Lajmet

​Haxhiu bën thirrje që të ndërpritet greva e punëtorëve të administratës në institucionet e drejtësisë

Sipas saj, si ministri po punojnë në adresimin e kërkesave të tyre.

Published

on

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, iu bëri thirrje punëtorëve të administratës së institucioneve të drejtësisë që të ndërpresin grevën. Sipas saj, si ministri po punojnë në adresimin e kërkesave të tyre, ndërsa shtoi se me këto greva po vuajnë qytetarët.

Këto komente, ministrja Haxhiu i bëri në tryezën e organizuar nga Demokraci Plus me temë “Përmirësimi i zbatimit të drejtësisë procedural në gjykatat themelore të Kosovës: sfidat dhe mundësitë”.

“Si ministre e Drejtësisë i bëj thirrje stafit të institucioneve të drejtësisë që të ndërpresë grevën për faktin se ne jemi duke punuar që t’i realizojmë kërkesat që kanë, ne jemi duke punuar edhe në Projektligjin për paga edhe në Projektligjin për administratën e sistemit të drejtësisë. Dhe nuk ka arsye për momentin që të hyhet në grevë sepse kështu po e vuajnë qytetarët të cilët kanë shumë nevoja dhe ato nevoja nuk po mund t’i realizojnë për shkak të grevës. Asnjëherë nuk them që greva nuk është e drejtë, janë në të drejtën e tyre demokratike por për sa kohë institucionet e Kosovës po adresojnë kërkesat që ata i kanë konsideroj që greva duhet të ndërpritet”, tha ajo.

Tutje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se sistemi gjyqësor në Kosovë po vazhdon të ballafaqohet me lëndët e grumbulluara. Ajo deklaroi se mbesin të përkushtuar në reformat në drejtësi dhe zgjidhjen e këtyre problemeve në sistem.

“Një nga çështjet më kritike me të cilat përballet gjyqësori i Kosovës aktualisht janë lëndët e vjetra, pra ato të grumbulluara dhe jam e njoftuar se KGJK e ka trajtuar me prioritet këtë dhe ka bërë një plan konkret se si kjo të adresohet… Raportet e Komisionit Evropian për Kosovën por edhe raportet e organizatave të shoqërisë civile por edhe ato tjera ndërkombëtare në mënyrë të vazhdueshme theksojnë si problem çështjen e grumbullimit të lëndëve sidomos të lëndëve civile dhe me këtë problem mendoj se në baza ditore jemi duke u përballur si Ministri e Drejtësisë… 06\11 Si ministri, në kuadër të reformave të sistemit të drejtësisë i kemi dhënë edhe fokus të veçantë mbrojtjes themelore procedurale të njeriut për faktin se ne kemi themeluar si MD grupin punues që ka për mandat që ta hartojë koncept-dokumentin që ka për qëllim realizimin e të drejtave civile të qytetarëve të Kosovës. Pra, grupi punues është duke adresuar këtë problem dhe në këtë drejtim me koordinim me institucionet relevante, me partnerët ndërkombëtarë si dhe përfaqësuesit nga shoqëria civile përveç që jemi duke adresuar që lëndët të adresohen në afat kohor, po ashtu është duke u diskutuar edhe çështja e kompensimit të palëve në rast kur iu shkelen e drejtat e tyre, kur ka vonesa në gjykata”, tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj u shpreh i bindur që procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë që po ndodh aktualisht në KGJK është transparente. Ai njoftoi se tashmë KGJK ka miratuar strukturën e re të gjykatave sa i takon zyrave për informim dhe kjo beson se do të ndikojë në rritjen e transparencë së sistemit gjyqësor.

“Falë këtij angazhimi dhe kësaj qasje sistematike të sistemit gjyqësor ne kemi arritur për një periudhë të shkurt me dhënë shembuj të ndryshimeve substanciale në sistemin gjyqësor dhe për këtë rast po e shfrytëzoj duke qenë koincidencë që po zhvillohet tani rekrutimi i gjyqtarëve dhe jam shumë i bindur që në 20 vite kemi arritur të zhvillojmë sistemin më transparent të rekrutimit të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë dhe në kuptimin profesional jam shumë i gëzuar sepse me këtë javë dhe javën e kaluar po dëshmohet gjatë intervistimit se kemi kandidatë me integritet të lartë profesionalë dhe moralë gjë që neve na bënë të besojmë që në të ardhmen do të kemi një sistem i cili përveç të tjera do jetë një indikator i fuqishëm i kthimit të besimit të publikuar në sistemin gjyqësor”, tha Zogaj.

Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, tha se me progresin që ka realizuar Kosova ka treguar gatishmërinë për të forcuar sundimin e ligjit, dhe në këtë drejtim u shpreh se ndihmë po ofron edhe USIAD. Por ajo kërkoi tutje që gjykatat në Kosovë të vazhdojnë të përmirësojnë procedurat, pasi vetëm përmes një sistemi të fortë të drejtësisë tregon se shoqëria po i përgjigjet nevojave të qytetarëve.

“86% të përdoruesve kanë raportuar se janë të kënaqur me shërbimet që kanë marrë, ndërsa kjo statistikë mjaftë inkurajuese është në kontrast të ashpër me hulumtimin sa i përket drejtësisë procedurale në Kosovë që UNDP, e cila u publikua këtë muaj, e cila gjeti që vetëm 39.3% është kënaqshmëria me performancën e gjykatave dhe ky dallim dramatik në mes të perceptimit publik dhe realitetit nga përvojat e përdoruesve dhe kënaqshmërisë së qytetarëve është dallim i vrazhdë dhe në bazë të kësaj mund të përfundojnë se qytetarët dhe publiku nuk janë të vetëdijshëm për përmirësimet që janë bërë në sistem dhe efikastitet… 02.41 Gjykatat duhet të vazhdojnë me përmirësimin e procedurave si ajo ndaj qasjeve siç është ajo për përmirësimin e drejtësisë procedurale dhe përmirësimit të qasjes dhe përmirësimit të metodave të informacionit. Një sistem i fortë i drejtësisë është një mjet i cili shoqëria i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe ne jemi duke punuar në USAID”, tha ajo.

Vendi

UBT organizon edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore

Published

on

By

UBT do të organizojë edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një platformë akademike që bashkon studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve nga fusha të ndryshme, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Konferenca do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke vazhduar traditën e kësaj platforme ndërdisiplinore, e cila u mundëson studiuesve dhe profesionistëve të prezantojnë punën e tyre shkencore, të diskutojnë zhvillimet e fundit në fushat përkatëse dhe të krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim akademik.

Programi përfshin një gamë të gjerë fushash, ndër të cilat mjekësia dhe infermieria, shkencat farmaceutike dhe natyrore, stomatologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, mekatronika, robotika, siguria e informacionit, arkitektura, planifikimi hapësinor, drejtësia, shkencat politike, gazetaria, media dhe komunikimi, menaxhmenti, ekonomia, psikologjia, arsimi, bujqësia, shkenca dhe teknologjia e ushqimit, arti, dizajni dhe muzika.

Përmes këtij programi të gjerë, konferenca synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet disiplinave të ndryshme, duke nxitur dialogun shkencor dhe duke promovuar qasje të reja për adresimin e sfidave bashkëkohore. Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu mbështetjes së studiuesve në fillim të karrierës akademike dhe stafit të ri akademik, duke u ofruar mundësi për prezantimin e hulumtimeve dhe zhvillimin e aftësive për publikim sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë edicioneve të deritanishme, konferenca ka krijuar një bazë të gjerë ndërkombëtare të pjesëmarrjes dhe prezantimeve shkencore, me pjesëmarrje të mbi 1 mijë folësve dhe prezantuesve, dhe përfaqësim nga mbi 30 shtete të botës.

Përmes edicionit të vitit 2026, UBT synon të vazhdojë forcimin e profilit të tij si institucion i arsimit të lartë me orientim drejt kërkimit shkencor, transferimit të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke krijuar hapësirë për ide të reja, rezultate shkencore dhe partneritete që lidhin universitetet me profesionistët dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë.

 

Continue Reading

Lajmet

EOQ Congress 2026 në UBT: Liderët evropianë të cilësisë diskutojnë transformimin, inovacionin dhe udhëheqjen reziliente

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni plenar i Liderëve Evropianë të Cilësisë, ku ekspertë ndërkombëtarë diskutuan mbi rolin e udhëheqjes në transformimin organizativ, arritjen e ekselencës dhe ndërtimin e organizatave të qëndrueshme në një mjedis biznesi gjithnjë në ndryshim.

Sesioni, i moderuar nga Tiia Tammaru, mblodhi përfaqësues të komunitetit evropian të cilësisë, të cilët ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi mënyrat se si cilësia mund të shërbejë si nxitës i transformimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së ndikimit organizativ.

Gjatë sesionit, u trajtuan këto tema:

Pierre Girault, president i AFQM-së, Francë – Fjalë përshëndetëse, të cilit iu nda edhe Certifikata nga EOQ.

Dr. Ing. Florian Weymar – “Udhëtimi i udhëheqjes: Cilësia si nxitës i transformimit”.

Dr. Patricia Carvalho – “Nga ekselenca te ndikimi: Mësime nga udhëheqja në fushën e cilësisë”.

Diskutimet vunë në pah rëndësinë e udhëheqjes efektive në përballimin e ndryshimeve teknologjike dhe sfidave të reja të biznesit, duke theksuar se cilësia nuk kufizohet vetëm në përmbushjen e standardeve, por përbën një element thelbësor të transformimit dhe zhvillimit afatgjatë të organizatave.

Në vazhdim të programit të Kongresit, u zhvillua edhe dialogu ndërmjet përfaqësuesve kombëtarë të EOQ-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus në shkëmbimin e perspektivave dhe forcimin e bashkëpunimit global në fushën e cilësisë. Përmes këtyre diskutimeve, EOQ Congress 2026 në UBT vazhdoi të krijojë hapësirë për shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe promovimin e qasjeve bashkëkohore ndaj cilësisë, udhëheqjes dhe inovacionit.

Continue Reading

lajme

Kosova mirëpriti Kongresin më të madh evropian të cilësisë – EOQ Congress 2026

Published

on

By

Përfundoi Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), i cili për tri ditë mblodhi në Kosovë përfaqësues të institucioneve, ekspertë ndërkombëtarë, akademikë dhe profesionistë, për të diskutuar mbi rolin e cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale, transformimit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Sesioni përmbyllës i kongresit shërbeu si një moment reflektimi mbi përfundimet dhe mesazhet kryesore të këtij edicioni, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë si themel për inovacionin, besimin, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Në këtë kuadër u prezantuan përfundimet e kongresit me temën “Congress Conclusions: What Prishtina 2026 Has Taught Us”, si dhe mesazhi “Prishtina Quality Message 2026: The Future through Quality”, i cili thekson rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më cilësore dhe të qëndrueshme.

Një moment i veçantë ishte ceremonia e dorëzimit të flamurit të EOQ-së dhe prezantimi i kongresit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Belgjikë, duke simbolizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin e komunitetit evropian për avancimin e cilësisë.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Prof. Dr. Paulo Sampaio, President i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), përcolli mesazhin për një komunitet të bashkuar të cilësisë dhe përgjegjësi të përbashkët në avancimin e standardeve dhe praktikave cilësore.

Ndërkaq, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, president dhe rektor i UBT-së, president i Quality Kosova dhe nënkryetar i EOQ-së, përmbylli kongresin me mesazhin “From Prishtina to the Future through Quality”, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shndërrimit të ideve e diskutimeve në iniciativa konkrete për të ardhmen.

 

Organizimi i Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e Kosovës si hapësirë e dialogut profesional, shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Përmes këtij organizimi, UBT dhe Quality Kosova kontribuuan në avancimin e diskutimeve mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror. Me mesazhin “Nga Prishtina drejt së ardhmes përmes cilësisë”, Kongresi EOQ 2026 përmbylli punimet duke riafirmuar rëndësinë e vizionit të përbashkët, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit për një të ardhme më cilësore dhe të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë

Published

on

By

Më 24 dhe 25 tetor 2026, në Kampusin e UBT-së në Lipjan, do të zhvillojë punimet Konferenca Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore dhe profesionale vjen si një platformë e mirëfilltë që synon të bashkojë komunitetin akademik, stomatologët, teknikët dentarë dhe profesionistët e fushës, me qëllim promovimin e inovacionit, bashkëpunimit ndërprofesional dhe edukimit të vazhdueshëm.

Përmes prezantimit të njohurive të reja shkencore, përvojave klinike dhe zhvillimeve më të fundit teknologjike, konferenca synon të adresojë sfidat dhe mundësitë bashkëkohore në stomatologji. Ngjarjeve të tilla u jepet një vlerë e veçantë edhe përmes akreditimit zyrtar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës, ku pjesëmarrësit aktivë do të shpërblehen me 20 pikë EVP, ndërsa ata pasivë me 15 pikë EVP.

Lidhur me këtë ngjarje, Dekani i Fakultetit të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Ass. Dr. Agim Prokshaj, ka theksuar:

“Si fakultet, mbetemi të përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional, duke besuar se bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe praktikës klinike është thelbësor për të ardhmen e stomatologjisë. I ftoj të gjithë kolegët, profesionistët dhe studentët të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për ndërtimin e bashkëpunimeve të reja dhe avancimin e profesionit tonë. Ju mirëpresim në UBT!”

Për të gjithë të interesuarit, regjistrimi i pjesëmarrësve në kampus zhvillohet më 23 tetor prej orës 14:00 deri në 17:00, si dhe më 24 tetor nga ora 09:00 deri në 17:00, ndërsa procedurat e aplikimit dhe pagesës realizohen sipas udhëzimeve zyrtare të organizatorëve.

 

Continue Reading

Të kërkuara