Në seancën gjyqësore lidhur me rastin “Banjska”, dëshmoi Elez Peci, koordinator në Stacionin Policor të Zveçanit. Ai rrëfeu me emocione ngjarjet e natës së 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Si zyrtar policor ndjehem shumë i lënduar shpirtërisht me humbjen e rreshterit Bunjaku. Edhe pse fizikisht nuk kam pësuar lëndime, emocionalisht ndjehem si palë e lënduar,” tha Peci në sallën e gjykatës.
Ai kujtoi se ndërrimi kishte filluar më 23 shtator në orën 19:00 dhe do të përfundonte në orën 07:00 të mëngjesit. Gjatë patrullimit, përmes radio-lidhjes, u raportua për dy kamionë që kishin bllokuar hyrjen e fshatit Banjskë. Peci ishte pjesë e ekipit që ndërmori veprime së bashku me rreshterin Bunjaku.
Gjatë rrugës drejt Banjskës, ata kishin ndaluar një veturë, në të cilën gjetën një antenë të radio-lidhjes policore. Më pas, u nisën drejt vendit ku pritej përshkallëzimi i situatës.
Kur arritën në Banjskë, policët parkuan automjetet rreth 20 metra larg kamionëve dhe vazhduan në këmbë. “Rruga ishte e ndriçuar në mënyrë të pazakontë, më ngjalli dyshime dhe u thashë kolegëve të shpërndahen, se mund të jetë kurth. Menjëherë pas kësaj ndodhi një përballje shumë e rëndë,” tha ai.
Peci përshkroi të shtënat që vinin nga drejtime të shumta dhe armë të kalibrave të ndryshëm. Sipas tij, sulmi kishte karakter ushtarak dhe ishte i organizuar në mënyrë të sofistikuar.
Në dëshminë e tij, ai rrëfeu momentin kur u plagos rreshteri Bunjaku dhe përpjekjet për ta shpëtuar. “Kur e kam kapur për ta tërhequr, duart më janë nxehur nga gjaku. Ishte një moment i rëndë. E kam vendosur në veturë dhe ia kam larguar anti-plumbin, i cili ishte depërtuar nga predha.”
Peci shtoi se gjuajtjet nuk u ndalën as gjatë përpjekjes për tërheqjen e trupit të Bunjakut. Ai e quajti sulmin një akt të mirëplanifikuar, duke theksuar se armët e përdorura nuk mund të ishin të siguruara në mënyrë të zakonshme.
“Sulmi ishte i natyrës ushtarake, me armë të rënda dhe me pozicione të koordinuara. Nuk kam përjetuar kurrë një situatë të tillë. Armatimi ishte i sofistikuar dhe kjo flet për mbështetje të drejtpërdrejtë nga Serbia,” përfundoi Peci.