Lajmet

​Banorët e zonës “Qendër” protestojnë për çmimet e parkingut: Janë të papërballueshme

“Prishtina Parking” është ndërmarrja që rregullon sistemin e parkimit në kryeqytet.

Published

on

Banorët e zonës “Qendër” në Prishtinës sërish ka protestuar për çmimin e lartë të parkingut të veturave, çështje kjo e rregulluar nga komuna e Prishtinës përmes ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”. Ata thonë se janë pro sigurisë dhe rendit në zonën e tyre por jo me këtë kosto.

Përfaqësuesja e komunitetit lokal për siguri publike “Qendra” në Prishtinë, Violeta Hasani, në një prononcim për KosovaPress tha se duhet të mblidhet me urgjencë Asambleja komunale e Prishtinës për të ndryshuar çmimin.

“Është dita e tretë që jemi duke protestuar për pakënaqësitë e çmimores së ‘Prishtina parking’ e cila po dëshiron me i marrë (hapësirën) qytetarëve te zonës Qendër e ta shndërrojë në treg. Pagesa për banorin për veturën e parë është 10 euro, vetura e dytë 30 euro, vetura e tretë 45 euro për muaj, ndërsa për biznesin, që e ka diskriminuar total, është mujore 45 euro. Në asnjë aspekt nuk e lejojmë ‘Prishtina parking’ derisa ata vazhdojnë me qeverisë me standarde të dyfishta. Kërkojmë nga asambleja komunale me u mbledhë për të rishqyrtuar, me e vendos rregulloren e Kuvendit Komunal për shkak se atë rregullore e kanë sjellë njerëzit dhe atë rregullore munden ta ndryshojnë njerëzit”, tha Hasani.

Ndërsa, avokati Rrahim Ajeti, zyra e të cilit ndodhet po në atë lagje, thotë se para një jave zyrtarët e këtij parkingu i kanë njoftuar se nuk mund të parkojnë më, ndërsa thekson se çmimet janë të papërballueshme.

“E kam zyrën e avokatisë në këtë lagje, para një jave zyrtarët e ‘Prishtina Parking’ na kanë njoftuar që këtu nuk keni mundësi me i parku veturat, çmimi është 45 euro për biznese ndërkaq 10 euro për banorët. Ne si biznese nuk na e lejojnë, as mundësojnë, as të paguajmë 45 euro sepse janë në proces të identifikimit të banorëve, ne qëndrojmë prapa kërkesave të banorëve sepse çmimet janë të papërballueshme për banorët. Por edhe këto çmime nuk është dashtë fare të caktohen sepse këta banorë kur i kanë blerë banesat i kanë blerë bashkë me parking dhe janë të pandashme. Ne kërkojmë që banorëve t’iu mundësohet parking siç ka qenë ndërsa për biznese t’iu mundësohet edhe atyre që te kenë të paktën nga një veturë për biznes”, tha Ajeti.

Banorët kanë kërkuar që të takohen me përfaqësues të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” ose me të Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Ata thonë se nuk do të ndalojnë së protestuari derisa kërkesat e tyre të marrin zgjidhje.

Kujtojmë se “Prishtina Parking” është ndërmarrja që rregullon sistemin e parkimit në kryeqytet. Varësisht nga zona ka edhe çmime të ndryshme parkimi.

Aktualitet

UBT në mesin e 5 institucioneve finaliste në botë për çmimet Triple E

Published

on

Vetëm pesë institucione në botë janë përzgjedhur si finalistët e Triple E Awards – Universiteti i Angazhuar i Vitit (Kategoria Globale), dhe UBT është një prej tyre. Ky vlerësim e vendos UBT-në krah institucioneve më të njohura ndërkombëtare, duke treguar përkushtimin e tij ndaj arsimimit, inovacionit dhe ndikimit shoqëror në nivel global.

Përcaktimi si finalist është rezultat i viteve të përkushtimit për të integruar arsimin, kërkimin dhe ndikimin në komunitet në një model unik angazhimi që krahasohet me universitetet më të mira në botë.

Institucionet finaliste të tjera krahas UBT-së janë:

  • Jönköping University – School of Engineering (Suedi)
  • King Fahd University of Petroleum and Minerals (Arabia Saudite)
  • McGill University – Dobson Centre for Entrepreneurship (Kanada)
  • Fuzhou Melbourne Polytechnic (Australi/Kinë)

Të qëndrosh përkrah institucioneve kaq të njohura ndërkombëtare është një dëshmi e ekselencës dhe reputacionit ndërkombëtar në rritje të UBT-së. Fituesit përfundimtarë do të shpallen në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Triple E.

UBT është përzgjedhur në këtë finale globale kryesisht falë përkushtimit të tij të palëkundur ndaj dijes, inovacionit dhe përgjegjësisë shoqërore, të mishëruar përmes Strategjisë së Integruar të institucionit.

Me një rrjet në rritje të qendrave kërkimore – si 5G Innovation Hub, Instituti RIED, dhe Qendra Kombëtare për Monitorimin e SDG-ve në Kosovë – UBT forcon infrastrukturën kombëtare të kërkimit, nxit bashkëpunimin ndërdisiplinor dhe lidh akademinë me vendimmarrjen. Iniciativa si Pro-Academia, shërbimet falas për komunitetin dhe një program bursash i trefishuar që nga viti 2019, sigurojnë qasje, barazi dhe mobilitet shoqëror, veçanërisht për grupet e margjinalizuara.

UBT gjithashtu shfaq lidership humanitar gjatë krizave, e përfshin qëndrueshmërinë përmes Strategjisë së SDG-ve dhe Planit të Veprimit për Kampusin e Gjelbër, si dhe promovon rezistencën përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe diplomacisë arsimore. Duke e transformuar kampusin e vet në një laborator të gjallë, të zgjuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, UBT përfaqëson më së miri mënyrën se si arsimi i lartë mund të mobilizojë dijen për të mirën publike – me rrënjë lokale, i lidhur globalisht dhe i orientuar drejt së ardhmes.

Continue Reading

Bota

​Kriza demografike në sisteme arsimore, shkak emigrimi i grekëve të rinj

Published

on

Një krizë demografike po kërcënon sistemin arsimor grek në numrin ndjeshëm më të ulët të lindjeve në të gjithë vendin.

Shifrat nga mbi 118.000 në vitin 2008 në 62.500 vitin e kaluar, po përkeqësohen nga emigrimi i grekëve të rinj dhe një rënie në numrin e migrantëve që dëshirojnë të vendosen në Greqi raportojnë mediat lokale.

Kriza tashmë ka detyruar mijëra klasa dhe shkolla të mbyllen në të gjithë vendin, ndërsa regjistrimi në shkollat fillore dhe të mesme po tkurret.

Christos Bouras, rektori i Universitetit të Patras në Greqinë Perëndimore, paralajmëroi për një kolaps të afërt të hartës akademike për shkak të problemit demografik.

Regjistrimi i studentëve të vitit të parë në universitete ra nga gati 115.000 në vitin 2010 në rreth 71.000 këtë vit.

Humbja kumulative e studentëve të rinj ka arritur në 330.000”, tha ai.

Continue Reading

Aktualitet

Deri në tri orë janë pritjet në dalje të pikës në Merdarë

Published

on

Pas përditësimit të të dhënave në pikat kufitare, pritjet e gjata në disa pika vetëm se kanë filluar të zgjasin më shumë në dalje, të paktën deri në tri orë.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, pritjet deri në tri orë janë në dalje të pikës kufitare në Merdarë.

Pritjet janë duke vazhduar edhe tek Dheu i Bardhë dhe Jarinje deri në 20 minuta. Kurse, dhjetë minuta pritje janë në Mutivodë.

Continue Reading

Aktualitet

Nis fushata për mospërdorim të armëve në ahengje

Published

on

Në Kosovë ka nisur fushata me thirrjen që të mos përdoren armët në ahengje dhe rastet e tilla të raportohen për të parandaluar tragjedi të mundshme.

Në një njoftim të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se kjo fushatë është përgatitur me mbështetje financiare nga Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia përmes Fondit të Mirëbesimit për Kontrollin e AVL-ve në Ballkanin Perëndimor.

Kjo fushatë është mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian.

MPB shton se bashkëpunimi është thelbësor në parandalimin e tragjedive që mund të shkaktohen nga gjuajtjet me armë zjarri.

 

Continue Reading

Të kërkuara