Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se fillimisht do të shohin se si po shkon seanca marr parasysh lëvizjet e fundit që kanë ndodhur.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sot në përpjekjen e dymbëdhjetë për konstituimin e institucionit ligjvënës.
Derisa partitë politike nuk po arrijnë marrëveshje, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes partisë që doli e para në zgjedhje (koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa) dhe të tjerave (PDK, LDK dhe AAK), lidhur me emrin e kryetarit të Kuvendit. Kjo situatë ka bërë që 11 seanca të mëparshme të dështojnë.
Për të zhbllokuar situatën, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i ‘shtrirë dorën’ për bashkëpunim dhe duke propozuar hyrjen në një koalicion qeverisës.
Ndërkaq, Abdixhiku i është përgjigjur Kurtit gjatë ditës së djeshme përmes një letre, në të cilën propozon formimin e një qeverie tranzicionale me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në vend.
Limaj i pyetur nëse do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku tha shkurt se prej fillimit janë deklaruar pro takimeve.
“Të shohim se si po shkojnë zhvillimet në seancë, a ka lëvizje, të shohim çfarë lëvizje. Nuk do të thotë se të gjitha lëvizjet shkojnë në drejtim të duhur por megjithatë ka një lëvizje… Ka pasur letra prej pardje, ka pasur komunikime me letra… E kemi thënë prej fillimit, jemi për takime”, tha ai para fillimit të seancës konstituive.
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj theksoi se do ta jap një deklarim më të gjatë për medie pas përfundimit të seancës.