Sport

​FFK dhe FIFA premtojnë mbështetje për klubet e prekura nga vërshimet

Përveç stadiumeve, nga vërshimet janë dëmtuar edhe palestra dhe salla të ndryshme sportive.

Published

on

Mbi 300 mijë euro po vlerësohet dëmi i shkaktuar në dy stadiume të Kosovës, atë “18 Qershori” në Klinë dhe “Bajram Aliu” në Skenderaj, nga vërshimet e fundit që prekën disa komuna të Kosovës.

Për të dalë nga kjo gjendje e rënduar, drejtuesit e klubit të futbollit Dukagjini dhe ata të klubit të futbollit Drenica kanë kërkuar ndihmën e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Federatës së Futbollit.

Kjo e fundit ka premtuar mbështetje direkte për të gjitha klubet që janë prekur nga këto vërshime dhe se për këtë tashmë janë duke u bërë vlerësimet e nevojshme.

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodaj ka thënë se në këtë gjendje emergjente FFK së bashku me UEFA-në dhe FIFA-në do t’iu dalin në ndihmë klubeve.

“Federata e Futbollit si në vazhdimësi që është përkrah klubeve, posaçërisht në këtë situatë emergjente, menjëherë kryetari ka shkuar me një komision e ka verifikuar këtë gjendje të jashtëzakonshme që ka ndodhur me dëmtimin e këtyre stadiumeve. Po, iu konfirmoj që do të mbështeten nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe besoj që edhe UEFA dhe FIFA do të na ndihmojnë në këtë drejtim që për shkak se ka qenë situatë emergjente ka qenë një vis major apo gjendje e jashtëzakonshme dhe në rrethana të tilla gjithmonë ne i mbështesim anëtarët dhe do t’i mbështesim edhe në përmirësim të infrastrukturës ku ka dëmtuar kjo gjendje që ishte”, tha Hodaj.

Hodaj ka shtuar se Federata e Futbollit pret që në këtë situatë të ndihmohen edhe nga komunat dhe institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, por pavarësisht kësaj, kjo federatë do të jetë pranë klubeve me program konkret për përmirësimin e infrastrukturës së dëmtuar.

“Është duke u bërë një raport dhe në bashkëpunim me komunat përkatëse dhe nëse edhe institucionet qendrore të Kosovës involvohen ne do t’i ndihmojmë. Por varësisht a i ndihmojnë komunat apo institucionet qendrore, ne, FFK-ja ka në program të vetin që të iu ndihmojë në përmirësimin e infrastrukturës të këtyre stadiumeve që janë afektuar nga kjo gjendje e jashtëzakonshme”, theksoi Hodaj.

E një lajm i mirë për këto klube ka ardhur edhe nga shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA. Kjo organizatë përmes një letre dërguar FFK-së, e cila u lexua në kuvendin e jashtëzakonshëm të mbajtur më 27 janar, ka ofruar mbështetje për të gjitha klubet e prekura duke bërë të ditur se është duke u shqyrtuar mënyra e ndihmës për mes projektit të quajtur “FIFA Recovery Program”.

“Dua të shpreh solidaritetin për të gjithë të prekurit nga vërshimet për të gjithë të prekurit nga vërshimet në pjesën jugore të regjionit të Mitrovicës. Mendimet tona janë me ju dhe jemi duke shqyrtuar mënyrën që në këtë kohë të vështirë ta asistojmë komunitetin e prekur nga këto vërshime nën kornizën e ‘FIFA Recovery Program’”, thuhet në letrën e FIFA-s dërguar Federatës së Futbollit të Kosovës.

Përveç stadiumeve, nga vërshimet janë dëmtuar edhe palestra dhe salla të ndryshme sportive nëpër komuna si Klinë, Skenderaj, Pejë dhe Mitrovicë.

Lajmet

Granit Xhaka shpallet “Lojtari i Sezonit” te Sunderland AFC

Published

on

Sunderland AFC ka vlerësuar paraqitjet e shkëlqyera të mesfushorit shqiptar Granit Xhaka, duke e shpallur atë “Lojtari i Sezonit” për edicionin aktual.

Në një postim të publikuar nga klubi anglez, Xhaka u cilësua si “kapiteni” dhe “lideri” i skuadrës, duke marrë vlerësime të mëdha për kontributin dhe ndikimin e tij gjatë sezonit.

“Kapiteni ynë. Lideri ynë. Lojtari ynë i Sezonit. Urime, Granit Xhaka”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Sunderland AFC.

Mesfushori shqiptar ka qenë një nga figurat kryesore të ekipit, duke treguar paraqitje të qëndrueshme dhe lidership si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.

Continue Reading

Sport

Trepça shpallet kampione e Kosovës në basketboll

Published

on

By

Trepça ka vazhduar dominimin në basketbollin e Kosovës duke u shpallur sërish kampione, pasi mposhti Bashkimin me rezultat 98:78 në ndeshjen e katërt finale të zhvilluar në Prizren.

Me këtë fitore, mitrovicasit e mbyllën serinë finale me rezultat të përgjithshëm 4:0 dhe siguruan titullin e shtatë në historinë e klubit, të tretin radhazi.

Bashkimi e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi epërsi në fillim, por Trepça reagoi shpejt, e përmbysi lojën dhe e mori kontrollin deri në fund të sfidës.

Me këtë sukses, Trepça renditet si skuadra e dytë më e suksesshme në Kosovë, duke kaluar Pejën me 6 tituj, ndërsa në krye mbetet Sigal Prishtina me 14 tituj kampioni.

Continue Reading

Lajmet

Ministri Gashani vlerëson sukseset e kick-boksierëve kosovarë në garat ndërkombëtare

Published

on

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Federatës së Kick Boksit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Fatmir Makolli, si dhe me sportistët që përfaqësuan Kosovën në kampionatin botëror në Turqi.

Gjatë takimit u prezantuan aktivitetet, planet dhe programi i federatës, ndërsa u diskutua edhe për organizimin e garave dhe zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti në vend.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rezultateve të arritura në “Turkish WAKO World Cup”, ku Kosova fitoi një medalje të artë dhe dy të bronzta.

Nga ministria u theksua se këto rezultate dëshmojnë nivelin e lartë të përgatitjes dhe potencialin e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

Në takim u diskutua gjithashtu për vazhdimin e mbështetjes institucionale ndaj federatës dhe sportistëve, me synim avancimin e mëtejmë të kick boksit dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e tij në vend.

Continue Reading

Lajmet

Ferizaj dhe Dukagjini përballen sonte në finalen e Kupës së Kosovës

Published

on

Sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës, ku Ferizaj dhe Dukagjini do të luftojnë për trofeun e madh, me fillim nga ora 20:00.

Të dy skuadrat kanë qenë befasi e këtij edicioni, duke arritur deri në finale dhe duke e bërë këtë përballje një nga më të veçantat e sezonit.

Si për Ferizajn ashtu edhe për Dukagjinin, kjo është mundësia e parë në histori për të fituar Kupën, ndaj pritet një ndeshje me shumë rivalitet dhe emocion.

Skuadra fituese siguron gjithashtu pjesëmarrjen në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Finalen do ta gjykojë Genc Nuza, me ndihmësit Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Bardh Ajeti. Në VAR është caktuar Burim Jahmurataj, me AVAR Besnik Morinën.

Continue Reading

Të kërkuara