Lajmet

​GLPS: Problematik numri i madh i lëndëve të trashëguara për korrupsion, krim të organizuar e shpëlarje të parave

‘Drejtësia Sot’ i ka dhënë edhe disa rekomandime.

Published

on

Gjykatat gjatë vitit 2021 kanë shënuar progres në shqiptimin e dënimeve plotësuese për veprat korruptive, por problematikë mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara për veprat penale korruptive, krim të organizuar dhe shpëlarje të parave kështu thotë raporti i platformës “Drejtësia Sot” me titullin “Prezantimi i raportit të monitorimit të Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë janar – dhjetor 2021”.

Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupit për Studime Juridike dhe Politike thotë se Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar numrin më të madh të dënimeve plotësuese në gjithsej 4 raste, kurse Gjykata Themelore e Ferizajt nuk ka shqiptuar këso lloj dënimi.

“’Drejtësia Sot’, përgjatë kësaj periudhe monitorimi ka vlerësuar si shumë pozitive rritjen e numrit të rasteve ku janë shqiptuar dënime plotësuese nga ana e gjykatave në nivel vendi për veprat penale të natyrës korruptive, për të cilat ‘Drejtësia Sot’ ka rekomanduar në vazhdimësi. Në këtë drejtim Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar numrin më të madh të dënimeve plotësuese që është “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, dhe atë në 4 raste, pastaj vije Gjykata Themelore në Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë me nga 2 raste, ndërkaq që Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe Prizren me nga një rast. E vetmja gjykatë në nivel vendi e cila nuk ka shqiptuar dënim plotësues gjatë kësaj kohe ishte Gjykata Themelore në Ferizaj. Si problematikë mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara për veprat penale korruptive, krim të organizuar dhe shpëlarje të parave në nivel vendi, e sidomos në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila edhe më tutje mban primatin me numrin më të madh të lëndëve të trashëguara në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Sipas saj sa i përket lëndëve të korrupsionit në vitin 2022, gjykatat e shkallës së parë kanë trashëguar 294 lëndë të kësaj natyre.

Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ajo e Mitrovicës mban primatin si gjykata që ka trashëguar më së shumti lëndë të korrupsionit të mbetura për t’u trajtuar.

“Sa i përket lëndëve të korrupsionit, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special dhe Departamenti i Krimeve të Rënda, në vitin 2021 kanë pasur në punë 214 lëndë, ndërsa kanë arritur të zgjedhin vetëm 40 lëndë të kësaj natyre, do të thotë nuk kanë arritur që të zgjedhin as 1/5 e lëndëve që e kanë pasur në punë. Gjykata Themelore në Prizren ka zgjidhur 23 nga 43 lëndë që ka pasur në punë, Gjykata Themelore në Pejë ka zgjidhur 14 nga 33 lëndët që ka pasur aktive, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka zgjidhur 13 nga 48 lëndët aktive, Gjykata Themelore në Ferizaj ka arritur të zgjidh 10 nga 24 lëndët që ka pasur në punë, Gjykata e Gjilanit ka zgjidhur 16 nga 39 lëndët aktive kurse Gjykata në Gjakovë ka arritur të zgjidh 13 nga 22 lëndët që ka pasur në punë. Nga kjo vërejmë që në raportin mes lëndë aktive dhe atyre që janë zgjidhur, Gjykata Themelore në Gjakovë ka pasur shkallë më të lartë të efikasitetit… 03’00 Në vitin 2022, gjykatave të shkallës së parë i janë trashëguar 294 lëndë të korrupsionit, duke mos përfshirë këtu lëndët e reja që do të pranohen gjatë këtij viti. Përjashtuar Gjykatën Themelore në Prishtinë, Gjykata Themelore e Mitrovicës mban primatin si gjykata që ka trashëguar dhe që ka më së shumti lëndë të korrupsionit të mbetura për t’u trajtuar”, u shpreh ajo.

Sipas ‘Drejtësia Sot’ sa i përket aktakuzave të ngritura për rastet e korrupsionit prin Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda me 29 aktakuza, ndërsa prokuroritë me numrin më të vogël të akteve akuzuese të ngritura janë PSRK dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj me vetëm nga 7 aktakuza të ngritura për korrupsion gjatë tërë vitit 2021.

Sa i përket lëndëve të krimit të organizuar, Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS u shpreh Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës mbeten gjykatat më lëndë aktive të kësaj fushe.

Kurse sa i përket rasteve me veprën penale “Shpëlarje e parave”, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata Themelore në Prizren kanë lëndë aktive të kësaj natyre.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, ajo e Pejës dhe e Mitrovicës mbeten edhe me tutje gjykatat e vetme në vend të cilat kanë aktive lëndë të krimit të organizuar. Kësisoj, gjatë vitit 2021, Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka pasur në punë 29 lëndë, ndërsa ka arritur të zgjedh vetëm 1 prej tyre, ndërsa Departamenti Special i kësaj gjykate dhe DKR-të e Gjykatës Themelore në Pejë dhe Mitrovicë nuk kanë zgjidhur asnjë rast, pavarësisht se të njëjta kanë në punë 38 lëndë që presin verdikt final nga këto institucione[…]Sa i përket rasteve me veprën penale “Shpëlarje e parave”, në bazë të monitorimit sistematik nga Drejtësia Sot rezulton se Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata Themelore në Prizren kanë lëndë aktive të kësaj natyre. Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka trashëguar 4 lëndë të kësaj natyre e nuk ka zgjidhur asnjë, ndërkaq Departamenti Special i kësaj gjykate ka trashëguar 5 lëndë të pastrimit të parave ku njëra prej të cilave ka përfunduar me aktgjykim lirues, duke mbetur kështu në punë edhe 4 lëndë të tjera. Ndërkaq, që Gjykata Themelore në Prizren në këtë drejtim ka të trashëguar një lëndë të kësaj natyre e cila ende pret epilogun përfundimtar”, tha ajo.

Liridon Salihi nga platforma “Drejtësia Sot” , u shpreh se gjatë monitorimit ka hasur në dy lloj të shkeljeve sa i përket afateve për caktimin dhe mbajtjen e seancave gjyqësore.

“Shkelja e parë ka të bëjë me mosrespektimin e afatit për caktimin e shqyrtimit fillestar, kurse shkelja e dytë për mos respektimin e afatit ligjor për caktimin dhe mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor sipas afateve ligjore. Mangësi që kanë të bëjnë me emërtimin ligjor të veprës penale dhe përshkrimin faktik të dispozitivit të akteve akuzuese: shkelje të gjykatës me rastin e pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurve, shkelja e ligjit special (lex specialis), mos arsyetimi i vendimeve gjyqësore gjatë shpalljes së aktgjykimeve, tejkalimi i afatit për shpallje të aktgjykimit, shqiptimi i gabueshëm dhe pa kohëzgjatje i dënimit plotësues, mosarsyetimi i rrethanave lehtësuese dhe rënduese, mosrespektim i procedurës së marrjes në pyetje të dëshmitarëve, mospërmbushja e detyrimit ligjor për dorëzimin e materialeve të lëndës, mos aplikimi i dënimeve plotësuese nga ana e gjykatës, mungesa e arsyetimit të vendimit për ndalimin e publikimit të identititetit të dëshmitarëve dhe të akuzuarit, parashkrimi i lëndëve gjyqësore në nivel vendi”, u shpreh Salihi.

Po ashtu sipas këtij raporti të Drejtësi Sot, Gjykata e Apelit në periudhën e raportimit janar- dhjetor 2021, ka zgjidhur gjithsej 27 lëndë të natyrës së korrupsionit ku prej tyre ka kthyer në rigjykim 10 lëndë, ka vërtetuar 13 lëndë të gjykatave të shkallës së parë dhe ka ndryshuar 4 vendime të gjykatave të shkallës së pare, ndërsa Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës sipas të dhënave zyrtare për veprat penale të natyrës korruptive ka pasur 21 lëndë në punë, të cilat gjatë kësaj periudhe kohore edhe kanë marrë vendime të formës së prerë.

‘Drejtësia Sot’ i ka dhënë edhe disa rekomandime ndër to i ka rekomanduar KGjK-së që të merren parasysh rastet kur për gjyqtarët e njëjtë brenda një periudhe të shkurtër kohore zhvillohen me shumë se një shkelje disiplinore, si rrethanë për të vendosur sanksion me të rëndë disiplinor, ndërsa, ka ftuar gjyqtarët të respektojnë afatet ligjore për caktimin, mbajtjen dhe përfundimin e seancave të shqyrtimeve gjyqësore, duke respektuar parimin e gjykimit të drejtë brenda një kohe të arsyeshme. Drejtësia Sot u ka rekomanduar prokurorëve që me rastin e ngritjes dhe përfaqësimit të aktakuzave të tregojnë profesionalizëm gjatë trajtimit të lëndëve në gjykatë, etj. 

Vendi

“Liria ka Emër” paralajmëron “Marshin për Liri” më 12 shtator në Prishtinë

Published

on

Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë “Marshin për Liri”, nën moton “Kosova po pret”.

Marshi do të mbahet katër ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet të zhvillohet seanca përmbyllëse e procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë prezantuar aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe do ta pasojnë marshin.

Hoxha ka thënë se platforma, së bashku me qytetarët, për gjashtë vjet ka kërkuar një proces të drejtë gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së. Ajo ka theksuar se mbështetja do të vazhdojë pa paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe pa ndërhyrë në procesin gjyqësor.

Sipas saj, aktivitetet nisin me një numërim mbrapsht deri më 16 shtator, i cili do të vendoset në Prishtinë dhe do të shtrihet edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Platforma ka paralajmëruar edhe aktivitetin “Netët e Lirisë”, i cili do të organizohet në shtatë zonat e UÇK-së dhe do t’i kushtohet kujtesës, historisë dhe sakrificave për liri.

Ndërkohë, Ismail Tasholli u ka bërë thirrje liderëve të katër partive kryesore shqiptare që t’i bashkohen marshit. Ai ka përmendur Albin Kurtin, Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin, duke kërkuar që të marrin pjesë jo në funksion të fushatës partiake, por “për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”.

“Liria ka Emër” ka paralajmëruar gjithashtu një aktivitet në Hagë më 16 shtator, në bashkëpunim me diasporën shqiptare.

Sipas organizatorëve, mesazhi i aktiviteteve në Prishtinë dhe Hagë do të jetë i njëjtë: “Kosova po pret”./A.K/

Continue Reading

Vendi

Përfundojnë gërmimet në Kalludër dhe Jabukë, mbetje mortore të 23 personave

Published

on

Kanë përfunduar të premten gërmimet disa javore në lokacionet Kalludër i Vogël dhe Jabukë të Zubin-Potokut, ku janë zbuluar mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave të zhdukur me forcë.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka konfirmuar përfundimin e procesit katërjavor të gërmimeve, vlerësimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore.

Sipas të dhënave të Komisionit, në një nga lokacionet e Kalludrit të Vogël janë gjetur mbetje mortore të 13 personave, në Jabukë të 4 personave, ndërsa në një lokacion tjetër në Kalludër të Vogël janë gjetur mbetje të 6 personave.

Gara ka thënë se tash pritet që mbetjet të kalojnë në ekzaminime mjekoligjore dhe procesin e identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se armatimi i konfiskuar në zonën përreth Kalludrit do të ekzaminohet, për të verifikuar nëse mund të ketë lidhje me vrasjen e 23 personave, mbetjet e të cilëve janë gjetur në këto lokacione.

Gërmimet në këtë zonë paraqesin një tjetër etapë në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe identifikimin e tyre./A.K/

Continue Reading

Vendi

Tahiri: Vdekjet e punëtorëve në KEK, dëshmi e dështimit institucional

Published

on

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka akuzuar Qeverinë në detyrë për mungesë reagimi dhe mbikëqyrjeje të kushteve të punës në institucionet dhe ndërmarrjet publike, pasi dy punëtorë të KEK-ut humbën jetën brenda tri ditësh, si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës, raporton Ekonomia Online.

Tahiri kërkoi që organet përgjegjëse të ndërmarrin veprime konkrete menjëherë.

“Më 20 gusht, Arbenit Ahmeti humbi jetën duke transportuar kabllot 6 kV. Më 16 gusht, vetëm katër ditë më herët, Haxhi Gojnovci, teknik i xehtarisë, mbeti i vdekur pranë ekskavatorit. Më 15 korrik, Milazim Binaku ndërroi jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Më 27 shkurt, Migjen Sadiku ndërroi jetë në hapësirat e Termocentralit “Kosova B”. Pas secilit prej këtyre emrave është një nënë që pret, një bashkëshorte që mbetet vetëm, fëmijë që pyesin pse babai i tyre nuk u kthye më. Janë punëtorë që shkuan në punë për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre dhe humbën jetën duke bërë punën e tyre”, shtoi ai.

Tahiri theksoi se kabineti qeveritar po sillet “sikur nuk ka asnjë përgjegjësi”.

“Qeveria nuk mund të jetë njëkohësisht menaxhuese dhe mbikëqyrëse e ndërmarrjeve publike dhe, në fund, të sillet sikur nuk ka asnjë përgjegjësi. Si është e mundur që kur flitet për rritje të prodhimit apo për progres, dalin dhe shprehin krenari, ndërsa në raste të tilla fshihen nëpër xhipa të zinj e prapa perdeve të pushtetit? Kur këto vdekje ndodhin në një ndërmarrje publike, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit, ato bëhen dëshmi e një dështimi institucional. Nëse shteti nuk arrin të mbrojë jetën e punëtorëve të vet, si mund të pretendojë se mbron jetën dhe të drejtat e punëtorëve në sektorin privat?”, tha Tahiri.

Tahiri bëri thirrje për inspektim, identifikim dhe eliminim të rreziqeve në vendet e punës, rritjen e masave të sigurisë dhe mbrojtjes për punëtorët./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjermani: Mbyllja më e fortë e bizneseve në gati 20 vjet

Published

on

Energjia e shtrenjtë, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe mungesa e pasardhësve për biznesin po çojnë në shtimin numrit të mbylljeve të bizneseve dhe falimentimeve në Gjermani.

187.744 sipërmarrje në Gjermanindërprenë gjatë vitit të kaluar aktivitetin e tyre, duke shënuar numrin më të lartë të mbylljevenë pothuajse 20 vjet. Krahasuar me vitin pararendës, ky numër u rrit me gati 10 për qind. Këto janë të dhënat e analizës së përbashkët vjetore të agjencisë së informacionit ekonomik Creditreform dhe Qendrës Leibniz për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) në Mannheim.

Sipas analizës dinamika e krizës po përhapet tashmë në të gjitha fushat, përfshirë edhe gastronominë apo sektorin e shëndetësisë. Dhe ndryshe nga vitet e mëparshme tani po e ndërpresin aktivitetin e tyre edhe kompani që, në fakt, janë ekonomikisht të shëndosha dhe të qëndrueshme.

Gastronomia dhe hoteleria

Në analizë thuhet se rritja më e fortë e numrit të mbylljeve të bizneseve u regjistrua në sektorin e gastronomisë dhe të hotelerisë. Në vitin 2025 mbyllën aktivitetin e tyre rreth 15.000 restorante, kafene dhe sipërmarrje akomoduese, që përbën 15 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024.

Që nga 1 janari 2026 në gastronominë gjermane zbatohet një normë e reduktuar TVSH-je prej 7 për qind për ushqimet. Por “ulja e TVSH-së për të mbështetur sektorin e gastronomisë në krahasim me degët e tjera, duket se nuk ka arritur ta zbusë gjendjen e vështirë në këtë sektor”, thuhet në analizë.

Përkeqësim i gjendjes në sektorin e shëndetësisë

Në sektorin e shëndetësisë vazhdoi prirja negative që po vërehet prej rreth dhjetë vitesh: numri i mbylljeve të sipërmarrjeve në këtë fushë, arriti në rreth 11.000 raste, dhe  është tashmë rreth dy herë më i lartë se në vitin 2008.

Vetëm gjatë vitit të kaluar mbyllën aktivitetin e tyre afërsisht 5.500 klinika mjekësore,  pra rreth 23 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024. Shpesh arsyeja është se mjekët dalin në pension dhe nuk arrijnë të gjejnë dikë që të marrë përsipër dhe të vazhdojë drejtimin e klinikës së tyre.

Edhe industria u godit rëndë

Në sektorin industrial ndërprenë aktivitetin e tyre rreth 11.000 ndërmarrje, që do të thotë 10 për qind më shumë mbyllje krahasuar me një vit më parë.

Eksperti i Creditreform, Patrik-Ludwig Hantzsch, e quajti rritjen e numrit të falimentimeve si një “darë krize” që po e “kap dhe dëmton ekonominë gjermane nga dy anë”: nga njëra anë trazirat gjeopolitike, si lufta me Iranin ose tarifat doganore amerikane, dhe nga ana tjetër çmimet e larta të energjisë dhe burokracia e madhe brenda vendit.

Studiuesja e ZEW-së, Sandra Gottschalk, thekson se vetëm 13 për qind e afro 190.000 mbylljeve të regjistruara gjatë vitit të kaluar ishin si pasojë falimentimi. Sipas saj shumica e bizneseve mbyllen pothuajse pa u vënë re, pa procedura formale falimentimi dhe pa tërhequr vëmendje të madhe publike./A.K/

Burimi:DW

 

Continue Reading

Të kërkuara