Kulturë

​Hapet ekspozita “Raffaello portertist” në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Në muret e Muzeut të Kosovës janë vendosur 14 portrete në përmasa origjinale të artistit italian, Raffaello.

Published

on

Në mesin e shumë vendeve të botës edhe në Kosovë është bërë hapja e ekspozitës “Raffaello portretist”. Në muret e Muzeut të Kosovës janë vendosur 14 portrete në përmasa origjinale të artistit italian, Raffaello. Mes teknologjisë së re dhe klasikes, kjo ekspozitë po cilësohet të jetë e nivelit ndërkombëtar.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se kjo ngjarje shënon një bashkëpunim kulturor mes Kosovës dhe Italisë, duke shtuar se është e rëndësishme që në vend po ekspozohen veprat e artistit botëror italian.

“Portretet që kemi sot këtu na sjellin dimension të paraqitjes artistike. Unë jam shumë i lumtur që si MKRS, si institucione shtetërore të kulturës edhe si Muze i Kosovës, kemi mundësi me qenë e pjesë e organizimeve të tilla dhe projekteve të rëndësishme të nivelit ndërkombëtar. Pasi që kjo është një ekspozitë lëvizëse, ka lëvizur në gjithë botën dhe do të lëvizë edhe në vende të tjera. Jemi të lumtur që jemi pjesë e një organizimi të këtillë ndërkombëtar”, ka thënë Çeku.

Zëvendësshefi i Misionit të Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero ka thënë se kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 10 tetor. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shohin këtë ekspozitë me veprat më të rëndësishme të Raffaellos.

“Si ambasadë italiane këtu në Kosovë, në Prishtinë jemi shumë të lumtur që më në fund e kemi hapur këtë ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, në bashkëpunim me muzeun dhe Ministrinë e Kulturës, ne mendojmë se hapja e kësaj ekspozite, duke respektuar të gjitha masat antiCOVID është shumë e rëndësishme, dhe kultura duhet të fillojë…, natyrisht duke respektuar të gjitha masat, që janë në fuqi dhe duke sjellë këtu një nga kryeveprat, një nga artistët më të rëndësishëm italianë Rafaelo, me këtë ekspozitë që përfshinë klasiken dhe teknologjitë e reja, është vërtet e rëndësishme”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci tha se ekspozimi i 14 portreteve në ambientet e tyre, ka rëndësi të veçantë për Muzeun e Kosovës.

“Ne me Ambasadën e Italisë kemi pasur edhe bashkëpunime të mëhershme, që besoj që këto bashkëpunime do t’i kemi edhe në të ardhmen. Ne paraprakisht biseduam me zëvendës-ambasadorin që të kemi aktivitete të përbashkëta në të ardhmen”, u shpreh ai.

Ndër portretet që bien në sy janë “Portreti i Baldassarre Castiglione” (Luvri) dhe “Portreti Zonja me njëbrirësh” (Galeria Borghese). Kjo ekspozitë është e hapur nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 18:00.

Ekspozita është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit italian të Kulturës në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Ekspozita, e cila tashmë ka ndaluar në Tunizi, Turqi dhe Finlandë, pas Kosovës do të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut. 

Lajmet

Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për propozime për Programin Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe profesionistë të tjerë të arteve pamore të aplikojnë me projektet e tyre.

Thirrja përfshin propozime për ekspozita ndërdisiplinare në fusha si piktura, skulptura, grafika, instalacioni, fotografia, videoja dhe performanca. Gjithashtu, pranohen projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.

Projektet mund të realizohen brenda ose jashtë hapësirave të Galerisë, në bashkëpunim me stafin e saj. Për aplikim janë të ftuara edhe kolektivet, organizatat dhe komunitetet kulturore, ndërsa kontratat do të lidhen me individë.

Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës: GKK Qendrore dhe GKK QAFA.

Afati i fundit për aplikim është 30 dhjetor 2026. Informacionet e hollësishme për thirrjen dhe mënyrën e aplikimit mund të gjenden përmes kanaleve zyrtare të Galerisë Kombëtare të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Restaurohet Mulliri i Cermjanit në Gjakovë, rikthehet një pjesë e trashëgimisë kulturore

Published

on

Mulliri i Cermjanit në Gjakovë është restauruar, duke rikthyer në jetë një pjesë të trashëgimisë kulturore që dëshmon traditën dhe mënyrën e jetesës së brezave të kaluar.

Përmes këtij restaurimi synohet ruajtja e vlerave historike dhe kulturore, si dhe përcjellja e tyre te brezat e ardhshëm.

Puna për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore vazhdon, me qëllim që monumentet dhe traditat që përbëjnë identitetin tonë të ruhen edhe në të ardhmen./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik” hapet në Muzeun “Marubi”

Published

on

Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.

E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.

Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.

Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.

Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.

Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara