Lajmet

​Gashi: Qeveria Kurti s’duhet të vazhdojë, në vjeshtë presim situatë të re

Gashi tha se do të shohin a do të ketë edhe deputetë të LVV-së që do të votojnë mocionin e mosbesimit në vjeshtë.

Published

on

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi paralajmëroi sot veprime për rrëzimin e qeverisë Kurti në vjeshtë.

Pas shkuarjes në pushim veror të Kuvendit, Gashi tha se Kosova nuk mundet ta përballojë një qeverisje të tillë, siç tha me skandale të njëpasnjëshme dhe nën sanksione ndërkombëtare.

“Sesioni pranveror përfundoi me turp, ashtu siç filloi. Ky sesion dhe kjo qeverisje karakterizohet nga paaftësia, por edhe nga kapja e shtetin, shkeljet kushtetuese. Karakterizohet edhe nga skandale të vajit apo skandalit “zdravo. Po ashtu edhe me korrupsion masiv dhe mbi të gjitha si qeverisje e shkeljeve kushtetuese. Duke ia shtuar kësaj edhe elemente të tjera, si qeveri e sanksioneve ndërkombëtare dhe qeveri e ekskomunikimin ndërkombëtar. Kosova nuk mundet me përballu një qeverisje të tillë dhe nuk duhet të përballojë një qeverisje të tillë. Paaftësia e menaxhimit me Kuvendin, paaftësia e menaxhimit me qeverinë, krimi, korrupsioni, shkeljet kushtetuese janë dëme të mëdha që po i bëhen Kosovës, prandaj ne presim që në vjeshtë të kemi në situatë komplet të re, pasi kjo qeveri nuk duhet të vazhdojë”, tha ai para mediave.

Megjithatë, Gashi tha se do të shohin a do të ketë edhe deputetë të LVV-së që do të votojnë mocionin e mosbesimit në vjeshtë.

“Do të shohim a do të ketë brum edhe brenda LVV-së në vjeshtë që do të dalin dhe do të votojnë një mocion për me rrëzu qeverinë. Përndryshe është e pamundur, duhet me pas njerëz edhe nga brenda LVV-së që do të rrëzojnë qeverinë”, shtoi Gashi.

Ai kritikoi pushtetin se qëllimisht sot e dështuan seancën për t’ia pamundësuar opozitës të diskutojë për “skandalet e qeverisë Kurti”.

“Qëllimisht nuk i kanë mbledhur deputetët pasi ata kanë qenë dje në seancë. Qëllimi ka qenë për t’ia pamundësi Kuvendit për të diskutuar për skandalin e fundit që është ai i “zejtinit” pas atij “zdravo”. Ka pas një ide që sot në Kuvend të diskutohet për audio-incizimet e publikuara në lidhje me komunikimin me një person në kërkim ndërkombëtar. Duke e ditë se do të ketë zhvillime në aspektin e diskutimit, pasi s’ka pas indice se do të ketë eskalime të dhunës apo diçka tjetër. Pasi është deklaruar në kryesi se nuk do të ketë eskalime të dhunës, por vetëm diskutime dhe kërkim sqarime. Si duket LVV-ja ka preferuar heshtjen dhe ikjen nga përgjegjësia institucionale në këtë rast”, përfundoi Gashi.

Lajmet

Rama akuzon LVV-në për sabotim të pastrimit: “Me votën tuaj e latë Prishtinën në bërllog”

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka sabotuar pastrimin e kryeqytetit, pas dështimit të themelimit të kompanisë komunale “Pastrimi”.

Rama ka kritikuar asamblistët që votuan kundër themelimit të kompanisë, duke thënë se me votën e tyre “e latë qytetin në bërllog”.

Ai ka reaguar edhe ndaj sjelljes së asamblistëve gjatë seancës, duke e cilësuar vendimin si të pakuptimtë dhe duke thënë se një veprim i tillë është “të punosh kundër vetëvetes”.

Në fund, Rama ka ironizuar vendimin e asamblistëve duke shkruar: “Seriozisht, jeni për studim!”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ka dështuar sërish përmbyllja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Published

on

Procesi sërish ka mbetur te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Votimi për nënkryetar u vendos të bëhet veç e veç. Në votim, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, ndërkohë, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk arriti të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare, pasi deputetët e LVV-së abstenuan.

Pas këtij procesi, deputetët e PDK-së lëshuan sallën.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ndërpreu punimet, ndërsa për seancën e radhës tha se do të votojë më vonë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja pritet t’i japë Ukrainës 6.1 miliardë euro shtesë për mbrojtjen

Published

on

Bashkimi Evropian pritet t’i ofrojë Ukrainës 6.1 miliardë euro ndihmë shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Financimi është pjesë e paketës së huasë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, e cila përfshin 28.3 miliardë euro për ndihmë ushtarake dhe 16.7 miliardë euro për mbështetje buxhetore.

Për të mundësuar blerjen e sistemeve “Patriot”, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, BE-ja do të heqë kërkesën që pajisjet të jenë të prodhuara brenda Evropës. Përjashtimi do të vlejë edhe për disa dronë që përdorin komponentë kinezë.

Shuma prej 6.1 miliardë eurosh përbën këstin e fundit të fondit prej 28.3 miliardë eurosh të dedikuar për mbrojtjen. Deri më tani, Ukrainës i janë transferuar 8.35 miliardë euro për këtë qëllim.

Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se avantazhi ushtarak i Ukrainës varet nga sigurimi i shpejtë i pajisjeve kritike në sasitë dhe afatet e nevojshme.

Sipas tij, përshpejtimi i dërgesave përmes përdorimit të rezervave ekzistuese, rishikimit të prioriteteve të porosive dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese është thelbësor.

Ndihma e re vjen në kohën kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa aleatët po përpiqen të rrisin furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore përpara dimrit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bajrami: Puna e parë në Kuvend do të jetë kriminalizimi i shkeljes së Kushtetutës

Published

on

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se një nga veprimet e para të Kuvendit do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.

Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Bajrami ka shkruar në Facebook se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.

“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kritikuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “mashtrues” dhe e ka akuzuar se po synon ta rrënojë shtetin.

“Ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara