Lajmet

​Centët që nuk kthehen si kusur, qytetarët ankohen e komuniteti i biznesit fajëson BQK-në

Published

on

Monedhat më të imëta se pesë centë në raste të rralla iu kthehen si kusur konsumatorëve nëpër dyqane. Qytetarët mendojnë se bizneset po pasurohen në kurriz të tyre, ndërsa kjo mohohet nga shitësit. Nga Oda e Afarizmit dhe Rrjeti i Shitësve me Pakicë thonë se bizneset janë të detyruara të kthejnë kusurin, ndërsa bëjnë përgjegjës edhe Bankën Qendrore të Kosovës që nuk i furnizon bizneset me paratë e imëta.

Safete Pllana, qytetare, thotë se për një cent disa shitës t’i ndalin edhe katër centë të tjera. Ajo tregon për KosovaPress se gjithmonë e kërkon kusurin, pasi nuk dëshiron që t’i ndalen paratë që janë të sajat.

“Për 1 cent, ndalen 4 centë. Na po mashtrohemi, por për 99 centë, po duhet me i jep 1 euro, ato ndalen. Sa i përket çmimeve, ato janë shumë të larta, po për ata që nuk kanë janë edhe më të larta. Mua më ka ndodh, i kam mbledhë, i kam bërë 4 euro. Vet kam dashur t’i marrë. Ti po i lyp, po i merr, po edhe mua kthema kusurin. Ma anulon atë cent ti, unë për vete e lypi”, thotë ajo.

Të njëjtin mendim me Pllanën, ndan edhe Xhezide Kllokoqi, e cila thotë se krahas çmimeve shumë të larta, në dyqane shumicën e herëve nuk iu kthejnë paratë e imëta.

“Nuk t’i kthen hiç (kusurin). Mundet me t’i ndal herë 5 centë. Dikush edhe nuk di t’i llogarisë. Në markete ndodh që shumë shpesh nuk na i kthejnë centët. Për këtë janë pasuruar kaq shumë (bizneset)”, thotë ajo.

Kryetari i Organizatës së Konsumatorit, Selatin Kaçaniku thotë për KosovaPress se në bazë të disa llogaritjeve që kanë bërë, në një vit abuzohet me rreth 50 milionë euro nga moskthimi i centëve në dyqane. Ai thekson se konsumatorët nuk duhet të dalin nga arka pa e marrë centin e fundit që iu takon, e që bizneset e kanë për obligim t’ua kthejnë qytetarëve.

“Nëse një mijë konsumatorë parakalojnë në një market, dhe nga secili merret nga një cent ato janë 10 euro, çdo ditë nga 10, janë 300 euro, domethënë për 365 ditë pune, janë 3650 euro, dhe ne me një llogari aproksimative kemi ardhur deri tek shifra, për çdo vit në Kosovë abuzohet minimum 50 milionë euro, që do të thotë janë minimum 5 mijë vende pune që abuzohet me 1 cent. Për 1 cent ne duhet të luftojmë dhe nuk duhet të dalim nga arka pa na u dhënë një centi, dhe atë jo në kompensim me çamçakëzë e gjëra të tjera, por një cent. Çdo market e ka për obligim dhe e ka mundësi që të furnizohet me apoena sa të ketë nevojë, qoftë nga Banka Qendrore, qoftë edhe nga burimet alternative”, thotë ai.

Ndërsa komuniteti i bizneseve kërkon nga bizneset që të mos shkelen të drejtat e konsumatorit, ndërkaq kritika adresojnë për Bankën Qendrore të Kosovës.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, thotë se kthimi i çdo centi është obligim i çdo biznesi, ndërsa shton se është obligim i Administratës Tatimore të Kosovës dhe inspektorateve që t’i obligojnë bizneset për kthimin e plotë të kusurit.

Krasniqi thekson për KosovaPress se pengesë në këtë drejtim është bërë Banka Qendrore e Kosovës, e cila nuk i pajisë mjaftueshëm bizneset me para të imëta, teksa ndaj tyre ka vendosur tarifa prej 5 deri në 8 përqind për kthimin e parave të imëta në bankat komerciale.

“Kthimi i çdo centi është obligim i çdo biznesi dhe do të ishte edhe obligim i ATK-së dhe inspektorateve që t’i obligojnë bizneset që t’i kthejnë centët. Por, këtu është një problem, të cilin e ka shkaktuar vet shteti, në këtë rast Banka Qendrore, sepse nuk i pajisur mjaftueshëm bizneset me para të imëta. Ndërkohë që përveç se nuk i pajis mjaftueshëm, iu vendos taksë bizneseve në kthimin e parave. Kjo është diçka që e kemi kërkuar gjatë tërë kësaj kohe, dhe është në kundërshtim me të bërit biznes dhe është një pengesë e madhe për të bërit biznes”, thotë ai.

Edhe Albion Ujkashi nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë thotë për KosovaPress se është obligim i bizneseve që të kthejnë kusurin ndaj konsumatorëve të tyre, teksa fton Bankën Qendrore që të heq tarifën aktuale që bizneset duhet të paguajnë për paratë e imëta. Ai mohon se bizneset në këtë mënyrë po pasurohen në kurriz të qytetarëve.

“Nuk kemi të bëjmë këtu me një lloj pasurimi, pavarësisht se është obligim i bizneseve që të kthejnë çdo cent, varësisht nga çmimi që i shesin produktet e tyre. Ajo çka vlen të përmendet është që bizneset po ballafaqohen me një barrierë të vendosur nga ana e BQK-së, me të cilën për paratë e imëta i ngarkon me një tarifë prej 5 përqind apo më të lartë. Duhet edhe ATK të vendos mekanizma mbikëqyrës, në mënyrë që të ofrohet një qasje më e lehtë për konsumatorët që t’i trajtojnë këto ankesa përmes institucioneve përkatëse, dhe në momentin që diçka që e dëmton konsumatorin evidentohet e njëjta të trajtohet, qoftë nga departamenti i konsumatorit, qoftë nga Ministria e Tregtisë apo nga institucionet e tjera, të cilat mund të marrin masa ndëshkuese ndaj bizneseve që nuk u kthejnë kusurin konsumatorëve”, thotë ai.

Në tregun e Kosovës mijëra produkte mbarojnë me shifrat 99 centë, nga të cilat 1 centët e mbetur rrallëherë i kthehen konsumatorit. Një deri në pesë centë e edhe më shumë ndodh që konsumatorëve të mos u kthehen në dyqane.

Vendi

Studentja e UBT-së shpallet fituese e vendit të dytë në Konkursin Ndërkombëtar “Riciklo – Kreativ 2026”

Published

on

By

Studentja e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), Erika Hoti, është shpallur fituese e vendit të dytë në edicionin e sivjetshëm të Konkursit Ndërkombëtar Studentor “Riciklo – Kreativ 2026”.

Ky konkurs rajonal, që bëri bashkë studentë të arkitekturës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, vlerësoi projektet më të mira që ndërthurin kreativitetin, qëndrueshmërinë mjedisore dhe vizionin arkitektonik.

Suksesi i studentes së UBT-së u arrit pas vlerësimit të kujdesshëm nga një juri profesionale ndërkombëtare, nën mbështetjen e Fondacionit Mane, TEG dhe programit B4Students, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e lartë të studentëve të këtij institucioni në skenën mbarëshqiptare dhe rajonale.

Continue Reading

lajme

United Hospital avancon kujdesin për shëndetin e fëmijëve me shërbime të specializuara të kirurgjisë dhe urologjisë pediatrike

Published

on

By

Shëndeti i fëmijëve kërkon përkushtim të veçantë, vlerësim të kujdesshëm mjekësor dhe trajtim të përshtatur për çdo moshë. United Hospital ofron shërbime të specializuara në kirurgjinë dhe urologjinë pediatrike, duke u fokusuar në diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve shëndetësore që mund të ndikojnë në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së fëmijëve.

Një nga fushat e trajtimit përfshin vlerësimin e problemeve të rënda të zorrëve dhe konstipacionit kronik, veçanërisht kur simptomat vazhdojnë pavarësisht trajtimit të zakonshëm. Në rastet e përzgjedhura, procedurat diagnostikuese dhe ndërhyrjet e specializuara mund të ndihmojnë në identifikimin e shkakut të problemit dhe përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm. Kur dyshohet për sëmundje të lindura të zorrës, analizat histopatologjike mund të jenë të nevojshme për konfirmimin e diagnozës, ndërsa trajtimi përcaktohet nga ekipi mjekësor në bazë të gjendjes individuale të fëmijës.

Për ta bërë kujdesin shëndetësor më të qasshëm për prindërit, United Hospital ofron vizita specialistike në kirurgji dhe urologji pediatrike edhe të shtunave, nga ora 10:00 deri në 16:00, me një ekip profesionistësh të përkushtuar ndaj shëndetit të pacientëve të vegjël.

Prindërit që vërejnë te fëmijët e tyre konstipacion të vazhdueshëm, dhimbje të përsëritura të barkut, fryrje apo shqetësime të tjera duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor, në mënyrë që shkaku të identifikohet dhe trajtimi të planifikohet në kohë.

United Hospital – kujdes profesional, vëmendje e veçantë dhe përkushtim për shëndetin e fëmijëve.

📅 Terminet: Çdo të shtunë, 10:00–16:00

📞 Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70

📍 Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë, Kosovë

Për informata mbi përshtatshmërinë e procedurave për fëmijën tuaj, konsultohuni me specialistët e kirurgjisë pediatrike./rajonipress/

 

Continue Reading

lajme

Dy persona të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari vetëdorëzohet në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.

Sipas policisë, një burrë rreth 30-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit. Dyshohet se edhe ajo është qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.

Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.

Sipas informatave të policisë, i dyshuari dhe viktimat dyshohet se kanë pasur lidhje familjare.

I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.

Ngjarja është raportuar rreth orës 14:25 të së premtes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje, i cili ende nuk dihet.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Dy persona të vdekur dhe një i plagosur në Gjilan

Published

on

By

Një rast i rëndë është raportuar në Gjilan, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.

Sipas drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi, personat që janë gjetur pa shenja jete janë një burrë dhe një grua, raporton Ekonomia Online.

Continue Reading

Të kërkuara