Lajmet

​Haradinaj thotë se nuk i kanë publikuar apo shumëzuar dokumentet e dërguara në OVL-UÇK

Haradinaj ka thënë se nuk ishin në dijeni nëse dokumentet ishin autentike apo konfidenciale.

Published

on

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se nuk kanë publikuar, shpërndarë apo shumëzuar dokumentet që kishin arritur në zyrën e organizatës.

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se veprimi i vetëm i bërë nga krerët e OVL-UÇK ka qenë informimi se një person i panjohur ka lënë paketa me dokumente në hapësirat e organizatës. Ai ka thënë se këtë e kanë bërë për hir të transparencës dhe se nuk pendohet për një gjë të tillë.

“Ne nuk jemi marrë me to, vetëm na kanë sjellë, i kemi marrë dhe i kemi qit vetëm brenda lokalit të mbyllur tonin, ekskluziv lokal i joni, një shkallë më lartë në dhomën tjetër dhe kemi treguar çka na ka ardhur. Kjo është vepra ime, kësaj i qëndroj dhe nuk i pendohem, nëse është gabim e pranoj gabimin, nëse është e dëshmueshme po more, e kam bërë, e kam bërë duke menduar dhe po mendoj që e kam bërë vetëm për hir të transparencës dhe sinqeritetit ndaj çdo kujt, bile edhe ndaj jush, nëse nuk e keni ditë me ditë çka po vjen, nëse nuk na i keni sjellë vetë me ditë çka po vjen të ne. Mendoj, për këtë është dashur të na falënderoni ju”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nuk ishin në dijeni nëse dokumentet ishin autentike apo konfidenciale dhe ka përsëritur që edhe sot nuk kanë ndonjë konfirmim nga ZPS se ato ishin të Speciales.

“Unë kam lexuar shumë materiale që kanë shkruar topsekret prej vetë CIA-s amerikane dhe kanë qenë publike në televizion. Sepse unë nuk e kam ditë se për cilën kohë është ajo dhe nuk e kam marrë mundimin të mendoj për atë punë, se përderisa kanë arritur kanë mundur të arrijnë në zyrën tonë, de facto nuk e di pse janë sekrete. Sekretet nuk dalin dhe nuk vinë në zyrën tonë. Nuk mund të paramendoj as sot, nuk e keni vërtetuar as ju, edhe ju jeni duke e bërë sikur dëshmitari i juaj – herë janë tonat, herë nuk janë. Ne nuk na është konfirmuar që është sekrete, që ne ta dimë se është sekrete, ndërsa çka po thua aty shkruan sekret, unë lexoj çdo ditë dhe ke lexuar edhe ti që nëpër revista qesin dokumente të mëparshme që i kanë pasur zbulimet dhe shkruan aty sekret, por e qetë. Kështu e kam kuptuar, unë nuk e kam kuptuar që është sekret, mua nuk më është sqaruar që është sekret, jo mua por askujt nuk i është sqaruar. Si mund të jenë sekret diçka që arrin publikisht në zyrat tona, ju lutem kjo është marre ta dëgjojë dikush”, ka thënë ai.

Gjatë dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se kjo mund të ketë qenë e montuar nga vetë ZPS.

“Ato kanë ardhur te ne, pse sekret, me këtë logjikë unë kam prezumuar, po të kishin dashtë me qenë sekret, nëse janë të juaja, ju nuk e keni vërtetuar dhe nuk po e thoni, nëse janë të juaja meqë po e bëni tërë këtë zhurmë, mbani përgjegjësinë. Çfarë sekreti, pse na i prutë, tash po e shoh që ju paskeni pasur qejf që ne edhe me dalë me to, shyqyr që nuk e kemi bërë, jo për diçka, por vetëm për atë arsye se paska qenë kurth, tash po e shoh që paska qenë kurth, ju i paskeni pru, për të bërë ne këtë punë që ju po doni të na monton që e kemi bërë ne”, ka thënë Haradinaj.

Ai po përgjigjet në pyetjet e ZPS-së ku prokurori po shfaq pjesë nga video-konferencat apo intervistat që Haradinaj i ka dhënë më parë në mediat e Kosovës, lidhur me dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.

Haradinaj ka thënë se OVL-UÇK nuk e ka bërë publikimin e dokumenteve, por vetëm informimin për arritjen e tyre në organizatë. Ai ka thënë se përgjegjësinë duhet ta marrin ata që e kanë bërë publikimin e tyre ku edhe ka kritikuar disa prej mediave në Kosovë për, sipas tij, provokim ndaj tyre.

Tutje, Haradinaj ka thënë se ka pritur që gjykatat dhe prokuroria e Kosovës të shkojë në organizatë dhe t’i marrë ato dokumente, andaj sipas tij i ka mbajtur kopjet.

“Unë kopjet së pari i kam mbajtur për gjykatën tonë të Kosovës, kur më është bërë një pyetje prej gazetarëve, prokurorit special, nëse vjen, a i merrni, kam thënë po, kam thënë mund të vijnë edhe ata t’i marrin. Mendimi im në fillim, të jem i sinqertë nuk ka qenë për ju hiç, ka qenë për gjykatat e mia, sepse unë e njoh vendin tim, dhe ty nuk të njoh hiç, dhe me ty po bisedoj këtu vetëm pse ti ke thënë jam e Kosovës, nuk kam nevojë me të njohur, nuk jam përgjegjës ndaj teje, jam përgjegjës ndaj vendit tim dhe nëse në shtetin tënd bëj diçka tjetër. E meqenëse ti thua jam i Kosovës dhe kjo gjykatë që po besoj tamam ka me qenë e denjë, unë për hir të gjykatës, po bisedoj me ty, se nëse nuk je i Kosovës nuk do të kisha biseduar hiç”, ka thënë ai.

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK ka thënë se vazhdon të jetë i mllefosur meqë sipas tij shteti i Kosovës nuk ka vepruar.

“Edhe sot jam i mllefosur jo pse nuk kanë ardhur m’i marrë ata, se në fund të fundit të merr kush do materialin e vet, por pse shteti im hiç nuk është shtet se nuk guxon me u ndie prej jush, se dëshmitari numër një që e ke këtu më ka thënë nuk guxojnë me ardhur t’i vijnë t’i marrin, dhe kjo është fyese për mua, fyese për shtetin tim dhe fyese për lirinë dhe fyese për pavarësinë e shtetit tim, nëse nuk guxon të vijë për t’i marrë prokuroria e vendit tim, policia e vendit tim, hetuesit e vendit tim”, ka shtuar ai.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria nis hetimet ndaj KEDS-it për njehsorët elektrikë: Dyshime për mashtrim me faturat

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka nisur zyrtarisht grumbullimin e informatave lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të kompanisë KEDS.

Sipas organit të akuzës, ekziston një dyshim i bazuar se këto pajisje nuk po bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar nga konsumatorët.

Në këtë drejtim, Prokuroria dyshon se është kryer vepra penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për të zbardhur rastin, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim sigurimin dhe grumbullimin e provave shtesë.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Hetimet vijnë pas shqetësimeve se njehsorët nuk pasqyrojnë realisht shpenzimet, duke dëmtuar kështu qytetarët. Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore për të garantuar zbatimin e ligjit.

“Lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehësorët elektrikë të KEDS-it, ekziston dyshimi se këta njehësorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar… Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik”, përfundon njoftimi i Prokurorisë.

Continue Reading

Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 3 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

3 prill 1993

Lajm i plotë: Tre gazetarët ferizajas sërish në polici

Dje, në qendrën e sigurimit serb në Prishtinë, u morën përsëri tre gazetarët ferizajas, Rrahim Sadiku, Haki Braha dhe Avni Shabani. Ata u mbajtën në polici tri orë dhe u morën në pyetje për përmbajtjen e revistës “Zgjimi”, e cila u konfiskua para disa ditësh.

Këtyre gazetarëve iu tha që përsëri të paraqiten të hënën, në qendrën e policisë në Ferizaj.

 

Lajme të tjera:

“Bujku” edhe sot nuk u botua

Vazhdon aksioni “Ta mbrojmë ambientin”

U promovua romani “Udhëtimi arbdhetar” i Zejnullah Rrahmanit

Në Ferizaj tubime përkujtimore për të vrarët

Manifestim kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së De Radës

Tubim proteste i studentëve ferizajas kundër burgosjes së rektorit dr.Ejup Statovci

Ahmet Gajtani u ftua në polici

Në Prishtinë bombat u gjetën në kontejnerë të mbeturinave

Në Prishtinë u plaçkitën 60 tonë miell

Policia maqedonase gjobit vozitësit shqiptarë

Kosova e përfaqësuar në kampionatin evropian në “full-kontakt”

Në Podujevë arritën pesëdhjetë policë financiarë nga Serbia

Në komunë të Pejës – keqtrajtime të përditshme

NATO bën kontrollin mbi qiellin e Bosnjës

Mas-mediumet serbe i japin publicitet “Traktit” të shpërndarë në Kosovë

 

 

3 prill 1995

Lajm i plotë: Dhuna e përditshme në Kosovë

Kamenicë: – Më 25 mars, policia serbe mori në rrugë të fshatit Rogaçicë, Samet Baxhakun të cilin e dërgoi në stacionin e policisë në Gjilan, nën prtetekst të dorëzimit të armës. Njoftohet se nga inspektorët Ramadan Sermaxhaj dhe njëfarë Sërgjani ai u keqtrajtua fizikisht për disa orë.

Më 20 mars, policia nën preteskt të kërkimit të armëve mori Hevzi Hotin nga Muçivërci, i cili dorëzoi një revole, ndërsa pas kësaj atij policia po i kërkon edhe një automatik.

Më 27 mars, policia mori Vehbi Klaiqin, sekretar i SHHB “Nënë Tereza” në Kamenicë, i cili u dërgua në stacionin e policisë në Gjilan dhe u pyet për kinse vizitën e një delegacioni të jashtëm humanitar.

Më 30 mars policët ndalën në rrugë veprimtarët Isa Kallubën, Skënder Canën dhe mjekun Naser Fetahu, të cilët i dërguan në stacionin e policisë në Kamenicë. Në polici ata u mbajtën rreth dy orë dhe u pyetën për angazhimin e tyre në ambulancën e SHBH “Nëna Terezë” në Kamenicë. Policët u interesuan edhe për mënyrën e sigurimit të barnave për këtë ambulancë dhe për çështje të tjera të aktivitetit politik shqiptar në Kamenicë.

Më 30 mars policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, mori në shtëpitë e tyre Mehdi M.Morinën dhe Hamëz A.Morinën nga fshati Topanicë. Ata u dërguan në stacionin e policisë ku policët i urdhëruan që të dorëzojnë nga një revole.

Vushtrri: – Më 1 prill, në stacionin e policisë në Vushtrri u malretua rëndë fizikisht Ragip Krasniqi nga Vushtrria. Për shkak të lëndimeve që pësoi nga rrahja ai u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore.

Gjilan:- Më 3 mars, rreth orës 12:30 minuta, policia serbe ndërpreu një turnir futbolli në Gjilan. Turniri ishte organizuar në kuadër të aksionit “Vullneti 95” nga FR i LDK-së, Dega në Gjilan. Policët morën me vete delegatin e ndeshjes Shemsedin Mustafën dhe një refer.

 

Lajme të tjera:

Tubim i madh i shqiptarëve në Bruksel

U nënshkruan dy marrëveshje mes Shqipërisë dhe Suedisë

Beogradi po përgatit “institucionalizimin” e dominimit serb mbi shqiptarët në Kosovë

Intensifikohen planet dhe aksionet e spastrimit etnik të Kosovës

Një program serb për kolonizimin e Kosovës

Kanali TV turk HBB: Pse nuk njihet Kosova?

U ndihmuan 42 familje

Rudina Hatipi kampione e Suedisë në vallëzim

Kërkohet Shpejtim Thaçi

 

 

3 prill 1997

Lajm i plotë: U kthyen rreth 100 azilkërkuesit e parë nga Gjermania në Kosovë

Paralajmërimet e palës gjermane për kthimin e azilkërkuesve shqiptarë nga ky vend, mbrëmë filluan të zbatohen me kthimin e organizuar të tyre në Kosovë. Në orën 19. 15 minuta, në aeroportin e Prishtinës arriti fluturakja e parë nga Gjermania me afro 100 azilkërkues shqiptarë. Ky është kontigjenti i parë që kthehet nga Gjermania në mënyrë të organizuar, njofton gazeta “Bujku”.

Reporteri i kësaj gazete arriti të mësojë nga disa azilkërkues të kthyer se ky kontigjent është nga rethina e Shtutgarit. Në mesin e të kthyerve kishte edhe shumë fëmijë e gra, por kryesiht ishin të rinj. Një azikërkues nga rethi i Suharekës tha se gruaja dhe fëmijët kishin mbetur në Gjermani dhe nuk dinin asgjë për fatin e tij. Po ashtu, të kthyerit thanë ata ishin kapur nga policët gjermanë në rastësi dhe ishin mbajtur në aeroportin e Shtutgardit që nga mëngjesi i ditës së martë. Shumica prej tyre nuk kishin asgjë me vete.

Në aeroportin e Prishtinës nuk pati keqtrajtime të të kthyerve. Ata vazhduan rrugën për në shtëpit e tyre.

 

Lajme të tjera:

Ushtria e Shqipërisë krijon “forcën speciale” për bashkëveprim me forcën ndërkombëtare

Parlamenti shqiptar rishqyrtoi dhe miratoi projektligjin për një amnisti të gjerë

BE konfirmon dërgimin e ndihmave për Shqipërinë

Leka I kthehet në Shqipëri

Merren në pyetje aktivistë të LDK-së në Baran

 

 

3 prill 1997

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova priti ambasadorin e Spanjës

Pala shqiptare e përjashtuar plotësisht nga kthimi i refugjatëve të Kosovës

Demaçi priti diplomatë amerikanë

Në Pacaj të Gjakovës policia bastisi një familje dhe keqtrajtoi katër të rinj

Ndihmuan Shkollën Fillore të Vidishiqit me 550 DM

 

 

Edicioni i parë (Ora 11:30)

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Një anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Shtime u keqtrajtua nga policia

Hungarezët e Vojvodinës nuk duan të shërbejnë në forcat serbe në Kosovë

Serbia shprehet me referendum për (mos)pjesëmarrjen e përfaqësuesve të huaj në zgjidhjen e problemeve në Kosovë

Kaçanik: Policia konfiskon armët me leje

Istog: Tri familje u bastisën për armë

Lipjan: Të mos bihet nën ndikimin e dezinformatave

Nga Lipjani u larguan 20 refugjatë serbë

 

 

Edicioni i dytë (Ora 15:30)

Lajm i plotë: Ia vizatuan me thikë kryqin në këmbë

Dje rreth orës 11, dy policë serbë arrestuan në rrugë Driton Hazir Brahimin (18), nga Korrotica e Ulët, nxënës i vitit IV të shkollës së mesme teknike në Gllogoc.

KI i Degës së LDK-së në Gllogoc njofton se policët e ndaluan Dritonin, që po shkonte në shkollë, dhe e dërguan në postbllokun e Komoranit ku e keqtrajtuan rëndë fizikisht. Policët gjithashtu, duke e gërvishur me thikë, ia “vizatuan” atij kryqin mbi gjurin e këmbës së majtë.

Më pas Dritoni u lirua.

 

Lajme të tjera:

Idriz Rrecaj: Nevojitet ndërhyrje ndërkombëtare me qëllim të largimit të njësive speciale serbe nga Skenderaj

U arrestua Kryetari i Degës së LDK-së në Gllogoc

Medlin Ollbrajt: “Territori i Kosovës mbahet i okupuar nga një forcë armiqësore”

Shqipëria përshëndet Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vendosjen e embargos së armëve ndaj Beogradit

Bërns: “Autoritetet serbe menjëherë duhet të fillojnë bisedimet me shqiptarët e Kosovës”

Kofi Anan i shkruan presidentit Meidani lidhur me Kosovë

Shtypi amerikan për zhvillimet e fundit në Kosovë

U lirua objekti i gjimnazit në Podujevë

Për një koordinim sa më të mirë në grumbullimin dhe shpërndarjen deri në destinacion të ndihmave për Drednicën

Një kontigjent me ndihma u nis nga Gjakova për Drenicë

Vazhdojnë të arrijnë ndihmat për Drenicën

Në Australi vazhdon muaji i solidaritetit për Kosovën

Shqiptarët në Mal të Zi pa të drejta në shumë fusha

Edhe një gazetë e re shqipe në Maqedoni

Doli nga shtypi revista “Theatri”

 

Edicioni i tretë (Ora 16:00)

Lajm i plotë: Nuk është hequr asnjë postbllok i policisë

Duke filluar nga shkurti i këtij viti, policia serbe ka vendosur në komuna të shumta të Kosovës postblloqe të reja policore, krahas postblloqeve të vendosura që nga pushtimi i Kosovës. Në këto postblloqe, të gjithë kalimtarët ndalohen, kontrollohen rreptësisht dhe shpesh keqtrajtohen fizikisht.

Sipas shënimeve të grumbulluara nga degët e LDK-së në Kosovë, postblloqe policore janë vendosur në këto komuna:

Skënderaj – Në Klinë të Epërme, në Runik, në Tërnoc dhe në Skënderaj. Në komunën e Skënderajt koncentrime të përhershme të forcave të reja serbe ka mbi kodrën mbi fshatin Llaushë, në Tërnoc, në Skënderaj, në Fabrikën e Municionit të Gjuetisë, në Kopiliq të Ulët, në Brojë e tjerë;

Mitrovicë – postblloqe janë vendosur në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe në Shipol në rrugën Mitrovicë-Skënderaj. Koncentrime të forcave serbe ka edhe në ndërtesën e Shoqatës së Zjarrfikësve, në garnizonin e ushtrisë serbe, në hotelin “Tre” në Zveçan dhe në fshatin Frashër;

Vushtrri – postblloku është i vendosur në fshatin Nedakoc në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë;

Prizren – postblloku policor në fillim të shkurtit u vendos në Lubizhdë afër Prizrenit, ndërsa postblloqet të herëpashershme policore vendosen në Landovicë, Dushanovë, në Gjonaj e tjerë;

Junik – vendoset herë pas herësh një postbllok policor në vendin e quajtur “Kulla e Malokut” në afërsi të vendbanimit të refugjatëve, ndërsa koncentrime të forcave policore ka pasur në tërë teritorin e Junikut dhe në fshatrat që shtrihen në zonën kufitare;

Çabër – postblloku policor është i vendosur tash sa vite në Gazivodë, ndërsa koncentrime të herëpashershme të forcave policore ka në poligonin rezervë ushtarak po në Gazivodë.

Klinë – pos dy postblloqeve në lagjen “Përlika” të Klinës dhe në rrugën Klinë-Skënderaj, postblloqe policore janë vendosur pas shkurtit edhe në rrugën Pogragjë-Jashanicë, në magjistralën Pejë-Prishtinë – në Dollc, si dhe në Kijevë. Koncentrime të forcave ka në Pogragjë, në objektin e Kombinatit Bujqsor “Malishgani” – rreth 1000 sish;

Suharekë – postbllok është vendosur te stacioni i policisë;

Gllogoc – postblloqe ka në Komoran e Morinë, ndërsa koncentrime të forcave policore ka në Komoran dhe në Gllogoc;

Kamenicë – postbllok ka në vendin e quajtur “Crepane”, në trekëndëshin rrugor Kamenicë-Bujanoc-Gjilan, ndërsa postblloqe të reja janë vendosur pas shkurtit, në vendin e quajtur “Dheu i bardhë”, në Katushnicë, midis fshatrave Hodonoc, Rogaçicë dhe Novosellë, dhe në Koretin, te Fabrika e Pllakave, midis Berivojcës dhe Koretinit. Koncentrime të forcave serbe ka në fshatrat e banuara me serbë në Ranillugë, Rapotovë, Bozhec, Rajnoc etj. Fshati Bozhevc ruhet me pizgauerë e autoblinda. Ndërkohë janë hequr postblloqet te “Dheu i bardhë” dhe në Koretin;

Kaçanik – postblloku policor është i vendosur në rrugën Ferizaj-Kaçanik në fshatin Gërlicë;

Zhur – pos postblloqeve në Vlashnjë, Zhur e Vërnicë, pas shkurtit të sivjemë është vendosur edhe një postbllok në rrugën për Biluzhë, Vlashnjë, Zhur, Shkozë e Vërmicë, ndërsa ka koncentrime të forcave serbe si dhe lëvizje të forcave ushtarake në brezin kufitar me Shqipërinë;

Fushë-Kosovë – ndonëse nuk është vendosur ndonjë postbllok policor, vërehet prani e shpeshtë e policisë në Sllatinë në rrugën për në aeroport;

Podujevë – postblloku policor është vendosur para disa vitesh në magjistralen Prishtinë-Nish në hyrje të Podujevës;

Leposaviq – postbllok ka në lokalitetin e quajtur “Ballaban”. Ky postbblok qe vendosur në tetor të vitit të kaluar, u hoq në dhjetor dhe u vendos sërish në shkurt të këtij viti. Forca ushtarako-policore janë të stacionuara në fabrikën e këmishave në Banjskë. Vazhdon kontrolli i rreptë policorë ndërsa banorëve të fshatit Koshtovë u është tërheuqr vërjejtja që të mos kalojnë kodrave përballë vendit ku janë vendosur forcat serbe;

Dragash – që nga viti 1989 postblloku policor është vendosur në fshatin Zym. Vërehet koncentrim i një numri më të madh ushtarësh në karakollin në fshatin Bresanë;

Istog – postblloku policor është vendosur në Gurrakoc në rrugën Pejë-Mitrovicë-Klinë;

Njëkohësisht burime të degëve të LDK-së në komunat e Kosovës njoftojnë se, përkundër kërkesave të Grupit të Kontaktit për tërheqjen e forcave të policisë speciale nga Kosova, ditëve të fundit është shtuar numri i postblloqeve si dhe numri i këtyre forcave, ndërsa ato nuk janë tërhequr nga asnjë postbllok.

 

Lajme të tjera:

Gjendje e rëndë në komunën e Deçanit

Klinë: Një qytetar u keqtrajtua brutalisht

U themelua Këshilli Organizativ i Protestave në nivel republikan

Policia serbe keqtrajton shqiptarët me pretekst të pjesëmarrjes në protesta

Foto: Ballina e gazetës “Bujku”

Continue Reading

Lajmet

Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, hapet rruga për organizimin e ngjarjes madhore

Published

on

By

Qeveria e Kosova ka miratuar projektligjin për organizimin e Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit sportiv dhe afirmimit ndërkombëtar të vendit.

Institucionet e kanë cilësuar këtë nismë si projekt me interes të lartë publik dhe kombëtar, që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe rritjen e imazhit të shtetit në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë strategjike të projektligjit, duke nënvizuar standardet që synohen me organizimin e kësaj ngjarjeje:
“Ky projektligj, i bazuar në marrëveshjen për organizimin e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, është projekt me interes të lartë publik dhe kombëtar. Ai garanton që organizimi i kësaj ngjarjeje madhore të bëhet me përgjegjësi të plotë institucionale, me standarde të larta transparence, integriteti dhe menaxhimi efikas të fondeve publike. Ky është një investim në rininë tonë, në sportin tonë dhe në imazhin ndërkombëtar të shtetit”.

Nga ana tjetër, ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, dha detaje mbi aspektin financiar dhe organizativ të projektit:
“Përmes këtij ligji, qeveria do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike në shumën prej të paktën 253 milionë euro. Burimi kryesor i financimit do të jetë buxheti i shtetit, ndërsa projektligji rregullon edhe kompetencat e institucioneve përkatëse, përfshirë Komitetin Olimpik të Kosovës dhe komunat që do të përfshihen në organizim”.

Projektligji përcakton qartë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, duke krijuar një kornizë të plotë ligjore për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.

Pas votimit në Kuvend, pritet të nisin përgatitjet konkrete për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, me synimin që Kosova të radhitet ndër organizatorët e rëndësishëm të eventeve sportive ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara