Lajmet

​Arrestimi i Matteo Messinas tronditi mafian, por “Cosa Nostra” ende e fortë

Të martën ai u dërgua në një burg të sigurisë së lartë.

Published

on

Të dhënat e shtrira në kohë që dëshmojnë vrasjet që ka kryer Matteo Messina Denaro janë të mjaftueshme për të mbushur një varrezë, duke e shndërruar atë në një nga bosët kryesorë të mafies siçiliane.

Pasi ia doli për 30 vite t’i shmangej kapjes, teksa vazhdonte të drejtonte shumë nga punët e mafies, ai u arrestua të hënën në një klinikë në Palermo, ku po trajtohej me kimioterapi. Të martën ai u dërgua në një burg të sigurisë së lartë, megjithatë kapja e tij nuk pritet të sjellë zhdukjen e Cosa Nostra-s, falë rrënjëve dhe rregullave më shumë se një shekullore të grupit kriminal.

“Çfarë do të ndodhë në detaje, ne nuk mund ta dimë”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Palermos, Lia Sava, për radion shtetërore, lidhur me të ardhmen e mafies.

“Por një gjë është e sigurt. Cosa Nostra përbëhet nga rregulla. Ajo është mbështetur në këto rregulla për 150 vjet, ndaj sigurisht që do t’i vërë në lëvizje ato për të riparuar dëmet dhe për të krijuar kështu strukturën e re drejtuese, të nevojshme pas arrestimit”, Sava.

Edhe pse Messina Denaro kishte ndikim të madh tek mafia, për dekada të tëra, Cosa Nostras i mungonte një “udhëheqës suprem”, thanë hetuesit, raporton Zëri i Amerikës.

Figura praktikisht mitike e një “bosi mbi bosat” mori fund në vitin 1993, me arrestimin në Palermo, të Salvatore “Toto” Riina-s, i cili kishte qenë një nga personat më të kërkuar në Itali për 23 vjet.

Sipas dëshmive gjyqësore që çuan në dënimin e tij për shumë vrasje, përfshirë vendosjen e bombave në vitit 1992, ngjarje gjatë të cilave u vranë dy prokurorët kryesorë të antimafias italiane, Toto Riina ishte në krye të atij që njihej si “komisioni” i Cosa Nostra-s, i cili drejtonte biznese të paligjshme dhe kishte hartuar një strategji hakmarrjeje të përgjakshme kundër shtetit, si përgjigje ndaj goditjes që i ishte bërë grupit kriminal.

“Pas Riina-s nuk ka pasur kurrë një bos absolut”, tha kryeprokurori i Romës Francesco Lo Voi, i cili mori detyrën vitin e kaluar, pasi shërbeu si kryeprokuror i Palermos, duke ndihmuar në koordinimin e punës për kapjen e Messina Denaros.

Edhe nëse figura e “bosit mbi bosat” vazhdon të ekzistojë, Messina Denaro nuk do të ishte kualifikuar sepse ai vinte nga Castelvetrano, skaji perëndimor i Siçilisë dhe jo nga Palermo apo fshatrat përreth tij, vuri në dukje zoti Lo Voi, duke cituar rregullat e Cosa Nostra-s.

Megjithatë, Messina Denaro, djali i një bosi krimi, “ishte një nga bosët më të rëndësishëm dhe kishte lidhje me organizata të tjera kriminale në Itali dhe jashtë saj”, tha zoti Lo Voi.

“Kjo është arsyeja pse arrestimi i tij me siguri që përfaqëson një tërmet në këtë moment për Cosa Nostra-n”, tha Lo Voi.

Ajo çka ka rritur figurën e Messina Denaro-s brenda grupit kriminal ishin të dhënat e tij të forta si një shef i klanit e me një ndikim mbi një pjesë të madhe të Sicilisë perëndimore, tha Lo Voi.

Messina Denaro u transportua me një aeroplan ushtarak të martën në burgun e sigurisë së lartë në L’Aquila, ku rregullat strikte për bosët kryesorë të organizatave kriminale që nuk bashkëpunojnë me autoritetet, përfshijnë privilegje tejet të kufizuara për vizitorë.

Prokurori kombëtar i anti-mafies italiane Giovanni Melillo, tha se vendosja përfundimisht pas hekurave e Messina Denaro-s nuk do të ndryshojë strategjinë që Cosa Nostra ka ndjekur për më shumë se një dekadë.

Kjo strategji “nuk është më një strategji e dhunës” kundër shtetit, tha zoti Melillo në televizionin shtetëror të hënën në mbrëmje, duke iu referuar bombave të vitit 1992, që vranë prokurorët e Palermos, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, si dhe sulmet me bomba të vitit 1993 kundër kishave të Romës, pjesë e përpjekjes së mafias për të detyruar shtetin që të heqë dorë nga goditja e Cosa Nostra-s.

Në ndryshim, Cosa Nostra po ruan profil të ulët, duke zgjedhur të depërtojë në strukturat sociale dhe ekonomike të Italisë, tha Melillo.

Lajmet

Sulm ndaj zyrtarit policor në Vushtrri, i dyshuari në kërkim

Published

on

Në Vushtrri, më 31 maj 2026 rreth orës 18:50, është raportuar një rast i sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës.

Sipas Policisë së Kosovës, derisa njësiti policor ishte duke rregulluar dhe drejtuar komunikacionin, një i dyshuar me veturë nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarit policor. Ai fillimisht ka ofenduar policin dhe më pas ka goditur me automjet zyrtarin policor mashkull kosovar.

Viktima nuk ka pësuar lëndime trupore, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në kërkim policor.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente dhe hetimet janë në vazhdim.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Mitrovicën e Veriut për veshje të paautorizuar të uniformës së Policisë së Kosovës

Published

on

By

Një person është arrestuar në Mitrovicën e Veriut pasi dyshohet se kishte veshur pjesë të uniformës së Policisë së Kosovës pa qenë pjesëtar i këtij institucioni.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari është ndaluar dhe është shoqëruar në stacionin policor për intervistim. Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar tri veshje që i përkisnin Policisë së Kosovës.

Pas përfundimit të procedurave dhe me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e drejtësisë.

Continue Reading

Lajmet

Shtatë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

Sipas raportit të fundit 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë 31 majit janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje në komuna të ndryshme të vendit, ndërsa një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë pas një mosmarrëveshjeje. Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Po ashtu në Prishtinë, është raportuar se një i dyshuar kishte ushtruar dhunë fizike ndaj dy viktimave meshkuj. Viktimat janë intervistuar, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor. Rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër është raportuar në Fushë Kosovë, ku një grua dhe një burrë kanë pasur mosmarrëveshje. Të dy janë intervistuar dhe, pas konsultimit me prokurorin, rasti po hetohet në procedurë të rregullt.

Në Gllogoc, pak para mesnatës, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një burri tjetër. Pas procedurave policore, prokurori ka urdhëruar që rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Klinë është raportuar një rast i dhunës psikike, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar presion dhe dhunë psikologjike ndaj një gruaje. Pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.

Rasti më i rëndë është raportuar në Deçan, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në Mitrovicën e Jugut, një shtetase e huaj ka raportuar se është përballur me dhunë fizike dhe psikike nga një burrë dhe një grua kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa pas intervistimit të palëve, prokurori ka urdhëruar që rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar sipas procedurave ligjore dhe mbeten nën hetime.

Continue Reading

Lajmet

“Syrigana” e Petrit Halilajt prezantohet me sukses në Berlin

Published

on

Opera bashkëkohore “Syrigana” e artistit kosovar Petrit Halilaj është prezantuar para publikut ndërkombëtar në Berlin, në hapësirat e “Hamburger Bahnhof”, një prej muzeve më të rëndësishëm të artit bashkëkohor në Evropë.

Interpretimi u realizua nga një ansambël i Filharmonisë së Kosovës në kuadër të ekspozitës “An Opera Out of Time”, e cila kishte në qendër operën e parë të Halilajt dhe njëherësh shënoi mbylljen e ekspozitës së tij personale në këtë institucion prestigjioz.

E bazuar në mite, legjenda dhe rrëfime të lidhura me vendlindjen e artistit, “Syrigana” ndërthur muzikën, teatrin dhe instalacionin artistik, duke sjellë një përvojë unike për publikun. Vepra pati premierën në qershor të vitit të kaluar në Syriganë të Skenderajt dhe që atëherë është vlerësuar si një nga projektet më të veçanta artistike të realizuara në Kosovë.

Sipas Filharmonisë së Kosovës, prezantimi në Berlin përbën një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e operës, e cila tashmë ka potencial të vazhdojë jetën e saj artistike edhe në skena të tjera ndërkombëtare.

Me këtë paraqitje, Petrit Halilaj ka vazhduar ta prezantojë artin dhe kulturën e Kosovës në qendra të rëndësishme botërore, duke e shndërruar kujtesën, mitet dhe historitë lokale në vepra me jehonë ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara