Lajmet

​BE lëvdata Kosovës për procesin zgjedhor, kritikon Listën Serbe

Mandl theksoi se Lista Serbe ka monopolizuar jetën e serbëve në Kosovë.

Published

on

Votimi i qetë dhe i rregullt në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë kanë bërë që kjo e fundit të jetë shembull i demokracisë për gjithë rajonin. Kështu po e vlerëson Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve të 17 tetorit në Kosovë (EU EOM), me rastin e prezantimit të të gjeturave preliminare të procesit zgjedhor. Kritika pati për komunat me shumicë serbe, për të cilat u tha se konkurrenca politike ishte e kufizuar nga Lista Serbe.

Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE, njëherësh anëtar i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, theksoi se Lista Serbe ka monopolizuar jetën e serbëve në Kosovë, madje siç tha ai, duke kanosur dhe duke u bërë presion qytetarëve serbë përmes aktivistëve të saj. Ai tha po ashtu se procesi zgjedhor është organizuar mirë me disa mangësi të identifikuara edhe më herët, siç është kuadri ligjor, në kuadër të të cilit hyn financimi i partive politike.

Mandl tha po ashtu se ka pasur një numër rastesh të votimit të asistuar dhe rregullave për pranimin e letërnjoftimeve me afat të skaduar, teksa shtoi se edhe numërimi i fletëvotime ka marr vlerësime pak më të ulëta për shkak të disa mungesave të konsistencës në mënyrën se si procedurat janë ndjekur.

“Zgjedhjet komunale të 17 tetorit kanë qenë të organizuara mirë dhe janë respektuar liritë themelore gjatë fushatës. Pluraliteti i garuesve ka ofruar për garuesit një zgjidhje të vërtetë, në përjashtim të komunave me shumicë serbe, ku konkurrenca politike ka qenë e kufizuar. Për fat të keq, gratë kanë qenë të nën-përfaqësuara gjatë fushatës dhe përgjithësisht në strukturat e partisë. Financimi i fushatës nuk ishte transparent. Përderisa fushata tradicionale ishte më e heshtur, ajo online ishte më e gjallë. Mediat kanë kontribuar për t’i informuar votuesit ndërsa mangësitë afatgjata në kuadrin ligjor kanë mbetur të patrajtuara”, tha ai.

Mandl bëri të ditur se ditën e zgjedhjeve vëzhguesit e BE-së kanë vizituar afër 400 vendvotime, teksa theksoi se është parë nga afër se administrimi i zgjedhjeve ka qenë i pavarur dhe kredibil.

Sa i përket komunave me shumicë serbe, ku konkurrenca politike ka qenë e kufizuar, ai tha se Lista Serbe ka monopolizuar jetën e qytetarëve atje.

“Kandidatët e joshumicës kanë bërë fushatë pothuajse ekskluzivisht në komunitetet e tyre e kemi parë që Lista Serbe ka monopolizuar jetën politike të komuniteteve të serbëve të Kosovës dhe siç kanë përmendur disa misione të vëzhgimit të BE-së, ka pasur raste të kërcënimeve dhe presioneve nga kandidatët e Lista Serbe dhe aktivistët e tyre. Kuadri i pamjaftueshëm ligjor për financimin e fushatave mungesa e mbikëqyrjes domethënëse dhe vetëdijesimi i kufizuar i rregullave tek garuesit ka ndikuar në financim jo transparent të fushatës”, theksoi ai.

Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, tha se Kosova është shembull për rajonin sa i përket demokracisë teksa kritike u tregua për Listën Serbe, për të cilën tha se ka ngushtuar hapësirën dhe ka ushtruar presion gjatë fushatës. Ajo theksoi se ka pasur kërcënime nga Lista Serbe për t’i shtyrë serbët që të votojnë për këtë subjekt politik.

“Sot më shumë se kurrë, Kosova është shembull në kuptim të pluralizmit dhe standardeve demokratike për rajonin. Dua megjithatë të theksoj disa çështje kritike sa i përket procesit zgjedhor. Për fat të keq, disa çështje sistematike të identifikuara më herët nuk janë evituar ende. Një shqetësim që është ditur nga misioni në vitin 2017 dhe më 2018, e që dua ta ngrisë përsëri, është ngushtimi i hapësirës politike për serbët e Kosovës. Në disa komuna kemi parë një prani të madhe të LS që ka kufizuar konkurrencën mes partive politike. Disa qytetarë kanë raportuar për presione nga Lista Serbe”, tha ajo.

Ndërkaq, apeloi Qeverinë e Kosovës që sa më parë të trajtojë në nivel legjislativ çështjen e financimit të partive politike dhe fushatës zgjedhore.

“Është po ashtu kruciale që çështja e financimit të fushatës të trajtohet për zgjedhjet lokale. Shumica e bashkëbiseduesve kanë deklaruar se kuadri aktual ligjor duhet të përmirësohet për të ngritur transparencën dhe integritetit e financimit të partive dhe të fushatave. Ne, inkurajojmë autoritetet e Kosovës që ta trajtojnë këtë çështje në nivelin legjislativ sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Von Cramon.

E pyetur lidhur me atë se a kanë qenë vërtetë demokratike zgjedhjet e 17 tetorit duke kujtuar situatën e krijuar pas reciprocitetit në targa me Serbinë, dhe se si e raporton mesazhin e Goran Rakiqit se do të lëshojnë institucionet e Kosovës nëse nuk formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Von Cramon përsëriti edhe njëherë se ka pasur kërcënim të madh të votuesve ndaj kandidatëve që nuk ishin pjesë e Listës Serbe.

Misionit të BE-së iu shtrua pyetje edhe se sa ka qenë misioni i Vëzhguesve të BE-së është neutral.

“Ka kërcënim të madh të votuesve ndaj kandidatëve që nuk vijnë nga radhët e Listës Serbe. Kjo është ajo që kemi dëgjuar nga të gjithë bashkëbiseduesit në veri, qytetarë të ndryshëm, dhe prandaj e kemi vendosur këtë në raport. Është në interesin tonë që të shohim një pjesëmarrje më të madhe të partive politike, të kandidatëve në veri. Por, kjo ka munguar. Sa i përket mjedisit të përgjithshëm në veri, kjo është mbi mandatin tim për momentin, por gjithsesi në raportin tonë të PE do ta analizojmë këtë çështje”, tha ajo.

Von Cramon u pyet edhe për liberalizimin e vizave, për çka tha se kjo nuk varet nga Parlamenti Evropian. Ndërkohë u shpreh optimiste që edhe Brukseli do të vlerësojë maturinë dhe pjekurinë e madhe të treguar nga Kosova në zgjedhjet e 17 tetorit.

Vendi

PDK kërkon konstituimin e Kuvendit: Sot shënohet dita e 27-të e krizës

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës e ka vazhduar thirrjen edhe sot për konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar zgjidhjen e asaj që e cilëson si krizë shtetërore të shkaktuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Gjithashtu kanë vazhduar qëndrimin para hyrjes së Qeverisë se bashku me deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe aktivist nga Prishtina

Përmes një komunikate për media, PDK-ja ka theksuar se sot shënohet dita e 27-të e “përmbysjes së rendit kushtetues”. Kjo parti i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që mbështesin demokracinë dhe funksionimin e institucioneve që të marrin pjesë në seancën e paralajmëruar për orën 11:00.

“PDK kërkon konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit dhe përfundimin e krizës shtetërore të shkaktuar nga Albin Kurti. E kush është për demokraci, rend kushtetues dhe funksionim normal të shtetit, i presim sot në sallën e Kuvendit, në orën 11:00. PDK do të jetë aty!”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij subjekti politik./E.A/ 

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu liron nga detyra 18 gjyqtarët serbë të dorëhequr në vitin 2022

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar lirimin nga detyra të 18 gjyqtarëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje përgjatë vitit 2022. Vendimi vjen pas propozimit zyrtar të dërguar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Më 27 gusht, KGJK-ja kishte refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre dhe rikthimin në sistem, duke i rekomanduar presidencës lirimin e tyre përfundimtar nga detyra. Një vendim të ngjashëm më parë e ka marrë edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Ky hap ka nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, i cili shprehu “keqardhje të thellë” dhe kërkoi që riintegrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr të trajtohet brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Rreth 130 pjesëtarë të sistemit të drejtësisë u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, si pjesë e braktisjes kolektive të funksioneve publike në katër komunat veriore. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Çka pas 6 votave të LDK-së kundër Sejdiut?

Published

on

By

Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës u refuzua nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke ngritur pikëpyetje nëse ajo mund ta prodhojë kreun e ri të shtetit.

Pavarësisht kundërshtisë nga gjashtë deputetë, kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se marrëveshja me partinë e Lumir Abdixhikut qëndron dhe është e vlefshme.

Por, për Donika Eminin, ky konfigurim politik më nuk mjafton.

Emini, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG), thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos e mbështetur Bekim Sejdiun – kandidatin e përbashkët të LVV-së dhe LDK-së – për president, nënkupton se konfigurimi aktual s’i ka 80 deputetë që duhet të marrin pjesë në proces, duke bërë që të lindë nevoja për përfshirjen e partive të tjera në marrëveshjen për president.

LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja aktualisht, sipas Abdixhikut, ka vetëm 12 deputetë që e mbështesin Sejdiun për president. Nëse llogariten edhe pakicat joserbe – me të cilat Kurti bëri Qeverinë e kaluar – sërish nuk arrihet kuorumi që Sejdiu të bëhet presidenti i gjashtë i Kosovës që nga pavarësia.

Kurti ka kohë që refuzon votat e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit, e cila ka fituar nëntë mandate në zgjedhjet e qershorit.

Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq, ka 22 deputetë, ndërkaq Aleanca shtatë.

“Për ta bërë [marrëveshjen] funksionale, duhet të zgjerohet me një partner tjetër, qoftë Aleanca apo PDK-ja. Por, kjo do të ishte një konfigurim krejtësisht i ri politik dhe do të sillte edhe një sërë sfidash të reja”, thotë Emini.

Prej muajsh, Aleanca e Ardian Gjinit ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për institucionet, ndërkaq PDK-ja e Bedri Hamzës ka refuzuar që të bashkëpunojë me Kurtin, si për Qeverinë, ashtu edhe për presidentin, duke deklaruar se këtë mandat do të qëndrojë në opozitë.

Vetëm LDK-ja e Lumir Abdixhikut pranoi të negocionte me Kurtin, fillimisht për bashkëqeverisje – proces që dështoi pas kërkesës fillestare të LDK-së për të pasur presidentin – dhe më pas për presidentin, që rezultoi me marrëveshjen e 31 gushtit.

Atë ditë, LVV-ja dhe LDK-ja dolën me kandidatin e përbashkët për president, por vetëm një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër.

Kreu i LDK-së tha se me këtë vendim, pashmangshëm këta deputetë po e çojnë vendin në zgjedhje, ndërkaq Kurti më vonë e vlerësoi si “absurde”, “të dëmshme” dhe “të papërgjegjshme” sjelljen e tyre, duke shtuar se ata dëshirojnë zgjedhje të reja.

Emini thotë se paralajmërimi i Kurtit se do të takohet sërish me Abdixhikun dhe me kryesinë e LVV-së për marrëveshjen nuk nënkupton se ai domosdoshmërisht po planifikon zgjedhje, por është një “strategji që i jep atij kohë dhe hapësirë politike”.

“Ai mund të vazhdojë të negociojë me LDK-në, të presë nëse gjashtë deputetët ndryshojnë qëndrim, të shohë nëse Aleanca mund të jetë më fleksibile dhe, mbi të gjitha, të presë edhe zhvillimet në Hagë më 16 shtator”, thotë ajo, duke iu referuar shpalljes së aktgjykimit për rastin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndonëse thotë se jo domosdo Kurti po planifikon zgjedhje të reja, nëse nuk arrihet që Aleanca apo PDK-ja të futen në marrëveshje për president, atëherë “koha e fituar mund të funksionojë edhe në favor të një skenari zgjedhor”.

“Dhe, këtu kalendari bëhet politikisht i rëndësishëm. Dështimi për të zgjedhur presidentin do ta shtynte vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor në një kohë që mund t’i përshtatet Kurtit shumë më tepër sesa kundërshtarëve të tij”, shprehet ajo.

Sa i përket Aleancës, Emini thotë se ka hapësirë për fleksibilitet, pas paraqitjes së kushteve në këmbim të votës. Por, sipas saj, shtatë votat e partisë që drejtohej nga Ramush Haradinaj “nuk mund të merren automatikisht”.

PDK-ja e Hamzës, sipas saj, është në pozicion më kalkulues. Kjo parti, vlerëson Emini, nuk është e interesuar për zgjedhje, por është më e interesuar se çfarë do të ndodhë pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Sipas saj, një vendim lirues për ish-presidentin Hashim Thaçi, njëherësh ish-drejtues i PDK-së, do t’i hapte rrugë rikthimit potencial të tij në politikë, dhe rrjedhimisht do të ndryshonte ndjeshëm dinamikat brenda kësaj partie dhe skenës politike në përgjithësi.

Emri i Thaçit është propozuar për president nga ish-kreu i Aleancës, Haradinaj. Ndonëse ka pasur përkrahje për këtë kandidaturë nga Arian Tahiri i PDK-së, sekretarja e përgjithshme e partisë, Vlora Çitaku, ka thënë se Thaçi nuk ka nevojë për poste, por “për liri”.

E, pikërisht për shkak të zhvillimeve në Hagë, në këtë moment, sipas Eminit, për PDK-në do të ishte shumë e vështirë që të angazhohej në një marrëveshje të re politike me Kurtin.

“Pas vendimit, në varësi të asaj se çfarë ndodh dhe si ndikon kjo në PDK, mund të kemi një situatë krejtësisht tjetër dhe një diskutim tjetër politik”, vlerëson ajo.

Megjithatë, duke folur për mundësinë e gjetjes së rrugdaljes, ajo vë theksin tek afatet kohore.

“Afatet për zgjedhjen e presidentit janë shumë të ngushta dhe zgjerimi i një koalicioni, negocimi me një partner të ri dhe gjetja e një formule që mund të pranohet nga të gjithë nuk është diçka që mund të bëhet lehtë në pak ditë”, shprehet ajo.

Rrjedhja e afatit 60-ditor për presidentin nis me konstituimin e Kuvendit – proces që nisi më 6 gusht, por nuk është përmbyllur pasi LVV-ja insiston që fillimisht të ketë pajtim për presidentin.

Por, Emini vlerëson se Kurti e menaxhoi politikisht mirë situatën pas zhvillimeve në LDK, që vetë kreu i LVV-së i vlerësoi si negative.

Sipas saj, ai po ndërton narrativin ku paraqitet si lider i gatshëm për kompromis, “që vazhdon të kërkojë dialog me LDK-në dhe që është i gatshëm të presë deri në fund për ta gjetur një zgjidhje”.

Në deklarimin në orët e vona të 1 shtatorit, Kurti insistoi se kandidati për president për LVV-në vazhdon të jetë Bekim Sejdiu – ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-diplomat.

Sipas Eminit, Kurti po bën “një lëvizje shumë strategjike” duke ngulur këmbë se “Bekim Sejdiu është ‘kandidat i Republikës’ dhe jo thjesht kandidat i një marrëveshjeje partiake”.

“Në këtë mënyrë, ai e ngre kandidaturën mbi marrëveshjen LVV–LDK dhe e paraqet mbështetjen e tij si çështje të interesit institucional. Në mënyrë indirekte, kjo është edhe një kritikë ndaj mënyrës se si po sillet LDK-ja: nëse kandidati është i Republikës dhe nëse qëllimi është zhbllokimi i institucioneve, atëherë ata që e kundërshtojnë mund të paraqiten si ata që po e pengojnë këtë interes”, vlerëson ajo.

Pse Abdixhiku dhe Kurti po fajësojnë gjashtë deputetët?

Megjithatë, një gjë e përbashkët e Kurtit dhe Abdixhikut pas zhvillimeve më 1 gusht është fajësimi i gjashtë deputetëve të zgjedhur të LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen për president: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri.

Të gjithë janë arsyetuar se vota e tyre është kundër bashkëpunimit me LVV-në dhe “zgjatjen e pushtetit” të Kurtit.

Emini thotë se Kurti dhe Abdixhiku kanë arsye të ndryshme pse e zhvendosin fajin te ky grup deputetësh.

Kurti, sipas saj, fajëson këta deputetë për bllokadën, e jo udhëheqjen e LDK-së, sepse ajo “mund t’i duhet për marrëveshje në të ardhmen edhe nëse ka zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Abdixhiku, ndërkaq, e përdor fajësimin për një objektiv tjetër politik, thotë ajo. Ai “mund të distancohet nga përgjegjësia për rezultatin e ardhshëm të LDK-së”, vlerëson Emini.

“Nëse partia e tij dështon, ai tashmë ka krijuar një narrativ ku fajin e mbajnë ata gjashtë deputetë që bllokuan marrëveshjen, ndërsa përgjegjësia politike për performancën e partisë zhvendoset tek ata. Në këtë kuptim, gjashtë deputetët mund të bëhen edhe një lloj ‘scapegoat’ [v.j. dash kurbani] për problemet më të gjera të LDK-së”, vlerëson ajo.

Megjithatë, kundërshtimet brenda LDK-së, sipas Eminit, kanë të bëjnë me atë se procesi i negociatave për marrëveshjen nuk ishte transparent. Ajo thotë se ky rezultat ishte i pritshëm, pasi brenda partisë së Abdixhikut prej kohësh ka ndarje e rivalitete “që shkojnë përtej kësaj kandidature”.

Abdixhiku u sfidua nga një mocion mosbesimi në korrik, por i mbijetoi atij, duke vazhduar në krye të partisë. Edhe më herët, ai kishte kërkuar votëbesim për të udhëhequr partinë, pas rezultatit zgjedhor.

“Abdixhiku, si lider i partisë, mban përgjegjësinë kryesore për faktin që nuk ka arritur ta mbajë të bashkuar grupin e tij parlamentar dhe ta menaxhojë këtë konflikt brenda partisë. Ajo që po shohim sot është, mbi të gjitha, një krizë e lidershipit dhe e kohezionit të brendshëm të LDK-së, e cila tani po manifestohet përmes procesit presidencial”, vlerëson Emini.

Nëse skena politike e Kosovës dështon të zgjedhë një president të ri, qytetarët do t’iu drejtoheshin sërish kutive të votimit – për zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për çështjen e presidentit.

 

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj dy mjekëve në Vushtrri dhe 9 qytetarëve për ryshfet

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj dy mjekëve të Spitalit të Vushtrrisë, V.R. dhe E.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”. Përmes të njëjtës aktakuzë, nëntë persona të tjerë (F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K.) po akuzohen për “Dhënie ryshfeti”.

Sipas dosjes së prokurorisë, mjeku V.R. akuzohet për gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S. për tri raste ku në cilësinë e personave zyrtarë kanë kërkuar dhe pranuar drejtpërdrejt shuma të ndryshme parash për ofrimin e shërbimeve dhe trajtimit mjekësor ndaj pacientëve.

Nga ana tjetër, nëntë të pandehurit e tjerë akuzohen se u kanë ofruar ose dhënë mjekëve të akuzuar shuma parash që variojnë nga 50 deri në 300 euro, si shpërblim për kryerjen e ndërhyrjeve operative ndaj familjarëve të tyre. Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjeve në fuqi. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara