Lajmet

​Blinken: Përshkallëzimi i situatës në veri i pengon përpjekjet euroatlantike

Diplomati amerikan ka folur pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo të Norvegjisë.

Published

on

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, edhe njëherë u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri. Sipas tij, përshkallëzimi i situatës i pengon përpjekjet në proceset integruese për dy vendet.

Diplomati amerikan ka folur pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo të Norvegjisë.

“Në diskutimin e sotëm, shumë aleatë gjithashtu shprehën shqetësimin për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe dënuan ashpër sulmet e fundit ndaj trupave të KFOR-it. Ne kemi mendjen sot tek kolegët tanë italianë dhe hungarezë që janë plagosur në atë sulm. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj së Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar tensionet dhe të ripërtërijnë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve të normalizimit të udhëhequra nga BE-ja. Ne mbështesim procesin e integrimit euroatlantik për Kosovën dhe Serbinë, por përshkallëzimi aktual më shumë i pengon sesa i ndihmon përpjekjet për të ecur në atë drejtim”, ka thënë Blinken.

Sipas tij, palët duhet të ndalojnë angazhimin në veprime të njëanshme dhe t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Shtetet e Bashkuara tashmë kanë forca atje si pjesë e misionit ekzistues, ne kemi disa qindra forca si pjesë e misionit të KFOR-it. Rritja e numrit që u njoftua nga NATO, nuk mendoj se do të përfshijë forca shtesë amerikane, por siç thashë tashmë ka forca amerikane si pjesë e misionit të KFOR-it, tani do ketë rreth shtatëqind trupa shtesë, të cilët do iu shtohen rreth 4000 trupave që mendoj se janë tashmë atje. Por sërish, gjëja më e rëndësishme është që vetë palët të bëjnë de-përshkallëzimin. Të ndalojnë angazhimin në veprime të njëanshme dhe t’i rikthehen dialogut të udhëhequr nga BE. Kjo është rruga përpara. Kjo është ajo që ne po u bëjmë thirrje fuqishëm të dyja palëve të bëjnë. Kjo është pritshmëria jonë, dhe do të shohim në ditët dhe javët në vijim”, ka theksuar Blinken.

Të mërkurën është bërë e ditur se NATO ka dislokuar 700 forca shtesë në Kosovë, si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, ku protestuesit lanë të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it.

NATO ka bërë të ditur se ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

Protestuesit serb po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Pesë policë kanë mbetur të lënduar në ditën e parë të protestave ndërsa të mërkurën institucioni i sigurisë ka bërë të ditur edhe për një zyrtar tjetër policor ka marrë lëndime nga sulmet e protestuesve në veri të vendit.

Lajmet

Qeveria mban mbledhjen e 29-të elektronike, miraton disa vendime

Published

on

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 29-të në formë elektronike, ku ka miratuar disa vendime që lidhen me infrastrukturën, arsimin dhe mbështetjen e sektorit të inovacionit dhe teknologjisë.

Vendimet kryesore:

  • Miratohet projekti për furnizimin me ujë në Leposaviq – Qeveria ka miratuar dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për KRU “Mitrovica”, me qëllim realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm në Komunën e Leposaviqit.
  • 255 mijë euro për tekstet e nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës – Janë ndarë 255,153.45 euro për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për vitin shkollor 2025/2026.
  • 40 mijë euro për inovacionin dhe teknologjinë – Qeveria ka ndarë 40,000 euro për mbështetjen e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital, me qëllim promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e ekosistemit vendor.
    • 20,000 euro janë ndarë për FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova.
    • 20,000 euro janë ndarë për Innovation Centre Kosovo (ICK)./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë personave të identifikuar me inicialet A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O.

Të pandehurit akuzohen për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, kjo akuzë ndërlidhet edhe me vepra të tjera penale, që përfshijnë “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e identifikimit elektronik

Published

on

By

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik. Kjo marrëveshje synon të lehtësojë përdorimin e shërbimeve digjitale ndërmjet dy vendeve dhe të mbështesë bashkëpunimin në kuadër të transformimit digjital.

Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, deklaroi se ky dakordim përbën një hap në avancimin e transformimit digjital dhe integrimit evropian të Kosovës, duke vlerësuar gjithashtu marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve.

Nga ana tjetër, Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, vlerësoi se marrëveshja do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe procesin e përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se Mali i Zi synon që deri në fund të muajit tetor të nënshkruajë marrëveshje të ngjashme me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Dy viktima nga stuhitë në Francë, mbi 53 mijë familje mbeten pa energji elektrike

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën pasi stuhi të fuqishme goditën Francën gjatë natës, duke i dhënë fund një vale të zgjatur të të nxehtit.

Sipas mediave franceze, në Saint-Victornienne një grua humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar, ndërsa në Dolomieux një burrë u gjet i karbonizuar në një punishte që mori flakë pasi u godit nga rrufeja.

Operatori i rrjetit elektrik Enedis njoftoi se rreth 53 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërprerjet kanë prekur kryesisht rajonet Auvergne-Rhône-Alpes në juglindje dhe New Aquitaine në jugperëndim të Francës.

Ndërkohë, shërbimi meteorologjik Meteo-France ka hequr paralajmërimin portokalli për stuhi në departamentet e prekura, pasi më herët kishte paralajmëruar për breshër dhe erëra të forta në disa pjesë të vendit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara