Kombëtarja e Francës ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, pasi mposhti Marokun me rezultatin pastër 2:0 në ndeshjen e parë çerekfinale të zhvilluar në Boston. Ndeshja u vendos në pjesën e dytë, ku sulmi francez u tregua sërish mjaft efikas në momentet kryesore, duke thyer dy herë rresht mbrojtjen e herizonit afrikan dhe duke bërë që Franca tani të presë fituesin e duelit mes Spanjës dhe Belgjikës.
Sfida nisi me një presion të lartë të francezëve, por portieri i Marokut, Yassine Bounou, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në pjesën e parë. Ai u bë protagonist kryesor duke pritur edhe një penallti të Kylian Mbappe-s në minutën e 28-të. Megjithatë, rezistenca marokene zgjati deri në minutën e 60-të, kur po i njëjti Mbappe gjeti rrugën e rrjetës me një gjuajtje të fuqishme, duke realizuar golin e tij të tetë në këtë turne, shifër kjo që e barazon atë me Lionel Messin.
Goli i parë i hapi rrugë dominimit të Francës, që vetëm gjashtë minuta më vonë dyfishoi shifrat. Ishte sërish Mbappe ai që ndërtoi aksionin, duke asistuar saktë për fituesin e “Topit të Artë”, Ousmane Dembele, i cili shënoi një gol mjaft të bukur për 2:0. Edhe pse Mbappe u detyrua të linte fushën i lënduar në minutën e 77-të, Maroku e pati të pamundur të reagonte apo të rrezikonte triumfin e francezëve. Me këtë rezultat, Maroku i jep lamtumirën Botërorit, duke përsëritur të njëjtin fat si në Katar në vitin 2022, ku u eliminuan po nga Franca me të njëjtat shifra. /E. A/