Lajmet

​Haradinaj: Në Junik do të fitohet bindshëm

Ai ka kërkuar votën për Agron Kuçin duke thënë që çdo votë është e vlefshme.

Published

on

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Junik. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh i bindur se të dielën, më 14 nëntor do të fitojnë bindshëm në këtë komunë. Ai tha se Juniku ka vendosur një kulturë qeverisëse, për çka edhe qytetarët e kanë përkrahur.

“Kur don populli, don Zoti. Ata që mundohen ta prishin këtë të drejtë në mënyra të tjera gabojnë. Ky është vend i vogël, ju jeni një familje. Unë e di se ashtu që ju shoh sot, ju do të fitoni bindshëm. Por fituesi e ka obligim të sjellet përgjegjshëm, me respekt dhe të mos bëjë diskriminim. Me ju dhënë të gjithëve meritën që parasheh ligji. Po ashtu edhe ne që e ndjejmë Junikun, e kemi për obligim që të përkrahim Junikun, me projekte zhvillimore”, u shpreh ai.

Ai ka kërkuar votën për Agron Kuçin duke thënë që çdo votë është e vlefshme.

Kandidati për kryetar të Junikut, Agron Kuçi tha se ajo që bashkon junikasit është më e fortë se çdo tentim tjetër që ka synim ndarjen dhe përçarjen. Ai ka kërkuar votën e vlerës për bashkëjetesën.

“Ky proces i rëndësishëm, kjo komunë e rëndësishme për jetën tonë publike të çdo familje dhe qytetari, është ngjarja më e madhe pas lirisë së Kosovës. Po të mos ishte liria e Kosovës, as Juniku nuk do të ishte. Po të mos ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, as Juniku nuk do të ishte sot. Përkundër sfidave, punëve dhe projekteve të jashtëzakonshme për të cilat gjithmonë është angazhuar komuna e Junikut, vullneti dhe dashuria nuk ishte asnjë pengesë, për të gjitha këto sfida, punë dhe projekte patëm zgjidhje për punë që i kaluam bashkërisht me qytetarët tanë, tha ai.

Më tej, u shpreh se kandidon për shërbime publike, infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe mbështetje për të gjithë kategoritë.

“Ne do të ndërtojmë në gjithë sektorët e jetës publike për zhvillim të qëndrueshëm lokal, për të krijuar vende të reja të punës. Kjo është fitore për mijëra junikas. Unë jam shumë i vendosur dhe i përkushtuar maksimalisht që të jem kryetar i të gjithëve. Këtë nuk mund ta vendosim vetë, por të bashkuar për një Junik rural dhe urban, ku secili prej nesh gra e burra, vajza e djem, për një Junik të prosperuar, i cili është edhe amanet i paraardhësve dhe pasardhësve, ky është obligimi ynë sot dhe nesër”, ka shtuar ai.

Kandidati i AAK-së, Agron Kuçi para junikasve ka thënë se këto zgjedhje nuk duhet të jenë për përfitim çasti, por për jetë më të mirë.

Në Junik të dielën do të garohet për raund të dytë mes Agron Kuçit të AAK-së dhe Ruzhdi Shehut nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Vendi

Rrahje mes të miturve në Prishtinë, arrestohen dy persona

Published

on

By

Një përleshje fizike mes disa personave të mitur ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Prishtinë, duke rezultuar në lëndime të rënda trupore për njërin prej tyre. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:22.

Viktima ka pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor, ndërsa Policia ka reaguar shpejt duke identifikuar të përfshirët. Gjatë ditës së hënë (20 prill), janë arrestuar dy të dyshuar, të cilët po ashtu janë të moshës së mitur.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 24 orë për procedura të mëtejshme hetimore. Rasti po trajtohet si “Lëndim i rëndë trupor”.

Continue Reading

Vendi

Zbresin çmimet e derivateve në Kosovë, nafta tetohet në 1.68 euro

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës, të cilat do të jenë valide për datën 21 prill 2026.

Sipas vendimit të fundit, çmimet tavan për produktet e naftës janë: Nafta (dizel): 1.68 euro për litër, benzina: 1.41 euro për litër, gasi: 0.88 euro për litër.

Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

Ministria ka njoftuar se qytetarët që hasin në parregullsi apo çmime mbi tavanin e lejuar, mund t’i adresojnë ankesat e tyre në emailin zyrtar [email protected] ose përmes numrit të telefonit falas 0800 11000.

Continue Reading

Vendi

Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për faturimin e energjisë pas dyshimeve për parregullsi te njehsorët

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, duke filluar nga ora 11:00, në një seancë të jashtëzakonshme me pikë të vetme të rendit të ditës: çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Kjo mbledhje pason gjetjet e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, i cili pas një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj, raportoi se në mbi 80 për qind të rasteve njehsorët nuk kishin orën e saktë, gjë që ndikon në llogaritjen e tarifave.

Këto pretendime janë mbështetur edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila pas inspektimeve të para në terren ka gjetur mospërputhje të kohës te njehsorët elektrikë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë që të nisë hetimet dhe intervistimet në terren lidhur me funksionimin e njehsorëve të KEDS-it.

Nga ana tjetër, KEDS-i ka deklaruar se matja e energjisë është e saktë dhe ka mohuar mundësitë e manipulimit, ndonëse ka konfirmuar se qytetarët do të kompensohen nëse vërtetohet ndonjë devijim teknik.

Continue Reading

Lajmet

Programi i Energjisë në UBT sjell praktikën në fokus përmes vizitave në industri

Published

on

By

Studentët e programit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT po vazhdojnë të dëshmojnë përkushtimin e tyre drejt përgatitjes profesionale përmes aktiviteteve praktike në terren, duke realizuar një vizitë studimore në Termocentralin Kosova B – një nga asetet më të rëndësishme energjetike në vend.

E udhëhequr nga profesorët Armend Ymeri, Vehebi Sofiu, Sami Gashi dhe Nexhmi Krasniqi, kjo vizitë u mundësoi studentëve të ndërlidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me proceset reale të prodhimit dhe menaxhimit të energjisë elektrike.

Gjatë qëndrimit në termocentral, studentët u pritën nga Drejtori Ekzekutiv, Jonuz Saraçi, i cili prezantoi kapacitetet gjeneruese, funksionimin e blloqeve prodhuese dhe sfidat aktuale të sektorit energjetik, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi rëndësinë strategjike të këtij sektori për zhvillimin e vendit.

Një ndër pikat kyçe të vizitës ishte turi teknik i udhëhequr nga Inxhinieri Kryesor, Enver Shabani, përmes të cilit studentët patën mundësinë të shohin nga afër funksionimin e sistemeve të avancuara si SCADA, rrjeti i tensionit 6.3 kV, sistemet DC dhe mbrojtjet rele – elemente thelbësore për operimin e sigurt dhe efikas të impianteve energjetike moderne.

Vizita u pasurua edhe me inspektimin e transformatorëve energjetikë me kapacitet 400 MVA dhe sektorit të turbinave, ku studentët u njohën me procesin e kogjenerimit dhe rolin e tij në furnizimin me ngrohje për qytetin e Prishtinës përmes Termokos-it.

Këto aktivitete dëshmojnë qasjen praktike dhe të orientuar drejt industrisë që ofron programi i Inxhinierisë së Energjisë në UBT, duke përgatitur studentët për tregun e punës përmes përvojave reale dhe bashkëpunimeve me institucionet kyçe të sektorit.

UBT vazhdon të mbetet një nga institucionet lider në zhvillimin e profesionistëve të së ardhmes në fushën e energjisë, duke krijuar ura të forta lidhëse ndërmjet akademisë dhe industrisë.

Continue Reading

Të kërkuara