Lajmet

​Çitaku: Kurti bën sehir para aferave, prokuroria të hetojë të gjitha rastet

Ajo tha se çdo ditë e më shumë po konfirmohet se partia e Kurtit nuk ka lënë sektor pa e shtrirë rrjetin e korrupsionit.

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ftuar organet e rendit që të hetojnë të gjitha aferat të cilat po publikohen në media nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Në një konferencë për media, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se çdo ditë e më shumë po konfirmohet se partia e Kurtit nuk ka lënë sektor pa e shtrirë rrjetin e korrupsionit.

Çitaku pati kritika edhe për mënyrën se si këto afera të zyrtarëve qeveritarë po shpërfillen nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa u shpreh se disa prej tyre edhe i ka mbrojtur në mënyrë të pashpjegueshme. Ajo tha se prokuroria duhet të hetojë secilin rast dhe të sjellë drejtësi pasi janë qytetarët ata që po e pësojnë.

“Përballë kësaj situate, më skandaloze se aferat, është mënyra se si kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës po i qaset dhe si po reagojnë ata karshi aferave të zbuluara. Në rastin më të mirë ka pasur indiferencë, shpërfillje dhe në rastin më të keq ka pasur një mbrojtje të pashpjegueshme të akterëve të përfshirë në korrupsion dhe një sulm histerik kundër prokurorisë dhe mediave. Ftojmë institucionet e rendit, policinë dhe prokurorinë që urgjentisht të hetojnë të gjitha aferat e kësaj Qeverie dhe të mos lejojnë prishjen dhe humbjen e provave sikurse që ka humbur vaji dhe gruri”, deklaroi Çitaku.

Çitaku, duke përmendur emrat u shpreh se largimi nga detyra i këtyre funksionarëve do të duhej të ishte vetëm fillimi ndërsa ballafaqimi me drejtësinë është përgjigjja e duhur.

“Largimi nga detyra do të duhej të ishte fillimi por jo fundi. Ballafaqimi me drejtësinë është përgjigjja e duhur në situata të tilla. Ka përgjegjësi publike, morale dhe ligjore. Kryeministri duhet të jap përgjigje përgjegjësisë publike dhe morale. Përgjegjësinë ligjore pastaj e kanë organet e rendit. Por çfarë ka bërë kryeministri Kurti? Kryeministri Kurti në Parlamentin e Kosovës ka goditur prokurorinë në vend që t’i jep mbështetje institucioneve të drejtësisë, kryeministri Kurti dhe eksponentët e lartë të qeverisë kanë goditur gazetarët në vend se t’i mbrojnë dhe t’i promovojnë ata. Pra çdo gjë që po bëhet gabim nga një njëri me pushtet është bërë gabim”, shtoi Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së tha se çdo ditë e më shumë po rrënohet edhe “aura e epërsisë morale” të cilën VV ia kishte veshur vetes si parti me duar të pastra. Ajo tha se edhe shërbyesit civilë janë duke u përballur me presione të jashtëzakonshme.

Çitaku akuzoi Kurtin se në këto vite pushtet ka prodhuar vetëm kriza që po shkaktojnë dëme edhe në raportet me aleatët por edhe ne aspektin ekonomik.

“E vetmja gjë që ka prodhuar kryeministri Kurti tani pothuajse tre vite në pushtet është një cikël i pafund i krizave të cilat kanë rezultuar në polarizime të brendshme dhe në acarimet e skajshme me aleatët tanë. Kjo vetëm Kosovës nuk i konvenon, vetëm interesit publik nuk i konvenon dhe nuk po flas këtu vetëm për dëmin politik, po flas edhe për dëmin në fushën e ekonomisë, frikën që ka ndjellë kjo qeveri tek investitorët, frikën që kemi ndjellë tek aleatët si partnerë kredibilë dhe të besueshëm. E vetmja gjë konsistente tek kryeministri Kurti ka qenë mungesa e konsistencës, sot e thotë një gjë, i rendit dhjetë parime, nesër i shkel ato”, vijon Çitaku.

Në konferencën e Çitakut ishte shpallur edhe një baner me siç i quajti ajo, skandalet e Qeverisë aktuale të Kosovës, ndërsa nënkryetarja e PDK-së u shpreh se në fund janë edhe tri pika pasi nuk ka baner që i zë të skandalet e ekzekutivit të udhëhequr nga Albin Kurti.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

26 shtator 1994

 

Mbrëmje protestuese kundër procesit të montuar kundër Ukshin Hotit

 

Mbrëmë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës u mbajt mbrëmja e tretë protestuese kundër burgosjes së mr. Ukshin Hotit, mësimdhënës në UP dhe kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar (UNIKOMB).

Në mbrëmjen e tretë folën akademik Rexhep Qosja, dr. Agim Vinca, Idriz Kakrruki, Zeqir Gërvalla, Hydajet Hyseni, Gani Xhafolli, Milaim Kadriu, Qerim Pllana, Bajram Kosumi, Milaim Berisha, Halil Koliqi, dr. Haki Kosumi e Rexhep Avdullahu.

Akademik Rexhep Qosja tha mes tjerash se të dënuarit e djeshëm e të sotëm shqiptarë, regjimi serb nuk i dënoi pse janë anëtarë të kësaj a asaj partie, pse kanë këtë apo atë ideologji, por Serbia i ka burgosur dhe vazhdon t’i burgosë e t’i dënojë ata pse janë shqiptarë, pse janë atdhetarë.

Ndërsa në Prizren nesër fillon procesi i montuar politik kundër Ukshin Hotit. Ai akuzohet “për vepër penale të cenimit të tërësisë territoriale të Jugosllavisë”.

Mr. Ukshin Hoti u arrestua më 17 maj të këtij viti dhe prej atëherë ai gjendet në paraburgim.

Ukshin Hoti ka qenë në shënjestër të policisë prej vitit 1981, kur në një proces po ashtu të montuar politik u dënua me disa vite burg.

Ndërsa vitin e kaluar ai është torturuar egërsisht në Gllogovc për çka janë njoftuar dhe kanë protestuar institucione ndërkombëtare humanitare.

 

 

 

26 shtator 1995

 

Senati Amerikan miratoi 6 milionë dollarë ndihmë për Kosovën

 

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratoi të enjten e kaluar një projektligj për ndihmë vendeve të huaja që kap 12.3 miliardë dollarë.

Së paku 6 milionë dollarë ndihmë humanitare i dedikohet Kosovës, thuhet në një njoftim të Ruder Finit nga Uashingtoni.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Robert Doull, paraqiti një amendament në kuadër të pjesës për Ndihmë Ndërkombëtare për Vendet e Prekura nga Katastrofa që vë mënjanë 40 milionë dollarë për ndihmë urgjente në ish-Jugosllavi, prej të cilëve “jo më pak se 6 milionë dollarë do të jenë në dispozicion vetëm për ndihmë humanitare Kosovës”.

Projektligji tashti duhet të shkojë në procedurë të harmonizimit me një version të miratuar nga Dhoma e Përfaqësueseve të Kongresit Amerikan.

 

 

26 shtator 1997

 

Mbi 100 persona të keqtrajtuar në Mitrovicë

 

Policia serbe ndërhyri mbrëmë brutalisht në shëtitoren e Mitrovicës, ku ishin tubuar rreth 2000 studentë e qytetarë, në shenjë përkrahjeje për manifestimet e studentëve të Prishtinës.

Dhjetëra grupe policësh me nga 10 deri 15 policësh ndërhynë në disa vende, duke ndaluar, legjitimuar, keqtrajtuar dhe arrestuar së paku 100 qytetarë.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se janë marrë në polici mbi 100 vetë. Ata janë mbajtur në stacion prej orës 19 deri rreth orës 22:00 dhe janë keqtrajtuar brutalisht.

Në mesin e më se 100 personave të keqtrajtuar janë edhe Ismail Loshi, Osman Rama, profesor dhe kryetar i LDK-së dega në Zubin Potok, Muharrem Avdiu, anëtar i kryesisë së UNIKOMB-it dega në Mitrovicë, Gëzim Mustafa student i FXM në Mitrovicë e Bashkim Beka, profesor i Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë.

Janë legjitimuar: Muhamet Hajrizi, prof. i SHLT Mitrovicë, Jakup Ceraja, poet, Osman Rama, profesor, Sabi Idrizi anëtar i kryesisë së LDK-së dega në Mitrovicë, Brikenë Ceraja, nxënëse dhe Arbër Berisha, student në Prishtinë, Zymer Zeqiri, drejtor i shkollës fillore në Qabër të Zubinpotokut, Ismet Berani, inxhinier, Adem Beqiri, kryetar i nëndegës së LDK-së “Qendra”, Gazmend Rama, Ilir Morina, student të FXM në Mitrovicë, Ali Ahmeti, arsimtar, Dr. Ali Topalli dhe Sabri Sadiku, profesorë të FXM në Mitrovicë.

Numri i të keqtrajtuarve fizikisht, i të arrestuarve dhe i të legjitimuarve arrin numrin mbi 200.

Sipas deklaratave të të arrestuarve numri i të cilëve është mbi 100, në polici derisa qëndronin në korridor ishin të detyruar të rrinin me fytyrë nga muri me duar të lidhura mbrapa. Ata thirreshin një nga një nëpër zyre dhe i detyronin të shkruajnë nga një deklaratë.

Burimet nga Mitrovica flasin për një gjendje shumë të rëndë e të tensionuar pas ndërhyrjes brutale të forcave serbe.

 

 

26 shtator 1998

 

Njoftime edhe për 68 të vrarë në fshatrat rreth Qyqavicës

 

Burimet e informimit në Vushtri, Mitrovicë, Gllogoc e Skënderaj njoftojnë për së paku 68 të vrarë gjatë sulmeve të fundit, kryesisht më 24 shtator, në Galicë (10), Oshlan (4), Zhilivodë (13), Beqiq (20), Lubovec (3), Prekaz (5), Klinë e Epërme (1), Dashefc (4) dhe Shtuticë (8).

 

 

Sot, në fshatrat rrëzë Qyqavicës, u varrosën edhe 23 shqiptarë të vrarë e të masakruar nga forcat serbe

 

Sot, në fshatrat që shtrihen rrëzë Qyqavicës u varrosën edhe 23 kufoma të shqiptarëve të vrarë dhe të masakruar nga forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Njoftohet se nga forcat serbe janë vrarë e masakruar këta shqiptarë: Shasivar Isa Ademi (51) nga Galica, Fatmir Shasivar Ademi (17) nga Galica, Burim Ramadan Ademi (17) nga Galica, Gani Fazli Ademi (16) nga Galica, Bajram Bejtullah Sahiti (33) nga Galica, Agim Selim Ademi (28) nga Galica, Hetem Rizah Halili (45) nga Galica, Bujar Hetem Halili (16) nga Galica, Bekim Miftar Halili (22) nga Galica, Nazmi Veli Halili (25) nga Galica, Nexhat Kadri Halili (17) nga Galica, Sejdi Kabashi (22) nga Polaci, Haradin Islam Lahu (43) nga Galica, Enver Kastrati (40) nga Polluzha, Hasime Shabani (50) nga Galica, Mexhid Hamit Bislimi (33) nga Prekazi i Epërm, Xhavit Haradin Bislimi (40) nga Prekazi i Epërm, Driton Shaban Brahimi (22) nga Prekazi i Epërm, Kadri Miftar Mehmeti (22) nga Prekazi i Epërm, Adem Lushtaku (?) nga Prekazi i Epërm, Enver Halit Ferati (42) nga Lubaveci, Muhamet Rrahman Idrizi (53) nga Beqiqi dhe Feriz Rrustem Shala (43) nga Ujmiri.

I njëjti burim bën të ditur se sot pas shumë përpjekjeve, Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri ka arritur të depërtojë në disa fshatra të Qyqavicës dhe nga vendi i ngjarjes dëshmon se kufomat janë masakruar nga forcat serbe, por ka edhe raste kur ato janë ekzekutuar.

Të përkujtojmë se vetëm në fshatin Galicë, sot janë varrosur 14 kufoma. Të 23 shqiptarët e varrosur sot, 13 kufoma tjera që janë vrarë nga 17 shtatori i këtij viti dhe pesë të tjera ende të paidentifikuara arrijnë shifrën në 41 shqiptarë të vrarë.

Kryesia e Degës së LDK-së në Vushtrri thekson se në fshatrat shqiptare që shtrihen rrëzë bjeshkës së Qyqavicës ka edhe shqiptarë të tjerë të vrarë e të plagosur, ndërsa fshatrat Dubofc, Beqiq dhe një pjesë e Galicës janë djegur deri në themel.

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

United Hospital – kujdes shëndetësor 24/7, me teknologji moderne dhe qasje të integruar ndaj pacientit

Published

on

By

Shëndeti kërkon kujdes të vazhdueshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të koordinuar. United Hospital ofron shërbime shëndetësore 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke integruar diagnostikën, emergjencën, trajtimin specialistik, kirurgjinë dhe kujdesin intensiv në një strukturë të vetme.

Me fokus në sigurinë e pacientit, precizitetin diagnostik dhe kujdesin multidisiplinar, spitali ofron shërbime nga disa fusha të mjekësisë, duke u mundësuar pacientëve qasje në kujdes profesional për nevoja të ndryshme shëndetësore.

Në fushën e diagnostikës, Radiologjia dhe CT-ja janë pjesë e infrastrukturës teknologjike të spitalit, ndërsa sipas institucionit, pajisjet mundësojnë ekzaminime me deri në 40% më pak ekspozim ndaj rrezatimit, në krahasim me teknologjitë përkatëse tradicionale, në varësi të ekzaminimit dhe protokollit të përdorur.

Shërbimet specialistike përfshijnë Kardiologjinë, Hematologjinë, Nefrologjinë, Gastroenterologjinë dhe Pulmologjinë, duke ofruar qasje të dedikuar për diagnostikimin dhe menaxhimin e një game të gjerë të problemeve shëndetësore.

Në kuadër të shërbimeve kirurgjikale, United Hospital mbulon disa profile, përfshirë Kirurgjinë e Përgjithshme, Kardio-kirurgjinë, Ortopedinë, Kirurgjinë Vaskulare, Pediatrike, Gjinekologjinë, Urologjinë, ORL-në, Kirurgjinë Maksilofaciale dhe Torakale.

Një fokus i veçantë i kushtohet edhe kujdesit për fëmijët. Neonatologjia dhe Pediatria ofrojnë shërbime të dedikuara për pacientët më të vegjël, ndërsa Laboratori, Emergjenca, Radiologjia dhe Kujdesi Intensiv janë të disponueshme gjatë gjithë kohës.

Me një qasje që synon të lidhë diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin e vazhdueshëm, United Hospital e pozicionon veten si një qendër ku pacientët mund të marrin shërbime të integruara shëndetësore në çdo kohë./rajonipress/

📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi voton të hënën deklaratën për Specialen, në rend dite edhe zgjedhja e nënkryetarit

Published

on

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë të hënën, më 28 shtator, seancë plenare, e cila do të nisë në orën 11:00.

Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë disa çështje, përfshirë miratimin e një deklarate lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës të 16 shtatorit 2026.

Në rendin e ditës janë përfshirë këto pika:

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.

Betimi i deputetëve.

Miratimi i Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026.

Zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Formimi i komisioneve parlamentare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet gara ushtarake “Ujku Garues 2026”: Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë fiton vendin e parë

Published

on

By

Në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog është përmbyllur gara tradicionale “Ujku Garues 2026”, e organizuar nga Komanda e Forcave Tokësore (KFT), ku morën pjesë 20 ekipe nga njësitet e ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vendi i parë në këtë garë ushtarake i takoi Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë (K2B2), vendi i dytë u fitua nga Policia Ushtarake e FSK-së, ndërsa vendin e tretë e zuri Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë (K2MB).

Gara “Ujku Garues”, e cila mbahet që nga viti 2015 si rezultat i bashkëpunimit mes nënoficerëve të FSK-së dhe kontingjentit slloven, testoi pjesëmarrësit në disiplina të rënda taktike e fizike. Pjesë e sfidave ishin vrapimi, kalimi i poligonit taktik, shtyrja e autoblindës HMMWV, bartja e municionit dhe e të lënduarve, si dhe qitja me armë e hedhja e granatës.

Aktiviteti u shqua për profesionalizëm të lartë, përgatitje intensive fizike dhe shpirt garues mes ekipeve të FSK-së.

 

Continue Reading

Të kërkuara