Lajmet

​BB: Rritja ekonomike për vitin 2023 pritet të jetë 3.7 për qind

Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës shfaq qëndrueshmëri pavarësisht ngadalësimit të rritjes.

Published

on

Ekonomia e Kosovës dhe rajonit është rritur duke tejkaluar nivelet e tyre para pandemisë, pavarësisht pasojave nga pushtimi rus i Ukrainës, rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, kushteve të pafavorshme të motit, shtrëngimit të kushteve financiare dhe pasigurisë së konsiderueshme, thuhet në edicionin e fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të publikuar të martën.

Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës shfaq qëndrueshmëri pavarësisht ngadalësimit të rritjes.

“Në Kosovë, në vitin 2022 u shënua një rritje më e lehtë ekonomike prej 3.5 përqind, e shtyrë nga eksportet dhe konsumi privat—i cili vazhdoi të tregojë qëndrueshmëri pavarësisht presioneve inflacioniste. Pozita fiskale vazhdoj të përmirësohej, udhëhequr nga performanca e vazhdueshme pozitive e të ardhurave publike kundrejt efekteve të inflacionit dhe përfitimeve nga rritja e formalizimit, si dhe nga nën-shpenzimi i investimeve kapitale”, thuhet në raport.

Sipas njoftimit të Bankës Botërore, përgjatë vitit 2023, rritja e Bruto Prodhimit Vendor pritet të jetë pak më e lartë, duke arritur në 3.7 përqind. Megjithatë, sipas BB-sw, rreziqet mbeten të larta. Presionet mund të rriten në rast të përshpejtimit të inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes së ekonomive të BE-së përtej pritjeve të tanishme.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut Massimiliano Paolucci, ka thënë se në këtë kontekst, është qenësore të ruhen rezerva të mjaftueshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve të papritura në mjedisin ekonomik.

“Banka Botërore në anën tjetër do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës për ta bërë ekonominë e saj më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe për t’u ofruar qytetarëve të saj më shumë mundësi për një jetë më të mire”, thuhet në raprot.

Sipas njoftimit, perspektiva për Ballkanin Perëndimor mbetet e zbehtë, me rritjen e Bruto Prodhimit Vendor që pritet të ngadalësohet në 2.6 për qind në vitin 2023, e nxitur kryesisht nga konsumi privat, eksportet dhe, për disa vende, nga investimet publike.

Në raport thuhet po ashtu se rajoni tani përballet me sfidat e rindërtimit të rezervave për t’u përgatitur për përballimin e goditjeve të ardhshme dhe realizimit të reformave në anën e ofertës që vendosin themelet për një rritje më të qëndrueshme dhe më të gjelbër.

Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Xiaoqing Yu thotë se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, pavarësisht përballjes me pengesa të jashtëzakonshme ekonomike.

“Për të vazhduar përballimin e tronditjeve të shkaktuara nga goditjet e shumëfishta ekonomike, vendet mund të përfitojnë shumë duke vijuar zbatimin e reformave që nxisin produktivitetin në periudhë afatmesme, të tilla si përshpejtimi i integrimit rajonal, rritja e nivelit të konkurrencës në treg, tërheqja e investimeve me cilësi më të lartë dhe lehtësimi i barrierave që kufizojnë pjesëmarrjen, veçanërisht të grave, në tregun e punës”, thekson ajo, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, inflacioni në Ballkanin Perëndimor u rrit ndjeshëm në vitin 2022 duke arritur në nivelin më të lartë të dy dekadave të fundit, dhe presionet në kahun e rritjes së çmimeve vijojnë të jenë të larta edhe në fillim të vitit 2023, thuhet në raport. Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, inflacioni i çmimeve të konsumit arriti nivelin më të lartë nga fundi i vitit 2022, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, ndërsa tani po shfaq shenja të uljes, ku faktorët e jashtëm nxitës po zbehen për shkak të ngadalësimit të rritjes së ekonomisë botërore.

Kjo rritje e çmimeve ka prekur veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta.

Më tej në raport thuhet se, pavarësisht rritjes së punësimit, ritmi i krijimit të vendeve të reja të punës u ngadalësua në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Raporti shton se një fushë investimi me potencial për përfitime të rëndësishme ekonomike për Ballkanin Perëndimor është ajo në efiçencën e energjisë. Madje edhe përmirësimet në nivele të moderuara në efiçencën energjetike të firmave do të sillnin reduktime të konsiderueshme të emetimeve të gazrave serrë të lidhura me energjinë, do të rrisnin fitimet e firmave, do të krijonin përfitime të mëdha sociale dhe do të ndihmonin në mbrojtjen ndaj goditjeve të ardhme në çmimet e energjisë elektrike dhe gazit.

Lajmet

Nagavci kërkon mbikëqyrje të shtuar të çmimeve

Published

on

By

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Qeverisë që të nisë menjëherë mbikëqyrjen e shtuar të tregut për të parandaluar shtrenjtimet abuzive të produkteve bazë gjatë muajve në vijim.

Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, Nagavci bëri të ditur se puna për funksionalizimin e Ligjit për çmime tavan ka filluar dhe se institucionet duhet të jenë të gatshme të veprojnë me kohë ndaj çdo shkeljeje nga tregtarët.

“Ligji për çmime tavan është miratuar, puna për funksionalizimin e tij ka filluar. Mbikëqyrja e tregut tash duhet të forcohet menjëherë në mënyrë që institucionet të mund të veprojnë me kohë kur paraqiten shkelje ose kushte për masa të përkohshme. Me Ligjin kemi krijuar edhe mundësinë që në rast të destabilizimit të tregut, të ndërhyhet për mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimet abuzive të produkteve themelore nga buka, mielli, vaji, qumështi, vezët, mishi, pemët e perimet deri te ushqimet për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët me burim nga druri për ngrohje”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo theksoi se rritja e të ardhurave të qytetarëve duhet të mbrohet përmes kontrollit të marzhave tregtare nga importi deri te shitja me pakicë, si dhe duke hetuar dyshimet për marrëveshje të fshehta mes tregtarëve që dëmtojnë konkurrencën.

Duke folur për ndikimin e konflikteve globale në ekonominë e vendit, Nagavci vlerësoi se krizat ndërkombëtare po rëndojnë koston e jetesës, por shtoi se ato nuk guxojnë të keqpërdoren nga tregtarët.

“Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë, por ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj”, përfundoi ajo. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për trafikim me njerëz në Gjakovë

Published

on

Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur fajtor të pandehurin me inicialet A.P. për veprën penale “Trafikimi me njerëz”, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Samedin Cena, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës, A.P. dyshohet se nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024, në Gjakovë dhe në disa qytete të tjera, ka trafikuar një grua me inicialet A.V. nga Prishtina, përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe formave të tjera të kontrollit e dhunës fizike dhe psikike.

Sipas përshkrimit të rastit, i pandehuri fillimisht kishte krijuar kontakt me të dëmtuarën përmes rrjeteve sociale dhe më pas e kishte punësuar në lokalet e tij në Deçan, Gjakovë, Pejë dhe Klinë.

Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara dyshohet se ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, ndërsa të ardhurat nga puna i merrte i pandehuri. Po ashtu, sipas aktakuzës, ajo ishte detyruar të mbulonte edhe obligimet financiare të tij, përfshirë qiranë e lokaleve, pagat e punëtorëve dhe këstet e kredive.

Dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit në formë të shkruar.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nën masa të larta sigurie, nis gjykimi ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i akuzuar për kanosje ndaj saj.

Seanca, e caktuar për orën 11:00, po zhvillohet pa praninë e publikut, bazuar në vendimin e gjykatës të datës 10 nëntor 2026.

Mediumi Arbresh.info ka publikuar pamje të momentit kur Njësia Speciale Intervenuese e ka sjellë Sylajn në gjykatë, nën masa të larta sigurie.

Sylaj akuzohet për kanosje ndaj Arlinda Zekajt, e cila tashmë ka ndërruar jetë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ligji për Specialen futet në rend dite me 79 vota për

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot futjen në rend të ditës të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si pikë e fundit e seancës së sotme plenare. Nga 84 deputetë të pranishëm në sallë, 79 votuan pro këtij propozimi.

Kërkesa erdhi përmes një mocioni procedural nga ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e cila bëri të ditur se pavarësisht mospajtimeve procedurale, PDK-ja ka arritur pajtim me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket përmbajtjes së ndryshimeve ligjore.

“Na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime, të cilat ne besojmë që ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm e të qëndrueshëm juridikisht”, deklaroi Çitaku para deputetëve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara