Sport

​Eroll Salihu tregon të ardhmen e Bernard Challandes, flet edhe për largimin e Paqaradës

Published

on

Dy humbjet e Kosovës nga Suedia dhe Spanja në kualifikimet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, pastaj mos ftesa e disa lojtarëve të Superligës së Kosovës si dhe atmosfera jo e mirë brenda grupit, të gjitha këto i janë faturuar trajnerit zviceran, Bernard Challandes.

Madje kritikat e opinionit sportiv kanë shkuar aq larg sa edhe është kërkuar shkarkimi i tij nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Mirëpo shkarkimi i Bernard Challandes nuk është në planet e kësaj federate. Kështu ka konfirmuar në një intervistë për KosovaPress, sekretari i FFK-së Eroll Salihu. Ai ka thënë se kontrata e trajnerit zviceran skadon vitin e ardhshëm, por se nuk mund të merren vendime të ngutshme pas një ose dy lojërave jo të mira.

“Trajneri Challandes kontrata i ka skaduar në maj (të vitit të kaluar) dhe është dashur të vazhdohet kontrata dhe cili njeri nuk do ta vazhdonte kontratën me një person që ka pasur 15 ndeshje që e ka bërë këtë popull krenar. Më tregoni një person serioz. Nuk dua t’i dëgjoj palaçot që dalin çdo ditë dhe i shesin mend të gjithë popullit dhe nuk kanë kurrë fare as dije e as kompetenca. Pra duhet të jemi real, e ka merituar një kontratë të re. Pra kontrata vitin e ardhshëm i skadon. Kështu që puna e tij gjithsesi vlerësohet, por po them edhe njëherë nuk mundesh me një lojë apo dy të nxjerrësh vendime të cilat do të ishin të ngutshme.”, tha Salihu.

Madje Salihu duke folur për KosovaPress deklaroi se shqyrtimi i punës së Bernard Challandes mund të bëhet pasi të përfundojë cikli kualifikues i ndeshjeve për në Kampionatin Botëror dhe se puna e tij do të shqyrtohet vetëm pasi të mbyllen këto ndeshje.

“Unë besoj që po. Nuk është kompetencë e imja, është e Komitetit Ekzekutiv, por unë besoj që duhet të vazhdojë dhe pastaj kur të përfundojë ky cikël pastaj mund të bëhet një rishqyrtim besoj por duhet të jemi real që për Kampionat Botëror është shumë, shumë vështirë që të kualifikohemi sepse është një numër shumë i vogël nga Evropa që shkon, por ne mendoj se duhet të përgatitemi për fazën e Uefa Nation League, aty ku e kemi treguar forcën, ku e kemi pasur vendin e parë dhe të përgatitemi së paku të kemi një ekip solid. Prandaj edhe njëherë po them kjo mbetet çështje e Komitetit Ekzekutiv por unë besoj personalisht që ky ciklus duhet të kryhet me atë.”, deklaroi Salihu.

Por a është paga e lartë e Challandes njëri nga faktorët që FFK-ja po heziton ta shkarkojë atë?

“Është njëri, por nga ana tjetër nuk mendojmë që trajneri është shkaku kryesor që nuk kemi qenë të suksesshëm si më parë, do të thotë unë nuk e kam atë bindje. Është pak i ngutshëm, një konstatim jo serioz”, tha ai.

Para pak ditësh mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Leart Paqarada bëri të ditur se tërhiqet nga Përfaqësuesja e Kosovës dhe se nuk kthehet deri sa në krye të skuadrës është trajneri Bernard Challandes. Duke e komentuar këtë vendim të Paqaradës, Salihu tha se lojtari në fjalë ka bërë një veprim të ngutshëm por se në fund secili merr përgjegjësinë për veprimet e veta.

“Nuk mendoj se ka vendosur mirë për arsye se ka pasur rastin, ka luajtur edhe nganjëherë edhe nuk shkon, nuk je në formë. Mendoj që ndoshta është dashur më shumë të luajë, por vendos trajneri në fund të fundit. Prandaj unë mendoj që Learti ka bërë një hap të ngutshëm, por në fund të fundit secili përgjigjet për veprimet e veta”, u shpreh Salihu.

Krejt në fund, Eroll Salihu duke folur për KosovaPress nuk e ka përjashtuar mundësinë që trajneri që do ta pasojë Challandes në stolin e Kombëtares së Kosovës të jetë nga skena vendore.

“Asgjë nuk përjashtohet. Dorën në zemër shumë pak trajnerë kemi që kanë përvojë ndërkombëtare. Prandaj aty duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Unë e di që kemi një Besnik Hasi për shembull, për mua është jo vetëm trajner i mirë por është karakter, e ka dëshmuar veten, është djalë i mirë, është burrë i mirë, por nuk varet po them gjithmonë nga njëra palë por nga të dy palët. Unë nuk kam ndonjë preferencë sinqerisht po iu them si ish-futbollist, por i mbetet prapë Komitetit Ekzekutiv që të vendosë”, tha në fund Salihu.

Ndeshjet e radhës sa i përket kualifikimeve për Kampionatin Botëror, Kosova i zhvillon në muajin shtator ku do të ballafaqohet me Gjeorgjinë, Greqinë dhe ndeshjen kthyese me Spanjën.

Sport

Leard Sadriu bëhet kapiten në Rumani, kosovari po shndërrohet në lider të FC Arges

Published

on

By

Paraqitje të qëndrueshme, nota të larta dhe tashmë edhe shiriti i kapitenit. Leard Sadriu po kalon një periudhë të mirë te FC Arges Pitesti dhe është shndërruar në një prej figurave kryesore të skuadrës në Superligën e Rumanisë.

Mbrojtësi kosovar është në sezonin e dytë me klubin rumun dhe gjatë kësaj periudhe ka fituar gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit dhe bashkëlojtarëve. Paraqitjet e tij në repartin defensiv e kanë bërë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa së fundmi atij i është besuar edhe një përgjegjësi e veçantë – shiriti i kapitenit.

Forma e Sadriut në ndeshjet e fundit tregon qartë qëndrueshmërinë e tij. Në pesë paraqitjet e fundit, reprezentuesi i Kosovës ka marrë nota të larta nga “Sofascore”: 7.4 ndaj Petrolul Ploiestit, 7.0 ndaj Csikszeredas, 7.0 ndaj Universitatea Craiovas, 7.1 ndaj Farul Constantas dhe 7.7 ndaj FC Voluntarit.

Kështu, Sadriu ka një mesatare prej 7.24 në këto pesë ndeshje, duke dëshmuar vazhdimësinë e tij dhe nivelin e mirë të paraqitjeve.

Edhe rezultatet e FC Arges në këto përballje flasin në favor të mbrojtësit kosovar. Me Sadriun në fushë, skuadra ka regjistruar tri fitore, një barazim dhe vetëm një humbje.

Performancat e mira i kanë sjellë edhe një vlerësim të rëndësishëm nga klubi. Në ndeshjen e fundit, Sadriu ka bartur shiritin e kapitenit, duke marrë përsipër një prej përgjegjësive më të mëdha që mund t’i besohet një futbollisti.

Ky rol nuk është vetëm simbolik. Sadriu po dëshmon se mund të jetë lider edhe përmes paraqitjeve, qetësisë dhe sigurisë që sjell në mbrojtje. FC Arges e ka të regjistruar atë si mbrojtës me fanellën numër 3.

Arritja e tij merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se Rumania nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht kësaj, Sadriu po arrin të ndërtojë një pozitë të rëndësishme në futbollin rumun dhe tashmë është bërë një prej liderëve të klubit.

Gjatë afatit kalimtar të verës, mbrojtësi kosovar kishte pasur interesim dhe oferta nga klube të tjera, por FC Arges nuk ishte e gatshme ta linte të largohej lehtësisht. Klubi vendosi ta mbajë Sadriun, ndërsa paraqitjet e fundit po tregojnë se ky vendim mund të jetë duke u shpërblyer.

Nga një futbollist që kërkonte të konsolidohej në futbollin rumun, Sadriu tashmë është kthyer në një prej emrave kryesorë të FC Arges. Paraqitjet e mira, notat e larta dhe shiriti i kapitenit janë tregues të qartë të rritjes së tij.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, afati kalimtar i verës së ardhshme mund të jetë një mundësi për një hap edhe më të madh në karrierë, me interesimin nga kampionatet më të forta evropiane që pritet të rritet.

D.L

Continue Reading

Sport

Xhudistët e Kosovës rikthehen në garat e mëdha, synohet medalja në Budapest

Published

on

By

Xhudistët e Kosovës rikthehen këtë javë në arenën e garave të mëdha, me ekipin kosovar që do të marrë pjesë në Grand Slamin e xhudos në Budapest.

Garat në kryeqytetin hungarez do të zhvillohen nga e premtja deri të dielën, ndërsa Kosova do të përfaqësohet me pesë xhudistë, të cilët do të kërkojnë rezultate sa më të mira përballë një konkurrence të fortë ndërkombëtare.

Në konkurrencën e meshkujve, Akil Gjakova dhe Dardan Cena do të garojnë në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Ndërkohë, te femrat, Kosovën do ta përfaqësojnë Fatjona Kasapi në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha në 57 kilogramë dhe Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë.

Në këtë garë nuk do të paraqitet Distria Krasniqi, e cila do të mungojë për shkak të një lëndimi.

Ekipi kosovar në Budapest do të drejtohet nga kryemjeshtri Driton Kuka, ndërsa synimi mbetet sigurimi i medaljeve, edhe pse përballë do të jenë disa prej xhudistëve më të mirë në botë.

Në Grand Slamin e Budapestit do të marrin pjesë gjithsej 513 xhudistë nga 70 shtete, duke e bërë këtë një prej garave më të forta të kalendarit ndërkombëtar të xhudos.

Përfaqësuesit e Kosovës synojnë të dëshmojnë edhe një herë potencialin e tyre në skenën ndërkombëtare dhe të rikthehen nga Budapesti me medalje.

D.L

Continue Reading

Sport

Topi i Artë 2026, gara mes yjeve më të mëdhenj të futbollit

Published

on

By

Janë bërë të ditur emrat e futbollistëve të nominuar për çmimin prestigjioz “Ballon d’Or 2026”, me disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror që do të garojnë për trofeun e më të mirit të vitit.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 26 tetor 2026 në London Palladium Theatre, në Londër, ku do të kurorëzohet fituesi i “Topit të Artë”. Ky do të jetë edicioni i 70-të i ceremonisë prestigjioze.

Në mesin e kandidatëve janë disa prej emrave më të njohur të futbollit, përfshirë Lionel Messin, Kylian Mbappén, Erling Haalandin, Lamine Yamalin, Vinícius Júniorin, Harry Kane dhe Ousmane Dembélén.

Një nga befasitë më të mëdha të listës është mungesa e Cristiano Ronaldos. Ylli portugez nuk është përfshirë në mesin e 30 kandidatëve për çmimin e këtij viti.

Në anën tjetër, Lionel Messi është sërish pjesë e garës për “Topin e Artë”. Argjentinasi është futbollisti me më së shumti trofe të fituar në historinë e këtij çmimi, me gjithsej tetë “Topa të Artë”, dhe rikthimi i tij në listën e kandidatëve ka tërhequr vëmendje të madhe.

Gara pritet të jetë veçanërisht interesante edhe për shkak të paraqitjeve të futbollistëve të rinj. Lamine Yamal është ndër emrat që po shihet si një prej pretendentëve kryesorë, ndërsa në listë janë edhe Jude Bellingham, João Neves dhe Michael Olise.

Në garë është edhe Ousmane Dembélé, ndërsa emra si Mbappé, Haaland, Vinícius Júnior dhe Kane synojnë të lënë pas rivalët dhe të shpallen futbollisti më i mirë i vitit.

Fituesi i “Ballon d’Or” do të përcaktohet përmes votave të gazetarëve nga vende të ndryshme të botës. Përveç çmimit kryesor, gjatë ceremonisë në Londër do të ndahen edhe çmime të tjera individuale dhe ekipore, përfshirë çmimin për futbollisten më të mirë, portierët më të mirë, talentet e rinj dhe trajnerët.

Lista e plotë e 30 të nominuarve për “Ballon d’Or 2026” është:

Jude Bellingham

Pau Cubarsí

Marc Cucurella

Ousmane Dembélé

Luis Díaz

Bruno Fernandes

Gabriel Magalhães

Erling Haaland

Achraf Hakimi

Harry Kane

Khvicha Kvaratskhelia

Lamine Yamal

Sadio Mané

Marquinhos

Lautaro Martínez

Kylian Mbappé

Nuno Mendes

Lionel Messi

João Neves

Michael Olise

Willian Pacho

Julián Quiñones

Declan Rice

Rodri

Fabián Ruiz

William Saliba

Ferran Torres

Dayot Upamecano

Vinícius Júnior

Vitinha

D.L

Continue Reading

Sport

Ancelotti nis revolucionin te Brazili, 16 lojtarë mbesin jashtë

Published

on

By

Carlo Ancelotti ka nisur zyrtarisht një epokë të re te Brazili, duke bërë ndryshime të mëdha në skuadër pas eliminimit zhgënjyes nga Kupa e Botës 2026. Trajneri italian ka publikuar listën e parë prej 26 lojtarësh për ciklin e ri, me synim ndërtimin e një ekipi konkurrues për Botërorin 2030.

Në listën e re nuk janë përfshirë 16 futbollistë që ishin pjesë e ciklit të kaluar, ndërsa tetë lojtarë kanë marrë për herë të parë ftesën nga kombëtarja braziliane. Debutuesit janë Pedro Moresco, Otávio, Arthur Dias, Jair Cunha, Matheuzinho, Mauro Júnior, Breno Bidon dhe Gabriel Bontempo.

Në skuadër janë rikthyer edhe disa futbollistë që munguan në Botërorin e fundit, mes tyre Estêvão, André Santos dhe João Pedro.

Ndryshimet më të mëdha janë bërë te veteranët. Neymar, Danilo, Casemiro, Fabinho, Alex Sandro, Alisson dhe Ederson janë disa prej emrave të njohur që nuk janë përfshirë në listën e re të Ancelottit.

Brazili u eliminua nga Kupa e Botës 2026 në fazën e 1/8 së finales, pasi u mposht 2:1 nga Norvegjia, me të dy golat për nordikët që i shënoi Erling Haaland.

Pas këtij dështimi, Federata Braziliane e Futbollit vendosi të nisë një kapitull të ri nën drejtimin e Ancelottit. Italiani ka marrë për detyrë të ndërtojë një skuadër të re për Kupën e Botës 2030, e cila do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.

Në qendër të projektit të ri pritet të jenë Vinícius Júnior dhe Raphinha, ndërsa Ancelotti llogarit shumë edhe në Endrickun, të cilin e sheh si një prej liderëve të së ardhmes së “Seleçaos”.

“Është e vërtetë që kemi provuar shumë sulmues këtë vit. Situata është e qartë, kemi shumë lojtarë të rinj jashtëzakonisht të talentuar dhe duhet t’i mbështesim në zhvillimin e tyre. Njëri prej tyre është i njohur: Endrick. Kemi sulmues të tjerë që luajnë shkëlqyeshëm dhe të tjerë që lihen jashtë formacionit. Kemi alternativa të mira, por Endrick do të jetë një lojtar i rëndësishëm për Brazilin në të ardhmen”, ka deklaruar Ancelotti.

Skuadra e re e Brazilit do të ketë mundësinë të testohet në ndeshjet e ardhshme ndaj Australisë dhe Indisë, në kuadër të përgatitjeve për ciklin e ri. Brazili do të përballet me Australinë më 25 dhe 29 shtator, ndërsa më 3 tetor do të luajë ndaj Indisë në Kolkata.

Këto ndeshje do të jenë testet e para për Ancelottin pas eliminimit nga Kupa e Botës dhe një mundësi për trajnerin italian që të vlerësojë lojtarët e rinj dhe të nisë ndërtimin e Brazilit për objektivat e ardhshëm.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara