Lajmet

​Finalizohet strategjia e rishikimit funksional të drejtësisë

Published

on

Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial, kanë finalizuar strategjinë e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë. Ky akt u konsiderua si fuqizim i sundimit të ligjit që fokus të veçantë do të ketë luftën kundër korrupsionit dhe procesin e Vettingut.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi përmes një konference për medie tha se me këtë plan po ndodh reforma në drejtësi, e cili do t’i mbrojë gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm.

“Pas shumë viteve punë, reforma në drejtësi po ndodh. Po ndodh sot, pasi është finalizuar strategjia e rishikimit funksional. Sot kemi përpiluar planin pesëvjeçar të rishikimit pozitiv në sistemin e drejtësisë, fuqizimit të sistemit të drejtësisë dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Një plan që do t’i mbrojë gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm, do t’i mbrojë ata që çdo ditë e sjellin drejtësinë në Kosovë. Suksesi dhe rezultatet e tyre na kanë bërë të jemi të parët në shtetet fqinje në sundim të ligjit”, tha ai.

Ndërsa, Bahri Hyseni nga Këshilli Prokurorial tha se rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë do të ketë objektiva kryesore fuqizimin e gjyqësorit, prokurorisë dhe fuqizimin e drejtësisë penale dhe qasjen në drejtësi.

“Fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial ka qenë objektiv kryesor i Ministrisë së Drejtësisë dhe akterëve tjerë që kanë marrë pjesë. Fuqizimi i sistemit të drejtësisë penale, një prej segmenteve shumë të rëndësishme. Pastaj i qasjes në drejtësi si një prej komponentëve kryesor dhe fuqizimi i luftës antikorrupsion për të cilën për çdo ditë po bëjnë të rrisim nivelin e angazhimit”, u shpreh ai.

E zbatim praktik të kësaj strategjie kërkoi kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, i cili tha se për të njëjtën duhet edhe ndarje buxhetore për realizimin e saj.

“Ky dokument duhet të jetë i zbatueshëm dhe praktik. Të ketë objektiva dhe aktivitete të qarta të zbatueshme. Duke ditur rëndësinë e kësaj strategjie, është e një rëndësie të veçantë që të ndahen mjetet buxhetore për realizimin e saj”, tha ai.

Hartimin e strategjisë të rishikimit funksional të drejtësisë e përkrahën dhe përshëndetën ambasadat e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe në Prishtinë, si dhe Zyra e BE-së.

Lajmet

Përfundon seanca fillestare për caktimin e paraburgimit ndaj Fatmir Shehollit

Published

on

By

Përfundon seanca fillestare për caktimin e paraburgimit ndaj Fatmir Shehollit

Sot u mbajt seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Fatmir Shehollit, ku pritet të caktohet masa e paraburgimit.

Sheholli u arrestua më 9 tetor 2025 nga Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë nën dyshimet se ishte i përfshirë në spiunazh.

Gjykata Themelore në Prishtinë do të lëshojë vendimin.

Sheholli është arrestuar në rajonin e Prishtinës nga hetuesit policorë të Drejtorisë për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në Policinë e Kosovës. Ai fillimisht u ndalua për 48 orë dhe autoritetet kryen bastisje në vendbanimin e tij “me qëllim të sigurimit të provave të tjera materiale”.

Për arrestimin e Shehollit shkroi të enjten ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Fatmir Sheholli, zyrtarisht përfaqësues i shoqërisë civile nga Instituti për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, është përfolur në media për lidhje me Serbinë. Në vitet ’90, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ai ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë (UDB)./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

Pas konstituimit të Kuvendit, pritet formimi i Qeverisë së re

Published

on

By

Pas tetë muajsh bllokadë institucionale, Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, duke i hapur rrugë fazës së radhës, formimit të Qeverisë së re.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet të mandatojë koalicionin fitues të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, për krijimin e kabinetit qeveritar. Sipas Kushtetutës, kandidati për kryeministër ka 15 ditë kohë për të paraqitur përbërjen e Qeverisë dhe për të kërkuar miratimin në Kuvend.

Megjithatë, Vetëvendosje, me 48 ulëse në Kuvendin prej 120 deputetësh, nuk e ka shumicën e nevojshme për të qeverisur pa partner koalicioni. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se partia është e hapur për bashkëpunim me subjektet e tjera, përveç Listës Serbe.

Nëse brenda afateve ligjore nuk arrihet të formohet Qeveria, Presidentja Osmani ka detyrimin të ftojë partitë për konsultime. Në rast se dështon edhe përpjekja e dytë, vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.

Konstituimi i Kuvendit ndodh vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit./D.B/UBTNews

Continue Reading

Lajmet

Begaj: Valës së ndryshimit demografik duhet t’i paraprijmë me strategji afatgjata

Published

on

By

“Valës së ndryshimit demografik duhet t’i paraprijmë me strategji afatgjata dhe politika të mirëmenduara e të koordinuara”, deklaroi sot presidenti Bajram Begaj para akademikëve nga Shqipëria dhe Kosova, të mbledhur në Tiranë për një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit: ndryshimet demografike dhe dinamikën e tregut të punës.

Begaj u shpreh se zhvillimet e tanishme dhe ato të pritshme demografike prekin themelet e shoqërisë sonë: sigurinë, familjen, punësimin, mirëqenien dhe perspektivën zhvillimore, shkruan ATSH.

Kreu i Shtetit bëri thirrje për zbatimin me përpikëri e pa vonesa të këtyre strategjive dhe politikave për të shmangur pasojat.

“Parashikimet pesimiste dhe aktualiteti shqetësues demografik tregojnë se nëse vonohemi apo gabojmë sot, nuk do të kemi një mundësi të dytë nesër”, tha ai.

Duke analizuar pasojat në tregun e punës, Presidenti Begaj theksoi se nga njëra anë mungon fuqia punëtore aktive, nga ana tjetër papunësia e të rinjve mbetet e lartë.

“Kjo kontradiktë, mungesë punëtorësh dhe papunësi, njëkohësisht, është një paradoks që kërkon politika të reja, vizionare e afatgjata. Ndërkohë, ka kërkesa të mëdha për punonjës me aftësi të reja në teknologji, informacion, në shërbime të specializuara dhe inovacion. Ky është një ndryshim strukturor që kërkon përgjegjësi në menaxhim, që zhvillimi të ruajë karakterin social dhe kohezionin kombëtar”, u shpreh Begaj.

Veç pasojave të drejtpërdrejta në tregun e punës, Presidenti i Republikës nënvizoi dhe sfidat të tjera serioze që lidhen me ekonominë në tërësi dhe sigurinë kombëtare.

“Ato sjellin uljen e bazës ekonomike dhe tatimore të shtetit, uljen e aftësisë prodhuese të fuqisë punëtore dhe mbingarkojnë sistemet e pensioneve e shëndetësisë. Shpopullimi i zonave rurale dhe kufitare dëmton kohezionin social dhe kontrollin territorial, ndërsa emigracioni i të rinjve zvogëlon kapitalin njerëzor dhe kapacitetin mbrojtës të vendit”, deklaroi Presidenti i Republikës.

Duke vlerësuar faktin se në Shqipëri e Kosovë ka strategji dhe politika të efektshme për rritjen e lindshmërisë, përmirësimin e cilësisë së jetës, kujdesin ndaj të moshuarve, si dhe integrimin e faktorëve demografikë në planifikimin ekonomik kombëtar, Presidenti Begaj theksoi se vëmendje i kushtohet edhe aftësimit të fuqisë punëtore, riintegrimit të qytetarëve të rikthyer nga emigracioni, frenimit të braktisjes së zonave rurale dhe përdorimit të Diasporës për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm në vend.

Presidenti Begaj e cilësoi prioritet bashkëpunimin në të gjitha fushat mes Shqipërisë e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, pasi vlerësoi se vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen më shumë mundësi, më shumë qëndrueshmëri dhe më shumë shpresë për të rinjtë tanë.

“Ne kemi nevojë për një treg më të bashkuar dhe më të koordinuar, që i gjithë rajoni të bëhet më tërheqës për investime dhe projekte të përbashkëta zhvillimi. Në këtë kontekst, procesi i integrimit evropian mbetet rruga më e qëndrueshme për zhvillim afatgjatë dhe zbut disa nga shkaqet e emigracionit”, deklaroi Presidenti i Republikës./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

Gjuajtje me armë në Vranjefc, i dyshuari i ikë sërish policisë

Published

on

By

Policia e Kosovës sot ka shtënë me armë drejt një personi të kërkuar, i cili sot në lagjen e “Kodra e Trimave” ka tentuar dhe ka ikur nga policia dhe ka shkaktuar një aksident.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Enis Pllana.

Sot, rreth orës 12:00, në rrugën “Fahri Fazliu”, zyrtarët e Njësisë për Realizimin e Urdhëresave kanë tentuar të ndalojnë personin e kërkuar L.K. (1996) derisa ishte në një veturë në rrugën e sipërshënuar. I dyshuari ka refuzuar urdhrat policorë dhe ka arritë të largohet duke rrezikuar zyrtarët, njëri nga të cilët në përpjekje për ta ndaluar të dyshuarin ka përdorë edhe armën zyrtare. Personi i dyshuar ka arritë të largohet duke  shkaktuar një aksident trafiku me të lënduar dhe dëme materiale. Lidhur me rastin janë njoftuar institucionet kompetente”, tha ai./D.B/EO

Continue Reading

Të kërkuara