përmbytjet si fenomene të përsëritura çdo vit.

Sipas tij, analiza e thjeshtë e të dhënave historike tregon qartë një model të përsëritjes së krizave në të njëjtat zona, gjë që duhet të shërbejë si bazë për planifikim më serioz institucional.

“Nëse shikojmë historinë, çdo verë kemi zjarre pyjore. Dhe ato ndodhin zakonisht në të njëjtat zona. Shumica e tyre shkaktohen nga faktori njerëzor – nga pakujdesia, neglizhenca apo ndonjëherë edhe sjellja e papërgjegjshme. E njëjta gjë vlen edhe për përmbytjet. Nëse merr një hartë të Kosovës dhe vendos mbi të ngjarjet e 10 viteve të fundit, si për shembull përmbytjet e vitit 2015, 2016 e me radhë, do të shohësh qartë se ato përsëriten në të njëjtat pika. Kur i mbivendos të gjitha këto të dhëna, del një model shumë i qartë. Ka gjithmonë përjashtime, por në përgjithësi është kaq e thjeshtë për t’u kuptuar”, u shpreh Doone.

Ai vlerësoi se krijimi i ekipeve të vogla të trajnuara në çdo komunitet, së bashku me njohuri bazike si ndihma e parë dhe vlerësimi i rrezikut, mund të rrisë ndjeshëm kapacitetin e reagimit në nivel vendi.

Shikoni episodin e plotë të këtij podcasti: “Inside Politics with Aja”

Continue Reading

Kujtesë

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 4 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

4 prill 1994

Lajm i plotë: Represioni i policisë serbe në Kosovë

Malishevë: – Më 1 prill në Mleçan të Malishevës, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Alush Kryeziut, aktivist i LDK-së dhe i Këshillit për Financim të Malishevës. Pasi në shtëpinë e tij nuk u gjet kurrfarë arme, policët e morën me vete Alush Kryeziun në postkomandën e Kijevës, i cili gjatë dy orëve sa qëndroi në polici u rrah brutalisht.

Më 2 prill, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi edhe familjet e vëllezërve Ramadan e Tahir Krasniqit, Agim Bytyçit dhe atë të Hyd Krasniqit në Tërpezë të Malishevës.

Nga Malisheva njoftohet se aksioneve ndëshkuese të policisë serbe në forma të ndryshme po u ndihmojnë edhe disa mercenarë shqiptarë si Hetem Dobruna nga Llazica e Malishevës, Skënder Gashi, punëtor i Zyrës së Vendit në Kijevë, i cili nën arsyetimin se po grumbullojnë mjete për përforcimin e trafostacionit, nga qytetarët e këtushëm shqiptarë së bashku me serbin Dushko Stoshiq, nga familjet shqiptare po i kërkojnë nga 10 DM.

Mitrovicë: – Më 31 mars rreth orës 9 të mëngjesit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjet e Bajram Kërleshit, Adem Ademit dhe Shasivar Çelës në fshatin Reshan të Shalës së Bajgorës. Pasi në këto familje nuk u gjet kurrfarë arme, policia nga Adem Ademi kërkoi që të dorëzojë një pushkë dhe një revole, kurse tre kryefamiljarëve ua lanë ftesat që të paraqiten më 1 prill në stacionin e policisë në Stantërg, të cilët u mbajtën deri në mbrëmje nën kërcënimin se gjithësesi duhet dorëzuar armët.

Të njëjtën ditë e njëjta ekspeditë e policisë serbe arrestoi Tafil Xhafën (65) nga fshati Bare. Tafil Xhafa u mbajt një kohë të gjatë në polici, nga i cili kërkonin që të dorëzojë një pushkë dhe një revole.

Po këtë ditë, policia serbe arrestoi edhe vëllezërit Tush dhe Haki Istrefin në fshatin Bajgorë të Mitrovicës. Nga vëllezërit Istrefi policët kërkonin armë.

Po këtë ditë policia serbe mori me vete edhe Rifat Salihun nga Starasella e Shalës së Bajgorës, nga i cili kërkuan që të dorëzojë armë.

Me pretekst të kërkimit të armëve, sot një ekspeditë e policisë bastisi shtëpinë e Skënder Rifat Hasanit në lagjen “Tavnik” të Mitrovicës. Nuk u gjet kurrëfarë arme. U keqtrajtuan Skender Hasani dhe djali i tij Lulzimi, i cili u dërgua në stacionin e policisë.

 

Lajme të tjera:

Dr. Agani: Serbia përpiqet të përçajë lëvizjen shqiptare

UNIKOMBI angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Në Nju-Jork u botua libri për Kosovën me titull “Plagët e hapura” Helsinki Watch

“Education International” i shqetësuar për situatën e arsimit shqip në Kosovë

Lëvizje të ushtrisë në Mitrovicë

Në Prizren dhe Mitrovicë dëbohen nga banesat familjet shqiptare

Fatos Nano u dënua me 12 vjet burg

Gazetat serbe për procesin Nano

Komandanti i forcave të NATO-s në Evropë viziton Shqipërinë

 

 

4 prill 1995

Lajm i plotë: Edhe një proces i montuar politik

Bejtullah Ismaili – nënkryetar i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Beqir Hoxha – kryetar i qeverisë, Raif Sylejmani – kryetar i SP të organeve komunale të administratës, Halim Halimi – ish-drejtor i Radio Gjilanit, Ukshin Zajmi – gazetar i TVP, Rexhep Hamiti – ish-delegat i Kuvendit të RSFJ-së dhe ish-udhëheqësit e këtushëm politikë Milaim Zeqiqri, Ibrahim Morina dhe Asllan Bislimi, ky i fundit është paraburgosur gjatë dhjetorit të vitit të kaluar në procesin kundër ish-policëve shqiptarë u akuzuan nga prokurori serb Momqilo Antiq për vepra penale – “Bashkimi për veprimtari armiqësore” dhe “cenim të integritetit territorial” të sanksionuar sipas neneve 136 e 116 të Ligjit penal serb”.

Ndërsa kryetari i Degës së PSDK-së Nexhat Naxhaku u lirua pas gjashtë ditë mbajtjeje në arrest.

Mbrojtësi Hasan Hoti i tha “Bujkut” se katë persona pandehen se kanë organizuar vetëmbrojtjen shoqërore në komunën e Gjilanit dhe rojet në lagjet e Gjilanit e rrethinë gjatë vitit 1991 etj.

Dje po ashtu, njoftoi ky mbrojtës gjykatësi hetues serb në Gjilan, Mladen Nikoliq i ka marë në pyetje dy të pandehurit Beqir Hoxhën dhe Ibrahim Morinën. Ndërkaq, vazhdon marrja në pyetje në fazën e hetuesisë edhe e të pandehurve tjerë.

 

Lajme të tjera:

Kryetari Rugova u takua me ministrat britanikë Hërd dhe Hog

Deklaratë e dr. Hivzi Islamit lidhur me diskursin serb për problemet demografike të shqiptarëve

Në Tiranë u organizua rock protesta “Kosova ’95”

Filloi java e kulturës shqiptare në Geteborg të Suedisë

Policia serbe ndërhyri në lokalet e Fakultetit Ekonomik

Në Prishtinë policia plaçkiti sasi të mëdha malli në tregun e plaçkave dhe të pemëve

Dhuna e përditshme në Kosovë

Vazhdon dhuna ndaj banorëve të fshatit Grejkoc

Dhjetëra shqiptarë të keqtrajtuar në komunën e Vitisë dhe të Ferizajt

Drejtori i SHF “Edit Durham” në Mushtisht u dënua me 45 ditë burg

Policia ndërhyri sërish në SHMT “Marin Beçikemi” në Vushtrri

Boban Kërstiq, vrasësi i Fidan Brestovcit, para gjyqit

Autoblinda e përbashkët shqiptaro-sllovene

New York Times: Nafta u arrin serbëve përmes Shqipërisë

Për kolonistët serbë në Prishtinë jipen 122 banesa e shumë troje

 

 

4 prill 1997

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Socialistët serbë nuk marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët në Nju-Jork

Për Beogradin Kosova kusht për t’u kthyer në botë

Ekspertët nisin procesin e hetimeve për përmbytjen e anijes së Shqipërisë

Shqipëria përgatit bazat për pritjen e forcës shumëkombëshe

Kontigjenti spanjoll i forcës shumëkombëshe do të përbëhet nga 300 trupa

Pangallos: Zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen pa u penguar nga bandat e armatosura

Athina kërkon mbrojtjen e minoritetit grek në Shqipëri

Deputeti austriak kërkon angazhim të gjerë në Shqipëri

Forcat speciale vendosën kontrollin në Berat

Në Fushë Krujë u masakrua një familje gjashtanëtarëshe

Viktima dhe dhunë e shfrenuar në rrethe të ndryshme të Shqipërisë

Më 13 prill në Kroaci mbahen zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme

Sllovenia bëhet gati për NATO

Inspektorët dhe ata të tregut plaçkitën disa lokale hoteliere

Dhuna e përditshme në Kosovë

 

 

4 prill 1997

Lajm i plotë: Represion me pretekst të armëve në Podujevë

Podujevë: – Më 29 mars, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Ilmi Jonuzit dhe të Rexhep Namanit në Orllan. Ata janë marrë në pyetje edhe më 31 mars në stacionin e policisë serbe në Podujevë, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.

Po këtë, policia serbe ishte në shtëpinë e Osman Tërmkollit në Dumosh. Ai u pyet për djalin e tij Afrim Tërmkollin, ish i burgosur politik, i cili gjendet në botën e jashtme. Afrim Tërmkolli qe mbajtur edhe në izolimin fakëkeq në Leskovc të Serbisë në vitin 1989, ndërsa më vonë pat ikur në botën e jashtme.

Po këtë ditë, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve mori në pyetje edhe babë e bir, Zenel e Idriz Fazliun nga Podujeva. Zenel Fazliu u keqtrajtua fizikisht dhe u urdhërua që të paraqitet sërish në polici.

Më 1 prill, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armës ishte në shtëpinë e Agim Sokolit në Podujevë.

 

Lajme të tjera:

Forumi i Miqve të Refugjatëve kërkon kontroll parlamentar të kthimit të azilkërkuesve kosovarë

U aktivizua sërish vendkalimi kufitar në Dibër

Aktivistë të PPDSH-së merren në pyetje nga policia maqedone

Fërçkovski kërkoi heqjen e mandatit për Elizabet Renin

Shoqata “Gurrat e bardha” në Zvicër për arsimin shqip dha 10 mijë DM

Mësimdhënësit e komunës së Istogut i morën pagat për muajin janar

Ia plaçkitën 1500 DM

 

4 prill 1998

Edicioni i parë (Ora 15:00)

Lajm i plotë:

AFP: Oxhaqet nxjerrin përsëri tym në Likoshan

Agjencia AFP ka publikuar një raport të gazetarit Michel Moutot nga Likoshani, fshat që ishte objekt i sulmit terroristik serb në ditën e fundit të shkurtit të sivjemë. Më poshtë po e sjellim tesktin të plotë, sipas përkthimit të agjencisë Enter.

Tymi i oxhaqeve lajmëron kthimin e tyre, por fshatarët shqiptarë të Likoshanit, të traumatizuar nga masakra e 28 shkurtit, struken pas mureve të larta të fermave të tyre. Në tokën e zezë të kodrës që ngrihet mbi këtë qendër të vogël të banuar në mes të Kosovës, ndodhen 26 varre: ato të burrave të fshatit, të vrarë nga plumbat e forcave të posaçAme të policisë serbe pesë ditë para vrasjes së Prekazit, që shkaktoi 53 të vdekur disa kilometra më larg.

Një derë prej druri hapet pak. “Sapo pamë pluhurin që ngriti vetura tuaj në kodër, të gjithë u fshehëm”, shpjegon një i ri. “Jemi kthyer para dy ditësh, por kemi frikë nga gjithçka”. “Po, është qetësi. Por policët nuk janë larg. Përsa kohë që janë atje, mund të ndodhë gjithçka. Ata mund të kthehen të na vrasin kur të kenë dëshirë”.

Ganimete Gjeli nuk është larguar kurr nga oborri i fermës. “Përse? Ku të shkoj? E çfarë mund të ndodhë më keq se sa kaq”, përlotet ajo. I shoqi dhe vjehrri i saj u vranë gjatë sulmit. Ajo shpjegon se ata ishin me të në shtëpi, kur zjarri i armëve që hapën policët shkatërroi dritaret, fasadën e shtëpisë dhe vrau të dy burrat.

Pak më tej, personat që kanë mbetur gjallë nga fisi Ahmeti u kthyen për t’u vendosur në një banesë të improvizuar me dru dhe fletë plastike. Mbi portretet e gjashtë të rinjve të vrarë të këtij fisi është vendosur një flamur shqiptar me shqiponjën e zezë dykrerëshe. “Eshtë tradita e zisë”, shpjegon një nga burrat e fisit, i veshur me kostum të zi. “Miqtë, fqinjët na vijnë për vizitë. Pak janë kthyer deri tani në shtëpitë e tyre, por ata do të vijnë”. “Ishim familja më e madhe e Likoshanit, më e pasura, më e shkolluara. Pa dyshim, për këtë ata na vranë. Ata nuk u vranë në shtëpitë e tyre, por u nxorrën jashtë dhe u pushkatuan atje. Kishte policë, por edhe civilë me maska”.

Oxhaqet nxjerrin tym edhe në fshatin fqinj të Polacit, ku ka pasur vetëm një të plagosur me armë zjarri. “Serbët thonë se jeta është bërë përsëri normale, por kjo nuk është e vërtetë”, thotë një prej banorëve shqiptarë. “Policia na rrethon nga të gjitha anët. Gratë dhe fëmijët janë kthyer, sepse nuk kishin ku të qendronin. Kemi hapur dyer për 300 familje refugjatësh. Mund të mbahemi në këmbë një muaj. Po pastaj?”.

 

Lajm të tjera:

Kryetari Rugova priti diplomatin francez Zhak Blo

Xh. Rubin: Millosheviqi me shpalljen e referendumit luan me ardhmërinë e popullit të vet

  1. Kinkel: Integrimi i Beogradit në Evropë varet nga gjendja në Kosovë

NATO, Parisi dhe Belgjika reagojnë ashpër kundër propozimit të Millosheviqit lidhur me referendumin për Kosovën

  1. Surroi takohet me Talbotin dhe me Gelbardin

Dhjetë milionë eku për shëndetësinë kosovare

U granatua fshati Llaushë i Skënderajt

Mësimi filloi edhe në Qirez

Lëvizje të forcave ushtarake serbe në Mushtisht të Suharekës

Parulla antishqiptare edhe në xhaminë e Gjilanit

Dhuna e përditshme në Kosovë

Jakup Krasniqi u mbajt dy orë në polici

Regjimi dhe propaganda serbe përsëri manipulojnë me “shqiptarët e ndershëm”

 

 

Edicioni i dytë (ora 19:30)

Lajmet kryesore:

Gjendje e acaruar në Llaushë

Persona serbë të armatosur plaçkisin shqiptarët

Serbët të armatosur provokojnë qytetarët shqiptarë

U plaçkitën lokalet e SHF “Abdyl Frashëri” në Prizren

Policët serbë keqtrajtojnë udhëtarët e rastit

 

Foto: Likoshani

Continue Reading

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Të kërkuara