Lajmet

​Çeku shpalos prioritetet e MKRS-së

Published

on

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka deklaruar të martën se po bëjnë gjithçka që ta bindin Europa Nostran se Manastiri i Deçanit është një nga monumentet më të sigurta në Evropë dhe si i tillë duhet të largohet nga lista e monumenteve që janë në rrezik.

Çeku në një konferencë për media me rastin e shpalosjes së prioriteteve të dikasterit që e udhëheq, tha se kanë marrë konfirmim për vizitë nga përfaqësues të Europa Nostra-s, porse shtoi se kjo e fundit, gjatë procesit, nuk e ka vizituar Kosovën dhe manastirin, por as nuk është konsultuar me palët e interesit.

Lidhur me këtë, ai shtoi se është me rëndësi që përfaqësues të Europa Nostras të vijnë sa më parë në Kosovë, për të kompensuar dëmin që i kanë shkaktuar vendit.

“Manastiri i Deçanit është një nga monumentet më të sigurta në Evropë dhe për fat të keq ka hyrë në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë. Ky është një paradoks, por ne po bëjmë gjithçka për ta bindur ‘Europa Nostra-n’ që ta rishikojë atë listë”, tha ai.

Duke folur për programin dhe prioritetet e ministrisë, ministri Çeku tha se MKRS deri tash ka funksionuar si ministri e skemave sociale për artistë, sportistë e të rinj. Ai tha se vizioni i tyre është që të zhbllokojnë potencialin zhvillimor të rinisë, kulturës dhe sportit. Teksa shtoi se shumë punë i presin edhe tek trashëgimia kulturore, ku u zotua se do të ndërhyjnë në rreth 200 monumente në rrezik.

Ministri Çeku theksoi se pasi që Kuvendi të zgjedhë anëtarët e bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, do të procedojnë dosjet për shpallje të aseteve në mbrojtje të përhershme ligjore.

“Vizioni ynë është të zhbllokojmë potencialin zhvillimor të rinisë, kulturës e sportit. Ta trajtojmë kulturën si kontribues në mirëqenien shoqërore dhe ekonomike; trashëgiminë kulturore si promovues të vlerave; sportin si zhvillues i imazhit shtetëror dhe mirëqenies sonë; dhe rininë e Kosovës si pjesëtar aktiv në jetën ekonomike dhe sociale të vendit… Shumë punë na presin edhe te trashëgimia kulturore, por puna e parë do të jenë ndërhyrjet emergjente në rreth 200 monumente në rrezik”, tha ai.

Çeku tha se do të angazhohen për reformim administrativ, autonomi financiare dhe qëndrueshmëri të institucioneve kombëtare të kulturës, duke siguruar llogaritë bankare, kodet buxhetore dhe zyrtarët financiarë. Ai u zotua se do të përmirësojnë praktikat për mbrojtjen e së drejtës së autorit përmes zbatimit të tarifës së ritransmetimit dhe bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe se do të definojnë statusin e krijuesit.

Ndër nismat me interes të veçantë në kuadër të edukimit artistik, sipas Çekut do të jetë zbatimi i programit shkollor për pjesëmarrje të rritur dhe të rregullt të nxënësve në ngjarjet kulturore.

Kurse sa i përket sportit, ai tha se synojnë hartimin e strategjisë kombëtare të sportit, zhvillimin e politikave të diplomacisë sportive, rishikimin e ligjeve dhe akteve ekzistuese dhe funksionalizimin e mekanizmave për monitorimin sistematik të të dhënave në fushën e sportit.

“Jemi të përkushtuar të mbrojmë integritetin e sportit, do të luftojmë manipulimet në sistemin sportiv. Do të angazohemi për hartimin dhe miratimin e kodit të qeverisjes së mirë sportive, krijimin e mekanizmave për monitorimin e qeverisjes së organizatave sportive dhe themelimin e Agjencisë Anti-Doping”, tha Çeku.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha po ashtu se synojnë rritjen e përfshirjes së të rinjve në tregun e punës. Sipas tij, këtë do ta arrijnë përmes edukimit jo-formal, politikave aktive, ofrimit të shërbimeve të punësimit, dhe lehtësimit të qasjes në financim për ndërmarrësi.

Krejt në fund, ai u zotua se qeveria do të përfshijë trashëgiminë kulturore, kulturën dhe sportin në politikat e reja qendrore dhe lokale për turizëm.

Në këtë drejtim, ai tha se do të hartojnë dokumentin strategjik për turizëm kulturor dhe sportiv dhe master planet multi-sektorale për zonat me interes të veçantë, ndërsa theksoi se do të funksionalizohen edhe monumentet e trashëgimisë për t’i shërbyer industrisë së turizmit.

Lajmet

MPJD thotë se e përmbylli me sukses evakuimin e disa shtetasve kosovarë nga Izraeli

Published

on

By

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) njoftoi të mërkurën se e ka përmbyllur me sukses evakuimin e disa shtetasve të Kosovës nga Izraeli gjatë luftës 12-ditore mes Irani dhe Izraelit.

Ajo tha se ata u larguan në javën e parë të luftës përmes Jordanisë dhe Egjiptit, por nuk tregoi se sa ishte numri i kosovarëve të evakuuar nga Izraeli.

Procesi është realizuar në koordinim të afërt me autoritetet izraelite dhe ambasadat e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit në Izrael”, thuhet në njoftim.

Pas 12 ditëve bombardimesh të ndërsjella, Irani dhe Izraeli u pajtuan të hënën për një armëpushim të ndërmjetësuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Armëpushimi po zbatohet të mërkurën, një ditë pasi të dyja palët shpallën fitoren të martën pas 12 ditëve luftë, në të cilën SHBA-ja ndërhyri duke kryer bombardime në mbështetje të Izraelit për t’i shkatërruar objektet e Iranit për pasurimin e uraniumit.

MPJD-ja tha se po ndjek nga afër rastin e një shtetaseje të Kosovës që ndodhet në trajtim mjekësor në spitalin Soroka Medical Center në qytetin Beersheva, i cili ishte cak i një sulmi gjatë luftës së shkurtër.

Fatmirësisht, ajo nuk ka qenë e pranishme gjatë sulmit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasada e Kosovës në Izrael është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj dhe po punon për realizimin e evakuimit të tyre sapo të krijohen kushtet përkatëse”, thuhet në njoftim.

Dhjetëra njerëz u plagosën nga sulmi në spitalin e Beershevës, i cili pësoi dëme materiale gjithashtu.

Ministria theksoi se një qytetar tjetër i Kosovës është tani në proces të largimit nga Izraeli përmes Egjiptit, me mbështetjen e Ambasadës kosovare.

Ajo tha se, sipas të dhënave të fundit të Ambasadës së Kosovës në Izrael, në territorin izraelit ndodhen edhe 13 qytetarë të tjerë të Kosovës, të cilët deri më tani nuk kanë shprehur dëshirë për t’u larguar.

Ministria tha se, duke qenë se “situata e sigurisë në Izrael vijon të përkeqësohet bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në këtë territor të tregojnë kujdes maksimal dhe të qëndrojnë vetëm në zona të sigurta”.

Continue Reading

Lajmet

Bizneset në Ferizaj protestojnë për shkak të punimeve në zgjerimin e rrugës hyrëse

Published

on

By

Bizneset që operojnë në Komunën e Ferizajt kanë mbajtur sot një protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me mënyrën si po zhvillohet projekti “Zgjerimi i Rrugës në hyrje të Ferizajt”, i cili implementohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Ata thanë se rreth këtij projekti, jo vetëm se bizneset nuk kanë informacione, por as komuna e Ferizajt nga MMPHI-ja.

Përfaqësuesi i bizneseve, Muharrem Mehmeti, u shpreh se mos qasja në autostradë e kësaj pjese të bizneseve ka dëmtuar në zhvillim ekonomik këtë pjesë.

Tutje, ai shtoi se kanë kontaktuar me kompaninë që ka kryer projektin, po nga ta është thënë se projekti nuk është i tyre pasi që nuk ka vulën dhe nënshkrimin e tyre dhe kjo ka ngrehur shqetësimet e tyre.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv në AVONET, Kenan Gashi tha se kanë kërkuar në MMPHI që të kenë qasje në këtë projekt, por deri tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Gashi, shtoi se kanë dyshime edhe për formën që është duke u realizuar, pasi që komuna nuk është e kyçur fare dhe nuk është e njoftuar për këtë projekt.

E avokati që po merret me këtë rast, Leutrim Himaj shtoi se kanë paraqitur kërkesë që të mos zhvillohen punimet, për shkak se së fundi ka një vendim të ri preliminar në lidhje me shpronësimin e kësaj zone, i cili është i paqartë për bizneset.

Bizneset deri më tani kanë dërguar dy padi, një në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ne departamentin e çështjeve administrative dhe një në Gjykatën Supreme.

Continue Reading

Lajmet

Çeku flet për kandidaturën për kryetar të Prishtinës: Ende në fazën fillestare

Published

on

By

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, flet për herë të parë për kandidimin e tij për kryetar të Komunës së Prishtinës nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.

Ai tha se aktualisht është i përqendruar në detyrat e tij si ministër dhe se procesi i kandidimit është ende në fazën fillestare.

Detyra ime primare është që të shërbejë si ministër në detyrë. Ne jemi në fazën krejt fillestare te shpalljes së kandidaturës për Komunën e Prishtinës. Zgjedhjet janë më 12 tetor. Fushata fillon një muaj para. Jemi vetëm në fazën fillestare. Unë vazhdojë të kryej detyrat e mia të përditshme në Ministrinë e Kulturës”, tha Çeku.

Continue Reading

Lajmet

Statovci: Të mos u bëjnë presion deputetëve, kanë pasiguri

Published

on

By

Deputetja nga radhët e partisë “Guxo”, e cila ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci tha se egoja e opozitës së deritanishme është më e lartë sesa interesi i Kosovës dhe konstituimi i Kuvendit. Sipas saj, po përdoret strategji sabotuese dhe bllokuese duke mos marrë pjesë në procesin e votimit në seancat konstituive që po mbahen çdo 48 orë.

Pas dëshmimit të seancës konstituive për herë të tridhjetë e shtatë, Statovci tha se mosvotimit i partive që deri tani ishin në opozitë është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ne po e shohim që egoja e opozitës është më e lartë sesa interesi i Kosovës dhe konstituimi i Kuvendit. Andaj përmes një strategjie sabotuese dhe bllokuese nuk kemi pjesëmarrje të procesit të votimit. Ne kemi qenë vazhdimisht thirrës në sensin që të kemi pjesëmarrje të votimit qoftë përmes votës për, kundër, apo abstenimeve. Mirëpo, bie në kundërshtim edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nëse vazhdohet në një proces tutje të mospjesëmarrjes nga akterët tjerë të opozitës në këtë proces të votimit”, tha Statovci.

Statovci para gazetarëve potencoi se janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese sa i përket procesit të seancës konstituive.

Siç tha ajo, partitë politike nuk duhet bërë presion ndaj deputetëve për të mos votuar. Sipas saj, tendenca për të bllokuar procesin, vjen pasi të njëjtat kanë pasiguri tek deputetët e tyre.

Ne jemi në pritje të vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese e cila fillimisht duhet të deklarohet nëse e pranon këtë lëndë për trajtim dhe cili do të jetë epilogu tutje. Në mënyrë që të dalim nga një situatë e tillë dhe spektri politik i cili prehet nga partitë tjera opozitare…Unë besoj që duhet të mos imponojnë dhe të mos bëjnë presion ndaj deputetëve tyre, mirëpo të respektojnë gjykimin dhe integritetin e cilido deputetë. Tendenca e tyre për të bllokuar këta hapa nënkupton se kanë pasiguri në deputetë e tyre”, potencoi Statovci.

Sot, ka dështuar për të tridhjeteshtatën (37) herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Seanca e radhës është caktuar të premten (më 27 qershor) në ora 11:00.

Continue Reading

Të kërkuara