E përditësuar:
10:50
Ish-ambasadori, Christopher Hill foli edhe për Adem Demaçin si një person që sipas tij ishte gjithmonë shumë i rreptë dhe strikt për çdo temë.
Gjatë dëshmisë Hill shtoi se i ndjeri Adem Demaçi , asokohe kishte një lloj mllefi pasi kishte qenë i burgosur, dhe sipas tij, dihej dhe njihej si një person me opinione të egra ndaj Serbisë.
“Jo vetëm në Kosovë, por edhe pjesa tjetër e Jugosllavisë e dinte këtë. Nuk ishte person me të cilin mund të bashkëpunoje. Nuk ishte person që mund të punoje me një dokument, kishte opinione të forta lidhur me disa rrethana në jetë, dhe shumë mirë që i kishte ato, por në aspektin e bashkëpunimit, nuk ishim të interesuar ta promovonim”, deklaroi Hill.
10:20
Christopher Hill: Pavarësia ishte slogan, vështirë të gjendej ndonjë shqiptar që thoshte dua autonomi
Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se shqiptarët e Kosovës çështjen e pavarësisë e kishin slogan. Ai tha se ishte e vështirë të gjendej ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte se duan thjesht autonomi.
“Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen. Çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thonin se ky është qëllimi ynë. Ishte e vështirë të gjeje ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte duam thjesht autonomi”, tha Hill, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia./S.K/EO/
09:50
Në Dhomat e Specializura të Kosovës në Hagë, për të tretën ditë po vazhdon dëshminë ish-diplomati amerikan, Christopher Hill në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hill deklaroi se zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte Jakup Krasniqi, e i cili i bënte të ditura qëllimet e UÇK-së dhe deklaroi se UÇK-ja kishte qëllime politike që synonte t’i realizonte dhe një prej tyre ishte pavarësia.
Hill gjithashtu tha se ka logjikë të thuhet se për t’i realizuar këto qëllime politike, duhet të ishte dikush përgjegjës.
“Unë mendoj që zoti Krasniqi është shpallur publikisht si zëdhënës i UÇK-së. Pra, ai ishte personi që i bënte të ditura qëllimet”, tha dëshmitari.
Trupi gjykues dha një urdhër me gojë për pranimin në prova materiale të një intervistë me Wolfgang Petritsch që është marrë nga një libër.
Sipas mbrojtjes së Thaçit, ky material nuk duhet të pranohet nga kjo intervistë ngase del një pretendim i ri në thelb dhe pretendimi ose akuza është në kundërshtim me argumentet e ZPS-së dhe veçanërisht është në kundërshtim edhe me një material specifik të Prokurorisë, raporton Betimi për Drejtësi.
Mbrojtja kishte pretenduar se nuk janë njoftuar me kohë dhe sipas tyre, Prokuroria në këtë fazë të procesit nuk duhet të dalë me një argument të ri që është në kundërshtim me argumentet e tyre të mëparshme.
Në anën tjetër, Prokuroria ishte përgjigjur se kundërshtimi ishte i pabazë dhe se Hill e trajtoi çështjen e shkëmbimit të të burgosurve duke treguar se edhe cili prej të akuzuarve ka marrë pjesë në këto takime.
Ndërsa, trupi gjykues hodhi poshtë kundërshtimin e mbrojtjes dhe e pranoi këtë material në prova materiale.
Ndryshe, Christopher Hill ka filluar dëshminë ditën më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe të martën më 11 nëntor 2025.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./S.K/EO/