Sport

​Brahimi kërkon dorëheqjen e Bordit të Federatës së Boksit, përgjigjet Krasniqi

Ai ka thënë se ndërhyrje të tilla nuk mund t’i pranojë në punën e tij nga ana e bordit të federatës.

Published

on

Kombëtarja e Kosovës në boks ka mbetur pa trajner pasi Besim Brahimi ka dhënë dorëheqje. Këtë vendim Brahimi thotë se e mori për shkak se ka pasur ndërhyrje direkte nga kryetari i Federatës së Boksit, Enver Krasniqi në përzgjedhjen e boksierëve për garat ndërkombëtare, por edhe për shkak të mos pagesës me pagë të rregull.

Ai ka thënë se ndërhyrje të tilla nuk mund t’i pranojë në punën e tij nga ana e bordit të federatës dhe se kjo ka sjellë deri në vendimin për dorëheqjen e tij.

“Presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës më është përzier në shumë gjëra, edhe në përzgjedhje. Jam kapërdirë për hatër të boksit, por janë disa gjëra që edhe nuk mundesh më të kapërdihesh dhe pak edhe jam lodhur sepse të punosh për shtatë vite pa pagë, unë e kam bërë këtë. Ne edhe si familje kemi bërë shumë edhe për shtetin e Kosovës, mirëpo jam lodhur në këtë aspekt për shkak se nuk është e drejtë një selektor të punojë pa pagë…Mëditje vetëm kur shkon në ndonjë Kampionat Evropian apo Botëror”, tha Brahimi.

Tutje Brahimi ka thënë se kryetari i Federatës së Boksit Enver Krasniqi, ka caktuar edhe emrat e boksierëve që duhet të marrin pjesë në kampionate evropiane e botërore.

“Kishim për të shkuar në Kampionat Botëror NË Indi, që nuk na lejuan dhe u vendos që të shkojnë vetëm dy boksierë dhe vendosa që t’i dërgojë dy vëllezërit Bajoku, desha ta dërgojë edhe Patriot Behramin, këta tre sepse këta janë që kanë përvojë më të madhe, thanë jo vetëm dy, pastaj në dy ditët e fundit ma sollën një boksier tjetër që i mirë është edhe ai djalë, mirëpo nuk është më i mirë se Patriot Behrami, nuk ka eksperiencë dhe më thanë ;këtë duhet ta marrësh, bordi ka vendosur’. Thash bordi nuk mund të përzihet në punët e mia”, deklaroi Brahimi.

Por kryetari i Federatës së Boksit, Enver Krasniqi ka mohuar të ketë pasur ndërhyrje nga ana e tij në përzgjedhjen e boksierëve, derisa ka thënë se Brahimi dëshironte që vetëm boksierët e klubit të tij ta përfaqësonin Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa sa i përket pagës, Krasniqi ka thënë se bordi ka paraparë që trajnerët mund të paguhen ose të marrin mëditje vetëm nëse ka donatorë nga jashtë.

“Dëshira e tij, sa kemi vërejtur kohëve të fundit ka qenë që vetëm klubi i tij ta përfaqësojë Kosovën. Ne në bord kemi vendosur që selektori duhet të jetë selektor i të gjithë Kosovës, jo i vetëm një ekipi…Kemi ankesa prej boksierëve të klubeve të tjera që pyesin ‘pse ne jo’, kështu që duhet dhënë secilit nga një shans…Pagat me kontratë nuk kemi. Nëse kemi donatorë të jashtë, edhe në bord edhe në vendim e kemi që do t’iu japim paga apo mëditje. Derisa Ministria e Sportit mjetet që na i ndanë, i ndanë vetëm për gjërat që i parasheh ajo, ushtrime, udhëtime jashtë vendit të sportistëve dhe trajnerëve, kurse paga nuk lejon të jepen, prandaj ne nuk guxojmë t’i japim pagë atij”, theksoi Krasniqi.

Brahimi ka paralajmëruar se në drejtim të tij dhe të boksierëve ka ardhur një ofertë nga Maqedonia e Veriut dhe se mund të marrin vendim që të largohen nga Kosova për ta përfaqësuar këtë shtet.

“Nëse ky bord, ky president nuk e bëjnë një ndryshim, ose të sjellin të ardhura ose të japin dorëheqje nga kjo punë, unë mund t’i marr sportistët dhe të shkojë për Maqedoninë të boksojë sepse na kanë ofruar pagë shumë të mirë edhe sportistëve edhe mua”, theksoi Brahimi.

Sa i përket kësaj çështje, kryetari i Federatës së Boksit thotë se ky është një vendim i trajnerit dhe se mund të bëjë çfarë të dojë.

“Ai është vendim i tij dhe nëse mendon të shkojë, le të shkojë nuk është problem. Unë mendoj që në Kosovë ka të rinj që janë duke e ndjekur këtë rrugë të sportit dhe sporti as nuk ka filluar as atëherë në ish-Jugosllavi me Mehmet Bugujevcin dhe as nuk do të mbarojë me Besim Brahimin”, ka thënë Krasniqi.

Pas këtyre zhvillimeve, Krasniqi ka bërë të ditur se së shpejti Bordi i Federatës së Boksit do të mblidhet për të emëruar trajnerin e ri të Kosovës.

Sport

Meksika siguron kualifikimin dhe bën histori në Botëror

Published

on

By

Meksika ka mposhtur Korenë e Jugut me rezultat minimal 1:0 dhe është bërë përfaqësuesja e parë që siguron kalimin në fazën nokaut të Kupës së Botës.

Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 50-të, kur Luis Romo shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen koreane dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Koreja e Jugut tentoi të barazojë në fund, por portieri meksikan Raúl Rangel bëri një pritje vendimtare në minutën e 87-të për të ruajtur epërsinë.

Ndeshja u zhvillua në “Estadio Akron” në Guadalajara, ku tifozët krijuan atmosferë të zjarrtë dhe festuan së bashku me lojtarët në fund të takimit.

Me këtë fitore, Meksika shkon në 6 pikë dhe siguron avancimin nga Grupi A, duke konfirmuar formën e shkëlqyer në këtë Botëror.

D.L

Foto: Associated Press

Continue Reading

Sport

Goditje e rëndë për Kanadanë në Botërorin 2026

Published

on

By

Mesfushori kanadez Ismael Koné ka pësuar një lëndim të rëndë dhe nuk do të mund ta vazhdojë garën në Kupën e Botës. Ai theu këmbën pas një ndërhyrjeje të ashpër nga Assim Madibo në minutën e 57-të, duke shkaktuar tensione të mëdha në fushë.

Madibo u ndëshkua me karton të kuq dhe më pas kërkoi falje për ndërhyrjen, ndërsa te Katari me të kuq u përjashtua edhe Homam Al Hami që në pjesën e parë.

Koné u largua nga fusha me barelë pas ndihmës së stafit mjekësor, duke marrë edhe oksigjen. Fatmirësisht, ai ishte i vetëdijshëm gjatë largimit dhe u përshëndet me duartrokitje nga i gjithë stadiumi.

Pavarësisht incidentit, Kanadaja dominoi plotësisht ndeshjen dhe shënoi fitore bindëse 6:0 ndaj Katarit. Tensione pati edhe pas përfundimit të takimit.

Pas dy ndeshjeve, Kanadaja kryeson Grupin B me 4 pikë, po aq sa ka edhe Zvicra. Bosnjë-Hercegovina dhe Katari mbeten me nga 1 pikë.

D.L

Foto: Associated Press

Continue Reading

Lajmet

Muriqi rikthehet në Turqi: Arrin marrëveshje me Fenerbahçen

Published

on

By

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, është shumë pranë rikthimit të madh në futbollin turk. Pas aventurës në La Liga me skuadrën e Mallorcas, Muriqi ka arritur një marrëveshje në parim me gjigantin nga Stambolli, Fenerbahçen.

Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga vetë klubi turk përmes një njoftimi në faqen e tyre, ku bëhet e ditur se shtatgjati kosovar tashmë ka zbritur në Stamboll.

“Klubi ynë ka arritur marrëveshje në parim me futbollistin Vedat Muriqi, i cili ka mbërritur në Stamboll për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe për të përfunduar fazën e fundit të bisedimeve për transferimin”, thuhet në njoftimin zyrtar të Fenerbahçes.

Në aeroportin e Stambollit, Muriqi ka marrë një pritje madhështore. Ai u mirëprit nga zyrtarët e lartë të klubit, si anëtarët e Bordit Drejtues, Savaş Adalet e İsmail Balcı, si dhe drejtori sportiv, Oğuz Çetin. Përveç udhëheqësisë së klubit, atij iu rezervua edhe një mikpritje e ngrohtë nga tifozët e shumtë të pranishëm, të cilët shfaqën entuziazmin dhe dashurinë e tyre për rikthimin e sulmuesit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Xhaka shënon dhe vulos fitoren e parë të Zvicrës në Botëror

Published

on

By

Kapiteni Granit Xhaka ka udhëhequr Zvicrën drejt fitores së parë në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Bosnjë-Hercegovinën me rezultat të thellë 4:1 në Los Angeles. Me këtë triumf, Zvicra bën një hap të madh drejt fazës nokaut, duke u ngjitur në kuotën e 4 pikëve në Grupin B, ndërsa Bosnja mbetet me vetëm një pikë.

Ndeshja u vendos në fundin e saj dramatik, ku të gjitha golat e Zvicrës u shënuan pas minutës së 74-të. Ndryshimin e madh e bënë zëvendësuesit Johan Manzambi (me dy gola) dhe Ruben Vargas, të cilët u futën në lojë në minutën e 72-të. Ndeshja u lehtësua për zviceranët edhe nga minuta e 80-të, kur Tarik Muharemoviq i Bosnjës u ndëshkua me karton të kuq pasi ndali Breel Embolon si lojtar i fundit. Për boshnjakët golin e nderit e shënoi Ermin Mahmiq në minutën e 93-të.

Vula e kësaj fitoreje erdhi nga vetë kapiteni Granit Xhaka, i cili shënoi nga penalltia në minutën e shtatë të kohës shtesë. Pas golit, Xhaka festoi me një gjest me dorë duke u kërkuar kritikëve të heshtin dhe të qetësohen.

Kohët e fundit, mesfushori ishte vënë në shënjestër të mediave zvicerane për deklaratat e tij të ashpra publike pas barazimeve me Australinë dhe Katarin, duke pretenduar se ai po krijonte një klimë “toksike” në kombëtare. Megjithatë, mediumi prestigjioz “New York Times” i vlerësoi kritikat e tij si një dëshirë të madhe për të fituar.

“Njerëzit e dinë se kush jam… Unë jam njëri që e kritikoj veten para se t’i kritikojë të tjerët. Zvicra mund të jetë krenare që ka lojtar me 148 paraqitje për këto ngjyra. Por ndoshta kjo më duhet, unë provokoj paksa. Ajo që është e rëndësishme është se ekipi është prapa meje,” deklaroi Xhaka pas ndeshjes, duke konfirmuar se fokusi i tij i vetëm mbetet suksesi në fushë. /E.A/

Foto: Associated Press

 

Continue Reading

Të kërkuara