Lajmet

​Do të ketë më tepër probleme të shëndetit mendor, shkak pandemia

Neuropsikiatri Sami Rexhepi thotë se pasojat e pandemisë do t’i vuajnë të gjithë pa përjashtim.

Publikuar

Stresi, frika, kufizimet në lëvizje dhe emocionet e forta me të cilat u përballë e gjithë bota që prej shfaqjes së virusit COVID-19, rrezikojnë shëndetin mendor të qytetarëve. Se pasojat mund të jenë afatgjata e thotë drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor, Sami Rexhepi.

Rexhepi në një intervistë për KosovaPress, thotë se për shkak të gjithë situatës së shkaktuar nga pandemia, do të ketë edhe më tepër probleme të pasojave mendore në të ardhmen.

“Pasojat e pandemisë COVID-19 janë shumë më shumë se nëse përkufizohemi në një aspekt, qoftë nëse e marrim shëndetin fizik, qoftë nëse i marrim humbjet të cilat kanë ndodhur, vendet e punës, e ajo që ka qenë edhe më e rëndë, humbja e anëtarëve të familjes. Të gjitha këto e përbëjnë një tërësi që nuk mund të shprehet vetëm me numër. Mirëpo, ajo që po më brengos më tepër është se do të ketë edhe më tepër probleme të pasojave mendore në të ardhmen. Posaçërisht po e theksoj në aspektin e shëndetit mendor do të ketë pasoja mjaftë të mëdha”, thotë ai.

Ai thekson se pasojat e pandemisë do t’i vuajnë të gjithë pa përjashtim.

“Në shëndetin mendor normalisht që ndikojnë edhe apsketi socio-ekonomik i individit. Një çrregullim i baraspeshës së shëndetit mendor dhe shëndetit fizik patjetër rezulton me një mosfunksionalizim të individit. Kur një individ nuk është funksional ai nuk mundet me e përmbushë dhe të realizojë vetveten në kuptimin e plotë, edhe në vendin e punës. Do të thotë do të ballafaqohemi si pasojë e kësaj me probleme edhe në të ardhmen. Nuk do të munden me u kthy në punë dhe në detyrat e tyre menjëherë të gjithë individët, të gjithë ata që e kanë kalu sëmundjen, qoftë ata që nuk janë prekur nga vet sëmundja, por pasojat sa i përket shëndetit mendor do t’i përjetojnë të gjithë”, thotë ai.

Ajo që mund të jetë më problematike, sipas neupsikiatrit Sami Rexhepi, është mundësia e paraqitjes së çrregullimit post-traumatik, pasi që thotë se ka karakter kronik.

“E kemi pasur një luftë të pashpallur me një armik të padukshëm, i cili për neve individualisht ka qenë prezent në çdo vend. Dhe, të jetosh me një presion të tillë për më tepër se një vjet e gjysmë dhe me faktin se ka pasur tërë kohën strese të reja, do të dëshiroja të mos ketë çrregullime të stresit post-traumatik sepse ka një karakter kronik ai çrregullim. Pastaj, është pjesa ku shpeshherë nuk kemi arritur me e tejkalu as stresin e pikëllimit për humbjen e anëtarëve. Tërë kohën ka pasur strese të reja”, thekson ai.

Ai flet edhe për situatat me të cilat u përballën qytetarët e Kosovës përgjatë periudhës pandemike. Mbyllja e plotë që ndodhi në fillim, mungesa e vaksinave, vala e re e virusit, pastaj dezinformatat pas ardhjes së vaksinës janë disa nga faktorët që sipas tij do të rëndojnë edhe më shumë shëndetin mendor.

“Të gjitha këto kanë ndikuar për individin që të rëndojnë edhe më tepër gjendjen e shëndetit mendor[…] Personat, të cilët do të preken nga stresi post-traumatik, ky është çrregullim i cili ka karakter kronik, shumë do të varet prej fuqisë që e ka secili individ, do të jetë individuale. Nuk mund të flitet për ditë, për muajin, kjo duhet të jetë një tregues për mobilizim shumë më të madh për ata persona për me i ndihmu me i tejkalu”, shton ai.

Rexhepi thotë se pa një baraspeshë të shëndetit mendor dhe fizik njerëzit nuk mund të jenë funksional për një shoqëri të shëndoshë, për çka apelon institucionet që të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka institucionalizimi i kësaj fushe.

“Rëndësinë e parë këtu e zë vet familja, e cila duhet të jetë më mbështetëse dhe më përkrahëse me anëtarët e familjes, sepse dikush është atakuar më tepër, dikush më pak. Familja është vendi i thithjes së energjisë pozitive, kështu që duhet të kemi kujdes për fuqizimin e familjes. Pastaj vjen fuqizimi i mjedisit social që mjerisht me këto kufizime, jo vetëm jemi kufizuar por edhe jemi traumatizuar mjaftë… Duhet të ndërrohen politikat sa i përket shëndetit mendor. Për fat të mirë e kemi një ushtri të tërë te psikologëve, nuk na mungojnë kuadrot, na mungon fuksionalizimi i tyre dhe organizimi i mirëfilltë e kjo mangësi është mungese e politikave”, thotë neuropsikiatri.

Më 13 mars të vitit 2020 u shënuan dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë.

Lajmet

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Publikuar

nga

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e sotme pritet të dëshmojë dëshmitari i radhës.

Kurse në seancën e 7 majit në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së është vendosur që të mos dëgjohet dëshmitari me kodin 02486, dëshmia e të cilit ishte planifikuar që të dëgjohet përmes video-lidhjes gjatë të premtes më 10 maj 2024.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmitë e këtij dëshmitari të dhëna më herët i plotësojnë kushtet që të pranohen si prova pa qenë nevoja që ai të dëshmojë serish fizikisht.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​25 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

Publikuar

nga

Më 21 maj bëhen 25 vite nga masakrimi i 13 qytetarëve të pafajshëm në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

Atë ditë me 21 maj u vranë mizorisht 13 qytetarë të Kosovës nga forcat terroriste të regjimit të Millosheviqit duke mos e kursyer as fëmijën 7 vjeçar Fitim Gudaqi. Po ashtu në këtë ditë ranë martirët: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi. Në këtë ditë në mbrojtje të civilëve ra dëshmori Ekrem Gudaqi.

Masakra e Stagovës është në mesin e masakrave më të tmerrshme që ndodhura në Kosovë dhe që për të ish-liderët e regjimit kriminal të Serbisë në krye me kriminelin Sllobodan Millosheviq u akuzuan nga Gjykata për Krime lufte në Ish-Jugosllavi për krime lufte me seli në Hagë, por që askush nuk u dënua për këto krime makabër!.

21 maji 1999 pos që solli dhimbje të pashërueshme për banorët e këtushëm, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat më 20 maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi 90 shtëpi. Pra këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serbë të Millosheviçit, që ishte jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.

Me rastin e 25-vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të rënë më 21 maj të vitit 1999, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi në bashkëpunim me OVL-në e UÇK-së në Stagovë mbahet manifestim përkujtimor.

Manifestimi mbahet me fillim nga 13:30. Pas përmbylljes së manifestimit do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​DASh kritikon Kosovën për mbylljen e degëve të bankës serbe në veri

Publikuar

nga

Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.

“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës.

Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.

Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Banka Postare Kursimore është institucioni që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë.

Policia e Kosovës tha se operacioni për mbylljen e njësive të kësaj banke u krye në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe se synimi ishte “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë”, duke e quajtur Bankën Postare Kursimore në Veri të vendit, ilegale”.

Policia tha se janë konfiskuar “rreth një milionë e 600 mijë euro, 74 milionë e 700 mijë dinar, 19 mijë e 500 franga, 13 mijë e 800 dollar amerikan, 40 dollar australian si dhe dokumente dhe prova tjera”.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç e cilësoi veprimin një “akt tjetër të dhunshëm i shfuqizimit të institucioneve serbe në veri dhe dëbimit të popullit serb”.

Ai tha se “Albin Kurti dëshiron luftë dhe vuajtje për popullin serb, sepse çdo gjë që bën në muajt e fundit, e bën ekskluzivisht për hir të dëbimit të serbëve nga territori i Kosovës”.

Operacioni i së hënës ndodh gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar të bisedojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pagesave por pa sukses edhe pas shtatë takimesh.

Diplomatët i kanë bërë thirrje vazhdimisht qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore dhe në cilësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Konfiskohen 1.6 milion euro e mbi 74 milionë dinarë në filialet e Bankës Postare Kursimore

Publikuar

nga

Policia e Kosovës gjatë aksionit në veri të vendit ka mbyllur gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore. Në njoftimin e lëshuar nga policia bëhet e ditur se janë konfiskuar 1.6 milion euro e mbi 74 milion dinarë.

“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinarë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas policisë në filialet e kësaj banke janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre.

“Gjashtë filiale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’ në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara