Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, e sheh të dobishëm qëndrimin tre ditor në Kosovë të përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai thotë se pas marrëveshjes për energji në veri, ekziston momentum i mirë për dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e marrëveshjes finale me njohje reciproke.
Arifi thotë se progresi për arritjen e një marrëveshje për të pagjeturit dhe do të detyronte Serbinë të pranonte krimet e bëra në Kosovë.
“Vizita e zotëri Lajçak është shumë me rëndësi, sidomos pas vazhdimit të mandatit të tij për 18 muaj e ardhshëm. Kjo i jep një energji dhe siguri se dialogu duhet të vazhdojë në ritmin e duhur, apo të themi në ritmin më të mirë. Normalisht takimi i tij me gjithë krerët shtetëror dhe të pagjeturit na jep me kuptu se pas marrëveshjes për energji në veri, po ofrohet një momentum i mirë që të përfundojnë edhe marrëveshjet tjera sidomos ajo për të pagjeturit. Kjo është një shenjë e mirë se kjo është një dhimbje e madhe për ne dhe me mbylljen e këtij kapitulli edhe do të detyronim Serbinë që t’i pranojë krimet e bëra në Kosovë”, deklaron Arifi.
Ai thotë se pas marrëveshjes për energjinë në veri, pret një takim të nivelit të lartë në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Ekziston një momentum i mirë, sidomos pas arritjes së marrëveshjes për energjinë, apo dakordimit për atë marrëveshje. Ka momentum nga dy palët që të përfundojë dialogu, po flasim edhe për dialogun final, pavarësisht se mund të kemi edhe tema që gjatë rrugës mund të përfundojnë. Sidoqoftë edhe presioni ndërkombëtar, sidomos i ShBA-së dhe BE-së, por edhe ndaj Kosovës që të përfundojë ky dialog, pasi e kanë kuptuar që problemet e hapura apo konflikte te hapura sjellin konflikte më të komplikuara që mund të implikohen shumë palë që kanë qëllime jo të mira për Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.
Ndërkohë, kërkon nga Qeveria e Kosovës që mos të frikësohet nga tema e diskutimit të Asociacionit.
Sipas tij, i njëjti po zbatohet në formë të heshtur, kur flasim kompetencat e gjykatave atje, komunave dhe së fundmi edhe me energjinë.
“Asociacioni do të jetë pjesë e dialogut, Qeveria e Kosovës është treguar shumë rigjide në këtë pikë, por ndoshta e ka pasur si një strategji që mos të thotë ‘po’ në fillim, por të shtyjë sa më shumë që të vendos në kornizë të marrëveshjes finale. Sidoqoftë ajo duhet të bisedohet pa frikë, në fund të ditës është një marrëveshje ndërkombëtare që e kemi votuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Por, marrëveshja për Asociacionin nuk guxon që të ikë nga korniza e rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese e Kosovës. Në këtë formë edhe mund të pranojmë në parim, por me një fusnotë, por gjithmonë duke pritur njohjen nga Serbia sepse ajo do të ishte marrëveshja finale. Asociacioni mund të zbatohet vetëm kur të kemi njohje nga Serbia. Nëse e shikojmë në thellësi dhe detaje, ne kemi pranuar Asociacioni në formë të heshtur, kur flasim për Gjykatat në veri, kompetencat që iu kanë dhënë komunave serbe, së fundmi me energjinë, këto janë copëza të Asociacionit një formë”, shton Arifi.
Optimizmin e Lajçak për liberalizim të vizave për Kosovën, Arifi e vlerëson pozitiv, por thotë se ai është vetëm një zë shtesë dhe nuk është faktor vendimmarrës.
Krahas kësaj, ai sugjeron Qeverinë e Kosovës që mos të diskutojë dhe as të pranojë udhërrëfyes të ri për liberalizim të vizave.
“Qeveria e Kosovës as nuk duhet të diskutojë këtë çështje dhe të pranojë asgjë shtesë. Por Qeveria duhet të dedikohet që të implementojë të gjitha standardet e BE-së duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kjo për mua do të ishte një standard i lartë jo vetëm për shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vet brenda disa shteteve të BE-së. Sa i përket ndikimit të Lajçak në liberalizim të vizave, besoj se jo shumë, por gjithsesi është një zë shtesë dhe racionaliteti. Pasi është fasilatori i dialogut dhe mund të ketë një përshtypje pozitive për vizat, një mbështetje shumë e rëndësishme”, përfundon ai.
Pas qëndrimit tre ditor në Kosovë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u nis për në Beograd, ku do të takojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Gjermania ka miratuar eksporte të pajisjeve ushtarake në Izrael me vlerë prej gati 800 milionë eurosh gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në kohën kur lufta në Rripin e Gazës vazhdon.
Sipas të dhënave të Ministrisë gjermane të Ekonomisë dhe Energjisë, të publikuara pas një kërkese parlamentare nga Partia e Majtë, vlera e licencave të eksportit të miratuara nga janari deri në qershor ka tejkaluar katër herë shumën e miratuar për Izraelin gjatë gjithë vitit 2025.
Rritja e eksporteve erdhi pasi qeveria e kancelarit Friedrich Merz hoqi kufizimet e pjesshme për eksportet e armëve drejt Izraelit më 24 nëntor 2025.
Nga 735.8 milionë euro në licencat e miratuara vetëm gjatë tremujorit të dytë, rreth 67 për qind ishin të lidhura me një projekt detar.
Mes tyre përmendet edhe INS Drakon, një nëndetëse me shtytje të pavarur nga ajri, e ndërtuar nga kompania gjermane ThyssenKrupp Marine Systems, e cila së fundmi është nisur nga kantieri në Kiel drejt Izraelit.
Rreth 21 për qind e licencave lidhen me projekte të përbashkëta mes kompanive gjermane dhe izraelite, të cilat konsiderohen të rëndësishme për interesat strategjike të Bundeswehr-it.
Pjesa tjetër e eksporteve përfshin pajisje të ndryshme ushtarake, mes tyre armë të vogla, municion, eksplozivë dhe mjete ajrore pa pilot.
Në vitet e fundit, Gjermania kishte miratuar eksporte ushtarake në Izrael në vlerë prej 327 milionë euro në vitin 2023, 161.1 milionë euro në 2024 dhe 260 milionë euro në 2025.
Ndërkohë, sipas raportimeve, eksportet e armëve gjermane drejt Izraelit ishin rritur rreth dhjetëfish në vitin 2023 krahasuar me vitin paraprak./A.K/
Një qen në Alberta të Kanadasë ka hyrë në historinë e Guinness pasi arriti të kërcejë mbi shpinat e 56 personave në vetëm 16 sekonda.
Chardonnay, një qen i racës Australian Shepherd, realizoi sfidën më 14 qershor.
56 persona u rreshtuan në një vijë në fushën e bejsbollit, ndërsa Chardonnay kërceu nga njëri te tjetri, duke përfunduar të gjithë distancën në vetëm 16 sekonda.
Rregullat e rekordit lejonin deri në një minutë, por Chardonnay e përfundoi sfidën shumë më shpejt.
Trajnerja e saj, Jennifer Fraser, ka thënë se qeni ishte stërvitur për të kërcyer mbi shpinën e saj dhe se ky është vetëm një prej shumë aftësive që ka. Ajo ka paralajmëruar se synon ta thyejë sërish rekordin./A.K/
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në procesin e rigjykimit lidhur me rastin e njohur si “53-milionëshi”, të akuzuarit Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”, u mbrojtën në heshtje duke deklaruar se mbështesin deklarimet e dhëna gjatë fazave të mëhershme të gjykimit të parë.
Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, trupi gjykues që po gjykon rastin me përbërje të gjyqtarëve Violeta Namani-Hajra- kryetare, Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli- anëtarë, administruan sipas detyrës zyrtare provat materiale.
Provat që u administruan janë: Marrëveshja e Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë ndërtuese të autostradës “Arbën Xhaferi”- “Bechtel and Enka”, përgjigjen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, informatat nga Zyra e Kryeministrit, dhe rendin e ditës së mbledhjes së Qeverisë.
Pas administrimit të këtyre provave, prokurori special Valdet Gashi paraqiti vërejtje, duke thënë se këto prova janë jorelevante për rastin pasi që si Prokurori kanë theksuar se kontestuese është baza ligjore për pagesën prej 53 milionë eurosh për punët në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ndërkaq mbrojtja e Lekajt, avokati Artan Qerkini tha se kjo provë pikërisht vërteton se Lekaj nuk kishte dashje në kryerje të veprës penale dhe se vetëm ka zbatuar vendimin e Qeverisë për realizimin e pagesës shtesë për kompaninë ndërtuese “Bechtel and Enka”.
Deklarimet e avokatit Qerkini u përkrahën nga mbrojtja e Shatriti, avokati Driton Musliut, e Tahirit, avokati Urim Vokshi dhe e Berishës, avokatja Teuta Xhema.
Gjithashtu, para deklarimit lidhur me mbrojtjen në heshtje të të akuzuarve, me propozim të avokatit Vokshi u administruan 5 vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës të viteve 2017 dhe 2018 që lidhen me shpronësimet e pronave.
Këto propozime u mbështetën nga avokatët tjerë, ndërkaq u kundërshtuan nga prokurori Gashi me arsyetimin se nuk është kontestuese shtyrja e afatit të punimeve si rezultat i shpronësimeve, mirëpo fakti se si është vlerësuar çështja e kompensimit për shtyrje të afatit të punimeve.
Pasi të akuzuarit u mbrojtën në heshtje, seanca u ndërpre për të vazhduar në të radhës me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët në procedurë.
Ndryshe, ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama kishte refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj ishte dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata kishte shpall edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Nebih Shatri ishte dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri ishte dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre ishte shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha ishte dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se ekziston një mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën, por ka akuzuar Kievin se po i ndërlikon bisedimet përmes sulmeve ndaj anijeve tregtare dhe paralajmërimeve për hapësirën ajrore ruse.
Gjatë fjalës së tij në një forum ekonomik në Lindjen e Largët të Rusisë, Putin ka theksuar se vende si SHBA-ja dhe Kina janë të gatshme të mbështesin procesin, mirëpo zgjidhja përfundimtare u takon dy vendeve në konflikt. Ai i cilësoi veprimet e fundit të Ukrainës si “akte të terrorizmit shtetëror”, duke iu referuar sulmeve ndaj anijeve dhe thirrjeve të Kievit drejtuar agjencisë së OKB-së për aviacionin që të ndalohen fluturimet civile mbi territorin rus.
Pavarësisht ngecjes së bisedimeve që nga shkurti, kreu i Kremlinit bëri të ditur se Rusia po mban kontakte me administratën e presidentit amerikan Donald Trump përmes shërbimeve të inteligjencës dhe të dërguarve të posaçëm, duke shprehur gatishmërinë për rivendosjen e plotë të marrëdhënieve me Uashingtonin.