Lajmet

​Drejtues të burgjeve të Kosovës e Shqipërisë me marrëveshje për shkëmbimin e përvojave

Sipas një komunikate, gjatë takimit u shkëmbyen idetë dhe përvojat më të mira në shumë fusha.

Published

on

Zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sami Gashi së bashku me zëvendësuesin e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Kosovës, Arsim Tahiri, pritën në takim delegacionin nga Republika e Shqipërisë të përbërë nga drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija, drejtori i Shërbimit Sprovues, Ervin Hoxha, drejtori Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta dhe zëvendësdrejtori i Burgjeve, Femi Sufaj.

Sipas një komunikate, gjatë takimit u shkëmbyen idetë dhe përvojat më të mira në shumë fusha, si në fushën e trajtimit të të burgosurve, fushën e trajnimeve të stafit, fushën e kontrollit të brendshëm dhe në shumë fusha të tjera me rëndësi për të dy palët.

Pas takimit vizituan Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Qendrën Operative, Njësinë e Intelegjecës dhe Qendrën e Vleresimit. U dakorduan edhe për nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi, në mënyrë që në të ardhmen të realizohen vizita të ndërsjella ekspertësh dhe shkëmbimi i përvojave më të mira për të dyja vendet.

Lajmet

​Kurti: Nuk ka më kthim në periudhën e sundimit të krimit në veri

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur mbi rastin me keqpërdorimet me rezervat shtetërore, akuzat mbi blerjen e energjisë elektrike, raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai në emisionin Politiko të Kanal 10, ka thënë se Prokuroria është dashur të dërgojë hetues në zyrën e tij në kryeministri, për të marrë deklaratën e tij në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.

Kurti ka thënë se beson në përgjegjësinë e ministres në detyrë të MINT-it, Rozeta Hajdarit lidhur me akuzat për rezervat shtetërore.

“Gjithçka që ka thënë ministrja Rozeta Hajdari, pas ngritjes së aktakuzës, është vërtetë e saktë. Natyrisht, e marr përgjegjësinë e plotë si kryeministër. Unë besoj se prokuroria ka bërë shkelje dhe jo ministrja Hajdari… Nëse ka akterë të tjerë, ka sërish mënyra për t’i adresuar këto. Nuk ka të bëjë me përgjegjësinë e ministres Hajdari”, tha Kurti.

Për më tepër, kryeministri në detyrë ka hedhur poshtë akuzat për shkelje ligjore në kontratat njëburimore me tenderë.

“Nuk kemi bërë asnjë shkelje ligjore dhe kemi detyruar të tjerët të respektojnë ligjin. Ka vend për reforma të thella në Prokurimin publik, por kjo është një çështje për mandatin tjetër”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe mbi akuzat mbi importimin e rrymës nga EFT-ja, kompani serbe me pronar Vuk Hamoviq.

“Të gjitha janë dezinformata. Sa jam unë kryeministër, EFT-ja nuk e vazhdon avazin e vjetër. KEDS-i blen energjinë në treg. KEK-u nuk blen energji nga Vuk Hamoviq. EFT-ja nuk fiton në Kosovë, Vuk Hamoviq nuk fiton në Kosovë”, tha Kurti.

Gjithashtu, ai ka mohuar të ketë zbehje në raportet mes Kosovës dhe SHBA-së. Ai tha se kritikën më të madhe që ka marrë si kryeministër nga ndonjë zyrtar i SHBA-së, ka qenë në fund të majit 2023, kur katër kryetarët shqiptarë të komunave në veri shkuan në zyrat e tyre.

“Ne jemi miq përkundër për kundër kritikave… Veprimi ynë ka qenë ligjor e parimor. Integriteti, sovraniteti shtetëror, paqja e rendi publik janë të panegociueshme. A ia ka vlejtur barra qiranë? Sot mendoj se ia ka vlejtur. Të gjitha strukturat paralele serbe i kemi mbyllur. Shërbimet e inteligjencës kanë bërë një punë të shkëlqyeshme”, ka thënë Kurti.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë e kthimit të gjendjes paraprake në veri, duke thënë se Kosova çdo herë do të fitojë si shtet ndaj çdo organizate kriminale./S.K/KP/

 

Continue Reading

Lajmet

​Drita mposhtet nga AZ Alkmaar

Published

on

Drita u mposht nga AZ Alkmaar në ndeshjen e Ligës së Konferencës, e zhvilluar mbrëmë në “Fadil Vokrri”, një duel ku mysafirët shfrytëzuan efikasitetin dhe përvojën për ta marrë një fitore të merituar.

Rezultati i rëndë vjen në një ndeshje ku gjilanasit kërkuan pikë për t’u mbajtur në garën e renditjes, por përballë një kundërshtari më superior nuk ia dolën.

Holandezët e hapën ndeshjen herët, me Mijnans që realizoi në minutën e 17-të pas një aksioni të shpejtë, duke e vendosur Dritën në disavantazh të hershëm.

Pjesa e dytë solli edhe goditjen e dytë, kur Jansen në minutën e 58-të e dyfishoi rezultatin, në një fazë kur Drita po tentonte të rikthehej në lojë.

Me kalimin e minutave, Alkmaari kontrolloi ritmin dhe shfrytëzoi hapësirat, ndërsa Sadiç vulosi gjithçka në minutën e 90-të për epilogun 0:3.

Humbja ka ndikim të drejtpërdrejtë në renditje, ku Drita zbret në vendin e 15-t dhe mbetet me vetëm 8 pikë pas pesë ndeshjeve, me gol-diferencë 4:5. Ndërkohë, Alkmaari ngjitet ndjeshëm në tabelë, në vendin e 11, duke arritur në kuotën e 9 pikëve me gol-diferencë të balancuar 7:7 pas triumfit të sotëm.

Ndeshja u zhvillua nën praninë e tifozëve të shumtë në Prishtinë, por përkundër mbështetjes, Drita nuk arriti ta shfrytëzonte avantazhin e terrenit, duke pësuar njërën nga humbjet më të rënda të këtij edicioni në Evropë.

Gjilanasit tashmë do të kërkojnë reagim në sfidat e mbetura për të ruajtur shanset në fazën e Ligës së Konferencës,/S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Dronë misteriozë mbi Gjermani, gjurmët çojnë në anije të lidhura me Rusinë

Published

on

Pothuajse dy mijë dronë të paidentifikuar janë regjistruar mbi Gjermani që nga fillimi i vitit, sipas raporteve të sigurisë të parë nga Die Welt, Bild dhe Axel Springer Academy.

Në një hetim të përbashkët, mediat identifikuan një model që lidh një numër të madh dronësh me lëvizjet e tre anijeve të lidhura me Rusinë, që operojnë në Detin Baltik dhe Detin e Veriut.

Autoritetet gjermane kanë dokumentuar 1072 incidente që përfshijnë 1955 dronë të paidentifikuar. Ata më shpesh fluturonin mbi vendet ushtarake të Bundeswehr, fushat e stërvitjes së NATO-s dhe objektet kritike të infrastrukturës.

Analiza e të dhënave të trafikut detar tregoi se një numër i vogël anijesh ishin në afërsi të menjëhershme të fluturimeve të regjistruara dhe në të njëjtat orë kur u raportuan incidentet.

Një shembull janë shtatë dronët e parë më 16 maj pranë anijes mallrash me flamur rus Lauga, e cila ka një ekuipazh tërësisht nga shtetas rusë.

Kur anija më vonë u ankorua në Belgjikë, autoritetet e kontrolluan, por nuk gjetën asgjë. Përpara se të hynte në ujërat gjermane, Lauga u ankorua në portin sirian Tartus, ku ndodhet një bazë ushtarake ruse, dhe më pas në Shën Petersburg, në një terminal të lidhur me korporatën shtetërore bërthamore Rosatom.

Sipas hetimit, Rosatom zotëron dronë me një rreze veprimi deri në 200 kilometra, të pajisur me kamera video dhe termike. Ato përdoren zyrtarisht për të monitoruar operacionet në Arktik.

Dy anijet e tjera të përmendura në raport, HAV Snapper dhe HAV Dolphin, janë zyrtarisht në pronësi të një kompanie norvegjeze, por të dyja janë servisuar disa herë në kantierin detar Pregolya në Kaliningrad të Rusisë, dhe ekuipazhi i HAV Dolphin përbëhet ekskluzivisht nga shtetas rusë.

Grupe të mëdha dronësh u vunë re mbi Gjirin Kiel në Baltikun Jugperëndimor, në të njëjtën kohë kur anijet po lëviznin në zonë.

Agjencitë e sigurisë, dokumentet e të cilave u përdorën nga media, thanë se ishte e pamundur që dronët të operoheshin nga individë privatë.

Në shumicën e rasteve, operatorët e dronëve ishin të paidentifikuar. Zyrtarët evropianë të inteligjencës konfirmuan për gazetarët se besonin se HAV Snapper dhe HAV Dolphin “ka shumë të ngjarë të veprojnë në interes të Rusisë.”

Ministria e Brendshme gjermane tha se kishte arsye për të besuar se aktorë të huaj shtetërorë ishin të përfshirë në disa nga fluturimet e dronëve.

Dronë të paidentifikuar janë vërejtur gjithashtu mbi instalime ushtarake dhe infrastrukturë kritike në Danimarkë, Norvegji, Belgjikë dhe Holandë./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​BE ngrin asete ruse në vlerë 210 miliardë euro

Published

on

Bashkimi Evropian ka vendosur të ngrijë për një kohë të pacaktuar asetet e Bankës Qendrore Ruse me vlerë 210 miliardë euro.

Masa, bazuar në një klauzolë për emergjenca ekonomike, synon të parandalojë përpjekjet e jashtme për të liruar fondet para se Moska t’i paguajë dëmshpërblime lufte Kievit.

Me këtë veprim, BE dëshiron të sigurojë kontrollin mbi asetet e ngrira mes shqetësimeve se SHBA-të mund të përpiqen t’i përdorin këto fonde në një marrëveshje paqeje të ardhshme me Moskën.

Ngrirja afatgjatë u ra dakord nga ambasadorët e shteteve anëtare sot, duke u thirrur në nenin 122 të Traktatit të BE-së. Ky nen lejon që një vendim të merret me shumicë të kualifikuar, duke anashkaluar Parlamentin Evropian dhe veton e mundshme të shteteve individuale.

Rregullorja e re ndalon transferimin e 210 miliardë eurove përsëri në Bankën Qendrore Ruse. Pjesa më e madhe e aseteve, rreth 185 miliardë euro, mbahen në Euroclear, depozitën qendrore të letrave me vlerë në Bruksel, ndërsa 25 miliardë eurot e mbetura mbahen në banka private.

Deri më tani, fondet janë ngrirë përmes regjimit standard të sanksioneve, i cili kërkonte një vendim unanim nga të 27 shtetet anëtare dhe rinovohej çdo gjashtë muaj, duke e bërë atë të prekshëm ndaj bllokimeve.

Sipas vendimit, fondet do të lirohen vetëm pasi veprimet e Rusisë objektivisht të pushojnë së paraqituri rreziqe të konsiderueshme për ekonominë evropiane dhe kur Moska t’i paguajë kompensim Ukrainës pa pasoja ekonomike dhe financiare për BE-në.

Duke ngrirë asetet me shumicë të kualifikuar, BE-ja do të jetë në një pozicion më të fortë për t’i rezistuar presionit të jashtëm dhe për të parandaluar vetot e padëshiruara.

Ambasadorët aktualisht po shqyrtojnë tekstet ligjore, me qëllim zgjidhjen e sa më shumë çështjeve të jetë e mundur para një samiti vendimtar të udhëheqësve të BE-së më 18 dhjetor, kur ata do të vendosin se si të mbledhin 90 miliardë euro për të mbuluar nevojat e Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara