Edon Zhegrova ishte protagonist i Juventusit në ndeshjen e së dielës mbrëma ndaj Sassuolos, duke shënuar dy gola, por realizimet e tij nuk mjaftuan që “Zonja e Vjetër” të merrte pikë.
Kosovari u inkuadrua në lojë në minutën e 60-të dhe në pjesën e dytë tregoi menjëherë rrezikshmërinë e tij në fazën ofensive. Sassuolo, megjithatë, arriti të fitojë 3:2 në shtëpi, në kuadër të xhiros së katërt të Serie A.
Për Zhegrovën, këta ishin golat e parë me fanellën e Juventusit, pasi kosovari kishte pritur gjatë për të gjetur rrjetën me klubin e ri.
Zhegrova shënoi fillimisht në minutën e 82-të, kur realizoi për 1:1. Sulmuesi kosovar nuk u ndal me kaq, pasi në minutën e 91-të shënoi edhe golin e dytë personal, duke e barazuar rezultatin në 2:2.
Juventusi më pas kërkoi me ngulm golin e fitores. “Bianconerët” dërguan shumë lojtarë në fazën sulmuese, duke tentuar që në minutat e fundit ta përmbysnin ndeshjen.
Por ky rrezik i Juventusit i kushtoi shtrenjtë. Sassuolo përfitoi nga hapësirat e krijuara dhe në minutën e 94-t realizoi golin e tretë për fitoren 3:2.
Në portën e Sassuolos ishte edhe portieri i Kosovës, Aro Muriq, i cili pati një paraqitje të madhe dhe kontribuoi në fitoren e skuadrës së tij.
Pas ndeshjes, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, foli për paraqitjen e Zhegrovës dhe veçoi një prej cilësive kryesore të tij.
“Ai bëhet i pandalshëm dhe i paparashikueshëm kur krijon situata ‘një kundër një’ në hapësira të ngushta”, ka thënë Spalletti për Zhegrovën pas ndeshjes, shkruan “Tuttosport”.
Trajneri italian, megjithatë, theksoi se kosovari duhet të përmirësohet edhe në aspektin defanziv.
“Sigurisht, mund të humbë ndonjë top të lehtë dhe i mungon cilësia mbrojtëse për t’u kthyer prapa në krah. Por nëse luan lojë sulmuese, ai është lojtar i jashtëzakonshëm”, ka shtuar Spalletti.
Zhegrova ka kaluar një periudhë jo të lehtë gjatë verës. Për javë të tëra u raportua për një largim të mundshëm të tij nga Juventusi, ndërsa më vonë klubi e la jashtë listës së lojtarëve që do të paraqiten në garat evropiane.
Megjithatë, ndaj Sassuolos, 25-vjeçari dha përgjigjen e tij në fushë. Ai u inkuadrua në pjesën e dytë dhe brenda pak minutash shënoi dy gola, duke treguar se mund të jetë një opsion i rëndësishëm për Juventusin në fazën ofensive.
Pavarësisht paraqitjes së Zhegrovës, Juventusi mbeti pa pikë. Spalletti pranoi se skuadra e tij mori shumë rrezik në kërkim të fitores dhe se mungesa e balancës në fund ndikoi në pësimin e golit vendimtar.
“Lojtarët u munduan të fitojnë ndeshjen. Unë isha ai që i shtyva të shkonin për fitore dhe ndoshta ata e tepruan pak me atë që kërkova. Në fund kishim shumë lojtarë që shkonin drejt zonës së Sassuolos.
Kemi humbur pasi kemi dhënë çdo gjë për të fituar e jo për të barazuar. Natyrisht, ka përgjegjësi nga ana jonë, por e tëra erdhi nga dëshira për të fituar ndeshjen”, ka thënë Spalletti.
Kështu, Zhegrova e nisi në mënyrën më të mirë personale këtë paraqitje me Juventusin, duke shënuar dy gola, por në fund festa i takoi Sassuolos.
D.L