Lajmet

​Besim Kelmendi caktohet ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit

Caktimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ishte pika e vetme e rendit të ditës të KPK-së.

Published

on

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar sot Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit, pasi që Aleksandër Lumezi ka përfunduar mandatin prej shtatë vjetësh. Caktimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ishte pika e vetme e rendit të ditës të KPK-së.

Anëtarja e KPK-së, Bedrie Alshiqi propozoi që për ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit të vazhdojë kryeprokurori aktual, Aleksandër Lumezi, por ky i fundit e refuzoi duke i hapur mundësinë që të propozohet një prokuror tjetër.

Pas kësaj, anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli, propozoi për ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit të caktohet prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i cili me këtë rast mori dhjetë vota nga anëtarët e KPK-së.

Vendi

REL: Fermerët shohin kthesë në tregun e qumështit

Published

on

By

Vetëm disa muaj më parë, fermerët në Kosovë thoshin se deri në 30 për qind e qumështit të freskët u mbetej pa shitur – problem që ata e lidhnin, ndër të tjera, me konkurrencën nga produktet e prodhuara me qumësht pluhur dhe yndyrë bimore.

Sot, pas masave të Qeverisë për kufizimin e përdorimit të këtyre produkteve në industrinë e qumështit, disa fermerë thonë se tregu ka nisur të stabilizohet.

Edhe të dhënat e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë rritje të sasisë së qumështit të shitur nga fermerët.

Në periudhën janar-qershor të këtij viti, nga fermerët bashkëpunues të Shoqatës janë grumbulluar dhe shitur mbi 45 milionë litra qumësht, krahasuar me rreth 35 milionë litra në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vlera e importeve të vajit të palmës dhe qumështit pluhur ka rënë, po ashtu.

Nga qumështi pa treg te planet për zgjerim

Arbnor Binakaj, fermer nga rrethina e Gjakovës, mban rreth 40 lopë dhe prodhon 270 deri në 300 litra qumësht në ditë.

Në vitet e kaluara, thotë ai, pasiguria nëse do të arrinte ta shiste qumështin e kishte penguar të investonte në zgjerimin e fermës.

Tani situata i duket ndryshe.

“Ne kemi pasur kriza të herëpashershme dhe mungesë të tregut për qumështin. Ka shenja për stabilitet, nuk ka qumësht që mbetet pa u shitur. Tani do t’i rris edhe investimet dhe kapacitetet prodhuese, sepse vaji i palmës dhe qumështi pluhur, deri tash, e kanë zëvendësuar produktin tonë të freskët”, thotë Binakaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai planifikon ta zgjerojë fermën nga 40 në 100 krerë lopë, por thotë se investimi do të varet edhe nga vazhdimësia dhe zbatimi i masave.

“Qeveria nuk duhet të heqë dorë nga masat e ndërmarra, sepse ato sjellin siguri, vizion dhe qëndrueshmëri për fermerët”, thotë Binakaj.

Ndryshim pret edhe Xhevdet Morina, fermer nga Rogova e Hasit, i cili ka rreth 70 lopë dhe prodhon deri në 900 litra qumësht në ditë.

Por, sipas tij, vetëm kufizimi i përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur nuk mjafton.

Ai thotë se konsumatorët duhet ta kenë të qartë se çfarë produkti blejnë.

“Në markete, gjithsesi, duhet të bëhet ndarja dhe etiketimi i qartë mes produkteve me yndyrë bimore dhe atyre me yndyrë shtazore, në mënyrë që konsumatori ta dijë se çfarë blen”, thotë Morina për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë ndryshoi Qeveria?

Masat erdhën pas ankesave të fermerëve se një pjesë e konsiderueshme e qumështit të freskët nuk po gjente treg.

Më 28 prill, Ministria e Bujqësisë vendosi një paketë kufizimesh për tregun e qumështit, me synim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe konsumatorëve.

Masat përfshijnë kategorizimin dhe etiketimin më të qartë të produkteve, ndalimin e përzierjes së qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme, si dhe kontrolle dhe analiza laboratorike.

Për qumështin pluhur u vendos edhe akcizë.

Masat nuk nënkuptojnë se çdo produkt që përmban yndyrë bimore ose qumësht pluhur është i ndaluar përgjithmonë nga tregu.

Operatorët që i përdorin këta përbërës, duhet t’i plotësojnë kërkesat e reja për licencim, kategorizim dhe deklarim, ndërsa produktet nuk mund të tregtohen si produkte tradicionale të qumështit nëse përbërja e tyre nuk e justifikon një emërtim të tillë.

Kontrollet që pasuan, nxorën në pah mospërputhje në treg.

Në fillim të gushtit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi se rreth 20 për qind e mostrave të analizuara të produkteve të qumështit kishin mospërputhje ndërmjet përbërjes së produktit dhe asaj që deklarohej në etiketë.

Shumica e rasteve kishin të bënin me praninë e vajit të palmës pa u deklaruar.

Sipas AUV-it, operatorët që përdorin vaj palme ose qumësht pluhur, duhet të pajisen me licenca të veçanta, ndërsa produktet e tilla nuk mund të tregtohen me emërtimet tradicionale si “qumësht”, “djathë”, “gjizë” apo “krem”.

Pas këtyre masave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) nisi kontrolle në markete, depo dhe tek importuesit e shitësit me shumicë e pakicë.

Bizneset u obliguan t’i largonin nga raftet produktet për të cilat organet kompetente kishin konstatuar mospërputhje.

Radio Evropa e Lirë kërkoi nga MINTI të dhëna për sasinë e produkteve të larguara nga tregu, por Ministria nuk iu përgjigj kësaj kërkese.

Në raftet e disa marketeve, ndërkohë, vërehet se disa produkte të qumështit që më parë ishin në shitje, nuk gjenden më.

Më pak vaj palme dhe qumësht pluhur nga importi

Një tjetër sinjal për ndryshimet në treg vjen nga Dogana e Kosovës.

Të dhënat për periudhën janar-korrik tregojnë se vlera e importeve të vajit të palmës dhe qumështit pluhur ka rënë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, Kosova importoi vaj palme në vlerë prej rreth 2.3 milionë eurosh, krahasuar me rreth 3 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025.

Rënia e vlerës bëhet më e dukshme nga maji.

Vetëm gjatë periudhës maj-korrik, vlera e importit të vajit të palmës ishte rreth 270 mijë euro më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por, këto të dhëna nuk dëshmojnë se rënia është shkaktuar nga masat e Qeverisë.

Vaji i palmës përdoret jo vetëm në produkte ushqimore, por edhe në industri të tjera, përfshirë atë kozmetike.

Për këtë arsye, ndryshimi i importit të tij të përgjithshëm nuk mund t’i atribuohet vetëm sektorit të qumështit.

Përndryshe, rënie të vlerës ka shënuar edhe importi i qumështit pluhur.

Nga rreth 1.8 milion euro gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025, ajo ka zbritur në rreth 1.3 milion euro gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti.

Fermerët optimistë, industria më e kujdesshme

Naser Bajraktari, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, pret që masat ta lehtësojnë problemin e fermerëve me plasimin e qumështit të freskët.

Sipas tij, kufizimi i përdorimit të vajit të palmës dhe produkteve alternative në qumështore pritet ta rrisë kërkesën për qumësht vendor, ndërsa efektet më të dukshme mund të shfaqen në vazhdim.

Ai thotë se fermerët kanë kapacitete për ta rritur prodhimin dhe për të mbuluar një pjesë më të madhe të nevojave të tregut.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe disa kompani përpunuese që përdorin qumështin e freskët si lëndë të parë.

Disa prej tyre, të cilat nuk pranuan të identifikohen, thanë se kanë rritur sasinë e qumështit të freskët që blejnë, por nuk ofruan të dhëna konkrete për sasinë e rritjes.

Të tjerë thanë se kanë ndërprerë përkohësisht prodhimin e disa artikujve, derisa t’i plotësojnë kërkesat për licencim.

Por, atë që fermerët e përshkruajnë si kthesë në treg, industria ende nuk e sheh si trend të konsoliduar.

Gani Durmishi, nga Shoqata e Industrisë së Qumështoreve të Kosovës, thotë se disa kompani, aktualisht, përballen me stoqe të produkteve të pashitura dhe se ende nuk ka rritje të ndjeshme të kërkesës për qumësht të freskët.

Sipas tij, shitja e disa produkteve, të cilat nuk i specifikon, ka rënë deri në 50 për qind.

Durmishi e lidh këtë rënie me perceptimin negativ të krijuar te konsumatorët pas kontrolleve dhe gjetjeve për përbërës të padeklaruar.

Ai kërkon nga AUV-i që ta informojë publikun se cilat produkte vendore i kanë kaluar analizat dhe i plotësojnë standardet e sigurisë, me qëllim që, sipas tij, të rikthehet besimi i konsumatorëve.

Durmishi, po ashtu, konfirmon se disa fabrika kanë pezulluar përkohësisht prodhimin e produkteve të caktuara që përmbajnë vaj palme ose qumësht pluhur, derisa t’i plotësojnë kërkesat e reja për licencim dhe kategorizim.

Sipas tij, problemi kryesor i industrisë nuk është kapaciteti për përpunim, por tregu për produktet e prodhuara.

Industria, thotë ai, ka kapacitet të përpunojë rreth një milion litra qumësht në ditë, ndërsa aktualisht përpunohen deri në 300 mijë litra.

Paradoksi i tregut të qumështit

Pikërisht këtu shfaqet një prej paradokseve të sektorit.

Kosova nuk prodhon mjaftueshëm produkte qumështi për t’i mbuluar nevojat e veta.

Industria thotë se punon shumë nën kapacitetet përpunuese.

E, megjithatë, fermerët kanë raportuar se një pjesë e qumështit të freskët nuk arrinte të gjente treg.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi vendor mbulon vetëm rreth 66 për qind të nevojave të tregut, ndërsa pjesa tjetër sigurohet përmes importit.

Në vitin 2024, industria e qumështit në Kosovë prodhoi produkte me vlerë prej 135.2 milionë eurosh.

Në të njëjtën kohë, është tkurrur edhe baza e prodhimit vendor.

Në vitin 2024, Kosova kishte 126.549 lopë qumështore – 3.348 më pak se një vit më parë, kur numri i tyre ishte 129.897.

Fermerët e lidhin këtë rënie, ndër të tjera, me pasigurinë shumëvjeçare të tregut.

Për ta nxitur prodhimin, Ministria e Bujqësisë subvencionon fermerët me 90 euro në vit për çdo lopë, si dhe me 2 deri në 7 centë për çdo litër qumësht të prodhuar, varësisht nga cilësia.

Por, fakti që Kosova importon rreth një të tretën e produkteve të qumështit që konsumon, ndërsa fermerët vendorë kanë pasur vështirësi ta shesin prodhimin e tyre, tregon se problemi nuk lidhet vetëm me sasinë e qumështit që prodhohet.

Çmimi, produktet alternative, importet, mënyra se si industria e siguron lëndën e parë dhe aftësia e tregut për t’i absorbuar produktet vendore janë pjesë e një zinxhiri më kompleks. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

PDK-ja dhe AAK-ja bllokojnë sërish hyrjen e Qeverisë: Kërkohet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit

Published

on

By

Për të katërtën javë radhazi, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë zhvilluar aksion para ndërtesës së Qeverisë, duke bllokuar hyrjen e saj me kërkesën për thirrjen e menjëhershme të seancës konstituive të Kuvendit.

Aksionit të së premtes i janë bashkuar edhe aktivistë e asamblistë nga Prizreni dhe Suhareka. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përsëri ka refuzuar t’i bashkohet kësaj proteste, përfshirë edhe gjashtë deputetët e saj që kundërshtojnë marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për çështjen e presidentit.

Protestat e opozitës vijnë pas ndërprerjes së seancës konstituive më 8 gusht, ku kryesuesi Avni Dehari nga LVV-ja nuk e ka thirrur vazhdimin e saj brenda afatit rregullor prej 48 orësh. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Spiegel: Zbulohen emrat e serbëve të lidhur me sulmin në Leipzig. Të kapur me eksplozivë

Published

on

By

Hetuesit gjermanë kanë zbuluar detaje të reja rreth tentativës së sulmit me dron ndaj një aeroplani mallrash ukrainas në aeroportin e Leipzigut, dhe të dhëna kyçe çojnë direkt në Serbi, shkruan e përjavshmja gjermane Spiegel, duke cituar burime në qarqet lokale të sigurisë.

Një nga të dyshuarit në sulmin në Leipzig është i lidhur me një burrë që u arrestua në Serbi në qershor për posedim eksplozivash. Sipas Spiegel, më 11 qershor, policia serbe ndaloi dy makina që po shkonin drejt Bashkimit Evropian pranë kufirit hungarez. Ata ishin Danilo B., i cili ka shtetësi serbe dhe ruse, dhe shtetasi serb Slobodan D.

 

Dronë dhe eksplozivë në kanaçe: “Serbia është një pikë e nxehtë për sabotimin rus”

Në makinën e parë, policia gjeti pjesë të një droni të modifikuar dhe qarqe kontrolli, ndërsa në të dytën, në një ndarje të fshehur, ata zbuluan kanaçe të mbushura me eksplozivë. Të dy kanë qenë në paraburgim që nga qershori, dhe autoritetet gjermane tani po kontrollojnë lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me të dyshuarit në aksionin në Leipzig – një bjellorus dhe një me shtetësi të dyfishtë ruse dhe letoneze.

Përveç kësaj, hetuesit rindërtuan lëvizjet e të dyshuarve dhe zbuluan se njëri prej tyre iku në Rusi pas operacionit nëpërmjet rrugës përmes Serbisë dhe Stambollit. Për shkak të gjithë kësaj, shërbimet evropiane të inteligjencës e shënojnë Serbinë si një “pikë të nxehtë” për sabotimin rus në të gjithë Evropën, duke deklaruar se shërbimet ruse atje rekrutojnë dhe trajnojnë operativë për operacione në terren.

Hetuesit u habitën menjëherë nga metoda identike e prodhimit të pajisjes. Në Leipzig, rreth 600 gramë të eksplozivit plastik jashtëzakonisht shkatërrues Semtex, i cili përdoret edhe nga ushtria, u vendosën në një kanaçe metalike të bashkangjitur në aeroplan, saktësisht e njëjtë me kanaçet e sekuestruara në kufirin serb.

 

Si dështoi sulmi në Leipzig

Vetë sulmi në Leipzig ndodhi më 4 gusht dhe u shmang vetëm nga një kombinim rrethanash. Një dron që mbante eksplozivë fluturoi drejt aeroplanëve të parkuar ukrainas të mallrave Antonov dhe goditi krahun e njërit prej aeroplanëve, por pajisja shpërthyese nuk shpërtheu për shkak të një sigurese të dëmtuar. Aeroplani që goditi droni kishte rezervuarë karburanti plot dhe kishte transportuar ndihmë ushtarake dhe municione në Ukrainë vetëm një ditë më parë.

Aeroporti i Leipzig/Halle është një qendër kyçe logjistike për operacionet e NATO-s dhe dërgimin e armëve në Kiev. Hetuesit përcaktuan se droni i rrëzuar ishte modifikuar shumë: kishte një bateri shtesë për rreze më të gjatë veprimi, një kamerë, një router 5G dhe dy karta SIM, pa drita të jashtme dhe mund të kontrollohej nga një distancë e gjatë përmes një rrjeti celular. Një antenë e veçantë u gjet gjithashtu në një pemë aty pranë që shërbente si përforcues sinjali.

 

Gjurmët e ADN-së dhe zjarrvënia në Poloni

Një përparim në hetim u soll nga gjurmët e ADN-së të izoluara nga një dron, një antenë dhe një kanaçe që përmbante Semtex, të cilat u përputhën përmes bazave të të dhënave në Lituani dhe Finlandë. Hetuesit gjithashtu lidhin një nga të dyshuarit me një sabotim të mëparshëm në qytetin polak të Loxh, ku një zjarr u vu në një dyqan të madh materialesh ndërtimi Leroy Merlin në korrik 2024. Megjithëse fillimisht u mendua se insekticidet ishin ndezur, prokurorët polakë më vonë vërtetuan se ishte sabotim rus.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës nga disa shërbime evropiane, të paktën katër rrjete sabotatorësh nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Moskës janë aktualisht aktivë në tokën e Bashkimit Evropian, dhe policia po kontrollon nëse avionë të tjerë morën pjesë në operacionin në Leipzig. Konkretisht, po atë natë, një aeroplan mallrash i DHL goditi një objekt fluturues të panjohur gjatë uljes.

Për shkak të gjithë çështjes, Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, njoftoi publikisht se strukturat shtetërore ruse ishin direkt pas sulmit. Si shenjë hakmarrjeje, Berlini urdhëroi mbylljen e konsullatës ruse në Bon dhe dëbimin e stafit të saj, si dhe ndërpreu kontratën me Shtëpinë Ruse në Berlin. Moska u hakmor duke pretenduar se ishte një gjyq i montuar dhe një provokim dhe mbylli Institutet Gjermane Goethe dhe konsullatën në Shën Petersburg.

Burimi: Index.gr/Spiegel

Continue Reading

Vendi

FSK me përfaqësim në akademitë prestigjioze ushtarake në SHBA

Published

on

By

Një kadet i Qendrës për Studime Universitare (QSU) ka nisur studimet semestrale me bursë në Universitetin Norwich në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar kështu një moment historik për këtë institucion ushtarak.

Kjo është hera e parë që një student nga QSU fiton një mundësi të tillë akademikosh në SHBA. Përzgjedhja e kadetit vlerësohet si dëshmi e ngritjes së nivelit akademik e ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe barazimit të standardeve të saj me akademitë më prestigjioze botërore.

Nga institucioni është bërë me dije se ky hap reflekton vizionin e udhëheqjes ushtarake për zhvillimin profesional të kuadrove të reja, duke përfaqësuar një investim afatgjatë në gjeneratën e ardhshme të oficerëve të FSK-së.

Continue Reading

Të kërkuara