Sport

​Gjonbalaj: Problemet në Kombëtare nuk zgjidhen me trajnerin e ri, duhet strategji zhvillimore

Gjonbalaj thotë se ka pasur zhvillime pozitive brenda Kombëtares së Kosovës, por që në vitin e fundit pati ngecje dhe rezultate negative.

Published

on

Ish-futbollisti i njohur, Malsor Gjonbalaj ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës që të bëjë kujdes në përzgjedhjen e trajnerit të ri të Kombëtares. Sipas tij, përzgjedhësi i ri duhet të ketë njohuri për mentalitetin e skuadrës si dhe të kontribuojë në zhvillimin e një strategjie që do të çonte përpara futbollin e Kosovës.

Gjonbalaj thotë se ka pasur zhvillime pozitive brenda Kombëtares së Kosovës, por që në vitin e fundit pati ngecje dhe rezultate negative, që sollën edhe shkarkimin e trajnerit.

“Nuk i kisha ndarë paraqitjet e Kombëtares vetëm në këtë vit sepse ajo ka qenë një vazhdimësi, një periudhë e vazhdueshme prej konsolidimit të saj. Unë mendoj që ka pasur shumë zhvillime pozitive, por që së fundmi, sidomos vitin e fundit ose periudhën e fundit kishte ngecje, kishte disa probleme të cilat rezultuan edhe me largimin e trajnerit të Kosovës. Mbetet një punë e madhe për t’u bërë kryesisht në përzgjedhjen e trajnerit i cili duhet të jetë për mendimin tim një profil që e njeh mirë mentalitetin tonë dhe e cili do të kalojë më shumë kohë në Kosovë në kuptimin që ta analizojë më mirë Ligën e Kosovës, futbollin e Kosovës dhe në këtë aspekt të kontribuojë me idetë e tij në zhvillimin e një strategjie përparimtare për futbollin e Kosovës në përgjithësi”, tha fillimisht Gjonbalaj.

Gjonbalaj bën thirrje që drejtuesit e FFK-së nuk duhet të përjashtojnë emrat e trajnerëve vendorë kur të marrin vendimin për trajnerin e ri, por tërhoqi vëmendjen që problemi nuk qëndron vetëm te trajneri.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për hartimin e një strategjie zhvillimore afatgjate në mënyrë që pastaj secili trajner që do të jetë në krye të ekipit të ketë një bazë për ta rritur dhe zhvilluar pikërisht atë strategji.

“Ne duhet të luftojmë që të sjellim cilësi në radhë të parë, edhe futbollistë cilësorë edhe trajnerë cilësorë, prandaj në këtë aspekt unë mendoj që duhet të mendohet që të sillet një trajner shumë cilësor i cili do të mund të kontribuonte, por në të njëjtën kohë absolutisht të mos anashkalohen edhe trajnerët kosovarë oshe shqiptarë. Unë mendoj që kemi kualitete edhe të trajnerëve shqiptarë të cilët mund të udhëheqin, por nuk mendoj se është ky problemi i zgjedhjes së një trajneri. Mendoj që problemi është, ose në fakt si do të duhet të përparohej futbolli i Kosovës dhe të eliminohet ky problem është në krijimin e një strategjie zhvillimore e cila do të ishte disavjeçare dhe në kuadër të kësaj edhe nëse trajnerët ndryshohen, cilido që vjen do të ketë një bazë strategjike të mirë dhe në skuadër të kësaj do të mund ta plotësonte, qoftë me futbollistë të rinj, qoftë me ide për të zhvilluar futbollin e të rinjve në Kosovë në mënyrë që Kombëtarja të prosperonte”, ka thënë më tutje Gjonbalaj.

Gjonbalaj komentoi edhe shortin e Kosovës në Ligën e Kombeve për të cilin tha se nuk pajtohet aspak me të tjerët që e konsiderojnë si një grup të lehtë sepse skuadra si Greqia dhe Irlanda e Veriut janë kundërshtarë shumë të fortë dhe nevojitet një punë e përbashkët për t’u treguar të suksesshëm në këtë kompeticion.

“I kam parë shumë komente të cila thonë që grupi nuk është shumë i fortë e kështu me radhë. Unë mendoj që e kanë gabim, Irlanda nuk është skuadër që duhet të nënçmohet, madje as Greqia pavarësisht që kemi luajtur me ta. Prandaj nuk janë ekipe këto të dobëta, duhet punë e madhe në mënyrë që ta kalojmë këtë grup, prandaj nuk e shoh si një grup të lehtë, do të varet shumë nga ana jonë, nga puna jonë si dhe në të njëjtën kohë do të varet shumë se futbollistët tanë që luajnë në klubet evropiane a do ta kenë minutazhën e plotë apo jo, a do të jenë në formë apo jo. Pra janë disa faktorë të cilët ndërlidhen me rezultatet pozitive dhe këtu nëse njëra prej këtyre hallkave dështon, më pas sukseset do të mungojnë”, theksoi Gjonbalaj.

Trajneri Gjonbalaj gjithashtu vlerësoi lartë nivelin e Superligës së Kosovës duke thënë se po zhvillohet një kampionat shumë cilësor, përkundër mungesës së infrastrukturës e cila vazhdon të mos jetë në nivelin e duhur. Ai kërkoi më shumë përgjegjësi nga skuadra që shpallet kampione që ta përfaqësojë sa më denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Sport

UEFA ashpërson tonet ndaj FIFA-s: “Nuk mund ta përdorë futbollin për të pasuruar veten dhe miqtë e saj”

Published

on

By

Konfederata Evropiane e Futbollit ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj planeve të FIFA-s për të lejuar investime private në garat kryesore të futbollit botëror, përfshirë Kupën e Botës, duke akuzuar organin qeverisës të futbollit se po e përdor sportin për interesa financiare.

Në një komunikatë të re, UEFA pretendon se FIFA u ka vendosur federatave anëtare një afat për të mbështetur propozimin e saj, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, mund të humbasin një pagesë të njëhershme financiare.

“Sot mësuam për afatin që FIFA u ka vendosur federatave për të mbështetur propozimin e saj ose për t’u përballur me tërheqjen e pagesës së njëhershme. Kjo tregon gjithçka që duhet të dini për këtë plan”, thuhet në reagimin e UEFA-s.

Sipas konfederatës evropiane, pas konsultimeve me federata, liga, klube dhe aktorë të tjerë të futbollit, është konstatuar se kundërshtimi ndaj projektit të FIFA-s po rritet.

“Pas diskutimeve me shumë palë të interesuara në futboll, UEFA e di se ekziston një kundërshtim i konsiderueshëm dhe në rritje ndaj kësaj skeme. FIFA nuk mund të vazhdojë ta përdorë sportin tonë për të pasuruar veten dhe miqtë e saj”, thuhet më tej në deklaratë.

UEFA thekson se zhvillimi i futbollit duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe në interes të të gjithë komunitetit të këtij sporti.

“Ne mund ta zhvillojmë lojën në mënyrën e duhur. Ka ardhur koha që përparësi t’u jepet federatave, klubeve, ligave, lojtarëve dhe tifozëve, e jo interesave të ngushta financiare”, përfundon komunikata e UEFA-s.

Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s është intensifikuar ditët e fundit, pasi organi qeverisës i futbollit botëror synon të krijojë një njësi të re tregtare, ku investitorët privatë do të kenë mundësi të blejnë aksione në kompeticionet më të rëndësishme të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës.

D.L

Continue Reading

Sport

Neymar i jep fund aventurës me Brazilin: “Koha ime me kombëtaren ka përfunduar”

Published

on

By

Neymar ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga Kombëtarja e Brazilit, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë dhe të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare.

Ylli i Santosit njoftoi vendimin pas një fushate zhgënjyese të Brazilit në Kupën e Botës 2026, ku “Seleçao” u eliminua në fazën e 1/8 së finales nga Norvegjia, nën drejtimin e trajnerit Carlo Ancelotti.

Sulmuesi brazilian shfrytëzoi rastin për t’iu përgjigjur edhe raportimeve të fundit në media, sipas të cilave ai kishte pasur sjellje të papërshtatshme ndaj futbollistëve më të rinj në dhomën e zhveshjes së Santosit. Neymar i hodhi poshtë këto pretendime dhe u përqendrua te trashëgimia e tij me fanellën e Brazilit.

Duke reflektuar mbi karrierën e tij me kombëtaren, 34-vjeçari theksoi se nuk ka asnjë pendesë për kontributin e dhënë dhe se gjithmonë ka luajtur me përkushtim maksimal për fanellën e verdhë.

“Koha ime me kombëtaren ka përfunduar. Kam bërë histori, kam qenë shumë i lumtur, kam dhënë gjakun dhe jetën time. Gjithmonë kam luftuar për këtë fanellë, por tani nuk dua më”, deklaroi Neymar.

Vendimi i tij shënon fundin e një epoke për futbollin brazilian. Neymar largohet si golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Brazilit dhe një prej figurave më të rëndësishme të saj gjatë më shumë se një dekade.

Pas mbylljes së aventurës ndërkombëtare, sulmuesi pritet të përqendrohet te karriera në nivel klubesh me Santosin, skuadrën ku nisi rrugëtimin e tij profesional.

Momenti i lamtumirës ishte veçanërisht emocional në “MetLife Stadium” në New Jersey, ku Neymar u pa duke qarë pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës. Pavarësisht se realizoi një penallti në sekondat e fundit të takimit, ish-ylli i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain nuk arriti ta fshihte zhgënjimin, pasi rrugëtimi i tij 16-vjeçar me kombëtaren përfundoi në mënyrën më të dhimbshme.

D.L

Continue Reading

Sport

Hasan Hyseni transferohet në Kirgistan

Published

on

By

Futbollisti kosovar Hasan Hyseni ka bërë një lëvizje të veçantë në karrierën e tij, duke u transferuar në futbollin e Kirgistanit.

Sulmuesi anësor, i cili në vitet e fundit është renditur ndër lojtarët më të spikatur në pozitën e tij në futbollin kosovar, ka nënshkruar kontratë me skuadrën FC Asia.

Lajmi është konfirmuar nga klubi kirgiz, i cili ka mirëpritur afrimin e futbollistit nga Mitrovica.

“Jemi të kënaqur të mirëpresim një sulmues të ri nga Kosova në ekipin tonë. I urojmë Hysenit ndeshje emocionuese, paraqitje të sigurta, gola të bukur dhe shumë fitore me ekipin tonë. Urojmë që kjo fazë të jetë e suksesshme si për lojtarin ashtu edhe për klubin”, ka shkruar FC Asia në njoftimin zyrtar.

FC Asia konsiderohet një nga klubet më të mira të kampionatit të Kirgistanit. Aktualisht, skuadra ndodhet në pozitën e pestë në tabelë me 33 pikë të grumbulluara pas 16 ndeshjeve, ndërsa lideri i kampionatit ka 38 pikë.

Hyseni pritet të jetë në dispozicion të ekipit të ri dhe mund të bëjë debutimin e tij që në fundjavë.

D.L

Continue Reading

Sport

Real Madridi pranë transferimit të Yan Diomandes, zyrtarizimi varet nga një lëvizje e Leipzigut

Published

on

By

Real Madridi është shumë pranë finalizimit të një tjetër transferimi të rëndësishëm në merkaton e verës. Mbrojtësi Yan Diomande pritet të bëhet përforcimi më i ri i “Los Blancos”, ndërsa marrëveshja mes palëve ka hyrë në fazën përfundimtare.

Sipas gazetarit Fabrizio Romano, transferimi nuk është zyrtarizuar ende vetëm për shkak se RB Leipzig po punon për të gjetur një zëvendësues të menjëhershëm për mbrojtësin. Klubi gjerman dëshiron ta konfirmojë largimin e Diomandes vetëm pasi të ketë siguruar afrimin e një futbollisti tjetër për ta plotësuar boshllëkun në repartin defensiv.

Romano thekson se marrëveshja mes Real Madridit dhe Leipzigut është arritur tashmë në të gjitha aspektet, ndaj nuk ekzistojnë pengesa reale që mund ta rrezikojnë transferimin. Zyrtarizimi pritet të ndodhë sapo klubi gjerman të përfundojë lëvizjen e tij në merkato.

Për Diomanden kishte shfaqur interes serioz edhe Paris Saint-Germain, i cili për një kohë konsiderohej favorit për nënshkrimin e mbrojtësit. Megjithatë, ndërhyrja e Real Madridit ndryshoi rrjedhën e negociatave, duke bërë që klubi francez të tërhiqej nga gara për transferimin e lojtarit.

Me PSG-në tashmë jashtë garës, “Los Blancos” pritet ta zyrtarizojnë shumë shpejt afrimin e Yan Diomandes. Pas mbylljes së kësaj marrëveshjeje, drejtuesit e klubit madrilen do ta përqendrojnë vëmendjen te objektivi i radhës në merkato, mesfushori spanjoll Rodri.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara