Lajmet

​“Borrell po dëshmon se nuk është i paanshëm”, kundërshtohet njëzëri mbajtja e referendumit serb në Kosovë

Borrell ka kërkuar që të lejohet mbajtja e referendumit edhe në Kosovë.

Published

on

Qeveria e Kosovës është e vendosur për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës, ndërsa njohës të çështjeve politike po i kërkojnë qeverisë që të mos bie pre e presionit të Bashkimit Evropian pasi që mbajtja e tij do të minonte shtetësinë e Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, ka kërkuar që të lejohet mbajtja e referendumit edhe në Kosovë që Serbia do të organizojë të dielën për ndryshime kushtetuese që lidhen me fushën e drejtësisë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se me mos lejimin e mbajtjes së referendumit po respektojnë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Ne tashmë e kemi bërë të njohur dhe të qartë qëndrimin tonë. Serbët në Kosovë që kanë dyshtetësi mund të jenë pjesëmarrës në këtë referendum nëpërmjet votimit me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Organizimi i një referendumi për çështje krejt të brendshme të një shteti tjetër në territorin sovran të një shteti tjetër nuk njeh ndonjë praktikë të pranuar në ndonjë vend demokratik. Në këtë mënyrë po respektojmë kushtetutën dhe ligjet tona, po mundësojmë që serbët me dyshtetësi të votojnë dhe në të njëjtën kohë po respektojmë praktikat më të mira ndërkombëtare”, tha Kryeziu.

Arton Demhasaj, nga organizata Çohu, thotë se në asnjë mënyrë Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë që një referendum i tillë të mbahet edhe në Kosovë. Ai thotë se është befasuese presioni që po i bëhet Qeverisë së Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian për të lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë, duke qenë se një praktikë e tillë nuk gjendet në asnjë shtet tjetër të BE-së.

“Kjo mund të jetë skandaloze nëse qeveria jonë zmbrapset dhe lejon, pra unë e thash që në rast se lejohet me u mbajt referendumi i Serbisë në Kosovë ne një pjesë të sovranitetit po ia falim Serbisë kështu me dorën tonë, sepse po lejojmë Serbia të dhe të organizojë referendum në territorin tonë. Pra, nuk duhet të pranohet me asnjë kusht, në asnjë rrethanë, kjo nuk duhet të pranohet dhe besoj që Qeveria e Kosovës ka me e mbajt këto pozicione dhe nuk do të lejojë me ndodh që me u mbajt referendumi në Kosovë. Nëse mbahet ne një mënyrë veç po e zbehim sovranitetin tonë në vend që ta forcojmë në arenën ndërkombëtare, ne veç po e zbehim sovranitetin tonë”, thotë ai.

Edhe Eugen Cakolli, njohës i çështjeve të zgjedhjeve, thotë se vet kërkesa që një referendum i një shteti tjetër të mbahet edhe në Kosovë është e padrejtë dhe bie ndesh me parimet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Cakolli thotë që qeveria përveç që nuk duhet të lejojë mbajtjen e një referendumi të tillë, duhet të njoftojë edhe bashkësinë ndërkombëtare për hapat që do të ndërmerren nëse tentohet që të dielën të organizohet referendumi në Mitrovicën Veriore.

“Unë besoj që nëse ka vendosmëri të institucioneve tona për të mos lejuar këtë referendum, atëherë do të duhej të informoheshin të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë mbi hapat që institucionet do të ndërmarrin eventualisht në rast se tentohet që këtë të diele të hapen qendrat e votimit në veri të vendit apo në zonat dhe lokalitete të caktuara, në mënyrë që të evitohen skena ku mund të kemi tensionim të situatës. Meqenëse do të ishin në pozitë më të mirë duke i njoftuar paraprakisht me hapat të cilët do t’i ndërmarrim”, thotë ai.

Sipas tij, nëse Serbia do të pranojë që serbët e Kosovës të votojnë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse, Serbia do të detyrohet edhe juridikisht ta pranojë që nuk ka kurrfarë kompetence dhe juridiksioni në Kosovë.

Ndërkaq, deklaratat e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, që Kosova të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë, Arton Demhasaj i konsideron si të dëmshme dhe që dëshmojnë se ai nuk është i paanshëm.

“Po kjo që ka deklaruar Borell këto ditë tregon që ai thjeshtë nuk është i paanshëm në këtë çështje që lidhet mes Kosovës dhe Serbisë, e që në një farë mënyre është i përfshirë edhe në procesin e dialogut. Kjo çka ai po tregon sot në një farë mënyre na jep të kuptojmë neve që edhe me proces të dialogut ai nuk ka me qenë i paanshëm, derisa ai po e mban anën e Serbisë dhe në plotni po e përkrah kërkesën e Serbisë për t’u mbajtur referendumi në Kosovë dhe po kërkon e po bënë presion ndaj institucioneve tona për të lejuar mbajtjen e këtij referendumi mendoj që kjo është komplet e padrejtë dhe është e paligjshme. Së pari BE duhet të na tregojë neve se brenda BE-së cili shtet ka lejuar me u mbajt referendumi i shtetit tjetër në territorin e tij, pra të na tregojë një praktikë të tillë që ndodh brenda BE-së apo brenda botës demokratike dhe pastaj ne edhe mund ta pranojmë si të mirëqene këtë kërkesë dhe këtë presion që po e bënë”, deklaroi Demhasaj.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka njoftuar se në një bisedë me Borell e ka bërë të qartë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se nuk mund të ketë referendum në Kosovë, por serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.

Serbia, më 16 janar, do të mbajë referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë, ku serbët duhet të deklarohen nëse pajtohen me ndryshimin kushtetues në pjesën ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Lajmet

Termokos njofton konsumatorët: Për shkak të rënies së Bllokut 1, furnizimi me ngrohje me kapacitet të kufizuar

Published

on

By

NP “Termokos” SH.A. njofton konsumatorët se, për shkak të rënies nga funksioni të Bllokut 1 të Termocentralit Kosova B, furnizimi me energji termike, aktualisht, po realizohet me kapacitet të kufizuar.

Kjo situatë ka ndikuar në uljen e cilësisë ngrohjes për disa objekte banesore në lagjet “Mati 1” dhe “Bregu i Diellit”.

Por, sipas paralajmërimeve nga KEK-u, Blloku 1 pritet të rikthehet në funksion gjatë ditës së nesërme, gjë që do të mundësojë furnizimin me energji termike me kapacitet maksimal, përkatësisht përmirësimin e plotë të furnizimit me ngrohje.

“Deri në stabilizimin e plotë të furnizimit me ngrohje, NP “Termokos” kërkon mirëkuptimin e gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Orav: Zgjedhjet treguan që demokracia formëson politika për komunitetin

Published

on

By

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar të martën me ministrin në Detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për rolin e qeverisjes vendore të fortë dhe të përgjegjshme në zbatimin e reformave.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë tregojnë se si demokracia vendore angazhon njerëzit dhe formëson politikat që pasqyrojnë nevojat e komunitetit përmes vendimmarrjes pranë tyre”, ka thënë Orav.

Continue Reading

Aktualitet

Studentët e vitit të parë të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT trajnohen në QuickBooks nga ekspert i fushës

Published

on

By

Studentët e vitit të parë, në kuadër të lëndës Hyrje në Kontabilitetin Financiar në Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, nën udhëheqjen e profesorit Mic Ukaj realizuan një ligjëratë praktike mbi aplikimin e softuerëve të kontabilitetit, me ligjërues mysafir Taulant Murati, kontabilist i certifikuar me përvojë shumëvjeçare në fushën e kontabilitetit, financave dhe auditimit.

Përmes softuerit Quickbooks, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset kryesore të përdorimit të softuerëve te kontabilitetit, duke filluar nga krijimi i politikave kontabël, regjistrimi i klientëve dhe furnitorëve, evidentimi i blerjeve dhe shitjeve, e deri te reflektimi i këtyre transaksioneve në pasqyrat financiare. Ligjërata u karakterizua nga një qasje shumë interaktive, me përfshirje aktive të studentëve në përdorimin praktik të softuerit.

UBT mbetet e përkushtuar në vazhdimin e misionit të saj për të ndërthurur dijen teorike me përvojën praktike, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për të zhvilluar kompetenca profesionale që përputhen me kërkesat e tregut të punës.

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology

Published

on

By

Profesori i UBT-së, Prof. Dr. Kujtim Thaçi, ka publikuar një artikull shkencor në revistën ndërkombëtare shumë prestigjioze Frontiers in Immunology, e cila renditet në Q1, me Impact Factor 5.9 dhe CiteScore 10.6, si dhe është e indeksuar në Web of Science dhe Scopus.

Artikulli është realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Imunologji dhe Sëmundje Inflamatore të Spitalit të Massachusettsit dhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Harvardit. Ky bashkëpunim shënon herën e parë të një bashkëpunimi shkencor ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Harvardit dhe UBT-së, duke përfaqësuar një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe komunitetin akademik në Kosovë.

Në këtë artikull shkencor, autorët theksojnë se funksioni i IgE-së dhe efekti i saj sinjalizues përmes receptorëve FcεR shtrihet përtej sëmundjeve klasike atopike, duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në shumë mjedise inflamatore jo-atopike dhe në sëmundjet e ndërmjetësuara nga imuniteti. Një fokus i veçantë i studimit është ndryshimi i glikozilimit në vende specifike të molekulës së IgE-së, ndryshime që mund të ndihmojnë në karakterizimin molekular të sëmundjeve, në stratifikimin e pacientëve dhe në identifikimin e mundësive të reja terapeutike.

Ky hulumtim ka rëndësi të veçantë, pasi shumë strategji imunomoduluese dështojnë për shkak se pacientët, pavarësisht dallimeve molekulare, trajtohen si një grup homogjen. Zgjerimi i kuptimit të biologjisë së IgE-së përtej atopisë kontribuon në riformulimin e konceptit të sëmundjeve inflamatore dhe hap rrugë për ndërhyrje klinike më të targetuara dhe më efektive.

Artikulli i plotë mund të lexohet në linkun zyrtar të revistës Frontiers in Immunology.

Continue Reading

Të kërkuara