Lajmet

​BE paralajmëron se Rusia po tenton të pengojë dialogun Kosovë-Serbi

Prandaj blloku evropian po dëshiron normalizim të shpejtë të raporteve.

Published

on

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian paralajmëroi se Moska po tentojë që të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj blloku evropian po dëshiron normalizim të shpejtë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të zvogëlohet hapësira e Moskës në destabilizim.

Në këtë kuadër, zyrtari, që foli në kushte anonimiteti me gazetarët në Bruksel, tha se Moska po tenton të pengojë palët që të arrijnë marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

“Ky është një propozim evropian i mbështetur nga të 27 vendet anëtare. Rusia ka bërë disa reagime, përmes ambasadorit në Beograd, duke kërkuar që të mos pranohet propozimi dhe që kjo të shtyhet derisa të mos krijohet ‘një rend i ri botëror’. Këtë e shohim si kërcënim ndaj presidentit Vuçiq që të mos e pranojë propozimin. Deri më tash nuk kemi parë se ka pasur ndikim te Vuçiqi, por ka pasur te një pjesë e opozitës në Serbi”, tha zyrtari.

“Nuk duhet t’i lejohet Rusisë që ta destabilizoj rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duhet të dëshmojmë se BE-ja është në gjendje të mbajë rajonin në gjirin e saj. E kemi neglizhuar rajonin për një kohë tepër të gjatë. Atmosfera në rajon është shumë e vështirë, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë të tensionuara dhe ka shumë probleme rreth mosnjohjes së dokumenteve. Kjo edhe e pengon bashkëpunimin në rajon”, theksoi ai.

Këto komente nga zyrtari në Bruksel u bënë disa ditë para takimit të 27 shkurtit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në nivel të lartë, në Bruksel janë shprehur se presin që ata, pa diskutime të mëtejme, ta pranojnë propozimin evropian dhe të diskutojnë vetëm për implementimin e marrëveshjes.

“Do të jetë takimi i gjashtë me radhë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Por, do të jetë takimi më i rëndësishëm deri më tash sepse takimet e fundit ishim më shumë për menaxhimin e krizave, sesa për normalizim të raporteve. Tash fokusi është te propozimi evropian”, ka thënë ky zyrtar.

“Presim që liderët ta miratojnë propozimin. Nuk duam që të diskutojmë për propozimin dhe përmbajtjen e tij sepse ata e dinë që nga shtatori këtë. Nuk ka hapësirë që të pajtohen për një pjesë e jo për tjerat. Por, jemi të hapur për të diskutuar modalitetet e implementimit”, ka deklaruar ky zyrtar.

Ai ka thënë se pret që diskutimet më të vështira të jenë ato për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndër tjerash ai ka shtuar se Kosova duhet që pa kushte ta zbatojë këtë obligim dhe se “me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e Asociacionit”.

Edhe në BE e konsiderojnë këtë marrëveshje si një lloj njohjeje de-facto të Kosovës. “Dhe, kjo është vërtet një njohje de-facto”, ka thënë ky burim i BE-së.

Burimet e BE-së kanë sqaruar se që nga vera palëve u është paraqitur propozimi për “marrëveshjen bazë“. Për përmbajtjen e këtij propozimi është biseduar disa herë, dhe kjo është hera e parë kur në takim dy liderët do të mund të bisedojnë për të edhe mes vete.

“Duhet ta ndërpresim ciklin e krizave. I kishim gjashtë kriza radhazi në kohën e fundit. Në kohën e barrikadave në veri të Kosovës ishim shumë afër zjarrit. Tash është koha ta ndërpresim këtë dhe të kemi një dinamikë të re në raporte mes tyre”, ka thënë ky zyrtar.

Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por nga një version që ka parë REL-i, del se ai nuk parasheh njohjen reciproke mes dy vendeve, por zotimin e të dyja palëve se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. Propozimi, po ashtu, kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë arritur deri më tash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. SHBA-ja e ka mbështetur këtë dokument.

Çfarë parasheh propozimi evropian?

Duke folur për takimet nga e kaluara, zyrtari i BE-së ka thënë se ato takime “ishin konstruktive“ por, sa i përket vizionit të dy liderëve për të ardhmen ishte e qartë se ato vizione nuk ishin aspak kompaktibile.

I njëjti burim ka thënë se ky propozim nuk është për marrëveshjen gjithëpërfshirëse finale, por vetëm një etapë drejt saj.

“Ky propozim nuk është fundi i rrugës, por është maksimumi që mund të arrihet në këtë moment. Atmosfera në Kosovë dhe Serbi nuk u ndihmon Kurtit dhe Vuçiqit që ta pranojnë marrëveshjen. Por, ajo ka një mbështetje të fuqishme nga liderët e BE-së dhe nga të gjitha shtetet anëtare. Prandaj, edhe do të ketë ndikim të madh në përmirësimin e jetës së qytetarëve, do të sigurojë liri të e lëvizjes në rajon, do të sjellë mundësi ekonomike dhe do t’i bëjë shumë më të lehta çështjet e njohjes së dokumenteve”, ka theksuar ky zyrtar i lartë i BE-së.

“Po bisedojmë shumë hapur me palët rreth implementimit. Ata e dinë se ku janë ngecjet. Do të monitorojmë dhe raportojmë për implementimin. Raportimet te vendet anëtare janë në kuadër të kapitullit 35 për Serbinë dhe në Komitetin për normalizim me Kosovën. Kësaj radhe raportimi do të jetë më i rregullt dhe do të lidhet direkt me rrugët e tyre drejt BE-së. Dialogu nuk duhet të shihet si i ndarë nga proceset tjera të raporteve të Kosovës dhe Serbisë me BE-në”, ka thënë ai, duke shtuar se pret që edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën të reagojnë pozitivisht.

“E dimë se pesë vendet po e ndjekin me kujdes dialogun. Kemi disa pritje nga to dhe kemi dashur t’i përgatisim. Do të ishte logjike të ketë reagime pozitive edhe nga to, por tash nuk mund të themi me saktësi se cilat do të jenë ato reagime”.

Të hënën, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, fillimisht do të ketë takime bilaterale me liderët ndaras, e pastaj takim të përbashkët. Në BE thonë se nuk presin që ky takim të jetë për krizat, por për marrëveshje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 23 shkurt se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit. Sipas tij, aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar propozimin evropian si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar./REL/

Rajoni

Ka nisur protesta në Shkup, studentë nga Kosova në mbështetje të kolegëve

Published

on

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve dhe studentëve në Shkup për protestën e paralajmëruar nga studentët e universiteteve në gjuhën shqipe, të cilët kërkojnë mbrojtjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Protesta, e organizuar me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, pjesëmarrësit kanë filluar të mblidhen në Urën e Gurit.

Në mbështetje të kolegëve të tyre kanë ardhur edhe studentë nga Kosova, të cilët thanë se përkrahja e tyre nuk do të mungojë dhe se protestat do të zhvillohen në mënyrë të qytetëruar.

“Studentët në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetë, ne jemi këtu për t’i ndihmuar. Duam të tregojmë se mbështetja jonë është e vazhdueshme dhe nuk do të ndalemi këtu”, tha një student nga Kosova. Ai shtoi se në protestë po marrin pjesë të rinj nga të gjitha qytetet e Kosovës.

“Ne kemi ardhur si grup me autobus dhe këtë protestë po e bëjmë në mënyrë të qytetëruar. Jemi prej të gjitha qyteteve të Kosovës”, u shpreh ai.

Organizatorët u kanë bërë thirrje edhe sportistëve, artistëve dhe figurave publike që t’i bashkohen protestës dhe të mbështesin kërkesat e studentëve.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët, pas asaj të mbajtur më 6 prill të këtij viti.

Continue Reading

Aktualitet

Gjendet i vdekur një burrë në “Ulpianë”

Published

on

Një burrë është gjetur i vdekur sot pas mesditës në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:30.

Pas marrjes së informatës, ekipet e urgjencës dhe policia kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

“Rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Pllana.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur menjëherë hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti. Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë rreth identitetit të viktimës apo shkaqeve të vdekjes.

Continue Reading

Vendi

Ka nisur Java e 17-të e Albanologjisë në Prishtinë

Published

on

Instituti Albanologjik ka hapur sot edicionin e 17-të të Javës së Albanologjisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme shkencore në fushën e studimeve shqiptare, e cila do të zgjasë deri më 22 maj.

Përgjatë katër ditëve, studiues nga Kosova, rajoni dhe më gjerë do të prezantojnë tema që lidhen me gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin dhe etnologjinë shqiptare, duke trajtuar edhe zhvillime bashkëkohore si inteligjenca artificiale, digjitalizimi i shqipes dhe ndikimi i komunikimit virtual në gjuhë.

Programi përfshin sesione të veçanta për letërsinë shqipe, historiografinë, trashëgiminë kulturore dhe antropologjinë e ushqimit, me fokus në identitetin kulturor dhe zhvillimet moderne të shoqërisë shqiptare.

Organizatorët theksojnë se konferenca synon të promovojë kërkimin shkencor dhe të krijojë hapësirë për shkëmbim akademik mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare.

Continue Reading

Lajmet

Aksident fatal në Koshare të Ferizajt, humb jetën një person

Published

on

Një aksident komunikacioni ka ndodhur sot në fshatin Koshare të Ferizajt, ku si pasojë ka mbetur i vdekur një person i moshës 60-vjeçare.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, në aksident janë përfshirë dy vetura me targa vendore, ndërsa rasti ka ndodhur rreth orës 12:15. Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar detajet e kësaj ngjarjeje tragjike.

“Sot rreth orës 12:15 kemi pranuar informatën se në fshatin Koshare të Ferizajt ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një person, mashkull, i moshës 60 vjeç, vdekja e të cilit është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor”, ka thënë Veseli.

Njësitet policore të trafikut kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe po hetojnë shkaqet që çuan deri te ky aksident fatal.

Continue Reading

Të kërkuara